SHERADIN BERISHA: MASAKRA E KRUSHËS SË VOGËL – KRIM I PANDËSHKUAR(II)

Pashtriku.org, 25. 03. 2013 – Rreth orës 11 paradite, forca të shumta serbe – banorët e grumbulluar në oborrin e Sejdi Batushës i kanë detyuar të dalin në rrugën e lagjes Batusha, dhe me këtë rast kanë dhënë urdhër të ndahen burrat dhe fëmijët (nga 13 – 18 vjeç) veç, gratë veç. Të kota ishin lutjet e nënave, motrave e grave, drejtuar fqinjëve të tyre serbë, për t’i liruar: burrat, vëllezërit, fëmijët apo nipat tyre të ndaluar, që pas pak minutash do t’i priste vdekja.
SERBËT NA THANË: “ECNI, TASH, N’DAҪI MBYTUNI N’DRI, N’DAҪI SHKONI N’ALLBANI”
Si e kujtojnë gratë e Krushës së Vogël, ndarjen e fundit nga burrat dhe fëmijët e tyre:
“Në mëngjesin e 26 marsit 1999 Krusha e Vogël rrethohet me tanke. Nis kallja e shtëpive një nga një, i hyn flaka gjithë fshatit. Krushjanët, gra, burra e fëmijë ngjiteshin rrugicave të fshatit, për tu grumbulluar në atë livadh (në oborrin e Sejdi Batushës – Sh.B)” – thotë plaka Hanëmshahe Batusha, të cilës atë ditë pasdite njësitë kriminale serbe, ia vranë e dogjën 8 anëtarë të familjes: 3 djemtë, Zaimin (47), Ahmetin (53) dhe Milaimin (32) me fëimjtë e tyre: Fehimin, Mërgimin, Beharin, Burimin e Limanin 14 vjeçar! “Erdhën e hynë në shtëpinë tonë serbët e fshatit me maska, e disa tjerë pa maska. Ishin po ata serbë, me të cilët kishin punuar djemtë e mi në Bodrumin e Rakisë, që kishin ndenjur e kishin pirë bashkë!” – rrëfen me pikëllim nëna Hanëmshahe, dhe pastaj vazhdon: “Nga dritarja e shtëpisë sonë ku ishin vendosur serbët e thërrasin djalin tim: “O Sylë, eja këtu, na i sill shpejt ata nga mali, ose ju bëmë patare të gjithëve”!

Krushë e Vogël, prill 2001: Plaka Hanëmshahe Batusha me nusen Shemsie, duke rrëfyer ngjarjen e 26 marsit 1999! (Foto:TEUTA)

*  *  *

Në fshatin tonë ishte një familje me njerëz të hendikepuar, burri quhej Sahit Mahmuti, të cilin me gjithë karrocën ortopedike e kanë strehuar në malin aty pranë. Syla shkoi e solli. Atëherë, erdhën ata me maska në livadhin ku ishim tubuar dhe urdhëruan që të ndaheshim veç e veç – burrat, gratë e fëmijët. Pastaj, ata që erdhën me thika në çizme, bënë tre rende burrash. Ne po i shikonim. Djali im kishte ngrykë të birin dy vjeç, i cili nuk po i ndahej, gjithë piskamë. Atëherë urdhëroi i maskuari: Lëshoje atë fëmijë! – Kape, nuse, i thashë, se po e mbysin! Edhe djemtë 13 e 14 vjeç i tërhoqën nga krahu e i morën, dhe që të gjithë, 120 veta, i qitën në rrugë, me duar pas koke, sipas urdhërit.
– Hajde, lëshohuni rrugës teposhtë, – na thanë grave me fëmijët. U nisëm, burrat i lamë duke na shikuar, ndërsa ne na mbeti qafa kthyer nga ata, që nuk po e dinim se nuk do t’i shohim kurrë më! Duke ecur rrugës, ja, po e shoh një serb të fshatit, u gëzova, se njiheshim mirë, kishim ndenjur me ta.
Nxitova t’i thosha:
– Uuuu, Dimitrije, çka u bë, more, kështu, djemtë na i morën, fshati po digjet! Nuk më foli hiç! Erdhën pas tij edhe disa serbë të tjerë, që po i njihnim mirë – Culi e Rade i Dushanit.
– Këqyr, o Rade, na i shpëto djemtë e burrat!
– S’ka më, asnjë nuk ju shpëtoj! – tha i egërsuar.
Të mllefosur e të frikësuar për burrat e djemtë që i lamë pas, vazhduam të ecnim, gra e fëmijë. Kur arritëm te tyrbja, i pamë ushtrinë tek po i mbushnin xhipat me dhen. Aty, ata që po na grahnin prapa, si bagëtinë, na thanë:
– Ecni, tash, n’daçi mbytuni n’Dri, n’daçi shkoni n’Allbani, se vetë e keni lypë NATO-n! E kaluam Drinin, matanë na strehuan nëpër shtëpi (në fshatin Bregdri – Sh.B), e pas katër ditësh u nisëm për në Shqipëri.” – kujton nënë Hanëmshahja, ndërsa nusja e saj Shemsia që ka mbetur ta rris të birin… me vetëm 5 vjet martesë, thotë: “Unë kam shkuar bashkë me kunatën në Dri, ku kam gjetur rroba të të ekzekutuarve, pantallona, këpucë, këmishë, xhemperë…”. (Sanije Gashi: Histori të tmerrit 1998 – 1999, Prishtinë 2009, fq.143,144) Shemsia po tregonte për veshmbathjet e burrave të Krushës së Vogël, kufomat e të cilëve janë hudhur në Dri, pas ekzekutimit dhe djegjes së tyre në shtëpinë e Qazim Batushës.

Lagja Batusha, në Krushë të Vogël – më 26 mars 1999 këtu u ndanë burrat dhe fëmijët mbi 13 vjeç nga gratë dhe nënat e tyre!

*  *  *

Edhe Vezire Batusha këtë ditë kobezezë e kujton me shumë dhimbje.: “Kur i ndan meshkujt nga femrat mua më ndalën bashkëshortin Ahmetin.” – thotë Vezirja. “Pastaj na urdhëruan të shkojmë në Shqipëri. Në ecje e sipër tek porta e Rasim Batushës na urdhëruan të ndalemi përsëri: Cvetkovič Đorđe dhe Cvetkovič Borislav. Ai (Cvetkovič Đorđe) pasi pa se me mua ishin edhe dy fëmijët e mi: Lirimi dhe Burimi, urdhëroi që këta të dy të ndahen nga unë dhe të shkojnë te ata që më parë i kishin ndarë nga ne (të kthehen te burrat e ndaluar – Sh.B). Me gjithë qarjet dhe lutjet që mos të mi merrë edhe djemtë pasi pak më parë më kishin ndal bashkëshortin, Cvetkovič Đorđe më vendosi tytën e automatikut në gjoks dhe mu kërcnua me fjalët se, po fole edhe një herë do të vras në vend. Fëmijët e mi Liridoni dhe Burimi u quan me dhunë te njerëzit, që më parë ishin ndalur dhe prej datës 26. 03. 1999 nuk di asgjë rreth fatit të tyre dhe të bashkëshortit.” – thotë e pikëlluar Vezire Batusha.

*  *  *
Dëshmitarja e kësaj ngjarje rrënqethëse Letafete Batusha, thotë se: “…gjatë ndarjes, më kishin marrë dy djemtë (Avdiun, Islamin) dhe kunatin (Asllanin). Pastaj na urdhëruan të largohemi nga ata që i ndanë nga ne dhe të shkojmë për në Shqipëri. Unë ecja duke më ndihmuar për krahësh dy nipërit e mi (djemtë e Avdiut) Visari dhe Enveri. Më ndihmonin të ecja sepse kisha mbetur invalide si pasojë e thyerjes së këmbës në akull. Kur mbërrimë tek dera e Rasim Batushës: Cvetkovič Đorđe dhe Cvetkovič Borislav e urdhëruan Visarin dhe Enverin të më lëshojnë dhe të kthehen tek ata që i ndanë më parë. E luta Đorđin dhe Borislavin të mi lejojnë të vinin me mua pasi ishin shumë të rinjë dhe nuk mund të ecja pa ndihmën e askujt, por nuk dëgjuan për këto lutje duke mu përgjigjur se mundesh, mundesh të ecësh dhe se vendi i tyre nuk është me ty por me ata më lart (mendonte në ata burra që i ndalën më parë).” – Deklaron Letafete Batushës. Të njëjtën deklaratë, sikur të Letafetes – e japin edhe Negjmije Batusha, Gjylije Batusha dhe Burbuqe Batusha.

*  *  *
Nagjije Shehut atë ditë ia kishin ndalur bashkëshortin, Ismetin. “Pasi filluam të ecim sipas urdhëresës së sërbëve (që ishin kryesisht nga fshati ynë por edhe të tjerë) pas disa metrash ne u ndalëm përsëri nga Đorđevič Zlatko.” – thotë Nagjija. “Ai filloi tani të seleksiononte fëmijët. Shumë fëmijë filloi t’i ndante nga nënat e tyre dhe t’i dërgonte në grupin e mëparshëm të të ndaluarve. Duke i ndarë fëmijët Đorđevič Zlatko mu drejtua mua dhe Zepa Shehut që t’i jepnim fëmijët tanë. I bëmë shumë lutje që të mos na merrte fëmijët, por në vend të kësaj na kërcënoi se po nuk vazhduat të ecni do t’ju vras edhe juve. Mua më mori djalin – Mentorin, kurse Zepës ia mori djalin – Ajvazin. Pasi na i morën djemtë, ne filluam të hymë në shumë shtëpi të serbëve, me shpresë se do të na ndihmonin, por pa sukses. U futa edhe në shtëpinë e Spirrës duke e njoftuar se djali yt Đorđevič Zlatko më mori fëmijën tim Mentorin, por edhe ai as që e qau kokën, por së bashku me bashkëshortën e tij me përbuzje më tha:
– “largohu se mund të të gjej edhe ty i njëjti fat”.

Zepe Shehu me fotografinë e djalit – Ajvazit.

*  *  *

Unë shpresova se babai i policit që më mori djalin, Spirra do të shkonte te djali i tij Đorđevič Zlatko dhe do të ma lëshonte djalin, pasi Spirra me vite të tëra kishte qenë bari dhenësh së bashku me bashkëshortin tim Ismetin, por në vend që të më ndihmonte u solidarizua me veprën kriminale të të birit të tij. Nga ajo ditë më nuk di gjë për fatin e bashkëshortit Ismetit dhe djalit Mentorit.” – deklaron Nagjije Shehu.
Dëshmitarja Zylfie Batusha, duke u larguar, të urdhëruar nga serbët e fshatit dhe njësitë tjera serbe që i mbanin të rrethuar banorët e Krushës së Vogël, të dera e Dushanit ka takuar Nikolič Raden dhe gruan e tij Kosaren. “Rada kishte uniformë dhe mbante një automatik në dorë, ndërsa shoqja e tij mbante disa qese me lëngje dhe artikuj tjerë ushqimor që i kishte vjedhur në shitoren e Nebi Limanit, pasi që e kishin thyer atë.” – thotë Zylfija. “Pasi Nikolič Rada ishte fqiu im i parë (shtëpia e tij nga e imja ishte 10m larg) e pyeta atë se çka u bë kjo me ne, pse na i ndalët meshkujt (më kishin ndal bashkëshortin dhe djalin). Iu luta të na i lirojnë.
Në vend të mirëkuptimit për lutjen time Nikoliči mu përgjigj:
– “pasi e keni kërkuar NATO-n le të vijnë ata t’ju shpëtojnë. A e shihni se çfarë ju ka sjellur NATO-ja që e keni kërkuar.”
Dëshmitares Kimete Limani i kujtohet mirë, ku: “Për shkak se na ndanë nga djemtë dhe bashkëshortët tanë, Muradije Ramadani u alivanos. Te vendi ku ishin të ndaluarit ishte duke shkuar Petkovič Ranko. Kur kaloi pranë nesh ne e lutëm që pasi po shkonte atje të na i lironte të afërmit tanë. “Mos e bëni panik, se vetëm pesë minuta do t’i marrim në pyetje u përgjegj Petkovič Ranko.” – ka thënë Kimete Limani.
* * *
Pasi gratë dhe fëmijët e vegjël braktisën Krushën e Vogël, dhe kalojnë në fshatin Bregdri (i cili graviton 2 km përballë Krushës së Vogël), rreth 120 pleqë, burra dhe fëmijë (të moshës mbi 13 vjeç) të ndaluar, fillimisht plaçkiten, rrahen mizorisht dhe pastaj të rreshtuar e me duar të lidhur pas koke, dërgohen në pronën e Qazim Batushës, rreth 150 metra larg nga shtëpia Sejdi Batushës. Të gjithë këta mashkuj, futen me dhunë, në një shtëpi përdhese me dy dhoma (me një koridorë në mes) dhe pastaj kanë gjuajtur me armë automatike në drejtim të tyre. Gjatë këtij akti mizorë, shumica e mashkujve janë vrarë, ndërsa ata që ishin plagosur dhe janë hetuar nga kriminelët se janë ende gjallë, janë ekzekutuar me revole nga afërsia. Kriminelët serbë për t’i humbur gjurmët e krimit, në fund ia vënë flakën kufomave dhe më pastaj shtëpinë, e minojnë me qëllim që të krijohet përshtypja – gjoja se, kjo masakër është kryer nga sulmet ajrore të NATO-s. Mbetjet e kufomave, rroba etj., pas përfundimit të luftës janë gjetur në Lumin Drini i Bardhë.

ANËTARË TË FAMILJES SHEHU, NË KRUSHË TË VOGËL

1. Fitnete Shehu ka të vrarë babain: Seferin (1948) dhe dy vëllezërit: Adnanin (1980) dhe Xhelalin (1985) 2. Burbuqe Shehu ka të vrarë babain – Azizin (1946) dhe dy vëllezërit: Samiun (1974) dhe Selamiun (1975) 3. Suzana – motra e Fitnetes, dhe 4. Kimete Shehu ka të vrarë vëllain: Arben Sadik Shehu (1978).

Florije Shehu

Zahrije Shehu…

* * *
Në gjithë këtë ngjarje makabre, (para minimit të shtëpisë) nga vendi i krimit kanë arritur të dalin gjallë disa persona, dhe gjatë ikjes në drejtim të përronit të fshatit disa vriten nga snajepristët serbë, ndërsa gjashtë prej tyre shpëtojnë nga ekzekutimi:
Burrat që shpëtuan nga kjo masakër janë:
1. Bajram Zylfiu
2. Lutfi Ramadani
3. Agim Asllani
4. Mehmet Krasniqi
5. Qamil Shehu dhe
6. Petrit Rashkaj

( VIJON… )

==========================

LEXONI PJESËN E PARË:
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=1424  

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura