GJOKË DABAJ: NUK NA E KANË FAJIN MALAZEZËT

Durrës, 29. 05. 2013 – Kur një shqiptar i komunës së Tivarit apo i komunës së Ulqinit e konsideron veten malazez, nuk e kanë fajin malazezët. Ky është konkluzioni im, i formuluar në rrjedhë të vitevet qysh prej mesit të shekullit XX e këndej. Malazezët i KANË përgjegjësitë e tyre HISTORIKE në qëndrimin ndaj shqiptarëvet. Kanë përgjegjësinë e kultivimit të armiqësisë ndaj nesh, përgjegjësinë e politikës ekspansioniste ndaj tokavet tona, përgjegjësinë e sulmevet ushtarakë dhe të pushtimevet të territorevet të Shqipërisë, përgjegjësinë e diskriminimit administrativ dhe ekonomik, përgjegjësinë e politikavet diskriminuese në fushë të arsimit, madje edhe përgjegjësitë e burgimevet, vrasjevet e deri te genocidi. Historia nuk i shkarkon dhe nuk mund t’i shkarkojë malazezët nga asnjëra prej përgjegjësivet që ata kanë ndaj Kombit Shqiptar e veçanërisht ndaj pjesëvet të Shqipërisë që i kanë pushtuar apo tentuar t’i pushtojnë prej gjysmës së dytë të sh XIX e këdej.
Por unë këtë herë po dua të vështroj, me syrin e vetëkritikës, fajet e vetë shqiptarëvet, për kohën nga Lufta e Dytë e këndej dhe për gjendjen në të cilën ndodhemi në këtë fillim shekulli. Për efekt analize, përgjegjësitë, rrjedhimisht fajet, do t’i ndajmë në 3 kategori: vetjakë (individualë), gruporë dhe kombëtarë.
1. Secili njeri në botë ka përgjegjësi, mban përgjegjësi, për çfarëdo veprimi apo mosveprimi në jetën e vet. Një gjerman e di ç’është në pikëpamje nacionale dhe i lidh veprimet e tij, veç tjerash, edhe me përkatësinë e tij nacionale. Një kroat e di ç’është, një turk e di ç’është, një rom (një magjyp) e di ç’është, një hebre (një çifut) e di ç’është dhe, që të gjithë këta, i lidhin veprimet, veç tjerash, edhe me përkatësitë nacionale.
Kështu, një shqiptar, i Tivarit, i Shestanit, i Kranjës, i Ulqinit apo i Plavës, e di çfarë është nga pikëpamja nacionale dhe, doemos, edhe ky duhej t’i lidhte veprimet e vet, veç tjerash, edhe me përkatësinë nacionale. (Po marrim vetëm këtë aspekt, pasi aspektet e tjerë do të na largonin nga qëllimi i kësaj analize.)

Një Dabanj e di që nuk është Daboviq. Një Vukmarkanj e di që nuk është Vukmarkoviq. Një Nilanj, apo Nilaj, e di që nuk është Nilloviq. Një Murataj nga Muriqi e di që nuk është Muratoviq. Një Rexhepagaj e di që nuk është Rexhepagiq. Një Nikprelaj e di që nuk është Nikpreleviq. Një Gjeloshaj e di që nuk është Gjelosheviq. Një Gjeçbitraj e di që nuk është Gjeçbitriq. Një Bardhaj e di që nuk është Barlloviq. Një Cukaj e di që nuk është Cukoviq. Një Brisku e di që nuk është Briskoviq. Një Cekaj e di që nuk është Cekoviq. Një Llunji e di që nuk është Llunjiq. Një Idrizagaj e di që nuk është Idrizagiq dhe një Hasa e di fort mirë që nuk është Hasiq.
Për të ditur kaq gjë, nuk ka nevojë njeriu të lexojë histori. Secili individ, secili person, nga këta që përmenda, dhe disa mijëra të tjerë, mjafton të pyesin gjyshet e veta dhe do ta marrin vesh që llagapet na i ka ndryshuar Krajl Nikolla. “Na i ka ndryshue Krajl Nikolla, por ma vonë kanë mbetë njashtu prej pamukajetit.” Kjo do të ishte logjika e gjyshes. Por, të nipit, i cili, në ndërkohë, mund të ketë kryer një fakultet, a mund t’i lejohet të mendojë kaq cekët, pa qenë një hipokrit, një interesaxhi apo një frikacak nga më të përbuzshmit?!
Secili prej këtyre që i përmenda, dhe disa mijëra të tjerë, e di që është shqiptar. Ligjet nuk e pengojnë për t’u regjistruar shqiptar. Pse nuk shkon në zyrat përkatëse dhe t’i ndryshojë, t’i kthejë në identitet, si llagapin ashtu edhe përcaktimin nacional?! Të shkojë atje, pa pyetur as nënë, as babë, as kushëri, as grua, as burrë! Ta kryejë atë punë dhe të presë i qetë ditën e kiametit! Pyetja shtrohet: A mund ta bëjë këtë veprim secili individ në mënyrë të pavarur? Përgjigjja është: Po. Mund ta bëjë, përveç në i mungofshin cilësitë më të domosdoshme morale. (Unë, autori i këtyre radhëve, pa kërkuar që të mburrem, sepse s’ka kurrfarë motivi për t’u mburrur, e kam bërë këtë veprim qysh në kohën e Tito-Rankoviqit.)
Secili prej këtyre që i përmenda, dhe disa mijëra të tjerë, shqiptarë të krahinavet tona dhe të qytetevet tanë, e di që, fëmijës së vet, nuk do të ish keq që, krahas përbërësvet të tjerë të edukatës, t’i japë edhe edukatën e përkatësisë kombëtare. Nuk është fjala për të kultivuar farë përçmimi apo urrejtjeje ndaj të tjerëvet, por është fjala për të kultivuar dhe për të ruajtur secili person identitetin e vet. Për ta ruajtur identitetin e vet, sepse vetëm ashtu mund të vlerësohesh edhe prej të tjerëvet. Bëjnë të gjithë kështu. Përse të mos bëj edhe unë kështu? Malazezi i Tivarit e ruan identitetin. Ata malazez që e quajtë veten sërbë, sot duhet ta ndiejnë veten të turpëruar, sepse s’kishin të drejtë dhe s’kanë të drejtë të mohojnë kombin e vet. Unë, që jam shqiptar i Tivarit, përse të mos e pohoj që jam shqiptar, aq më tepër, kur të gjithë e dinë çfarë jam e kush jam?! Përgjigjja ëshjtë vetëm kjo: Nuk e pohoj që jam shqiptar, sepse jam njeri i nivelit të ulët, moral dhe kulturor! Jam i paburrë! Jam frikacak! Jam konformist! Jam interesaxhi shkurtpamës!
2. Për t’ia bërë të qartë vetëvetes se si kemi vepruar ne në grupe, në bazë fshatrash, qytetesh apo krahinash, do të marrim disa shembuj.
Në vitin 1944, në krahinën e Shestanit, marrë në kuptimin e tij të zgjëruar, prej Bujgrit e deri në Thtjan, krahinë e cila ndryshe quhet edhe Kranjë e Sipërme, nuk ka qenë i regjistruar si malazez as edhe një banor. Të gjithë quheshin dhe regjistroheshin si shqiptarë dhe, realisht, ISHIN e kishin qenë shqiptarë shekull pas shekulli.
Në vitin 1948, prej 1554 banorëvet të regjistruar, në mos gabohem, vetëm 6 qenë shkruar si shqiptarë. Të gjithë të tjerët figuronin malazezë, ndonëse shumica e tyre, sidomos gratë e fëmijët, nuk i dinin as nga 3 fjalë malazezçe. Gjyshi im ka ditur vetë 2 shprehje shkjenisht: Dobar dan! dhe Dobro veçe! Gjyshja, asnjë fjalë!..
Përse u bë ky gabim kaq i rëndë, kur ligjet nuk ndalonin askënd të deklarohej ashtu si ishte?! Kjo mund të shpjegohet vetëm me mungesë dinjiteti. Ne nuk e kemi pasur dhe nuk e kemi INSTITUCIONIN e edukimit permanent kombëtar, INSTITUCIONIN e kultivimit të dinjitetit kombëtar! Nuk e kemi pasur dhe nuk e kemi atë, që unë e kam quajtur: INSTITUCIONI I PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE!
Malazezët e kishin një të tillë INSTITUCION qysh në sh XV. Atë e krijoi dera arbërore e Zezëvet, e konvertuar në Cërrnojeviq, në bashkëveprim me Peshkopatën Pravosllave të Zentës, themeluar qysh në sh VIII prej Sava Nemanjiqit. Rrethanat e sollën, në radhë të pare, mungesa e një kishe gjitharbërore, me liturgji në gjuhën e vendit (Përfytyroni ç’do të bëhej me gjermanët, po të mos dilte Martin Luteri!), pastaj, paaftësia e Evropës për t’u dalë zot popujvet të rrëzikuar prerj Perandorisë Osmane etj. Sidoqoftë, malazezët e kishin INSTITUCIONIN e tyre përbashkues, ndërsa ne nuk e kishim dhe nuk e kemi. Prandaj shqiptarët e Shestanit, dhe jo vetëm ata, u treguan aq eklektikë, dmth aq të pataban, aq pa shtyllë kurrizore, sa benda 4 vjetëvet, e panë “të arsyeshme” ta “ndërrojnë” përkatësinë kombëtare. Është, pa tjetër, një turp kolektiv, të cilin e paguajnë shumë shtrenjtë brezat pasardhës.
Në vitin 1946, në grupin e katundevet në afërsi të Ulqinit: Krruç, Krythë, Salç e Kullomzë, nuk kish asnjë familje sllave. Jetonte në Krruç vetëm 1 familje ortodokse shqiptare, ardhur aty si familje muratorësh nga Janina. Por kjo familje shqiptare, me qenë se ish ortodokse, martesat i pat bërë me malazezë, dhe e konsideronte veten malazeze. U mblodhën të 4 katundet për të vendosur në çfarë gjuhe do të hapej shkolla e Salçit. Në vitet e Luftës ajo kish qenë në gjuhën shqipe. Të gjithë mendonin se, nën Jugosllavinë e Re, e cila i kish proklamuar gjërësisht liritë nacionale, aty duhej të vazhdonte shkolla në gjuhën shqipe. Shqip i kishin shkollat: Ana e Malit, Kllezna, Shëngjergji, Shtoji, Kranja. Pse të mos e kish edhe Salçi shqip? Mirëpo, Janinoviqtë nuk pranonin. U bë grindje. Ata kërcënuan dhe u vendos që shkolla të kthehej në gjuhën sllave. 3 çerek shekulli më vonë gjurmët rrënimtare të asaj shkolle në kulturën e asaj popullsie janë më të dukshme se gjurmët e çfarëdo tërmeti apo çfarëdo epidemie që mund të godasë një vend. Përse u bë ky gabim kaq i rëndë kolektiv?! Prapë vijmë te e njëjta përgjigje: S’ka shtyllë kurrizore! S’kanë shqiptarët një INSTITUCION përbashkues, INSTITUCIONIN E PËRKUJDESJES GJITHSQIPTARE!
Në njëfarë kohe, në vitet 1990, ngrihet një grup karnjanësh dhe kërkon që në fshatin e Muriqit, të hapet shkolla shqipe, pasi aty jetonin vetëm shqiptarë. Muriqi është një fshat mysliman, fqinj me Shestanin në kuptimin e ngushtë, por pjesë e krahinës së Shestanit në kuptimin më të gjërë. Bëhet zhurmë e madhe në media. Mblidhen muriqasit dhe thonë: “Jo! Ne nuk e duam shkollën shqipe! Ne duam shkollë në gjuhën malazeze!” Ç’qe kjo hata e madhe?! A kaq dritëshkurtër janë ata fshatarë, sa të mos e dinë që vetëm shkolla në gjuhën e vet mund t’i hapë perspektivë zhvillimi një komuniteti?!
Në po ata vite, Gjon Nikë Dobresi, një burrë patriot nga fshati Braticë, afër Ulqinit, arrin ta kthejë mësimin në shkollën e Braticës nga sllavisht në shqip, por ngrihen shqiptarët e Braticës dhe thonë: “Jo! Nuk na intereson shkolla shqipe! Duam shkollë në gjuhën e shtetit!”
Ndërkaq, midis shqiptarëvet të Tivarit, as në mjediset ku ata përbëjnë shumicën, si në Dobrovodë, Zalef, Tombë, Mirovicë, Bartull, Maranj e Shushan, nuk është shtruar ndonjëherë, në këta 3 çerekë shekulli, asnjë kërkesë për të hapur shkollë shqipe. E gjithë kjo nuk ka bërë tjetër, veçse i ka shndërruar këta shqiptarë në një popullatë pa kurrfarë personaliteti.
Ky është rezultati i gabimevet të njerëzvet tanë në grup. Asnjë lloj presioni nuk duhej t’i detyronte këta grupe shqiptarësh ta mohonin vetëveten në këtë mënyrë! Aq më tepër, kur legjislacioni, qoftë ai i ish-Jugosllavisë së Dytë, qoftë ky i shtetit të sotëm malazias, nuk i pengon as individët, as grupet e individëvet për të ruajtur e kultivuar kulturën e vet. Dua të them, për një të këtillë degradim të kësaj pjese të shqiptarëvet që jetojnë në shtetin malazias, fajin ne duhet ta kërkojmë në radhë të parë te vetja. E kemi vetë fajin, që bëhemi baltë, pa qenë nevoja të jemi baltë!
3. I trajtuam kështu përgjegjësitë vetjake dhe grupore. Të shohim tash përgjegjësinë tonë në shkallë KOMBËTARE!
Kombi malazias, brenda shtetit të vet, përbëhet gjithsej prej nja 480 mijë frymësh. Nëse nuk jam i saktë, lutem që të më korrigjoni! Është kombi më i vogël i rajonit tonë, por gjithsesi është komb. Ka veçoritë e veta historiko-kulturore, gjuhësore, zakonore, fetare, më në fund, edhe shtetërore. Ka, mbi të gjitha, dinjitetin e vet. Nuk bëhet baltë e askujt.
Ne shqiptarët, këtu në Ballkan llogaritemi nja 6 milionë. Pra, jemi një komb nja 12 herë më i madh se ai malazias. Nëse llogaritim edhe diasporën, kombi ynë, në mos arriftë te 15-milionëshi, është gjithsesi më shumë se 10 milionë. Si shpjegohet, atëherë, që, në gjithë atë Tivar të mos ndjehet aspak autoriteti, ndikimi pozitiv i tërësisë ndaj pjesës së vet?
Dhjetëra televizorë, dhjetara gazeta, qindra libra që botohen, qindra, për të mos thënë mijëra gazetarë që hanë bukën e këtij Kombi, si shpjegohet që nuk kujtohen kurrë për problemet që kanë fëmijët shqiptarë të Tivarit?! Morëm Tivarin, por të njëjtën gjë mund të themi edhe për Follorinën apo Kosturin.
Malazeztë, për Vrakën, e cila nuk është pjesë e tokës malaziase, por thjeshtë një diasporë, kanë shkruar me qindra artikuj e studime. Shpeshherë, madje, pseudoshkrime dhe pseudostudime, artikuj surrogatë. Por kanë shkruar. Nuk kanë ndenjur pa shkruar.
Sa artikuj e studime kanë shkruar shqiptarët e Tiranës dhe ata të Prishtinës për Tivarin apo për Plavën, që nuk janë diasporë?! Artikuj e studime që t’i kenë shkruar në shqip, por që t’i kenë përkthyer e botuar edhe në anglisht, frëngjisht e gjermanisht!
Përfundimisht, unë prapë nuk mund të nxjerr tjetër konkluzion, përveç atij që ne shqiptarët nuk kemi pasur dhe nuk kemi një INSTITUCION tonin GJITHKOMBËTAR. Kemi lëvizje kombëtare shumë të fuqishme, sidomos nga Rilindja e këndej, por edhe të mëparshme, në përshtatje me periudhat e historisë, psh Kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, por INSTITUCIONIN që duhej ta kishim, nuk e kemi krijuar dot. Ky është shkaku që në Kombin tonë po ndodhin aq shumë firo, sa nganjëherë çuditemi si kemi mbijetuar deri më sot. Fajin, pra, për këto që thamë, nuk na e kanë malazezët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura