SADRI RAMABAJA: KUAZINACIONALISTËT SHQIPTARË DHE MAFIA POLITIKE

Prishtinë, 12. 11. 2014 – Realizimi i Shqipërisë sipas projektit të ideologëve të nacionalizmit progresiv shqiptar, si shtet unitar, si shtet ligjor e si shtet evropian, është makthi më serioz për të ashtuquajturit “nacionalistë ” dhe mafian politike që ju rri mbrapa.
– Realizimi i Shqipërisë sipas projektit të ideologëve të nacionalizmit progresiv shqiptar, si shtet unitar, si shtet ligjor e si shtet evropian, është makthi më serioz për të ashtuquajturit “nacionalistë” që sot thirren si të djathtë dhe mbahen ose pretendojnë të vijnë në pushtet përmes mbështetjes financiare serbe, Listës Serbska, apo konjukturave të ndonjë qendre vendimmarrëse evropiane të dëshmuar tashmë si proserbe. Si të ashtuquajturit antikomunistë shqiptare të epokes së LDB, edhe kuazidemokratët në vitet 90-ta dhe tutje deri sot, për fat të keq, nëse nuk bashkëpunuan a nuk bashkepunojnë direkt me pushtuesit serb, bashkepunuan dhe po bashkepunojne me aleatet e Serbisë.
Kjo lagje bukëshkalësish e shqipfolësish nuk lënë gurë pa lëvizur vetëm e vetëm për të dëmtuar cdo përpjekje që do të shpiente drejt realizimit të projektit të ideologëve të Rilindjes. Ndërkaq barazimi i këtij projekti me krijesën e fashizmit, të ashtuquajturën Shqipëri të madhe, është veprimi më banal politik, por edhe më antishqiptar që mund të bëhet sot.

Shpërfaqja e Shqipërisë së epokës së Rilindjes (të katër vilajetet shqiptare Brenda Perandorisë Osmane) në banderolën që shoqërohej edhe me portretet e Ismail Qemajlit dhe Isa Boletinit, dy figurave kryesore që idhanë jetë nukleusit shqiptar m ë 1912, në stadiumin e “Partizanit” në Beograd më 14 tetor, bëri që kryeministri serb të shpërthej dhe nxjerre jashtë magmën e antishqiptarizmës së mbrujtur në gjithë formimin e klasës politike serbe, kur e cilësoi realizimin e mundshëm të projektit të nacionalizmit progresiv shqiptar si kataklizmën e llojit të vet për Ballkanin, Evropën dhe gjithë botën! Por, nëse ky reagim i Beogradit mund të cilësohet gjithësesi si irracional, por i pritshëm, ndjesia bukur raciste e një pjese të Evropës, asaj Evropës së hirtë, si kam dëshirë ta cilësoj bashkëdyzimin e një krahu politikë të saj me mafian e llojit të vet, la shije tepër të hidhur.
Shqipëria e së ardhmës – makth i reaksionit politik
Duke analizuar me vëmendje të shtuar këtë frymë racizmi antishqiptar, nuk është vështirë të konkludohet se ajo qe i bashkoi dhe po i bashkon edhe sot e kësaj dite këtë lagje forcash politike të të ashtuquajturës të djathtë (evropiane dhe serbe), respektivisht reaksionit politik evropian, me këtë kuazi të djathtën shqiptare, të vetëquajtur “nacionalistë”, është pikërisht makthi ndaj projektit të ideologëve të nacionalizmit progresiv shqiptar, lufta kundër UÇK dje dhe frymës së saj, që aktualisht kultivon Lëvizja Vetëvendosje! vet Shqipëria e së ardhmes së afërt.
E kam tepër të vështirë ta paramendoj se a do ta kishin rrjedhën e njejtë ngjarjet politike në raport me Kosovën, nëse në krye të Evropës së vitit 1998/99 do të ishte klasa aktuale politike evropiane, që në esencë është ajo që imponoi marrveshjen Daciq-Thaçi.
Në këtë kuadër, duhet kundruar edhe deklaratat e Listës së Çetnikëve serb në raport me Lëvizjen Vetëvendosje! tashmë të faktorizuar në Kuvendin e Kosovës dhe rrezikun permanent që paraqet ajo si “Kalë Troje” për ta mbajtur Republikën në terrenin e cilësimit si shtet i dështuar.
Por jam më se i bindur që, nëse në krye të Republikës do të kishim nacionalistët progresiv, atë trashëgimi politike pozitive të ilegales idealiste shqiptare, Gjermania, ngjashëm, siç po luan rolin e ndërmjetësit ne procesin e bashkimit te dy Koreve, do të mund ta bënte edhe në ecjen drejt bashkimit të dy Republikave Shqiptare, paralel me procesin për integrimin e Evropes Juglindore ne BE.
Kriptoelita jonë dhe legaliteti i kuazinacionalistëve
Përderisa Beogradi për gjatë gjithë periudhës që prej qershorit 1999, u angazhua që ta bëjë të dështuar Republikën e Kosovës, të ashtuquajturit nacionalistë institucional dhe haxhiqamilë të tipit të spahinjëve të shumëfishuar, shkuan edhe më tej, duke mëtuar të inaugurojnë teorinë mbi kombin kosovar, jo rrallë edhe në prani të kryeministrave të kësaj Republike!
Nuk eshte e rastesishme qe keta të ashtuquajtur demokratë kosovarë, kane pagëzuar rrugë në Prishtinë, Mitrovicë e gjetkë me emrin Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica…
Kuislingët serb ose trashegimtarët e tyre ideologjik, kane nevoje per alibi dhe ate e gjejne tek kuislinget e nazizmit…
Kjo kategori “nacionalistësh”, të djathtë shpifarak, që financohen nga tregtarët e Serbisë dhe aleatët e saj, (vetem nga viti 2002 deri në vitin 2013 ata nga Serbia kanë importuar mbi 2 miliardë e 600 milionë euro produkte), të ngritur jo rrallë në eminencë politike të të ashtuquajturit shtet fiktiv në vitet 1989-1999, e në figura qendrore të Republikës edhe pas 17 Shkurtit 2008 (sic!), para se të rehabilitojnë nazistët e soit të Devës e Mitrovicës, kishin rehabilituar një lagje të tërë shkrimtarësh që i kishin shërbyer pushtuesve italianë, gjermanë e serbë si kolaboratore të llojit të vet.
Shih për këtë të ashtuquajturit nacionalistë të sojit të haxhiqamilit, si ata që koketuan me nazistët edhe këta që koketuan e koketojnë me Serbinë, e kanë të vështirë të bëjnë diferencimin mes legalitetit dhe legjitimitetit. Prandaj ky soj i injorantëve, ndonjeri prej tyre edhe me tituj shkencor, prrallagjinjë të llojit të vet, edhe sot shprehen paturpësisht për Nolin se duke dalë në krye të Revolucionit të Qershorit 1924 “nën këmishën e propagandës bolshevike” na e paska pasur “të fshehur këmishën e terrorit fashist ”!
Këta kuaziinstitucionalistë, harrojnë një fakt se këtyre fenomeneve shoqërore si ai i Revolucionit të 1924, i kanë dhëne shpjegim me kohë shkenca juridiko-politike. Moris Dyverzhe, një jurist i famshëm francëz, në veprën e tij Sistemi politik françez (Le systeme politique français, tërheq vërejtjen me kohë se në rastin kur legaliteti bie ndesh me sovranitetin, popujt kanë arsye të plotë të ngriten në revolucione. Sipas Dyverzhese, një shembull i qartë i nënshtrimit të legjitimitetit përkndër parimit legal, të ashtuquajturit veprim kushtetutes, është ligji francez i 10 korrikut 1940, në të cilin, pas disfatës së Francës përballë Gjermanisë naziste, iu dha fund Republikës së III dhe u krijua i ashtuquajturi “Shtet francez” i kryesuar nga mareshali Peten, me qendër në Vishi, që ndoqi politikën e bashkëpunimit me pushtuesit. Nga pikëpamja procedurale, vlefshmëria e këtij ligji nuk mund të kontestohet, sepse atë e miratoi Asambleja Kombëtare, e Republikës së III, e zgjedhur rregullisht nga trupi elektoral. Lidhur me këtë çështje, një tjetër autor i njohur francez, Zhorzh Byrdo, e shpjenë tutje dallimin midis konceptit të legalitetit dhe atij të legjitimiteit. Sipas tij, një qeveri është legale kur është krijuar në bazë të disa procedurave kushtetuese të përcaktuara, ndërsa është legjitime kur është në përputhje me idenë e së drejtës që ka kombi.
Nga këto parime progressive politike e shkencore, krejtësisht legjitime, udhëhiqej kriptoelita jonë si Metush Krasniqi, Omer Çerkezi, Adem Demaçi, Murteza Nura etj. e deri tek ideologu real i Republikës, professor Ukshin Hoti, që bënë rezistencë të pashembullt, duke iu kundërvënë oportunitetit politik të të ashtuquajturës elitë autonomiste, por njëkohësisht edhe asaj kuazinacionaliste, që kontribuoje në mbajtjen gjallë të flakadanit të lirisë. Kriptoelita jonë vepronte kështu në përputhje me legjitimitetin ngase ajo e kishte të qartë se ai është parakusht për funksionimin e demokratik të shtetit dhe instrument me të cilin sigurohet kredibiliteti politik i institucioneve shtetërore.
Kur legaliteti dëmton legjitimitetin
Në funksion të shpërfaqjes së legalitetit në dëm të legjitimitetit ishin edhe zgjedhjet e marsit 1998 në Kosovë, fill pas epopesë së jasharajve në Prekaz, ashtu si edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese në raport me kërkesën e parashtruar të PDK që kishte të bënte me veprimet e LAN-it dhe VV. Ky i fudit madje mbyti edhe frymën e parlamentarizmit, duke e shndërruar Gjykatën Kushtetuese në eshalon që i ndihmoi PDK në puçin politik.
Kjo lagje kuazinacionalistësh shqiptarë, kur na paraqiten në rrafshin teorik me arsyetimet banale tek tërheqin paralele mes fenomeneve sociopolitike të periudhave të ndryshme të historisë sonë, meqë të vetmin qëllim kanë krijimin e alibisë për mbajtjen peng të Republikës (si në vitet `90-ta edhe sot), duke kaluar nga liberalizmi tek nazizmi, si puna e Karl Shmidit (Karl Schmidt), u përpoqën që ta shkëpusin shtetin juridik nga thelbi i tij politik, e për pasojë, në këtë rast, vete nocioni i shtetit humb përmbajtjen e vetë demokratike dhe kthehet në të kundërtën e saj – në diktaturë .
Kjo garniture kuaziintelektualësh e kuazinacionalistësh, që për shumëçka përbën tashmë sa vite nukleusin e një bande politikanësh mafioz, fatkeqesisht, edhe sot, përgdhelet nga disa forca politike evropiane, jo edhe aq të largëta me nacionalsocialistët e Hitleit. Afera që shpërtheu në EULEX dhe shkrimi në të përditshmen The Gardian që hedh dritë mbi rrënjët e së keqes që ka kapluar Kosovën sot, është vetëm maja e Ajsbergut, por që po dëshmon për koketimin e mafias dhe politikës edhe në relacionet Prishtinë – Beograd – Bruksel.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura