DR.SULEJMAN ABAZI – NESHAJ: GJEOPOLITIKA SHQIPTARE, RROTULL “PAKTIT DETAR” ME GREQINË!

Tiranë, 2 shkurt 2018: Nuk është vetëm çështja e Paktit Detar në maratonën e bisedimeve diplomatike Shqipëri – Greqi, të cilat do të vazhdojnë intensivisht deri në muajt “e nxehtë” të vitit. Megjithatë, po e filloj me anën teknike të problemit, për të dalë në shumdimensionalitetin e tij, të lidhur me problematikën komplekse në marrëdhnëniet dypalëshe. Specialistët e topogjeografisë e dinë fort mirë që, e drejta detare është tërësia e normave që rregullojnë përdorimin e detit në kohë paqeje, në sipërfaqe e thellësi të tij. Ajo është kodifikuar me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit. Shqipëria është bërë pjesë e kësaj Konvente më 23 qershor 2003, por pa deklaratë shoqëruese. Sipas kësaj Konvente, shteteve u njihet e drejta në ujrat territoriale deri në 12 milje nga vija bazë e bregut (Neni 3); u njihet zona kufitare prej 24 miljesh nga vija bazë (Neni 33) dhe si zonë ekonomike eskluzive, deri në 200 milje nga vija bazë (Neni 55), si platformë kontinentale, shtrirja e së cilës llogaritet sipas nenit 76 të Konventës. Mbi këtë legjislacion, Shqipërisë i takojnë ujrat territoriale në brezin prej 12 miljesh, ku ajo ka sovranitet të plotë, plus brezi kufitar prej 12 miljesh shtesë, ku ajo ushtron të drejta të rëndësishme të ligjshmërisë e të rendit, plus zona ekskluzive ekonomike, plus brezi i platformës kontintentale. Në dy zonat e fundit, Shqipëria ka të drejtë vetëm të ushtrojë të drejtat ekonomike. Në rastin kur, interesat përplasen për shkak të hapësirave të ngushta (nën 12 milje detare), bëhen marrëveshje të veçanta shtetërore, mbi bazën e legjislacionit ndërkombëtar, për ndarje proporcionale të hapësirës detare. Kjo praktikë është e sanksionuar me vite dhe nuk lë shteg për keqkuptime. Mbi këtë arsyetim, duhet pritur më tej, pa ulur vëmendjen ndaj hapave diplomatik që hidhen, sepse kemi përvojë të hidhur në marrëdhëniet e deritanishme me politikën e shtetit grek.
Qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese në çështjen e Paktit të detit, është një akt tepër i vlerësuar për të mbrojtur interesat kombëtare dhe sovranitetin territorial të Shqipërisë. Përsëri, në zhvillimet e reja për këtë problem, çështja do të kalojë në këtë gjykatë, si garanti kryesor i të drejtës shqiptare. Vendimi, sigurisht do të jetë me ndikim më minimal nga politika dhe akoma më shumë, një vlerë e verdiktit të pavarësisë së gjyqësorit. Sa më pak e përfshirë të jetë politika në këtë çështje, aq më tepër do të anohet nga zgjidhjet e drejta, kur në mbrojtje të tyre vihen institucionet e shtetit.
Në thelb do të shikonim, problemet paralele me Paktin detar, përballë kokëfortësisë greke dhe këmënguljes shqiptare, ku në mes tyre kemi qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Atëherë, nëse nuk është vetëm çështja e Paktit me Greqinë, çfarë fshihet tjetër pas bisedimeve në Kretë dhe në Korçë, midis dy ministrave të jashtëm?!
Në këtë kontekst, janë disa çështje paralele, që nuk mund të trajtohen në një plan, por kanë një radhë veprimi në vijueshmërinë apo pritshmëritë politiko – diplomatike. Me sa po kuptohet, të gjithë janë pjesë e lojës. Linjat kryesore të ecurisë dhe pritshmërive të këtij procesi mund të jenë të zhytura thellë.

Në aspektin diplomatik, “përplasja” Shqipëri – Greqi është shtrirë në një hark kohor prej 12 vitesh, për të zgjidhur shumë probleme të mbetura pezull, ku veçohet famëkeqi “ligji i luftës” me Greqinë. Pikënisje e hapjes së këtij debate, është dyshja “Basha – Bakojanis” dhe pjesa fundore, me sa duket do të jetë “Bushati – Kotzias”. Në këtë përplasje, ka një këmëngulje të politikës dhe diplomacisë shqiptare dhe një kokëfortësi greke, që meriton të ç’kodifikohet. Pse janë kaq kokëfortë grekët për të fshehur….çfarë?! Pas këtij qëndrimi në trajtimin e problemeve me buzëqeshje dhe shtrëngim të fortë duarsh, çfarë kërkojnë….çfarë?!
Në këtë analizë vlerësojmë saktësisht disa paralelizma, që shoqërojnë procesin e bisedimeve mbi Paktin Detar me Greqinë. Dhe ato në fakt nuk janë pak, por një akumulim i dhimbshëm dhe i lodhshëm në marrëdhëniet midis dy shteteve dhe popujve fqinj. Janë çështjet delikate të emigracionit shqiptar në Greqi, është çështja e “ligjit të luftës” dhe midis tyre Çështja Çame, e cila po fokusohet në qëndrimin e politikanëve dhe deputeteve të PDIU-së. Në fakt, PDIU është pjesë e politikës parlamentare të shumicës. Qëndrimi i saj në Parlamentin shqiptar përgjithësisht ka qenë pro qeverisë Rama. Zgjerimi më tej i problemeve, ka marrë përmasa nga “instituëionet në hije” që pretendojnë për “Republikën e Çamërisë”, me qendër në Bruksel dhe Hollandë. Mbi këtë akt të fundit, reagimet e PDIU-së dhe të Shoqatës Çamëria janë krejt formale. Aktiviteti i “presidentit” të Çamërisë, (ndoshta dhe në takime me personalitete greke), po i ngjan modelit politik islamik Iranian të Ajatollahut. Historia përsëritet.(!) Të gjitha këto instrumente të Çështjes Çame, nuk kanë për detyrë thjeshtë të nxisin opinionin shqiptar, por të presin me durim aktin e fundit të politikës dhe diplomacis shqiptaro – greke dhe asaj ndërkombëtare.
Të shohim edhe një element tjetër, që tashmë po kuptohet në mjedisin shqiptar. Pse po rrudhet deri në ikje nga Shqipëria vet sistemi financiar grek, i cili për mbi 20 vite kapte rreth 70 për qind të bankave të nivelit të dytë?! Pse kjo tërheqje në këtë kohë dhe pse kaq e fshehur?! Çfarë po mungon sot në tregun financiar shqiptar (që ka qenë deri dje) dhe cili ka qenë roli i këtyre bankave në Shqipëri?! Cili ka qenë aktiviteti i tyre në këto dy dekada dhe çfarë lidhje ka ky sistem financiar me politikën shqiptare?! Mos vallë drejtësia shqiptare në rinovim, do të mund të hapë “kartat e vjetra”?!
Po rikujtojmë në këtë analizë, gjithashtu një fakt tjetër. Rolin që ka lozur dhe luan “fyerja presidenciale” në rastin e votës “Pro” të qeverisë shqiptare për “çështjen Jueruzalem” në OKB, në lidhje me “shumësin” e problemeve Shqipëri – Greqi. Ish presidenti Berisha i dha “shtetësinë” kreut të KOASH, Janullatos, ndërsa presidenti Ilir Meta, shkon edhe më tej, i dorëzon atij në fund të jetës së tij pasaportën shqiptare. Për çfarë i duhej kjo pasaportë Hirësisë së Tij Janullatos në këtë moshë, kur dhe pa të, ai e ka kryer misionin e tij?!
Dhe më tej, pse u ra dakort për çështjen e zhvarrimeve dhe varrezave të ushtarëve grekë në territorin shqiptar nën veprimin e komisioneve shtetërore dypalëshe dhe minitorimit ndërkombëtar, kur “me rastin Kosina u bë nami”?! Përballë këtyre veprimeve shtetërore, pse po mbytet protesta qytetare kundër përfitimeve të njëanëshme që deformojnë historinë?!
Paralelizmat që veprojnë krahas Paktit Detar sjellin disa nmesazhe, që burojnë nga “thellësia” e politikës dhe diplomacis. Ato duhen qëmtuar dhe vlerësuar me kujdes, dhe ketë nuk mund ta bëj kushdo në vlerësimin e shtrirjes së interesave gjeopolitike shqiptare në rajon. Në fakt, nuk duhet të flasim dhe të shtiremi sikur jemi “superfuqi”, por të bëjmë atë që na ofrojnë standardet e një botë në ndryshim, që nuk pranon më probleme të reja mbi problemet e vjetra historike.
Kur në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar të trajtimit të ujërave detare, gjithçka paraqitet në rregull, atëherë çfarë tjetër fshihet pas këtij akti të përfolur? A besohet në opinionin serioz se, deklarata e Kotizias për mediat greke në lidhje me perfitimin e 12 miljeve detare, është bërë “pas krahëve” të Bushatit, pas 13 orë bisedimesh në Kretë dhe në Korçë? A mund t’i bëjnë “gabime” të tilla diplomatët, për të shkatërruar me dashje “ngrehinat” e tyre diplomatike? Këtë shumë kush nuk e beson. Me siguri bëhet fjalë për kufirin detar që kemi pasur me Greqinë në kohën e shtetit komunist, para viteve 90-të, ku me dashje apo pa dashje, grekët e dinin se u ishte vënë kufiri tek thana. Dhe jo vetëm grekët, por askush atëherë nuk guxonte t’i shkelte këta kufij, pasi qëndrimi i shtetit shqiptar ishte i deklaruar; kushdo që do të shkelte këta kufij, do të goditej. Faktikisht, po realizohet në kohë një proces dhe rivendikim historik, rrënjët e të cilit burojnë nga qëndrimi i shtetit shqiptar në kohën e komunizmit, si një rast i veçantë, po specifik, që lidhej me sigurinë kombëtare, pa përfillur standarded e konventës ndërkombëtare. Saktësimi në kushte të reja, (deklarata e munguar e Shqipërisë që nga viti 2009), është rivendikim dhe një mbyllje e problemit historik, por edhe një dajak për politikanët që e nisën këtë marrëveshje, sikur deti mund të përdorej si “plaçkë” këmbimi interesash.
Atëherë duhet të kuptojmë që, procesi po zhvillohet brenda hullive të hapësirës së vet, brenda disa standardeve politike dhe diplomatike, të cilat nuk janë jashtë vëmendjes së fuqive të mëdha, qoftë BE-së apo partnerëve të tjerë të interesuar.
Pra shkurt, iku koha e “kompastit”, pasi ai e realizoi misionin e tij, tani është radha e politikës dhe diplomacisë. Ka ardhur koha e rizgjimit të një debati në vlera historike, i cili ka për detyrim të zgjidh dhe të mbyll problemet dhe të mos gjenerojë probleme të reja, që nuk i shërbejnë marrëdhënieve dypalëshe. Deklarata e ministrisë së jashtëme shqiptare, e cila e lë problemin të hapur, e bën përkohësisht të pakompromentueshëm shtetin shqiptar, brenda mekanizmave të tij politik dhe dioplomatik, duke shfaqur qëndrimin transparent, aq sa e lejon misioni i tyre. Marrëveshja e arritur, vërtet sipas Bushatit, është “shumë më e favorëshme se ajo e vitit 2009”, por kjo nuk do të thotë asgjë, pasi jemi në vitin 2018, me synime dhe ambicje të tjera politike dhe ekonomike. Qëndrimi nuk pranon ndikime nga momentet politike që kalon Shqipëria. Ai kërkon zgjidhje, por jo në dëm të interesave dhe integritetit territorial të Shqipërisë. “E drejta e ushtrimit të sovranitetit mbi ujërat detare dhe shfrytëzimit ekonomik të tyre”, i pranon bisedimet dhe pretendon “zgjidhjen e qëndrueshme”. Hapja e rrugës nga diplomacia për studimin në proces nga ekspertët e të dy palëve, nuk mund të mbartë mbi vete paragjykimin politik. Asgjë nuk është firmosur, vetëm është hapur rruga për korrigjimin e aktit të paprecedent të para vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Të mos harrojmë në këtë mes, rolin e diplomacisë europiane. Komisionerët e BE-së kanë nxitur “zgjidhje” të tilla dhe në fakt, edhe pas kësaj ecurie të procesit dypalësh, e çojnë pranimin e Shqipërisë në këtë bashkësi, aty nga vitet 2028(!!). Kjo vendimarrje e dyanëshme me këto qëndrime, nuk mund të bëhet më pak e kompromentueshme, as për opinionin shqiptar, Greqinë apo dhe vet Europën, përkundrazi. Reaksion nxitet më tej, nëse nuk do të mos harrojmë që kjo marrëveshje nuk është vetëm çështje dypalëshe, por tripalëshe, ku nuk përjashtohet Italia. Para 20 viteve italianët në Shqipëri ofruan ndihmën financiare me vlerë 217 miliard lireta (167 milion euro) në këmbëmim, për të përdorur ishullin e Sazanit, nën arsyetimin e luftës “kundër emigracionit të paligjshëm”, për sigurinë, drejtësinë, mbrojtjen dhe zhvillimin ekonomik. Kjo lloj kredie “me interes të ulët”, sot është e harruar. Orekset rrotull Shqipërisë ende shfaqen me një lloj grykësie, ku përballë saj politika shqiptare, duke lënë mënjanë preferencat personale të politikanëve, të pozicionohet qartë dhe prerë në mbrojtjen e interesave kombëtare. Europa nuk duhet të vazhdojë të tallet me popujt, që vuajnë pasojat e vjetërsive koloniale. Çfarë përfiton BE-ja nga “zgjidhjet” e këtyre problemeve në mënyrë “dypalëshe” apo dhe “tripalëshe”?! Kjo vlen të diskutohet në thellësinë e saj, që lidhet me përfitimet e miliardave të eurove, që kanë lidhje me Greqinë dhe jo me Shqipërinë. Pëlqyeshmëria në diplomacinë “e munguar” europiane, (në fakt nuk është aspak e tillë), po shfaqet me dhënien e rolit primar të Greqisë në marrëdhëniet me Shqipërinë, drejt BE-së. Thjeshtë një dinakëri dhe pabesi, një tërheqje mënjanë. Më sa duket, shpresojmë të kemi dhe një hapësirë të politikës dhe diplomacisë “në fushën gri” në këtë lloj marrëdhënie, e cila është realisht kudo në vend të parë, por dhe askund. “Na daltë për hajër”, kështu thotë populli shqiptar!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura