Durrës, 30 prill 2012 – Para pak ditësh doli një shkrim diku në Bullgari, i cili, siç u tha, i këshillonte sllavët e Ish-Rep.Jug. të Maqedonisë, që të ndahen prej shqiptarëvet. Atje thuhej përgjithësisht kështu: Më mirë ndahuni që tani, se sa të prisni më vonë, kur numri i shqiptarëvet të jetë rritur. Të dhënat demografike po na dëshmojnë alarmueshëm se shqiptarët në atë shtet po shtohen me ritme shumë më të shpejtë se sa sllavët. Kështu që, mbas 20 vjetësh, ju do ta keni shumë më vështirë të përfitoni tokat që mund t’i merrni tani.
Gjëja e parë që na bie në sy, dhe që është revoltuese, është se, dikush, atje përtej, i bën llogaritë pa i pyetur fare të zotët e vendit. Artikullshkruesit, diku atje në Bullgari, as që i ka shkuar ndërmend t’u thotë bashketniasvet të vet: Bisedoni me shqiptarët. Ndoshta edhe ata kanë interes për t’u bashkuar me pjesët e tjera të Atdheut të tyre. Merruni vesh edhe ndahuni me mirëkuptim, siç u ndanë, psh, çekët dhe sllovakët.
Është revoltuese dhe njeriut i lind vetëvetiu një e këtillë pyetje: A vërtet janë pranuar në BE të atillë popuj, me të atillë mentalitete të kohës së “Shën Stefanit”?! Ç’e quan një i atillë artikullshkrues, Kombin Shqiptar?! Një bashkësi tribushë primitive?! Një të tillë artikullshkruesi dhe të gjithë atyre që thurin të tillë plane, ne duhet t’u përgjigjemi kështu: Nuk kemi punë me ju, bullgarët e Rep.së Bullgarisë. Punë kemi vetëm me bashkështetasit tanë, të cilët historia i ka instaluar në këtë shtet dhe ne u themi, këtyre bashkështetasve, kështu: Jetoni bashkë me ne, se nuk jeni keq! Ndërtoni, bashkë me ne, ekonominë! Ndërtoni politikën, të brendshmen dhe të jashtmen, bashkë me ne! Mësojini kalamajtë tuaj të shkojnë mirë me shqiptarët! Mos e frymëzoni rininë tuaj me antishqiptarizëm, sepse, një i tillë frymëzim është në radhë të parë i dëmshëm për vetë atë rini! Udhëzojini fëmijët tuaj dhe rininë tuaj, që t’i mësojnë, krahas gjuhës dhe historisë së vet, edhe gjuhën dhe historinë e shqiptarëvet. T’I mësojnë ashtu siç janë dhe jo të shtrembëruara! Bëni që 2 kombet tanë të shkojnë mirë, sepse, edhe po të ndahemi, prapë fqinjë do të na keni! Në lidhje me bashkëpunimin ekonomik e kulturor me bashketniasit tuaj, në Rep.e Bullgarisë, apo kudo që t’i keni, ne nuk jemi pengesë. Përkundrazi, na intereson bashkëpunimi me ta.
_____________________________________________
Në të kundërt, në qoftë se ju, sllavë të Ish-Rep.Jug. të Maqedonisë, dëshironi të ndaheni shtetërisht prej shqiptarëvet, natyrisht që jeni të lirë të ndaheni. Mirëpo, ajo ndarje nuk mund të bëhet dhe nuk do të bëhet, pa biseduar me ne. Kur themi: Kjo nuk mund të bëhet dhe nuk do të bëhet pa biseduar me ne, ju duhet ta dini qysh më pare që kushti ynë, prej të cilit ne nuk mund të lëvizim, është ky: Ndarja mund të bëhet vetëm në kufijtë që i ka pasur Shqipëria (administrativë dhe gjeografikë), PARA TRAKTATIT TË SHËN STEFANIT. Të mos mendojë dikush se kjo punë do të mund të bëhet ndryshe!
Ndërkaq, pozicioni që ne shqiptarët jemi të detyruar të mbajmë ndaj sërbëvet të Rep.së Kosovës, është ky: Rrini me ne, sepse, po u kërkua lëvizja e kufijvet shtetërorë, jo vetëm që ju gjithsesi do të mbeteni brenda kufijvet të shtetit tonë, por edhe pjesët e tjera, që na i ka marrë Sërbia, do të bëhen pjesë e shtetit të shqiptarëvet. Kur themi: “ne shqiptarët jemi të detyruar”, kjo nuk është një thënie e rastësishme. Ne, jo vetëm dëshirojmë që kufijtë tanë shtetërorë të çohen në kufijtë gjeografikë të kohës kur është formësuar Kombi Shqiptar, pra, të kohës së Rilindjes sonë Kombëtare, por jemi TË DETYRUAR ta synojmë një cak të tillë, si ne qua non, nëse nuk duam që të ricopëtohemi pa mbarim, dmth, deri sa të mos mbetet e lirë asnjë copë e Atdheut tonë. Në krah tjetër, duke qenë ne shqiptarët një komb shumë i arsyeshëm, ne nuk po kërkojmë që tani me doemos të ndryshohen kufijtë ekzistues. Nuk po kërkojmë të prishet “status quoja” e Ballkanit! Pra, po sakrifikojmë për Ballkanin dhe për rendin ekzistues evropian. Por, ama, edhe të tjerët duhet ta dinë që ne shqiptarët nuk jemi këtu për të plotësuar tekat e njërit apo tjetrit. Kjo duhet të jetë e qartë, qoftë kur dikush kuturis e bën deklarime aventurash me kufijtë e shtetevet, qoftë kur njëri apo tjetri bën fshehurazi hesape pa hanxhinë.
Duke trajtuar një temë të këtillë, që është jetike për ekzistencën tonë, na duhet të vëmë në dukje, madje me forcë të madhe, edhe një tjetër kusht, të cilin duhet ta mbajmë parasysh vetë ne shqiptarët: Asnjë qeveri shqiptare, asnjë parlament shqiptar, asnjë parti politike shqiptare, nuk ka të drejtë as të bëjë bisedime e as të vendosë kokë më vete për gjëra të tilla që kanë të bëjnë me kufijtë tanë gjeografikë dhe shtetërorë. Për gjëra të këtilla, të shenjta, të cilat lidhen me qindra mijë jetët e të parëvet tanë, masakruar e bërë përshesh pikërisht mbi këtë tokë, që ne e quajmë Atdheu i Shqiptarëvet, është i thirrur dhe ka të drejtë dhe detyrë të vendosë KREJT KOMBI SHQIPTAR! Për gjëra të këtilla, të shenjta, ka të drejtë dhe detyrë të vendosë VETËM SOVRANI I MADH, ai që e ka plehëruar këtë tokë me gjakun, me mishin dhe me eshtrat e paraardhësvet, deri edhe me fëmijë. Thënë më konkretisht, nëse nismohen bisedime për çfarëdo ndarje të kufiujvet, në këtë rast, në pjesët lindore të Shqipërisë, aty do ta thonë fjalën e vet edhe shqiptarët e Turqisë, edhe ata të Evropës apo Amerikës. A e dini sa shkupianë e manastirli ka në Stamboll?! Po në Tiranë e Durrës, sa pasardhës të ish-banorëvet të Shkupit, Mnastirit e Ohrit ka?! Si paska mundësi qoftë edhe një gur kufiri të luhet pa i pyetur edhe ata?!
Në këtë kuptim, as parlamenti i Rep.së Kosovës nuk do të kish të drejtë të zhvillonte kurrfarë bisedimesh, për ta prurë kufirin më këndej, as edhe për 1 pëllëllëmbë të vetme.
Tash ka ardhur koha që krejt Kombi Shqiptar të veprojë si një trup i pandashëm. Për çdo gjë që ka lidhje me fatin e Atdheut e të Kombit tonë, kanë të drejtë legjitime, po edhe detyrë patriotike, për të dhënë mendimin (që do të thotë, edhe votën, me referendum), çamët, në Çamëri e kudo që janë, në Vlorë apo në Izmir, suliotët zulmëmëdhenj, kudo që janë, arbëreshët e Italisë, arvanitët e Greqisë, arbëneshët e Zarës, që të gjithë këta, njëlloj si ulqinakët, gjirokastritët, vuthjanët, bihorasit dhe nokshiqasit. Shqiptarët nuk do të plotësojnë më, as në të tashmen, as në të ardhshmen, tekat e njërit apo tjetrit lakmues territoresh. I kemi lënë prapa tashmë edhe shekullin XIX, edhe shekullin XX. Ne nuk do të lejojmë kurrë më të përsëriten, as Kongresi i Berlinit, as Konferenca e Ambasadorëvet të Londrës e as Versaja. Shekullin XXI, sa i përket vetes sonë, do ta kemi ne në dorë e askush tjetër.