MR.SC.YMRET RERSHITI: DIALOG PËR PERSPEKTIVË

(Prishtinë, 12. 10. 2012) – Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin përfundimisht çështjet e pazgjidhura të krijuara prej shumë kohësh, të cilat tash e sa vite e rëndojnë dhe e stagnojnë zhvillimin normal të raporteve të tyre fqinjësore.
Dialogu politik me Serbinë jo vetëm që është i pashmangshëm, por është më se i domosdoshëm. Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin përfundimisht çështjet e pazgjidhura të krijuara prej shumë kohësh, të cilat tash e sa vite e rëndojnë dhe e stagnojnë zhvillimin normal të raporteve të tyre fqinjësore. Në prag të këtij procesi politik, Kosova ka nevojë për më shumë unitet politik dhe qytetar. Klasa politike do të duhej që ta japë provimin e saj, të jetë konstruktive dhe të mbështesë fuqishëm platformën politike për këto bisedime, në mënyrë që Kosova të dëshmojë se ka pjekuri të lartë politike dhe aftësi shtet ndërtimi.
Serbia do të duhej definitivisht të heqë dorë nga koncepti i saj “alla ballkanik”, i cili bazohet në konflikte dhe armiqësi të përhershme fqinjësore. Është shans i mirë i saj, që të tregohet konstruktive në këto bisedime fqinjësore me Kosovën, në mënyrë që të nxërë me kohë proceset integruese euro-perëndimore dhe të mos mbetet edhe për një kohë të gjatë peng i koncepti “alla ballkanik”. Do të jetë shumë regresive për Serbinë nëse ajo nuk e shfrytëzon këtë shans, ngase do të mbesë edhe për një kohë të gjatë kërcënuesja potenciale e paqes dhe qetësisë në rajonin e Ballkanit.

…………………………………………

Dialogu politik si vlerë
Në rrafshin njerëzor të dialogosh, do të thotë të tregohesh i njerëzishëm, i përgjegjshëm dhe përparimtar. Edhe në rrafshin politik dialogu politik paraqet vlerë të shoqërive dhe shteteve demokratike kudo në botë, dhe njëherësh paraqet finesë të sistemeve me demokraci më të avancuar. Dialogu politik është çelës i komunikimit dhe bashkëjetesës mes popujve dhe shteteve. Pa dialog politik nuk ka demokraci, ndërsa pa demokraci nuk ka zhvillim, ka dhunë dhe konflikt permanente. Dialogu politik është shëndeti i demokracisë. Në atë shtet ose shoqëri ku nuk ka dialog politik, demokracia është e sëmurë dhe ka stagnime. Dialogu politik është parimi bazë mbi të cilin është themeluar dhe funksionon Bashkimi Europian. Askush nga shtetet që mëtojnë integrimin europian nuk do ta arrijnë aty, nëse nuk e përfillin këtë vlerë demokratike dhe këtë parim bazë.
Po qe se i hedhim një vështrim mënyrës se si vepruan shtetet për të hyrë në Bashkimin Europian do të vërejmë se çdo shtet, si ato që kanë pasur marrëdhënie të tensionuara fqinjësore, si ato që kanë dalë nga konfliktet e armatosura, patjetër kanë bërë dialog politik për normalizimin e raporteve fqinjësore. Asnjë shtet nuk do të mund të arrijë të bëhet anëtar i Bashkimit Europian nëse nuk ka raporte të mira fqinjësore më ndonjë shtet tjetër fqinj. Bashkimi Europian proklamon paqe, mirëkuptim dhe partneritetin fqinjësor. Prandaj, kjo tregon se sa i domosdoshëm është dialogu politik në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve të tyre fqinjësore si dy shtete, sepse edhe Kosova edhe Serbia dëshirojnë që të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Ato kurrë nuk do të mund të bëhen pjesë e Bashkimit Europian me raporte të tensionuara dhe çështje të pazgjidhura të krijuara nga shpërbërja e Jugosllavisë, periudha e konfliktit të armatosur si dhe periudha e pas pavarësisë së Kosovës.
Zgjidhjet me dialog
Të bësh dialog politik nuk do të thotë që apriori të bësh kompromise dhe kjo logjikë është e gabuar dhe tejet destruktive. Të dialogosh do të thotë të gjesh zgjidhje për problemet e caktuara. Kosova nuk duhet të ketë frikë dhe nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë së saj si shtet, që të jetë e aftë dhe e gatshme që të hyjë në dialogë politikë në të ardhmen, jo vetëm me Serbinë, por edhe me shumë shtete dhe institucione rajonale dhe ndërkombëtare, sepse shtetet funksionojnë dhe zhvillohen duke dialoguar politikisht (komunikuar politikisht) dhe jo duke u izoluar.
Kosova ka potencial të mjaftueshëm që të hyjë në këto bisedime, por duhet një platformë politike, unitet politik dhe qytetar, devotshmëri dhe vendosmëri. Kosova duhet të hyjë krenare në këto bisedime, sepse po hyn si shtet i cili ka qenë i viktimizuar nga Serbia dhe nuk e rëndon barra e krimeve të bëra siç e rëndon Serbinë, e cila nuk do të ndihet komode në këto bisedime. Në këto bisedime çështja e statusit të Kosovës nuk do të diskutohet, sepse kjo temë është e konsumuar tashme dhe e mbyllur përfundimisht, gjë që për këtë na sigurojnë dhe mbështesin fuqishëm miqtë tanë ndërkombëtar, të cilët e shohin si rrezik rihapjen e kësaj teme apo opsionin e ndarjes dhe ndryshimin e kufijve.
Kosova dhe Serbia kanë shumëçka për të biseduar mes tyre, sepse janë krijuar realitete të reja që nga shpërbërja e Jugosllavisë, ku Kosova dhe Serbia kanë qenë elemente konstituive të federatës dhe janë hisedarë. Bisedimet do të duhet të jenë për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore poskonfliktuale dhe euro-integruese, ku çështja e veriut të Kosovës mund të jetë një nga temat krahas edhe temave të tjera, si: çështja e trashëgimisë së pasurisë të ish-Jugosllavisë; çështja e dëmeve të luftës së Kosovës, çështja e personave të të pagjeturve, çështja e shënimit të vijës kufitare mes tyre etj.
Kosova me këto bisedime politike do duhet të zgjidhë shumë çështje të së shkuarës, do të mbyllë përfundimisht të kaluarën e saj dhe do të hapë kapitullin e ri të së ardhmes së saj prosperuese dhe integruese.
Kosova nuk po hyn në këtë dialog politik për inatin e Serbisë dhe as për t’ia bërë qejfin miqve tanë ndërkombëtarë. Kosova po hyn në këtë dialog politik me Serbinë për të marrë perspektivën e saj. Perspektiva e Kosovës është sigurimi i vendit anëtar në Bashkimin Evropian, i cili vend padrejtësisht i është mohuar Kosovës tash e njëqind vjet. Koha ka ardhur që të korrigjohet kjo padrejtësi historike karshi Kosovës, gjë që dëshmon edhe disponimi i miqve tanë ndërkombëtarë, por ne duhet të japim shembullin se vërtet jemi popull dhe shtet që e kemi vendin në familjen e popujve dhe shteteve të qytetëruar- Bashkimin Evropian, se vërtet vendi ynë duhet të jetë në gjirin e Evropës, e cila është ndërtuar dhe zhvilluar mbi rrënjët tona mijëvjeçare ilire pagane.
Me këtë dialog politik, Kosova dhe Serbia duhet të ndërtojnë paqen mes tyre si dy shtete sovrane dhe të pavarura dhe të funksionojnë në fqinjësi të mirë. Ballkani, kjo vrimë e zezë nga e cila kanë dalë shumë fatkeqësi biblike për shumë popuj e shtete, duhet njëherë e përgjithmonë të gjejë paqen e munguar prej mijëra vitesh sepse është pjesë e Evropës së qytetëruar. Kosova dhe Serbia kanë obligim që të ndërtojnë paqen mes tyre, sepse këtë ia kërkojnë brezat e tyre të rinj, të cilët kanë koncepte kozmopolite dhe ata nuk e meritojnë që e ardhmja e tyre të ngulfatet dhe të errësohet nga koncepti ballkanik, i cili prodhon vetëm tensione dhe konflikte të përgjakshme fqinjësore.
– Autori është analist i pavarur.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura