GJOKË DABAJ: NË TIRANË E NË PRISHTINË PO GRIJNË SALLATË!

Durrës, 15. 02. 2016: Në Prishtinë, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, mbajtën një nga “takimet” e tyre të gjatë me të quajturën “shoqëri civile”. Ish mbledhur aty një turmë jo e vogël njerëzish, midis të cilëvet drejtues mediash, analistë e gazetarë, prej të cilëvet duhej pritur të thoshin diçka që të zinte vend. Por ata grinë sallatë gjithë mbrëmjen dhe kriza mbeti sërish pezull mbi tokën shqiptare të Republikës së Kosovës. Në fund, Hashim Thaçi griu aq shumë, sa e mbushi me sallatë një legen të madh. Isa Mustafa, si sasi, griu më pak se “zëvendësi” i tij, por u përpoq që sallata e tij të ish disi djegëse.
Ç’duhej bërë në atë “takim”, që ne shqiptarët të mos mund të thoshim se po grijnë sasllatë?! Është fare e thjeshtë. Duhej të flisnin VETËM PËR 2 PROBLEME: për “asociacionin” e të quajturavet “komuna sërbe” dhe për “demarkacionin” kufijor me Republikën e Malit të Zi.
1. Që të mund të flisnin për këta 2 PROBLEME, ata duhej të ishin pajisur me HARTAT përkatëse. Të kishin vënë një monitor në ballë të sallës, të kishin marrë nga një shkop në dorë, siç merr nganjëherë Blend Fevziu në emisionet e tij, dhe t’ia kishin spjeguar popullit të vet shtrirjen gjeografike të asaj “bashkësie” salmonelë, si dhe shtrirjen gjeografike të “vijës kufijore” me shtetin e Malit të Zi. Të bënin spjegimin dhe arsyetimin, jo sipërfaqësisht, por me hollësi të krejt shkakut të krizës dhe t’u mbushnin mendjen dëgjuesvet dhe shikuesvet që nuk ka kurrfarë “shkaku real” për të “provokuar” kriza me të tilla “VOGËLSIRA”.

Prishtinë, 09. 02. 2016: Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, duke gri sallatë me “shoqërinë civile”!

2. Hashimi dhe Isai duhej të kishin aty, për punën e “asociacionit”, edhe një statistikë ETNOGRAFIKE: Sa sërbë apo malazezë banojnë në njërën komunë, sa në komunën tjetër? Sa shqiptarë banojnë në të njëjtat njësi administrative? T’u tregohej teleshikuesvet çfarë të drejtash do t’u ngushtoheshin shqiptarëvet në atë farë “asociacioni” të sërbëvet? Duke marrë shembullin e Mitrovicës së Veriut, të na thuhej: Për sa muaj do t’u shiteshin sërbëvet të gjitha pronat e shqiptarëvet në atë farë “asociacioni”, në mënyrë që aty të mos mbetej më këmbë shqiptari?
3. Hashimi dhe Isai duhej të kishin me vete një profesor historie, ose 2, ose 3, historianë, hartografë, etnografë, por edhe juristë, që t’u sqaronin teleshikuesvet, shqiptarë e joshqiptarë: KUR KANË ARDHUR SËRBËT APO MALAZEZËT NË KËTO HAPËSIRA DHE NGA KANË ARDHUR? A janë IMIGRANTË apo vendës? Sepse, IMIGRANTËT nuk mund të gëzojnë të njëjtat të drejta me vendësit. Në Federatën Zvicerane ka mbi 300 mijë shqiptarë, por atyre, ligjet zviceranë, sado demokratikë që janë, nuk u lejojnë shqiptarëvet kurrfarë asociacionesh TERRITORIALË. Duhet sqaruar: KUR KANË ARDHUR sërbët apo malazezët në këto hapësira dardano-arbro-shqiptare? Të renditeshin: me vëllazëri, me emra familjesh, me vite, me dekada dhe të thuhej: Cilët ishin shkaqet që ata zbritën në tokat tona, qoftë edhe ata të Mesjetës? Pastaj të arsyetohej edhe lidhur me “të drejtat” e tyre TERRITORIALE këtu në Republikën e Kosovës.
4. Hashimi dhe Isai (Po e vë Hashimin para Isait, sepse ai, sipas tij, është “personi më i votuar në Republikën e Kosovës”), duhej t’u spjegonin të pranishmëvet në atë “takim”: Çfarë përfitimesh EKONOMIKË do të ketë popullsia IMIGRANTE sërbe apo malaziase në atë farë “asociacioni”? Pse po e kërkojnë ata “asociacionin? A thjeshtë për folklor? Përveç kësaj, Hashimi dhe Isai do të duhej t’u flisnin dëgjuesvet: Sa para marrin prej Sërbisë sërbët dhe malazezët dhe pse ua jep Sërbia ato para sërbëvet dhe malazezëvet EMIGRANTË? Sepse EMIGRANTËT zakonisht ÇOJNË para në vendin e origjinës, jo MARRIN. Republika e Kosovës ka institut statistikash. Me çfarë do të merret ai institut, në mos u marrtë me të ardhurat për frymë të shtetasvet të vet?
5. Edhe lidhur me “demarkacionin” midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi (gjysma e së cilës është tokë shqiptare), Hashimi dhe Isai duhej të kishin marrë me vete disa historianë, hartografë, topografë, por edhe fshatarë të të 2-ja anëvet. Të kishin marrë një tufë hartash, psh nga koha e Ish-Jugosllavisë. Them kështu sepse vetë Hashimi, siç pat thënë një natë, “s’i ka shkelur ndonjëherë këta vende”, s’ka shkuar ndonjëherë në Rugovë dhe s’ka dalë ndonjëherë në Qafë-Kullë, prandaj ish e nevojshme që të sqarohej edhe ai për vete.
6. Në të vërtetë, të gjitha këto që u thanë, Hashimi dhe Isai duhet t’i kenë ezauruar në takimet e tyre me Znj.Mogherini, prandaj s’e kishin aspak vështirë që t’i përsërisnin edhe këtu.
Nuk u bë kështu, nuk u sqaruan njerëzit. U fol për “a ka të drejtë a s’ka të drejtë OPOZITA të hedhë gaz lotsjellës”, s’u fol për “a ka të drejtë a s’ka të drejtë POZITA të krijojë koloni salmonelash nëpër Kosovë”, dhe prandaj them që, qoftë Hashimi dhe Isai, qoftë të pranishmit “u detyruan” TË GRIJNË SALLATË gjithë natën, gjersa Isai u tha (diku afër mesnatës) se “kish një agjendë tjetër”.
***
Në Tiranë u bë një “takim” i ngjashëm me atë të Prishtinës. U mblodhën një tufë njerëzish, kryesisht gazetarë, në Gjykatën e Lartë, për të marrë vesh se ç’po bëhet me “REFORMËN NË DREJTËSI”. Në krye të atij “tubimi” ishte bashkëkrahinasi im, kranjani, z.Xh.Zoganjori. Edhe aty u gri sallatë gjithë ditën. Aty z.Xh.Zoganjori mbushi një kade të madhe me sallatë, me një “elokuencë” “të përkryer” prej “juristi”, i cili është në gjendje me folë 5 orë rresht e mos me thanë asgja.
Ç’duhej bërë në atë “takim juristësh e gazetarësh”, në mënyrë që ne dëgjuesit dhe shikuesit të mos mund të thoshim: “Këta po grijnë sallatë!” ?!
1. Të na prezantohej gjendja EKONOMIKE e anëtarëvet të Gjykatës së Lartë. Sa e ka rrogën secili gjykatës? Ç’pagesa marrin ata gjykatës (“ligjërisht”) jashtë rrogës mujore? Cila është pasuria e deklaruar e tyre? Ndërsa gazetarët (investigatorë) të na tregonin (me filmime e me fotografi), pasuritë e tyre të padeklaruara. Të na thuhej gjithashtu: Ç’DËNIME parashikon “REFORMA GJYQËSORE”, kur një anëtar gjykate ka një pasuri të fshehur (në çfarëdo forme)?

Tiranë, 10. 02. 2016: Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, duke “gri sallatë me gazetarët”!

2. Sa anëtarë të Gjykatës së Lartë janë shkarkuar ose dënuar për punën e tyre JOLIGJORE, për punën e tyre KUNDËRLIGJORE?! Të thuheshin me emra ose të deklaronte z.Xh.Zoganjori (me përgjegjësi penale), se në Gjykatën e Lartë “nuk ka pasur korrupsion”.
3. Për gazetarët e kthjellët, dua të them, për gazetarët jomiopë dhe jokonformistë, por edhe për ne teleshikuesit, do të ishte me interes të njiheshim: Ç’SANKSIONE apo DËNIME parashikon “REFORMA GJYQËSORE” për ata gjyqtarë (në përgjithësi, jo vetëm të Gjykatës së Lartë), QË I SHKELIN LIGJET. Psh, në qoftë se konstatohet shkelje ligji apo interpretim i shtrembër ligji nga ana e një gjyqtari, ç’DËNIME parashikon “REFORMA GJYQËSORE” për të tillë shkelës? Për një mjek, në qoftë se i vdes pacienti ndër duar, ka analiza dhe, nëse del fajtor, ka edhe ndëshkime. Kur një mjeku i vdesin ndër duar 20 pacientë, ç’bëhet me të?! Kur një gjeneral i humb 20 beteja (duke krijuar, krejt arsyeshëm, dyshime rreth personit të vet), ç’bëhet me atë gjeneral?! Kur një gjyqtari i apelohen 20 gjykime, a ka SANKSIONE LIGJORË për atë gjyqtar?
Z.Xh.Zoganjori duhej duhej t’i kish sqaruar për teleshikuesit dispozitat ligjore që lidhen me të këtilla dukuri dhe të na thoshte: Sa gjykatës (jo vetëm të Gjykatës së Lartë) janë ndëshkuar për shkeljet që kanë bërë? Nëse deri tash nuk ka pasur dënime gjyqtarësh, a do të ndryshojë gjendja me “REFORMËN GJYQËSORE” apo do të mbetet e njëjta gjendje?
U tha aty se, më në fund, është vendosur të shqyrtohet edhe “dosja e 11 janarit”. Por z.Xh.Zoganjori nuk tha: Sa është dënuar apo sa pritet të dënohet VONUESI i kësaj dosjeje?! Kjo do të na interesonte ne: Sa dhe si dënohen ata që janë tallur për 30 muaj me familjet dhe me eshtrat e atyre viktimave!?
4. Do të ishte shumë “interesante” për teleshikuesit, të shihnin një pasqyrë të diplomuarish në fakultetet juridikë, krahasuar me të diplomuarit, në të njëjtën periudhë, në filologji dhe në shkencat e natyrës. Sa juristë kanë dalë në këta 20 vjet dhe sa matematicienë e gjuhëtarë? Nëse dyert e fakultetevet të juridikut janë “sulmuar” më shumë, pse ka ndodhur kjo? A thjeshtë se juristët e kanë më të masdhe rrogën (zyrtare), apo sepse me “zanatin” e juristit mund rripet populli më mirë?
Të shoqërohej kjo me një tjetër statistikë: Ç’pasuri të patundshme dhe të përdorimit të përditshëm kanë sot psh 1000 juristë, nga njëra anë, dhe 1000 mësues gjuhe e matematike nga ana tjetër? Të shoqërohej kjo edhe me fotografi të pasurivet të njërës palë dhe të palës tjetër, sado që as mësuesit e gjuhës e matematikës nuk kanë ndenjur pa e rrjepur sadopak popullin e vet.
Dhe në fund të konkludohej: KY STAN, KËTË BULMET KA. Në Rumani arriti puna deri atje, sa populli të dëshirojë t’u vijë në krye të vendit një Drakul.
5. Përfundimisht, z.Xh.Zoganjori, po edhe të tjerë pesso grosso që po merren me “REFORMËN E GJYQËSORIT”, duhet ta sqarojnë popullin e vet, të rrjepur e të tejrrjepur, ç’ndryshime do të ketë në legjislacionin e drejtësisë, jo lidhur me qytetarët (me shtetasit), por lidhur me vetë gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët? Me sa vite burg do të dënohet një prokuror që e vonon një lëndë, një çështje, pa ia paraqitur gjykatës? Sa dënohet një gjykatës, kur jep një vendim të padrejtë? Sa dënohet një avokat, i cili, në vend që ta mbrojë klientin e vet, bën allishverishe me “kolegët” prokurorë e gjykatës? SA dhe KUSH do t’ua shqiptojë dënimet të këtillë shkelësve të drejtësisë?!
***
Shprehja ME GRI SALLATË ka kuptimin me folë shumë edhe kot, me llapë kot. Në këtë fillim shkurti 2016, edhe gjyqtarët e tipit Xh.Zoganjori (i cili “duket” disi “më i mirë se shumë të tjerë”), edhe HashimThaçi e Isa Mustafa, ashtu si krejt ajo turmë “shoqërie civile” që e kish rolin “të duket” si “maksimalisht objektive”, kanë llapur gjithë kohën kot përpara kameravet. Populli i dëgjon dhe u kthen krahët ekranevet, duke thënë: “Këta po grijnë sallatë, or vëlla! Mbylle atë dreq televizori, ose çoje diku tjetër!”
Por, ku ta çosh? Në cilin kanal ta hapësh të shkretin televizor?! Botën shqiptare po e sundon sot një kastë njerëzish TË LIGJ e TË PAMORALSHËM dhe VAJTIMISHT INJORANTË.
Që janë VAJTIMISHT INJORANTË këta myteberë, shihet në çdo fjalë e fjali që përdorin. Shfletova sot një tekst me pjesë letrare për nxënësit e klasës IV. Nuk kish ASNJË faqe pa DISA gabime të llojevet nga më të ndyshmit! Por unë, për ilustrim, po marr një shembull, jo nga librat shkollorë, por nga instancat më të larta shtetërore. U krijua (ose po krijohet) në Tiranë njëfarë “BYROJE KOMBËTARE E HETIMEVET”. E përdorin që të gjithë, fare pa të keq, këtë “emërtim” dhe askujt nuk i shkon mendja te SARKAZMA KOCKËBREJTËSE që bart me vete një i tillë “titull organi” “KOMBËTAR”, “shumë të rëndësishëm” “të konsultuar e rikonsultuatr” “EDHE ME” “partnerët ndërkombëtarë”.
Sa “KOMBËTARE” është kjo “byro”?! Kjo BIRË NË UJË?! Deri ku shtrihet “karakteri KOMBËTAR” i kësaj “byroje”?! A i kalon dot Qafë-Prushin dhe Qafë-Botën kjo mavri “byro”?! Që një “byro” të jetë KOMBËTARE, duhet të ketë FUQI KOMBËTARE. Por, çfarë ”FUQIE KOMBËTARE” mund të ketë një zyrë Tirane, juridikcioni i së cilës nuk arrin dot as deri në Maslishevë?!
Ndërkohë që të pamoralshmit tanë, injorantë e aspak atdheekombdashës, po vazhdojnë të GRIJNË SALLATË për hesap të tyre, ne të tjerët po ÇAJMË DËRRASA PA PYKË dhe kështu po rrukulliset ky shekull, në përpjekje për ta ZHBËRË këtë komb, kaq kontradiktor në virtyte dhe në mungesë virtytesh!

Gjokë Dabaj, Durrës, 10 – 14 shkurt 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura