Durrës, 27. 11. 2014 – Kur na afrohen Festet e Nëntorit, është e natyrshme që ne shqiptarëvet të na sillet nëpër kokë një varg pyetjesh. Mirëpo, ne zakonisht dalim jashtë asaj që kërkon një atmosferë feste. Arrijmë deri atje, sa grindemi njëri me tjetrin. Madje as nuk e urojmë njëri-tjetrin. Në vend që t‘i festojmë së bashku këto ditë të shenjta, të cilat përfshijnë edhe 28 Nëntorin e 1444-s, ne krijojmë rreth vetes atmosferë jo të këndshme. Kjo ndodh për arsye se shumë prerj nesh nuk e kemi nivelin e duhur, as në aspektin mendor dhe as në aspektin moral. Jemi shpirtërisht të vegjël dhe kjo na bën që shfaqemi të pasaktë edhe në fushën e gjykimit. Ç’do të thotë, të mos jesh i pasaktë në fushën e gjykimit dhe të mos kesh shpirt të vogël? Do të thotë, që t’i pranosh e t’i shohësh gjërat ashtu siç janë, përkatësisht, siç kanë qenë, edhe kur ty nuk të pëlqen. Edhe kur ti do të dëshiroje që ato të ishin ndryshe.
Po e nis nga komunistët, që e mbajtën pushtetin në Republikën e Shqipërisë për më shumë se 40 vjet. Ata e çliruan Republikën e Shqipërisë nga fashistët dhe nga nazistët dhe e panë të arsyeshme që 29 Nëntori të jetë Festa e atij Çlirimit. Doemos, duhet ditur që ajo ditë nuk përkujton çlirimin e të gjithë shqiptarëve dhe prandaj nuk duhet përdorur shprehja e shkurtër “Dita e Çlirimit”, por, për të mos krijuar keqkuptime, duhet të thuhet shprehja e plotë: “Dita e Çlirimit të Republikës së Shqipërisë”. Megjithkëtë, ky fakt, që kjo ditë nuk përkujton çlirimin e të gjithë shqiptarëve, nuk do të thotë kurrsesi që edhe për shqiptarët e tjerë 29 Nëntori të mos jetë ditë e shënuar. Përkundrazi, çlirimi i Republikës së Shqipërisë, të emërtuar RPSH e më vonë RPSSH, përbën një ngjarje shumë të rëndësishme edhe pë ne që mbetëm jashtë kufijvet të atij shteti.
Komunistët, bashkë me patriotët e tjerë jokumunistë, që e pranuan udhëheqjen komuniste, e fituan luftën, e morën dhe e mbajtën pushtetin gati gjysmë shekulli, bënë ndërtime, bënë ndryshime të mëdhenj dhe përparim në ekonomi, në kulturë e arsim, në shëndetësi. Kjo nuk mund t’u mohohet atyre dhe kjo mbetet në historinë e Kombit tonë si një epokë përparimi. Mirëpo, në fund, komunistët DËSHTUAN. Edhe kjo është një e vërtetë historike, e cila duhet thënë qartë dhe shkoqur në radhë të parë nga vetë ata dhe nga trashëgimtarët e tyre. Ata duhet ta pranojnë që DËSHTUAN. Po nuk e thanë këtë fjalë, burrërisht e ndershmërisht, u mbetet të tjerëvet për ta thënë dhe atëherë nuk ka atmosferë mirëkuptimi, sepse mungon sinqeriteti.
Në këtë suazë, pra në këtë kornizë gjykimi, nuk mundet që krejt faji t’i shkarkohet Enver Hoxhës. As fajet dhe as meritat nuk janë krejt të tijat. Ai është, doemos, një faktor shumë deciziv, por kurrsesi s’është çdo gjë e tija, sidomos në fazën e rrukullisjes së atij sistemi.
Ahmet Zogu DËSHTOI që në vitin 1939, ditën kur zgjodhi për ta braktisur mbretërinë e vet dhe për ta lënë atë në mëshirën e pushtuesit. As këtu nuk mund t’i atribohen të gjitha Ahmet Zogut. Ai ishte një faktor, aq sa mund të jetë një individ faktor, por nuk ish vetëm. Ish krejt klasa apo kasta që e kish bërë mbret dhe që nuk diti ta mbajë e ta ruajë mbretërinë e vet. Edhe këto duheshin thënë nga vetë zogistët, burrërisht dhe ndershmerisht.
Fundja, të mos kish ikur Ahmet Zogu, por ta kish luftuar pushtuesin me armë në dorë, siç edhe pat premtuar, a kish kushte për t’u krijuar këtu një parti komuniste dhe, aq më tepër, për të udhëhequr një lëvizje çlirimtare dhe për të triumfuar komunizmi?! Madje, të mos e kish pushtuar Italia kapitaliste Mbretërinë feudale shqiptare, këtu nuk do të mund as të krijohej e le më të merrte pushtetin një parti komuniste. Në këtë mënyrë, jo tërthorazi, por drejtëpërsëdrejti, përgjegjësinë kryesore për triumfin e komunizmit në këtë pjesë të Shqipërisë, e ka kapitalizmi imperialist Italian.
Pyetja që duhet të shtrohet, është edhe kjo:
A do të mund ta çlironin vendin forcat zogiste?
Nuk mundi as De Goli ta çlirojë Francën pa ndihmën e drejtpërdrejtë të anglo-amerikanëvet.
– A e kish fuqinë dhe zotësinë e duhur, psh Abaz Kupi për t’ia përgatitur mbretit të vet kthimin e në Shqipëri?
– Ç’forca ushtarake kish arritur të krijonte Abaz Kupi?
– Deri ku shtriheshin ato forca?
– A kish formacione ushtarakë zogistësh në Shkodër, në Korçë, në Gjirokastër?
Titulli i mbretit tonë ishte: Mbret i shqiptarëvet. Kjo nënkuptonte që ai nuk e konsideronte veten mbret vetëm të një pjese të shqiptarëvet, por i të gjithëvet.
– A ka pasur formacione ushtarakë të zogistëvet në Prishtinë, në Pejë, në Shkup, në Ulqin e Podgoricë?
– Po forma të pushtetit mbretëror vendor, a arriti të krijojë Abaz Kupi, qoftë edhe në Mat apo në Krujë, le më në Shkup e në Janinë?
Të gjitha këto janë tema që duhet t’i trajtojnë vetë zogistët dhe të deklarojnë botërisht, ku ishin gabimet dhe fajet, qoftë të mbretit, qoftë të klasës apo kastës që e mbështeste mbretin.
Për Ballin Kombëtar vletrësimi historik duhet bërë nga një tjetër kënvështrim. Balli Kombëtar, mendoj unë, është krijuar si reflektim pozitiv ndaj faktit që Italia Fashiste dhe Gjermania Naziste, sadokudo, i patën bashkuar tokat shqiptare, duke korrigjuar në atë mënyrë, në një farë mase, fajin që kishin bërë Italia dhe Gjermania, bashkë me Fuqitë e tjera të Mëdha, në vitin 1913. E bashkuan Shqipërinë për interesat e vet, do të thotë dikush. Po. Kjo është plotësisht e vërtetë. Por kjo e vërtetë nuk e ndryshon kurrsesi të vërtetën tjetër, që Shqipëria, nën Italinë dhe nën Gjermaninë, për aq kohë sa ato ndenjën këtu, ishte e bashkuar. Balli ynë Kombëtar, pra, as që mund të konceptohej si një forcë kryengritëse kundër italo-gjermanëvet.
Është madje e çuditshme se si ne, edhe sot, mundohemi ta akuzojmë Ballin Kombëtar, që nuk luftoi kundër pushtuesit të atëhershëm. Është njësoj sikur, në kohën tonë, të na akuzojë dikush ne, që i kemi pranuar NATO-n dhe influencën e gjithanshme politiko-ekonomike të SHBA-së në të 2 shtetet tanë të sotëm. As vetë komanda e Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare e asaj kohe nuk kish pse t’i kërkonte Ballit që t’ua kthente pushkën Italisë dhe Gjermanisë.
E vetmja gjë që duhej të bënte Balli Kombëtar në atë kohë, ka qenë: Të mos luftonte me armë kundër partizanëvet shqiptarë dhe, në kohën kur u pa që fuqitë e Boshtit po e humbnin luftën, t’u bashkohej partizanëvet, nën komandën e atyre që që e kishin luftuar nazi-fashizmin. Ashtu siç edhe u veprua në shumë raste.
Pas Luftës, ballistët nuk kishin asnjë të drejtë morale ta akuzonin Partinë Komuniste. Ata duhej të thoshin kështu: Ne menduam që do të fitonin forcat e Boshtit. Ishim mirënjohës ndaj tyre, që na e bashkuan Atdheun. Por Boshti humbi dhe ky nuk është faji ynë. Ju fituat, kjo është merita juaj dhe ne ju falenderojmë, që, të paktën këtë pjesë të Atdheut nuk e latë të na e copëtojnë grekët edhe sërbët.
Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, këtu në Republikën e Shqipërisë, por edhe në pjesët e Shqipërisë jashtë këtyre kufijve, ka personalitete, lëvizje e grupime gjithfaresh. Është koha që historiografia jonë t’i japë secilit prej tyre vlerësimin që i takon. Jo të hidhemi andej-këndej për shkak të tifozllëqevet dhe shpirtvogëlsisë.
Askush nuk mund ta mohojë që Muharrem Bajraktari ishte një patriot.
– Por, deri ku ishte shtrirë veprimtaria e tij patriotike? A kish vizion shteti Muharrem Bajraktari?
– Cilat ishin format e tija të organizimit dhe deri ku shtriheshin ato?
– A ka pasur veprimtari dhe influencë Muharrem Bajraktari, ta zëmë, në Labëri, në Gorë e Opar, në Gjilan, në Podujevë dhe në Plavë?
Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Preng Calin.
– A kishin gazeta ilegale apo legale Preng Cali dhe Muharrem Bajraktari?
– Dua të them, a kishin vizion modern për fitimin e një lufte dhe për krijimin e një shteti siç e kërkonte koha?
– Nëse nuk do të ekzistonte Ushtria Nacionalçlirimtare, a do të mund ta bënin shtetin njerëz si Preng Cali e Muharrem Bajraktari?
– Atëherë, pse luftonin këta patriot kundër ushtrisë partizane, të udhëhequr prej Partisë Komunise?
– Apo thjeshtë për të shfryrë inatin ndaj komunizmit?
Preng Cali i akuzonte komunistët se ua kishin shitur Shqipërinë jugosllavëvet.
– Po sikur ushtria partizane, e udhëhequr prej komunistëvet, të mos kish hyrë fare në Malësi të Madhe, sepse ashtu donte Preng Cali, a do të mund të mbetej Malësia pa u pushtuar prej po atyre jugosllavëve?!
Ndonjërin prej autorëvet që kanë shkruar libra për Prengë Calin, unë e kam edhe mik. Por ai nuk i ka thënë këto gjëra për Prengë Calin. Ndërkaq, psh Hysen Tërpeza, Demë Ali Pozhari apo edhe Shaban Polluzha, duhen parë krejt ndryshe. Ata, ndonëse në shumë pika ngjajnë me 2 patriotët që i përmenda, në qëndrimimet e tyre në momente decizivë, qëndrojnë shumë më lart.
Shkodra e vendosi shtatoren e Preng Calit, ndërsa i hoqi Heronjtë e Vigut.
– A nuk është ky një qëndrim mirëfilli meskin i krejt qytetit të Shkodrës?!
Unë jam vetë prej një krahine në afërsi të Shkodrës dhe jeta e të gjithë paraardhësvet të mi ka qenë e lidhur ngushtë me Shkodrën. Nuk kam si e mohoj që Preng Cali e meritonte një përkujtimore si patriot, por jo sepse luftoi kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
As Postrriba nuk veproi mirë që bëri kryengritje, në një kohë kur ata patriotë, ndaç quaji komunistë, ndaç thjeshtë atdhetarë, po mundoheshin ta rimëkëmbnin shtetin që mezi e kishin çliruar. Ta zëmë se do ta kishin fituar luftën postrribasit.
– A ishin në gjendje ata ta mbanin shtetin?
– Ç’do të ndodhte, nëse ajo kryengritje do të përhapej gjer në Tiranë e Vlorë?!
Shqipërinë e Jugut do ta merrte Greku, ndërsa pjesën tjetër, bashkë me Postrribën, do t’i aneksonte Jugosllavia komuniste.
Në këtë mënyrë, mendoj unë, duhet të arsyetojmë, nëse duam të jemi objektivë në vlerësimin e së kaluarës.
Anglia dhe SHBA-ja bënë GABIM TË RËNDË që nuk e ideuan një korrigjim të krimit që Perendimi dhe Rusia kishin kryer ndaj shqiptarëvet më 1913-n. Jugosllavisë komuniste ia dhanë Istrinë, Dalmacinë dhe ishujt e Bregut Dalmat, fakt ky që dëshmon se marrëveshja për të mos i ndryshuar kufijtë mund edhe të mos respektohej, ndërsa Shqipërisë nuk ia njohën të drejtën e bashkimit, madje as aq sa ç’ia kishin njohur italianët dhe gjermanët.
Enver Hoxha i kish çuar divizionet e ushtrisë së vet në Kosovë.
– Pse nuk i thanë anglezët Titos: Le të përfshihet edhe Kosova në shtetin shqiptar!? Konferenca e Bujanit ishte bërë, ushtria shqiptare ndodhej atje, populli i Kosovës ish i gatshëm për t’iu bashkuar shtetit të vet.
– Ku ishin SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, që nuk vepruan si fuqi demokratike?!
Faktin që, në festën e parë të çlirimit të Republikës së Shqipërisë, qeveria Hoxha u kish lënë vendin më të dukshëm flamurit të Mbretërisë së Bashkuar dhe flamurit të SHBA-së, unë nuk e quaj si shprehje dinakërie apo hipokrizie nga ana e Enver Hoxhës. Unë e quaj atë, një dëshirë të tijën për t’iu mbështetur Perndimit, natyrisht, nëse ajo mbështetje do t’i jepej.
Është, pra, gabimi i atyre 2 shteteve, të cilin vetë ata u detyruan ta korrigjonin disi, vetëm në fund të shekullit XX. Por as këtë herë nuk e bënë korrigjimin të plotë.
Meditimet e shqiptarëvet në çdo fund nëntori nuk kanë të mbaruar. E kemi festë dhe kemi shumë arsye për t’u krenuar, por kemi ende shumë gabime dhe duhet të përpiqemi që t’i korrigjojmë, ne, por edhe ata që u takon të na përkrahin.