UK LUSHI: CIVILITETI I SHQIPTARËVE

New York, 29. 07. 2014 – Jeta në demokraci është një debat dhe cikël interaktiv që nuk përfundon kurrë. Në shoqëri, politikë dhe medie njerëz nga spektri i djathtë, majtë dhe i qendrës rrahin çështje të ndryshme dhe kështu ndihmojnë evoluimin dhe përparimin e një populli. Personat që vendosin të angazhohen dhe jenë të zëshëm në jetën publike duhet të jenë të ndershëm, të kenë mendime të pavarura dhe nuk duhet t’i bëjnë favore askujt apo të kenë frikë nga askush. Armiqtë më të mëdhenj të atyre që hyjnë në arenën publike janë padituria, hipokrizia, padrejtësia dhe interesi vetjak i pafre; assesi personat që mund të jenë në opozitë apo mospajtim.
Krahasuar me kohën e thyerjeve të mëdha viteve të 90-ta të shekullit XX-të, populli shqiptar, sot, është në gjendje më të mirë gati në çdo pikëpamje. Pa asnjë dyshim baza e këtij progresi është liria jonë. Megjithatë liria nuk është postulat që lejon keqpërdorim dhe shfrytëzim. Liria është e drejtë të mendosh, shprehesh dhe veprosh sipas dëshirës, mirëpo pa e cenuar të drejtën e njëjtë për të tjerët. Fatkeqësisht kohëve të fundit hapësira publike shqiptare ka filluar të uzurpohet me agresivitet nga disa klika dhe individë të cilët kujtojnë që liria u takon vetëm atyre dhe në debate kanë të drejtë veç ata.
Grafomanë dhe llafazanë kanë nisur të përdorin fjalën dhe shprehjen e lirë si armë për të realizuar qëllime personale apo synime të padronëve që ua tërheqin penjtë tinëz nga prapa perdeve. Ngadalë, por sigurt, nëse nuk ndalen dhe zbohen nga ligjërimi dhe jeta publike, këta sherr-budallenj dhe të prapë mund të hedhin shoqëritë shqiptare përjashta orbitave të civilitetit dhe traditës shekullore të respektit dhe nderimit të tjetrit dhe kështu ndoshta të fusin popullin në rrethin vicioz të sharjeve dhe fyerjeve vulgare derisa eventualisht të arrihet në pikën ku mund të ndodh ndonjë konflikt qytetar.
Civiliteti është parimi themeltar i jetës publike. Pa të një popull gjallëron në “xhunglën hobesiane” ku secili është në luftë me secilin. Civiliteti apo njerëzia mbështeten në idenë që secili nga ne duhet të marrë parasysh interesat dhe aspiratat e tjerëve dhe të trajtojmë çdokënd sikur kemi dëshirë të trajtohemi ne vetë. Mirësjellja është shenjë e qytetërimit dhe refleksion i virtyteve dhe standardeve të vlerave. Civiliteti në politikë, biznes, medie dhe jetën e përditshme nuk do të thotë që konkurrenca, mospajtimi dhe argumentimi duhet të shuhen; përkundrazi, civiliteti do të thotë, që përkundër vështirësive dhe nxehtësisë që shkaktohen nga jeta, ne gjithmonë duhet të respektojmë dhe nderojmë të tjerët si qenie të barabarta njerëzore.

John Fletcher Moulton (1844 – 1921)

Më kujtohet, ka disa vite që kam lexuar, një fjalim mbi njerzillëkun të John Fletcher Moulton- shkollar, gjykatës dhe ministër i Anglisë para më shumë se 100 viteve. Në fjalimin e tij ai thotë që janë tri gjëra kryesore që përcaktojnë bashkëpunimin njerëzor.
E para është ligji, i cili na tregon se çfarë mund të bëjmë. Pjesëtarët e një populli të lirë duhet të zbatojnë ligjin pa kundërshtime. Nëse vërtetohet se nuk janë të mira dhe nëse u ka kaluar vakti, ligjet mund të zëvendësohen me më të mira dhe më të reja.
E dyta është zgjedhja e lirë, sipas të cilës ne mund të bëjmë çfarëdo që duam dhe të tjerët nuk duhet të na (para)gjykojnë për vendimet tona si duam të jetojmë.
Por, sipas Moultonit, mes këtyre dy gjërave është bota e manireve – gjegjësisht mirësjelljes – dhe është mu kjo gjë e ndërmjetme që e determinon suksesin e një kulture dhe një shoqërie.
Civiliteti është i vjetër sa jeta njerëzore në bashkësi. Konturat formale i mori që në kohën antike në Greqi dhe më vonë në Romë. P. sh. në Perandorinë Romake jo të gjithë banorët mund të ishin qytetarë. Nderi special i votimit u jepej vetëm atyre që angazhoheshin në diskursin publik dhe mund të influenconin shkrimin dhe miratimin e ligjeve. Familjet dhe individët që kualifikoheshin duhej të demonstronin histori aktive të civilitetit dhe kontributit për stabilitetin dhe përmirësimin e shoqërisë romake.
Në botën shqiptare sot ka individë që pa asnjë dëshmi e thonë apo shkruajnë që filan fisteku është spiun, e bile terrorist, dhe nuk ka asnjë konsekuencë morale, etike, profesionale apo juridike për akuza të tilla të rrejshme. Një politikan e quan tjetrin të sëmurë psikik dhe nuk ofron asnjë dokument mjekësor dhe askujt asgjë. Një gazetar hidhet si zagar mbi çdo kënd që ja prek interesat pronarëve të medies për të cilën punon duke përdorur gjuhë linçuese dhe shpifëse, për të cilën në një vend vërtetë demokratik dhe ligjor media dhe shkronjësit do të paguanin miliona kompensim financiar dhe redaktorët dhe pronarët do të shkonin në burg për vite të tëra, por, në vendet ku jetojnë shqiptarët, redaksitë në fjalë nuk mërziten të botojnë as reagimin e palës së dëmtuar. Zbritja më e madhe e tatëpjetës së civilitetit shqiptar mund të shihet në portalet dhe faqet tona në Internet ku persona të frustruar dhe pa edukatë nuk e kanë fare problem të shpallin secilën femër kurvë apo secilin burrë bandit, ndërkaq që hingirizen pas maskës së anonimitetit.
Sidoqoftë, përkundër zymtësisë, ka shpresë që situata do të ndryshohet dhe piramida e vlerave dhe civilitetit do të kthehet me maje përpjetë përsëri. Optimizmi bazohet në mospërfshirjen e pjesës më të madhe të publikut në lojën e shëmtuar të kastave dhe individëve të dobët, të cilët me zhurmë e poterë kujtojnë që do të zaptojnë hapësirat publike, ndërkaq që publiku do të rrijë e shikoj seri. Këtë shpresë ma shtoi edhe një eksperiment i vogël që bëra në Facebook para ca ditësh, ndërsa shtrova pyetjen publike për të gjithë miqtë dhe të njohurit e mi se për çfarë teme do të dëshironin që të shkruaja. Secili person që u përgjigj u deklarua që donte temë konkrete dhe konstruktive dhe askush nuk kërkoi sharje, përgojime ose diskreditime. Njëri nga ta, më duket që e përthekoi shumë mirë dhe punën e civilitetit ndër shqiptarë tek më shkroi: “Nuk është mirë të thuhet fjala e fundit e para, siç po bëjnë disa shqiptarë në publik sot. Kur fjala e fundit qitet e para aty nuk ka çfarë të thuhet më.”
Çfarë porosie antologjike për të gjithë jocivilistët, të cilët, herët a vonë, populli i civilizuar shqiptar do t’i ndalojë ose me mospërfillje ose me ligj.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura