Durrës, 17. 01. 2015 – Më 10 janar 2015, nëpër rrugët e Prisit, u bë një i quajtur “marshim i solidaritetit botëror kundër terrorizmit”. Ky manifestim ishte i veshur fund e krye me hipokrizi. Fytyrat e kryerprotagonistëvet nuk ishin të mbuluara me maska prej lëndësh plastike, siç bëhet zakonisht në karnavale, por vetë lëkura e atyre fytyrave s’ish tjetër, veçse një mbulesë plastike prej njerëzish të shtirur. Më vjen keq që flas kështu për njerëz që kanë në dorë fatet e kontinentit tim, por jam i detyruar ta them, përndryshe, historia do të na ndëshkonte për heshtjen.
Klasa politike që e organizoi këtë paradë, shtirej sikur ishte ithtare e humanizmit (humanité), por ish shumë larg prej humanizmit të vërtetë, shtirej sikur ish ithtare e drejtësisë (égalité), por ish shumë larg prej asaj drejtësie që sot kërkon njerëzimi, shtirej si ithtare e vëllazërimit (fraternité), por ish shumë larg prej çdo lloj forme të vëllazërimit të vërtetë të popujvet.
Formulimi ymanite, egalite, fraternite (humanité, égalité, fraternité), është i vitit 1789, por, as F.Holandi, as A.Merkeli, as D.Kameroni, as B.Netaniahu dhe as S.Lavrovi, nuk kishin asgjë të përbashkët me shpirtin dhe kërkesat, as të asaj kohe, as të kësaj kohe. Në shekujt XIX dhe XX, po në Paris dhe në përgjithësi nëpër Evropë, përhapej me forcë të madhe shprehja shpresëshumë e popujvet: Internacionale do të jetë Bota e Re! Mirëpo, në këtë marshim, i cili më kot u mundua të paraqitej si një mishërim i solidaritetit botëror, nuk mund të shiheshin as përafërsisht, as fryma e së dikurshmes ymanite, egalite, fraternite, dhe as ajo e mëvonshmja: Internacionale do të jetë Bota e Re.
Faktorët që e zhbënin idenë e një solidariteti botëror të mirëfilltë, faktorët që e shkatërronin që në zanafillë një ide të tillë, ishin e pakta 2: I pari, aty nuk bëhej fjalë për të gjithë llojet apo rastet e viktimavet të terrorizmit dhe, i dyti, aty nuk morën pjesë disa nga subjektet më kryesorë botërorë, pa të cilët as që mund të mendohet kurrfarë solidariteti i përbotshëm.
Nuk po i numëroj një për një rastet e viktimavet të terrorizmit, të kohës sonë, por po vë në dukje vetëm disa prej tyre. Nga Siria janë dëbuar dhe kanë mbetur rrugëvet mbi 1 milion fëmijë, por aty, as në fjalimet e pjesëmarrësvet dhe as në ndonjë mënyrë tjetër, nuk u tërhoq vëmendja mbi një të tillë rezultat rrënqethës të terrorit asadian. Izraeli, duke bombarduar një territor të Palestinës, vrau, midis tjerëvet, më shumë se 1000 fëmijë. Të vrasësh 1000 fëmijë, është 1000 herë më krim se të vrasësh 10 gazetarë apo 3 hebrenj në në një supermarket tregtie! Por aty, jo vetëm që nuk u përmend ky lloj terrori, por u pranua të merrte pjesë vetë kryevrasësi i atyre fëmijëve, B.Netaniahu. Dhe, që hipokrizia të ishte edhe më e neveritshme, po në atë ”marshim” mori pjesë edhe vetë kreu i palestinezëvet. Po në atë ditë, në Nigeri, bandat e Boko Haramit vranë mbi 2000 nigerianë dhe nuk u vu as edhe 1 kurorë lulesh, qoftë edhe diku anash, në kujtim të atyre viktimave. A s’ishin njerëz edhe nigerianët, si dhe gazetarët e Sharli Ebdosë?! Njerëz ishin edhe ata, por hipokrizia nuk i lejoi “marshuesit e solidaritetit” ta shikonin krimin edhe jashtë “botës së zhvilluar”. Madje as brenda vetes nuk panë kurrfarë terrori tjetër, përveç atij të terroristëvet islamikë. S’ka shumë kohë që ai lloji tjetër i terrorit u ka marrë jetën një numri jo të vogël nxënësish edhe mësuesish në SHBA. Por ata as që u përmendën. Pse?! Në Suedi, një terrorist, në dukje i vetmuar, pat vrarë disa dhjetëra njerëz, krejt të pafajshëm. Nuk u tha asnjë fjalë as për viktimat e atij terrori. Në Ukrainën Lindore po vriten njerëz, po vriten civilë, prej terroristësh, të frymëzuar qartazi nga qeveria e Rusisë. Në këtë marshim “solidariteti botëror”, jo vetëm që nuk u fol për viktimat e Ukrainës, por mori pjesë edhe S.Lavrovi, si një kryehipokrit, në krah të B.Netaniahut.
Si mund të realizohej qoftë edhe më minimali solidaritet botëror, me kompozime të tillë pjesëmarrësish, përgjegjës të drtejtpërdrejtë për çfarë po ndodh sot nëpër botë?!
Duke gjykuar kështu, ne mund ta marrim edhe përgjigjen, pse nuk morën pjesë, në këtë lloj “solidariteti botëror”, à la F.Holand, edhe udhëheqësit e tjerë të rëndësishëm të kësaj bote: Presidenti i SHBA-së, presidenti apo kryeministri i Republikës së Kinës, presidenti i Rusisë, i Indisë, presidentja e Brazilit, e Australisë… A mund të quhet “solidaritet botëror” pa pjesëmarrjen e të gjithë këtyre që i përmenda?!
***
Vrasja e gazetarëvet të Sharli Ebdosë është vërtet një trtagjedi nga më të dhimbshmet dhe njëkohësisht nga më revoltueset. Në një shkrim të mëparshëm e kam quajtur edhe unë veten “Zhë syi Sharli ebdo”. Ata ishin njerëz të mediavet. Madje, diç më tepër se shumë prej kolegëvet e tyre, ata ishin edhe përfaqësues të antikonformizmit. Ishin njerëz që mendonin me mendjet e tyre dhe jo me mendjet e dikujt tjetër. Kjo ka shumë rëndësi. Thuhet se ata ishin edhe ateistë dhe se fenë e konsideronin opium për popullin, ashtu siç e pat konsideruar edhe K.Marksi. Asnjë nga këto, nuk mund të vlerësohet si cilësi negative e tyre, sado që ka vend për korrigjime.
Megjithatë, duhet pohuar me objektivitet se forma që ata kishin zgjedhur për t’u pozicionuar ndaj religjionevet, nuk ka qenë ajo që duhej. Nuk mund të miratohet paraqitja në karikaturë e vetë krijusit të fesë islame. Janë qindra milionë njerëz që e adhurojnë Muhamedin si një profet, dhe, duke e paraqitur atë të shfytyruar, te këta qindra milionë adhurues të tij, doemos, arrihet efekti i kundërt: Urrehet karikaturisti, jo objekti, Muhamedi. Përkundrazi, objekti, muhamedi, adhurohet edhe më shumë. Edhe pranimi prej gazetarëvet të Sharli Ebdosë i sloganit marksist “feja është opium për popullin”, është tashmë shprehje e një lloj konservatorizmi. Feja vërtet është përdorur si opium për popujt, por jo prej njerëzvet drejtësikërkues, jo prej ithtarëvet të së mirës. Feja është përdorur dhe përdoret si opium, prej shfrytëzuesvet dashakëqinj të ritevet, të bindjevet dhe të parimevet të cilësdo fe.
Filozofët dhe veçanërisht sociologët duhet ta dinë që njerëzimi nuk mund të ekzistojë pa një lloj religjioni. Religjioni është domosdoshmëri për ekzistimin e njerëzimit. Tjetër gjë është se çfarë religjioni u duhet njerëzvet në një fazë të caktuar historike. Në një fazë të hershme njerëzimit i është dashur politeizmi, në fazën pasuese njerëzimit i është dashur monoteizmi, sot njerëzimit i duhet një religjion tjetër, i cili nuk do të predikojë më një perendi mistike, por një perendi reale dhe tokësore gjithnjerëzore.
Por e gjithë kjo nuk ka pse të realizohet, as me anë të urrejtjes, as me anë të luftëravet. Blasfemia më e paarsyetueshme e monoteistëvet ka qenë shkatërrimi i tempujvet të politeizmit. Kjo është pohuar gjithandej, por veçanërisht nga korifejtë e Rilindjes dhe Humanizmit Evropian. Në qoftë se tani ithtarët e një religjioni të ri, pa misticizëm dhe pa bestytni, do t’i hynin punës për të rrënuar me dhunë tempujt e monoteizmit mistik, kjo do të ishte blasfemia e tyre më e pafalshme. Pikërisht këtu kanë gabuar gazetarët e Sharli Ebdosë, ndoshta në një farë mase edhe nga vetë natyra satirike e revistës së tyre.
Po kaq gabuan dhe po gabojnë shumë rëndë edhe vazhduesit e kësaj reviste. Si për hakmarrje, ata po e rinxjerrin Muhamedin në formë karikature. Kjo nuk mund të quhet luftë kundër terrorizmit! Kjo është rindezje e konfrontimit dhe vetëvetiu rinxitje dhe rifuqizim i mentalitetit terrorist. Ripublikimi në faqet e Shrli Ebdosë i karikaturës së Muhamedit ka edhe anën e vet komerciale të pafalshme. Këtë revistë tani do ta blejnë miliona njerëz, por sa do t’i shërbejë kjo “solidaritetit botëror” à la F.Holand?!
Thashë që në fillim se krejt ai marshim, që nga pikënisja si promovim i njëfarë „solidariteti botëror“, ishte hipokrizi. Në mënyrë të veçantë, jo përpjekja, por gjoja përpjekja për ta veçuar besimin islam nga i quajturi islamizëm ekstremist, është fund e krye hipokrizi. Sa më shumë që flet presidenti F.Holand për “mbrojtjen”, “mosurrejtjen” etj etj. të myslimanëvet „të tjerë“, aq më lakuriq del hipokrizia e tij. Kush do t’i blejë ato miliona revista me karikaturën e Muhametit në faqen e pare? Ata evropianë që ushqejnë ndjenja sipmpatie ndaj fesë islame, apo ata që e urrejnë islamin në tërësi?!
Por edhe ajo pjesë e krerëvet të islamit, që thotë se feja e tyre nuk i miraton luftën dhe dhunën, s’bën tjetër, veçse „politikë“ dhe hipokrizi. Vetë Kurani, në pjesën më të madhe të ajetevet, u predikon njerëzvet frikë prej Allahut. Po marr vetëm disa shembuj: „Në zemrat e tyre (të atyre që nuk besojnë, Gj.D.), ka sëmurje, e Allahu ua shton sëmurjen edhe më shumë e, për shkak se ata përgënjeshtruan, pësojnë dënim të dhimbshëm.“ (f.32). „ruajuni zjarrit… që është i përgatitur për mosbesimtarët!“ (f.33). „të më keni frikë vetëm mua (thotë Allahu, Gj.D.) (f.36) „Ata, në këtë jetë kanë nënçmim e në botën tjetër dënim të madh“ (f.47). „Allahu ndëshkon shumë ashpër.“ (f.82). „E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpruarit. Ndëshkimi i tyre është: mallkimi nga allahu, nga engjëjt dhe nga gjithë njerëzit.“ (f.92).
Me të këtillë frikësime, kërcënime dhe dënime, është i mbushur krejt Kurani. Janë më shumë se 1140 ajete pikërisht me të këtillë përmbajtje dhe ata ushtrojnë te besimtarët aq shumë presion, sa u duket sikur të gjithë njerëzit e tjerë janë njerëz të mbaruar përfundimisht.
Por jo vetëm kaq. Në Kuran u bëhet thirrje e hapur besimtarëvet që të luftojnë kundër të quajturvet mosbesimtarë. „luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë, por mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë.“ (f.58) Këtu vërtet lihet njëfarë shtegu: „mos e teproni“, por ç’do me thënë „mos e teproni“?! Njeriu fanatik a e di, a është në gjendje të përcaktojë kufirin ku duhet të ndalet?! „e nëse ju sulmojnë, atëherë sulmoni edhe ju ata.“ (f.59). „Luftoni ata deri sa të zhduket propagandimi i idhujtarëvet dhe deri sa të aplikohet feja vetëm për Allahun.“ (f.59). „e nëse refuzojnë, atëherë, kudo që t’i gjeni, kapini dhe mbytini dhe prej tyre mos zini as mik, as ndihmës.“ (f.124) „kapini e mbytini kudo që t’i takoni.“ (f.124) (Citatet janë marrë nga Kur’ani, botim i vitit 1987 në Prishtinë.)
Kush mund të thotë tani që klerikët e islamit janë të sinqertë, kur thonë që „një Zot kemi“, „jemi të gjithë të barabartë para Zotit, myslimanë e të krishterë“?! A flasin kështu para xhematit të vet, atje ku nuk ka të krishterë?! A kemi dëgjuar që të jetë skomunikuar nga feja islame ndonjë terrorist, qoftë edhe njëri nga ata që po u presin kokat pengjevet para kameravet?!
Në anë tjetër, kush mund të thotë që F.Holand e të tjerë, që i rrinin F.Holandit përkrah, janë të lumtur se ekziston islamizmi?! Kur, ata që e ideuan dhe e udhëhoqën atë marshim, ua marrin kapitalet popujvet myslimanë dhe i grumbullojnë nëpër metropolet e vet, a thua vetëm ekstremistëvet ua marrin ata kapitale?! Kur organizuesit dhe udhëheqësit e atij marshimi ua marrin naftën dhe gazin atyre popujve, aq sa i detyrojnë të mbyten përballë Lampeduzës, a thua vetëm ektremistëvet ua rrëmbejnë atë pasuri natyrore?!
Më i drejtpërdrejti dhe më me këmbë në tokë në krejt atë tubim hipokritësh, ishte kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Ed Rama. Ai u tha evropianëvet: „Feja islame është këtu, njëlloj si edhe feja e krishterë. Evropa s’ka nga shkon tjetër, veçse në rrugën që e kanë zgjedhur shqiptarët qysh në shekullin XIX.“
Asnjeri prej pushtetarëvet të tjerë nuk kish përkrah as edhe 1 përfaqësues të fevet.
Megjithatë, as Ed Rama nuk u paraqit dot ashtu si do të duhej. Duke qenë i pesti midis 4 përfaqësuesvet të besimevet që i konsiderojmë si besime zyrtarë në Republikën e Shqipërisë, ai, megjithatë, nuk mundi të promovjë aty një besim të pestë, superior ndaj 4 të tjerëvet. Nuk mundi, sepse, sado që ai edhe mund të jetë ithtar i një besimi të ndryshëm nga ai i të 4 klerikëvet që i kish me vete, nuk e ka institucionin përkatës. I quajturi ateizëm (emërtim ky krejt i gabguar), është përhapur në mënyrë latente, pa kurrfarë teorie të saktë dhe pa kurrfarë organizimi. Dhe ndodh kjo pikërisht në fillimet e një epoke nga më kritiket në historinë e deritashme të njerëzimit.
Përfundimisht, ky parakalim delirant i hipokrizisë, i dëshmoi njerëzimit, më 10 janar 2015, se institucionet e këtij fillimshekulli janë që të gjithë në krizë. Pas krizës dhe dështimit të ideologjisë dhe shtetit komunist, ka ardhur tashmë, më e qartë se kurrë, edhe kriza e religjionevet tradicionalë dhe e shtetit tradicional kapitalist. Kush nuk e kupton këtë realitet të ri historik, është i dënuar të sillet vërdallë nëpër arsyetime, siç sillet nëpër lëmë një kalë i lidhur te strumbullari.