Durrës, 8 mars 2017: Unë e di që kjo është sëmundje e përgjithshme gjithnjerëzore, por gjuha vetëvetiu po më shkon te dhëmbët që më dhëmbin mua, gishti vetëvetiu po më ndalet te plagët e mia. Te plagët e Kombit tim, që djegin fort dhe s’po mund t’u bëj mjekimin e duhur!
Ç’t’i gëzoj unë sot Ditës së Mësuesit?! Ç’do t’i gëzojnë nesër një pjesë e gravet tona Festës së Nënavet?!
Ç’të them për ca politikanë që kërcënojnë rivalët e vet me heqje zvarrë në Bulevardin e Dëshmorëvet?! Politikanë që godasin rivalët e vet me vezë e me patate! Politikanë që blejnë vota! Politikanë që mbështeten te ca karagjozë krahinash, për të cilët do t’u vinte turp Dedë Gjo Lulit, Luigj Gurakuqit e Ndre Mjedës!
Haram e paçim ne mësuesit rrogën që kemi marrë e që marrim, sepse edukojmë të tillë politikanë të padenjë! Haram e paçin emrin NËNË nënat që kanë rritur të tillë politikanë kombeatdheposhtërues!
Ç’t’i gëzoj unë sot Ditës së Mësuesit dhe ç’t’i gëzojnë nesër gratë shqiptare Festës së Nënavet, me ca politikanë që u falin ose u shesin tokat e Atdheut të vet të huajvet?! Politikanë zvarranikë që s’dinë e s’kanë trimëri t’u dalin zot Atdheut dhe Kombit të vet!
Haram rrogat, mësuesvet që i kanë mësuar dhe haram gjinjtë e nënavet që i kanë mëkuar e rritur të atillë zgaqër e njolla në historinë e Kombit Shqiptar!
Ç’juristë, ç’mjekë, ç’mësues, ç’policë e ç’skotë zyrtarësh kemi edukuar ne, mësuesit shqiptarë, që të kemi të drejtë ta festojmë këtë 130-vjetor të Shkollës Shqipe?! Haram e paçim rrogën që kemi marrë ne mësuesit dhe nënat e të atillë juristëve, të atillë mjekëve, të atillë mësuesve, të atillë policëve e të atillë palo zyrtarëve, haram e paçin emrin NËNË!
Me mijëra vajza shqiptare po shtrihen sot ndër çarçafët e ndotur, me gjithfarë meshkujsh-monstra të babëzitur për seks. Haram i paçim rrogat ne mësuesit që kemi edukuar të tillë përbindësha cipëplasur dhe vajza të tilla mendjefyçka! Rri, moj vajzë e mjerë, në hallin tënd! Ha bukë e qepë dhe mos iu shit meshkujvet të paskrupuj! Haram qumështi dhe mundi i nënavet që ju kanë lundur e rritur të dyja palët! Ju, si bija naive, të pazonjat për të ruajtur dinjitetin, dhe ju, si bij të papërgjegjshëm, karabushë që s’dini as ç’është nëna, as ç’është gruaja, as ç’është motra, as ç’është e ç’duhet të jetë njeriu!
Me mijëra mësues shqiptarë, në Turqi e në shtetin grek, marrin sot rrogat e huaja, për t’u mësuar fëmijëvet shqiptarë gjuhën e huaj dhe historinë e huaj! Haram e paçin bukën që hanë ata mësues e profesorë shqiptarë që nxënësvet shqiptarë nuk u mësojnë gjuhën shqipe dhe historinë e shqiptarëvet!
Me qindra mijë nëna, sidomos në Turqi e në shtetin grek, po edhe në shtetin malazias, në shtetin sërb dhe në shtetin e quajtur „maqedon“, e deri në Amerikë, Francë, Gjermani e Angli, e dinë që janë shqiptare dhe s’ua mësojnë fëmijëvet të vet gjuhën shqipe. Helm iu bëftë buka që hanë, atyre nënave, sepse nuk e njohin detyrën e nënës! Nëna ka detyrë t’i mësojë fëmijës së vet gjuhën e vet, gjuhën e nënës së vet dhe gjuhën e gjyshevet të veta! Përndryshe, ajo nuk mund të quhet nënë njeriu!
Mjerë kombet që nxjerrin vajza të pavetëdijshme (përfundimisht të përdala!) dhe nëna të pavetëdijshme, që s’dinë t’u japin fëmijëvet të vet rrugën e duhur në jetë! Mjerë kombet që paguajnë mësues e profesorë, për të nxjerrë politikanë sharlatanë e karagjozë, të paburra, të padinjitet dhe joseriozë! Mjerë kombet që paguajnë mësues e profesorë për të nxjerrë juristë, shkelës e përdhosës të drejtësisë! Mjerë kombet që paguajnë mësues e profesorë për të nxjerrë mjekë, zhvatës e rrjepës të të sëmurëvet! Mjerë kombet që paguajnë mësues e profesorë, për të nxjerrë përdhunues të nxënësevet të veta!
Ç’të ju them tjetër, në këto ditë të vështira për mua dhe, besoj, po kaq të vështira edhe për ju!?
Ç’t’u them tjetër, veç t’u bëj thirrje pjesëvet të vetëdijshme të Kombit tonë, për ta mbledhur veten dhe për të bërë atë që duhet të bëjmë, në mënyrë që ta shërojmë këtë Komb të sëmurë?!
Gjokë Dabaj, Durrës – 7 Mars 2017