Durrës, 23 prill 2018: Njeriu nuk është i plotë, kur i mungon një dorë, kur i mungon një sy, kur i mungon një krah i mushkërisë… Por njeriu nuk është i plotë edhe kur ka mungesa në NJOHURI: Kur nuk di ç’popuj jetojnë në Afrikë dhe si jetojnë, kur nuk di ç’bimësi rritet dhe cilët lumenj rrjedhin në Afrikë, kur nuk ka njohuri mbi përbërjen e materies. Ose në histori: Njeriu nuk është i plotë, për shembull, kur nuk e njeh kolonizimin e dy Amerikavet dhe të Australisë, kur nuk e njeh të kaluarën e Francës, Anglisë, Danimarkës, Rusisë, kur nuk di ç’ka ndodhur në Paris në vitin 1871 ose kur s’di asgjë për Marshimin e Madh të ushtrisë kineze nën udhëheqjen e Mao Ce Dunit.
Përgjithësisht në fushën e njohurivet njeriu nuk plotësohet asnjëherë, por janë disa nga ato njohuri pa të cilat njeriu vërtet mbetet I GJYMTË. Pikërisht këtë përshtypje e pata kur lexova librin dokumentar „Lufta kundër vdekjes“ të dëshmitarit sypamës Musa Berisha. I mbylla sytë dhimbshëm, më rrodhën edhe njëherë në heshtje një tufë lotësh dhe thashë me vete: Sa pak e paskam njohur këtë copë të historisë së Kombit tim!!
Janë dokumente genocidi, dokumente shfarosjeje, në komunën e Deçanit dhe pjesërisht në komunat e Pejës, Gjakovës e Klinës, nga 14 janari 1998 deri më 16 qershor 1999. Janë 478 ditë, mezi të mbijetuara, të një pjese të Kombit Shqiptar. Janë 478 ditë dhimbjeje të papërshkrueshme, ditë indinjate, por edhe ditë heroizmi të pashoq të të gjithë shqiptarëvet të asaj treve, i madh e i vogël.
E mbarova së lexuari dhe iu ktheva përsëri faqevet: 22, 45, 77, 83, 128, 129, 130, 131, 132, 138, 143, 162, 168, 169, 192, 294, 295, 308, 391, 462, 463, 464, 465, 466, 467, 468, 469, 470, 471, 485, 486, 487, 488, 489. I shfletova me lemeri dhe thashë: Këto pamje nuk u duhen treguar fëmijëvet, por të rriturit duhet t‘i shikojnë të paktën njëherë në vit. Për shembull, në çdo 26 qershor, kur thuhet se u çlirua Deçani.
Pastaj e mora sërish po atë libër, „Lufta kundër vdekjes“, dhe i kërkova disa pamje të tjera… Faqet, 111, 208, 283, 321, 344, 357, 360, 366, 377, 384, 395, 397, 403, 409, 411, 412, 415, 416, 417, 433, 436, 437, 443, 448, 450, 452, 453, 461, më shtynë që ta përsëris shumë herë me vete një pyetje tmerrësisht pagjumëlënëse:
A vërtet jemi çliruar apo po na gatuhet përsëri diku një Golgotë edhe më e tmerrshme?!
Në faqen 348 lexova informatën që thotë se në fshatin Nepole, që ishte një fshat shqiptar i krishterë, të krishterët e Sërbisë i kishin djegur 30 shtëpi (nga 55 që kish gjithsej). Dhe jo vetëm atje, por edhe në Gllogjan të Lugut të Baranit, në Grabanicë dhe gjithandej nëpër Rrafsh të Dukagjinit, kish të krishterë shqiptarë, shtëpitë e të cilëvet, të krishterët e Sërbisë i rrafshonin me tokën. Pra, nuk qenka luftë fetare kjo luftë që po bëjnë sërbët! Qenka një luftë krejt tjetër!
Një shumicë evropianësh mendojnë, injorantisht dhe miopisht, se Shqipëria është një vend myslimanësh dhe, si e tillë, nuk ka ç’i duhet Evropës. A thua vërtet Evropa vazhdon ta përfytyrojë Shqipërinë si një vend, i cili u dashka të shpopullohet, në mënyrë që të ripopullohet me një popullsi „më të pëlqyeshme“?!
E shfletova prapë „Luftën kundër vdekjes“, duke u ndalur këtë herë te emrat me shkronjë të zeza: Të vrarë, të masakruar, të djegur e të shkrumbuar bashkë me trarët e shtëpivet, të vdekur e të pavarrosur, të humbur e të pagjetur!
Nga lista prej 505 jetëkëputurvet (f.473-484), nxora këta emra dhe i shkrova në një fletë më vete:
– Gjergj Llolluni, foshnjë e sapolindur, vrarë për të mos u rritur.
– Fitim Ademaj, fitoi vdekjen pa i kapërcyer 3 muajt e jetës.
– Lentrim Agaj, 2 vjeç, leu si trim dhe vdiq si trim.
– Arbnore Beqiraj, 8 vjeçe, duhej të vritej se mbante emrin e Arbënisë.
– Albulenë Istrefaj, 11 vjeçe, nuk mund të lihej gjallë, sepse emri i saj i kujtonte Kombit të vet Betejën e Albulenës.
– Kreshnik Sokolaj, 11 vjeç, a mund të lihej gjallë duke qenë njëkohësisht edhe kreshnik, edhe sokol?!
– Meridiane Istrefaj, 11 vjeçe, ruante në emrin e vet një ide gjithnjerëzore dhe prandaj Sërbia duhej ta asgjësonte.
– Naser Bajramaj, 13 vjeç, përse t’u kujtonte njerëzvet Naserin e Egjiptit?
– Edmond Lekaj, 13 vjeç, përse të mbante ky fëmijë shqiptarësh një emër evropiani?!
– Vlorë Kukaj,13 vjeçe! Kanë guxuar prindët, mu në Deçan, t’i vënë fëmijës emrin e Vlorës!!
Vriteni! Asgjësojini që të gjithë, thjeshtë sepse janë fëmijë krejt të pafajshëm dhe se janë bij e bija të një Kombi që s’i ka bërë dhe s’i bën askujt asnjë të keqe!..
…A prandaj ia dhuroi Ahtisari Sërbisë, Manastirin e Deçanit dhe dhjetëra hektarë tokë rreth tij?! Në mënyrë që prapë sërbët (pjesa e mbrapshtë e atij kombi), të mund të na vrasin të tjerë fëmijë?!.
Pa e lexuar edhe këtë libër, krahas shumë libravet të tjerë të kësaj natyre, nuk mund të jetë i plotë sidomos Shqiptari! Sidomos Shqiptari, sepse të gjithë këtë zezonë, të vështirëpërfytyrueshme, e ka pësuar kurrizi i tij! Por, pa e lexuar këtë libër, nuk mund të jenë të plotë as sërbët, as gjermanët, as rusët dhe as japonezët. Që të gjithë duhet ta dinë ç’ka ndodhur në Deçan, ditë për ditë, gdhihu dhe erru, erru dhe gdhihu, nga janari 1998 deri në qershor 1999!
Duke lexuar këtë libër, shqiptarët do të kuptojnë edhe një të vërtetë tjetër shumë të madhe: Ne shqiptarët jemi SHUMË TË RËNDËSISHËM në vendet ku jetojmë. Po të mos ishim TË RËNDËSISHËM, Sërbia nuk do të harxhonte kaq shumë energji për të zhdukur. Nuk do të harxhonte kaq shumë para, nuk do të angazhonte kaq shumë njerëz të vet, nuk do të vinte në përdorim kaq shumë armë, vetëm e vetëm që të mos ekzistojnë shqiptarët!
Jemi TË RËNDËSISHËM, sepse jemi PENGESË E MADHE në rrugën antihistorike të një strukture shtetërore antinjerëzore, që quhet Sërbi. Themi ANTINJERËZORE, sepse, po të ishte njerëzore, ajo nuk do të na i vriste fëmijët rrugëvet dhe nuk do të na i sorrollatte nëpër përrenj e nëpër male, 100 mijë pleq, plaka, gra e foshnja, vetëm në trevën e Deçanit, për më shumë se 18 muaj! Dhe jo vetëm kjo, por edhe sepse strukturën shtetërore të Sërbisë e ka përkrahur dhe po vazhdon ta përkrahë një koalicion antinjerëzor, të cilit I DUHEN malet e Shqipërisë, I DUHEN lumenjtë, I DUHEN liqenet dhe detrat e shqiptarëvet, por NUK I DUHEN shqiptarët!
Pra, ç’mund të bëjnë shqiptarët, një komb thellësisht njerëzor, në të këtilla rrethana jonjerëzore?! Shqiptarët, në të këtilla rrethana, kanë vetëm një rrugë: Të bashkohen (praktikisht dhe organizativisht), të shtërngojnë kombëtarisht radhët rreth njëri-tjetrit, të neutralizojnë elementët negativë brenda vetes, t’i kërkojnë Sërbisë katarsis dhe të bashkëpunojnë gjallërueshëm me të gjitha forcat pozitive gjithnjerëzore.
Gjokë Dabaj, Durrës 22-23 prill 2018