(Durrës, 07. 12. 2012) – Këto gjëra duhej t’i thoshte dikush në atë ditë të shënuar të historisë sonë. Atë ditë ndoshta duhej të ishin marrë vesh për të mbajtur një fjalim të përbashkët para Kombit (s’kish rëndësi kush e lexonte) 2 kryeministrat tanë dhe zv.kryeministri shqiptar i Ish-Rep.Jug. të Maqedonisë. Aty të parashtroheshin të arriturat tona të këtij 100-vjetëshi.
Gazetat tona të shumta, në atë ditë, ndoshta duhej të hiqnin dorë nga “stolisjet” lara-lara të faqevet të tyre të para dhe të dilnin, në faqe të parë, me nga një editorial serioz, të gjatë e të mirëstudiuar, pikërisht mbi arritjet e Kombit Shqiptar në këto 100 vjet. Do të kish lezet të dilnin atë ditë gazetat tona ndryshe nga herët e tjera.
Sigurisht, u thanë shumë gjëra, mundet që edhe në këtë formë, siç po them unë, janë thënë, por, megjithkëtë, një shkapërderdhje, ngjashëm me atë të tortes, tashmë famëkeqe, u vu re, do të thosha unë, në mënyrën më trishtuese të mundshme. Udhëtuam, vrapuam, u grumbulluam, tundëm Flamurin, kënduam, i mbajtëm nja 2-3 fjalime, më shumë turbullues se sa mendjekthjellët, mendjekulluar, dhe u kthyem secili në punët e veta.
Dihet që ne mund të flasim dhe duhet folur edhe për turpet, që s’i kemi të pakët, por jo atë ditë. Atë ditë duhej të ishte folur gjërë e gjatë për të mirat që na i ka sjellë Shpallja e Pavarësisë.
Cilat janë aritjet?!
Cilat janë, pra, fitoret e këtij Kombi në këta 100 vjet?
Kam përshtypjen se pak prej nesh do të mund t’i thoshin, qoftë edhe 1 ditë pas Festës. Pak prej nesh, sepse ato nuk u thanë ashtu si duhej. Kur them: pak prej nesh, kam parasysh një shifër 15-milionëshe. Sa prej këtyre 15 milionë shqiptarëve e kanë të qartë tashmë që, Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, sidoqoftë, ka rezultuar VENDIMTARE për fatin tonë? Të derisotëm, por edhe të passotëm!
1. I kemi 2 shtete. Janë si janë, por i kemi. Kemi edhe diç më pak se gjysmë shteti, me qendër në Shkup.
2. Kemi administratën në gjuhën shqipe, gjë që, në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ish thjeshtë kërkesë, pra ëndërr, por e pamiratuar, madje e mallkuar dhe e refuzuar. Të kesh administratën në gjuhën tënde, është goxha garanci për ekzistencën e një kombi. Administrata në gjuhë të kombit është një nga dëshmitë shumë të rëndësishme se një komb ekziston. Është praktikë e përditshme. Është gjak, i cili qarkullon pandijshëm nëpër damarët e një qenieje, por që i siguron asaj qenieje jetën.
3. Kemi shkollimin në gjuhën amëtare. Vogëlushët e këtij Kombi, ndonëse jo të gjithë, madje, shumica e tyre jo, por, prapëseprapë, një pjesë po, shkojnë në shkollë dhe mësojnë shqip. Kjo lumturi as që do të mund të përfytyrohej pa pasur një shtet të shqiptarëvet. Nëse nuk do të ekzistonte shteti shqiptar i vitit 1912, pranuar ndërkombëtarisht më 1913-n, as që do të mund të pretendohej një shkollim në gjuhën shqipe në Jugosllavinë e Kohës së Titos. Si pasojë, as që do të mund të projektohej një pavarësim i tokave shqiptare prerj shtetit të jugosllavisë.
4. Kemi një arsim të mesëm dhe të lartë. Shqiptar. Jo të huaj. 3 a 4 a 5 universitete publikë, mjaft të zgjeruar. Një varg universitetesh private. E gjithë kjo, sado me shumë gropa, nuk mund të mos rezultojë me një ngritje të përgjithshme të shkallës sonë kulturore, të nivelit tonë të përgjithshëm si komb. Nëse nuk do të ekzistonte në historinë tone një datë, e cila quhet 28 Nëntor 1912, asnjë nga këta universitete nuk kish për t’u themeluar. S’kishin si t’i bënin këto punë shqiptarët, pa pasur shtetin e vet.
5. Kemi, pasojisht, një inteligjencë kombëtare mjaft të emancipuar, madje shumë here deri në elitare. Një trupë arsimpërhapëse në të gjithë indet e Kombit, të paktën brenda Atdheut, dmth të paktën në 5 shtetet (përveç Rep.së Greqisë), ku sot gjallon Kombi ynë. Një numër studiuesish të gjuhës shqipe, të historisë, të etnologjisë, të arkeologjisë, u formuan dhe dhanë kontributin e tyre pikërisht në saje të ekzistencës së shtetit vetjak. Midis tyre, disa nga korifejtë e këtyre studimeve, me merita nga më gjurmëlënëset, traditëkrijueset. Një numër i madh autorësh të libravet, nga të gjitha fushat, filluar pej krijuesvet të letërsisë atistike, me synime drejt kulmesh botërorë, deri te lëvruesit, ta zëmë, të shkencavet të natyrës. Mijëra tituj librash, të cilët po shtohen ditë për ditë dhe po e zbukurojnë imazhin e Kombit tonë, si para vetë nesh, ashtu edhe në sytë e Botës. Mjekë, inxhinierë, arkitektë, ekonomist, sociologë, jurist, projektues, konstruktorë, specialist biznesesh, bankierë, zbatues projektesh, krejt kjo armatë inteligjence po e rrit shpresën tonë, që një ditë, do të bëhemi edhe më mirë. Por, e gjithë kjo, s’është tjetër veçse pasojë e datës fatlume për ne, 28 nëntor 1912.
6. Nga viti 1912 e këndej, Atdheu ynë e ka ndërruar pamjen edhe fizikisht. Qytetet tanë të sotëm as që mund të përafrohen me të dikurshmet kasaba. Me sa kate ishte ndërtesa më e lartë shqiptare në vitin 1912 dhe me sa kate janë sot ndërtesat në qytetet tanë deri diku modernë?! Edhe një pjesë e katundevet, me gjithë braktisjen e madhe, sidomos 2 dhjetëvjeçarët e fundit, kanë sot pamje shumë më të përparuar se para vitit 1912. Ndryshime kanë pësuar edhe qytetet e fshatrat shqiptarë jashtë kufijvet të 3 shtetevet tanë. Psh në Çamëri apo në Tivar. Por aty i ka tjetërkush në dorë. Shqiptarët që jetojnë në ata qytete e fshatra, edhe në i paçin konstruktet e banimit disi modern, disi bashkëkohorë, konstruktet e shpirtit i kanë krejtësisht të rrënuar. Shqiptarët që gjenden brenda shtetevet të vet, ndonëse shumica përballë një mori vështirësish e anomalish palogjikë, prapëseprapë, i kanë shpresat për t’u bërë më mirë. Ndërsa ata të Çamërisë apo ata të Tivarit, shpirtin e kanë të shpëlarë. Unë i njoh personalisht ata njerëz. E vetmja rrugëdalje e tyre është, t’i kthejnë sytë këndej, nga rezultati dritëdhënës i 28 Nëntorit 1912. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e asaj dite: Jo vetëm se ç’është arritur, por edhe te shpresa e së pritshmes. Te shpresa dhe te mundësia për të mbërritur edhe më lart, edhe më larg.
7. E kishim një ujësi me toka mjaft të sistemuara, të mjella me kultura që jepnin prodhim, por nuk ditëm ta riprivatizojmë duke mos e prishur. Sidoqoftë, toka është aty dhe, në ju kthefshim modernizimit, ajo shumë shpejt mund të na japë pasuri mjaft të lakmueshme.
8. Rrugët automobilistike i kemi pak a shumë në rregullim e sipër. E quajtura Rruga e Kombit, në ditshim ta shfrytëzojmë, është një pasuri tashmë shumë e madhe, ekonomike, shpirtërore e kulturore. Kemi një transport rrugor, automobilistik, mjaft të gjallëruar.
9. Tregtia e vogël dhe e mesme sapo vjen e po konsolidohet.
10. E kemi, ndonëse shumë të re dhe të papërvojë nacionale, edhe një klasë njerëzish e familjesh të pasuruar përmbi mesataren. Ata njerëz dhe ato familje, në ditshin të orientohen në interes të Kombit të vet, kanë shumë në dorë për ta prosperuar këtë vend.
11. Kemi nga industria disa burime të rëndësishëm të energjisë: hidrocentralet në Rep.e Shqipërisë dhe termocentralet në Rep. e Kosovës. Kemi një industri përpunuese, një të quajtur industri pa oxhaqe, në zhvillim e sipër. Një përpunim mishi, një përpunim vaji, një përpunim qumështi, një përpunim frutash. E patëm industrinë edhe më të madhe, por nuk ditëm ta ruajmë. Kemi rezerva minerare tonat, në ditshim t’i shtiem në punë për vete. Kemi resurse të turizmit mjaft të lakmueshëm. Po të mos e kishim shpallur pavarësinë në atë vjeshtë të vështirë të vitit 1912, asnjë prej këtyre realiteteve nuk do të mund as të konceptohej.
Shteti kombëtar është pronë e kombit. Në kushtet e pasjes së një shteti që është pronë e jotja, siç është pronë e jotja një shtëpi apo një tokë, asgjë nuk është e paarritshme. Mjafton që të zotët e atij shteti, dmth banorët, me të gjitha srukturat përkatëse, të jenë të prirur për ta gëzuar atë pronë.
Duke medituar se me çfarë mund të mburret një njeri, i cili E KA shtetin e vet, nganjëherë përjetohen emocione të çuditshëm. Del në rrugë dhe sheh një tabelë në gjuhën tënde. Sheh një polic, që është i yti. Ai i huaji, sado i rregullt të jetë, ka tjetër hije. Ka hije të rëndë. Është i frikshëm ose i urrejtshëm. Hyn në zyrë. Kur zyra është e shtetit tend, të duket se je në shtëpinë tënde, kur zyra është e huaja, je edhe ti i huaj. Shkon për të votuar. Është ndryshe kur voton për kandidatë të një parlamenti që s’është i yti, e ndryshe, dhe në mos qofshin siç i do ti, kur voton në shtetin tend, për njerëzit e tu.
Madje, edhe kur nuk je në vendin tënd, kur e ke shtetin tënd diku, sado qoftë ai, e ndien veten jo të shkretë. Kur shteti yt është edhe i fortë, atëherë edhe ti e ndien veten të mbrojtur, por edhe kur shteti yt s’është i fuqishëm apo kur s’është i kujdesshëm, ti mund ta ndiesh veten si një fëmijë me nënë jo të rregullt, por jo si jetim.
E krahasojmë veten ne shqiptarët me aromunët, me vllehtë. Ata s’e kanë shtetin e vet dhe s’kanë ku mbështeten, veç në u mbështetshin te rumunët, që prapë s’është etni e tyre. E krahasojmë veten ne shqiptarët me romët nëpër Europë. Si e ndiejnë veten shqiptarët në krahasim me romët, që nuk e kanë një shtet të vetin? Ose, le të marrim hebrenjtë. A do të mund të sillej A.Hitleri ashtu me hebrenjtë, në Luftën II, nëse ata do ta kishin pasur atëherë një shtet të vetin?
Kombi Shqiptar është një komb, individët e të cilit bëjnë emër kudo nëpër botë. Kemi një numër shumë të madh personalitetesh, me të cilët mund të mburremi. Por edhe ata, tash, mund dhe realisht mburren me Kombin, të cilit i përkasin. Shteti i tyre, pranuar më 1913-n, i kaloi të 100 vjetët. Shteti tjetër i tyre po arrin dalëngadalë në stadin që i takon. Krejt qenia jonë këtu në Ballkan po bëhet subjekt që kërkon drejtësi dhe që rrezaton mirëkuptim. Unë nuk e di ç’do të bëhej me Ballkanin, nëse nuk do të ekzistonim ne në këtë hapësirë. Ne, me shtetet tanë dhe me aspiratat tona progresiste.