GJOKË DABAJ: PAVLEFSHMËRIA E DEKLARATËS MBI TË DREJTAT E NJERIUT (1)

Durrës, 27. 08. 2015: „Deklarata e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut“. Kështu quhet dokumenti, për të cilin do të flas, si për një lloj çudie, çudi që s’është e vetmja në këta 2 shekujt e fundit. Më 10 dhjetor 1948 e ka shpallur Asambleja e Përgjithshme e Kombevet të Bashkuar. Quhet akt historik. Mbahet edhe sot në krye të të gjithë kryedokumentevet botërorë të shekujvet XX dhe XXI.
Ne shqiptarët nuk mund t’ia harrojmë kurrë Asamblesë së Përgjithshme të Kombevet të Bashkuar , e cila, për më se gjysmë shekulli, ndërsa ne bënim gjysmë milioni (500 000) vite burg POLITIK në Ish-Jugosllavi, nuk bëri as edhe 1 (një) rezolutë, për të mbrojtur të drejtat tona NË EMËR TË TË DREJTAVET TË NJERIUT.
Ne shqiptarët nuk mund t’ia harrojmë kurrë Asamblesë së Përgjithshme të Kombevet të Bashkuar, e cila, për më se gjysmë shekulli (e vazhdon edhe sot e kësaj dite të heshtë), ndërsa shteti grek po i greqizonte qindra mijë shqiptarë të krishterë, nuk bëri as edhe 1 (një) rezolutë, për të mbrojtur të drejtat tona, NË EMËR TË TË DREJTAVET TË NJERIUT.
Ne shqiptarët nuk mund t’ia harrojmë kurrë Asamblesë së Përgjthshme të Kombevet të Bashkuar, e cila, për më se gjysmë shekulli (e s’ka ndërmend as sot të flasë), ndërsa disa milionë shqiptarëvet, të emigruar në Republikën e Turqisë, po u mohohej e drejta e regjistrimit si shqiptarë dhe shkollimit si shqiptarë, nuk bëri as edhe 1 (një) rezolutë për të mbrojtur të drejtat tona, NË EMËR TË TË DREJTAVET TË NJERIUT.

Kjo është edhe arsyeja që herëpas’here edhe i analizojmë dokumentet e asaj organizate.
Besoj që në botë ka kombe që Organizata e Kombevet të Bashkuar i ka trajtuar edhe më keq se ne.
***
Në 30 nenet e kësaj Deklarate, si edhe në hyrjen, shprehjet „TË DREJTAT“ dhe „KA TË DREJTË“ janë përsëritur rreth 50 herë.
Nuk mund të kem asnjë kundërshtim lidhur me përsëritjen kaq herë të kësaj fjale, përderisa edhe titullin e ka „Deklaratë… mbi të Drejtat“.
Megjithkëtë, në fund të krejt tekstit, pasi e kam lexuar (duke e shoqëruar me shënime), më 4 tetor 2014, e paskam ndjerë për detyrë të shënoj këtë vërejtje:
“Këtë tufë letrash e kanë firmosur krytarët e shumë shteteve. Kushedi sa herë është redaktuar e riredaktuar, por askujt nuk i është kujtuar të thotë (dhe të shkruajë këtu), se NJERIU, përveç të drejtavet, KA EDHE DETYRA.
Të gjithë librat themelorë të religjionevet, i kanë vënë në dukje, në radhë të parë, DETYRAT që ka NJERIU.
Si harruan ata udhëheqës shtetesh të përfshijnë në këtë deklaratë edhe DETYRAT?! Si do të mund të mbrohen individët dhe popujt përballë ca individëve apo grupeve, të cilëvet Kombet e Bashkuar, në këtë Deklaratë, të quajtur „me vlera universale“, nuk u kanë vënë kurrfarë DETYRASH?!“
Tani po shtoj edhe këto:
Qe, disa nga DETYRAT që Zoti ia ka dhënë Moisiut e Moisiu ia ka dhënë popullit të vet: „Ndero babën tënd dhe nënën!.. Mos vra!.. Mos bëj kurorëshkelje!.. Mos vidh!.. Mos dëshmo rrejshëm!.. Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit tend, as arës, as shërbëtorit, as shërbëtores, as kaut, as gomarit dhe asnjë sendi që i përket atij! (Bib.f.223)
Ka thënë, mos i lakmo AS GOMARIT të huaj, jo më NAFTËS! A mund të mos e kenë lexuar këtë urdhër UNIVERSAL të Zotit, hartuesit dhe nënshkruesit e kësaj Deklarate?!
Të njëjtat DETYRA ia jep Jezusi një djali të pasur: “Mos vra!.. Mos e the kurorën!.. Mos vidh!.. Mos bëj dashuri të rrejshme!.. Ndero babën tënd dhe nënën tënde!.. Duaje të afërmin tënd porsi vetëveten!..“ (Bib.f.1410)
Kur’an-i, ashtu si edhe Tevrati i izraelitëvet dhe Besëlidhja e Re e të krishterëvet, është i mbushur tejendanë me DETYRA, sado që as të drejtat nuk janë për të mos u vënë dukje dhe nuk mund të thotë askush të mos shkruhet për to. Por unë po sjell nga Kur’an-i fare pak shembuj, sa për ilustrim të idesë. (Kur’an, f.330, Suretu el Israë): Ajeti 31: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë… mbytja e tyre është mëkat i madh.” Ajeti 32: “Mos iu afroni imoralitetit,… sepse imoraliteti është vepër e shëmtuar.” Ajeti 33: “Mos e mbytni njeriun, përveç me drejtësi.” Ajeti 35: “Masën mbushnie kur matni dhe peshoni me peshojë të drejtë.”
Ja edhe njëherë porosia për të mos mashtruar në matje e në peshore! (Kur’an, f.699, Suretu el mutaffifine). Ajeti 1: “Të mjerët ata që mangu masin e peshojnë.”
Na duhet të konstatojmë, tepër zhgënjyeshëm, se Zoti i atyre shekujve të hershëm ka qenë SHUMË MË SERIOZ se zotërinjtë hartues e nënshkrues të kësaj Deklarate.
Asambleja e Përgjithshme e Kombevet të Bashkuar, në të njëjtën kahë (me çfarë thoshin lidhur me DETYRAT e njeriut, Tevrati i izraelitëvet, Ungjilli i të krishterëvet dhe Kur’an-i i myslimanëvet), do të mund të konsultoheshin, më 1948-n, edhe me çfarë thoshin partitë komuniste lidhur me DETYRAT e anëtarëvet të vet.
Zotërinjtë e asaj Asambleje i proklamojnë me solemnitet (në të vërtetë, me pompozitetin e një tufe titullarësh, të cilët mendojnë se po thonë një gjë të madhe), se “njohja e dinjitetit të lindur të të drejtavet të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë”. Deklaron kështu, por nuk thotë që, njeriu, cilido anëtar i “familjes njerëzore”, ka DETYRË të mos e shkelë atë, “dinjitet të lundur”.
“Mosrespektimi dhe përbuzja e të drejtavet të njeriut”, thotë ajo e nderuar Asamble e vitit 1948, “ka çuar drejt aktevet barbarë”. Thotë kështu, por e quan të panevojshme të vërë në dukje që njerëzit KANË DETYRË të mos kryejnë akte të tillë barbarie dhe e quan gjithashtu të panevojshme të na e thotë se kush janë ata që nuk i kanë respektuar të drejtat e njeriut (sepse e kishin DETYRË t’i respektonin), si dhe kush ka kryer akte barbarie: A pala që i shkelte të drejtat e njeriut, apo pala që i këkonte të drejtat e njeriut?!. Të paktën të na i thoshin si kategori dhe të na e sqaronin pozicionin e vet.
Ajo Asamble e nderuar na e proklamon „si dëshirën më të lartë të njeriut” krijimin e BOTËS, në të cilën njerëzit do të gëzojnë të drejtën e fjalës, lirinë e besimit dhe se DO TË ÇLIROHEN NGA FRIKA E SKAMJES (nëse e kam kuptuar drejt këtë pjesë të Deklaratës, Gj.D.). Thotë kështu, por nuk e sheh të nevojshme të theksojë, me të madhe, se njerëzit KANË DETYRË të mos ia mohojnë apo pengojnë askujt të drejtën e fjalës, KANË DETYRË të mos ia mohojnë askujt të drejtën e besimit dhe KANË DETYRË të mos bëhen SHKAKTARË TË SKAMJES të cilitdo njeri.
Është lehtë të nxjerrësh nga goja (dhe ta shkruash) shprehjen qesharake: “ke të drejtë të mos kesh frikë nga skamja”, por, pa provo të thash: “ke DETYRË të mos i shkaktosh skamje tjetrit”! Dhe të përcaktosh PËRGJEGJËSITË e atyre që u shkaktojnë të tjerëvet varfëri!
“Është e nevojshme që të drejtat e njeriut të mbrohen me dispozita juridike”. Jam plotësisht i një mendjeje me këtë fragment të Deklaratës. Por, kush ka DETYRË ta kryejë këtë punë dhe si është kryer kjo punë, si janë mbrojtur të drejtat e njeriut në këto 67 vjet mburrjeje me atë dokument?!
“Njeriu të mos jetë i shtërnguar që në pikën e fundit t’i përvishet kryengritjes kundër tiranisë e shtypjes”. Edhe kjo është thënë me vend, por, e parë në distancën e 6 dekadavet, duket sikur është thënë për humor. S’ka ditë që njerëzit, madje vajza të reja e djem të rinj, po shtëngohen të mbështjellin veten me eksploziv. Ç’është në gjendje të bëjë ajo Deklaratë?! Apo, nuk e ka për DETYRË hartuesja e saj t’i mbrojë, EFEKTIVISHT, jetët e atyre vajzave e djemve?!
NENI 1 thotë se njerëzit duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me frymë vëllazërimi. Bravo! Ja, këtu e kemi një DETYRË të formuluar qartë. Por, a nuk do të duhej thënë edhe se kush ka DETYRË të reagojë, EFEKTIVISHT, kur dikush nuk sillet me frymë vëllazërore ndaj tjetrit?!
SHBA-ja u suall JOVËLLAZËRISHT ndaj Vietnamit. Kush kish për DETYRË ta ndalte?! Jo, të bënte rezoluta, por TA NDALTE! Rusia u suall JOVËLLAZËRISHT ndaj Hungarisë e ndaj Çekosllovakisë. Kush kish për DETYRË ta ndalte?! Jo, të bënte rezoluta, por TA NDALTE! Franca u sual JOVËLLAZËRISHT ndaj algjerianëvet. Sërbia u suall JOVËLLAZËRISHT, si ndaj bashketniasvet boshnjakë, ashtu edhe ndaj fqinjëvet të vet shqiptarë. Çfarë thotë neni 1 i asaj Deklarate, aq shumë të përmendur e përsëritur në makineritë e propagandas?! Asadi u suall JOVËLLAZËRISHT ndaj shtetasvet të vet. Vrau 200 MIJË! A luajti ajo Deklaratë farë roli, për të mbrojtur jetët e atyre 200 mijë njerëzve, PARA SE ATA TË VRITESHIN?! Jo, PASI U VRANË, POR PARA SE TË VRITESHIN 200 000 NJERËZ!
NENI 2. Të drejta pa kurrfarë kufizimesh, përsa u përket: racës, ngjyrës, gjinisë, besimit fetar, mendimit politik, origjinës kombëtare e shoqërore, pasurisë.
Për kë është fjala, zotërinj?! Për ata që u janë kufzuar të drejtat, apo për ata që ua kufizojnë të tjerëvet të drejtat?! Për të diskriminuarit apo për diskriminuesit?! A nuk do të ish më mirë të thuhej: U ndalohet diskriminuesvet të diskriminojnë të tjerët mbi baza race, gjinie, besimi dhe bindjeje politike?! Diskriminuesit potencialë, ata që kanë bërë mend të diskriminojnë dikënd, KANË DETYRË të heqin dorë prej synimit të tyre të mbrapshtë, përndryshe, kanë PASOJA!
Unë e thashë që në fillin: Ne shqiptarët jemi DISKRIMINUAR në mënyrat më të papranueshme gjatë gjithë kësa “EPOKE” të ekzistencës së kësaj Deklarate. Askush s’u ka thënë as gjysmë fjale diskriminuesvet tanë!
Në vend të kësaj, në vend që diskriminuesvet t’u pritet rruga e diskriminimevet, aty pranohet që një shtet mund të jetë “nën kujdestari” dhe “jovetqeverisës”. Pra, një vend mund të jetë edhe KOLONI! I rofshin OKB-së “të drejtat” “pa kurrfarë kufizimesh”! Ç’ka bërë ajo Asamble, në këtë më shumë gjysmë shekulli, për të drejtat e kurdëvet?!
Një Asambleje të Kombevet të Bashkuar nuk i ka hije të jetë TUFË DELESH!
NENI 3. (“I madhërishëm!”) “Gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurimin vetjak”.
Nëse është përkthyer mirë fjala “GJITHKUSH”, unë këtë nen e kuptoj kështu: Ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurimin vetjak: edhe një vrasës njerëzish, që i vret njerëzit, qoftë një nga një, qoftë edhe me grumbuj, një ushtrues genocidi, një pedofil, një bos i drogës, një komandant i një ushtrie pushtuese, një spekullant burse, një miliarder, varfërues i miliona njerëzve, një grabitës i pasurivet kombëtare, një pronar kazinoje, shkaktar i dhjetëra vetëvrasjeve, një klasë ndotësish të atmosferës. Kemi thënë GJITHKUSH. Me GJITHKUSH unë nuk mund të kuptoj vetëm njerëzit e mirë.
A është e mundur ta ketë trullosur aq rëndë Lufta e Dytë Botërore “ajkën”, “kreun” e njerëzimit, Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së?!
NENI 4. “Skllavëria dhe tregtia e skllevërvet janë të ndaluara në të gjitha format”. Por, çfarë duhet të kuptojmë me trafikimin e qenievet njerëzore? Ç’janë ata që u marrin njerëzvet me mijëra euro, për t’i çuar deri në brigjet e Lampeduzës apo deri te “muri” i Hungarisë, ndërsa hartuesja e këtij dokumenti, për 67 vjet, vazhdon ta lavdërojë e ngrejë në qiell këtë krijesë të vetën, krijesë mirëfilli impotente?! Bota është e mbushur me skllevër! Mjafton që njeriu të ketë SY NË BALLË (me kuptimin, shikim të logjikshëm) dhe MORALIN, për t’i interpretuar gjërat me vërtetësi.
NENI 5. “Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet mundimit… ose dënimit të egër, jonjerëzor ose poshtërues.“ E para: Kush ka DETYRË që të mos ushtrojë mundim, dmth, të mos torturojë dikënd, të mos e dënojë egër dhe të mos e poshtërojë?! (Po kujtojmë këtu fare kalimthi Guantanamon) E dyta: A nuk duhet të dënohet, qoftë edhe egër, as ai që ka torturuar të tjerët, dënuar egër dhe poshtëruar?! (S’e kam fjalën këtu për të torturuar apo jo ndonjë kriminel. E kam fjalën për ligje dënimi pa ekvivok.) Zotërinjtë nënshkrues të kësaj Deklarate „të madhe“, kanë përdorur fjalën ASNJERI. Ku e çon njerëzimin kjo “ASNJERI”?! A nuk do të thotë kjo, me fjalë të tjera, që ASNJERI nuk duhet të ketë frikë prej askujt, për të bërë tortura dhe për të dënuar dikënd egër, në mënyrë jonjerëzore e poshtëruese?! E treta: A nuk është veprim POSHTËRUES trajtimi i imigrantëvet në SHBA dhe në Evropën Perendimore, duke „NEGLIZHUAR“ me trafikimet dhe duke i lënë për vite me radhë pa dokumente dhe pa TË DREJTA?! (Sepse po flasim për TË DREJTA.)
Këtë që thashë këtu, na e përforcon neni i mëposhtëm, me numër 6. „Gjithkush ka të drejtë që t’i njihet kudo personaliteti juridik.“ Aq „bukur“ është zbatuar ky nen, sa me mijëra imigrantë janë të detyruar të jetojnë me EMRA TË RREMË dhe kjo ka vazhduar në të 67 vjetët, që prej daljes në dritë të kësaj Deklarate. Personaliteti juridik, I FALSIFIKUAR!
(Në lidhje me migrimet, unë kam gjithsesi tjetër mendim, por këtu po flasim vetëm për “EFEKTET” e Deklaratës.)
Pra, a e thotë Deklarta, kush ka DETYRË t’i rregullojë këto anomali?!
NENI 7. „Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kanë të drejtë pa asnjë diskriminim të mbrohen barabar nga ligji.“ Kush ka DETYRË nga OKB-ja ta vërë në jetë dispozitën e këtij neni?! A u vlen gjë ky nen atyre individëve që s’kanë me çfarë t’i paguajnë, as gjykatën, as avokatin? Sa milionë banorë të këtij planeti nuk kanë qenë të barabartë para ligjit, thjeshtë sepse nuk janë ballafaquar dot në gjyq dhe kanë vdekur pa iu vënë drejtësia në vend?! Unë po them milionë, por mund ta kem gabim, sepse mund të jenë edhe miliarda.
NENI 8 është njësoj si neni 7 dhe unë nuk e di pse janë munduar ta shkruajnë shkruesit e nderuar të kësaj Deklarate. S’e di pse janë munduar shkruesit, por nuk e di edhe a e kanë lexuar me vëmendje nënshkruesit.
NENI 9. „Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet arbitrarisht arrestimit, ndalimit ose internimit.“ Arbitrarisht do të thotë njëanësisht, kur do, kur dëshiron ai tjetri të të arrestojë. Kush ka DETYRË ta mbikqyrë zbatimin e kësaj dispozite? Vendosja e klandestinëvet nëpër kampe, a nuk është internim?! A nuk i duket lexuesit që ky nen as që mund të zbatohet dhe se të gjitha këto fjalë janë fjalë boshe?!
NENI 10. Shih nenin 7 dhe 8 dhe konkludo: Ç’nivel arsimor kanë pasur formuluesit e këtyre neneve?! Lexoji edhe njëherë, të lutem, të 3 nenet, jo vetëm si specialist në fushë të gjuhës dhe në fushë të logjikës, por edhe si jurist! NENI 10: „Gjithkush gëzon njëlloj të drejtën për një proces gjyqësor…“ NENI 7: „Të gjithë…kanë të drejtë… të mbrohen barabar.“ NENI 8: „Gjithkush ka të drejtë për mjete juridikë… para gjykatavet…“
NENI 11, pika 1. „Kushdo që është i akuzuar… ka të drejtë të konsiderohet i pafajshëm deri sa të vërtetohet pafajësia“. Pikën 2, nuk ia vlen ta rishkruajmë.
Të ish ndonjë manual, ndonjë doracak, pra, ndonjë kod i rendomtë juridik, ku të zbërtheheshin çështjet një nga një, edhe mund të pranohej. Por në një HALAMET DOKUMENTI, me përmasa BOTËRORE, vepër e një organizate kombesh të bashkuar, kjo dëshmon, thjeshtë, se atyre nëpunësve U ËSHTË DASHUR TË SHKRUAJNË DIÇKA dhe që atyre kryetarëve shtetesh U ËSHTË DSHUR DIÇKA TË NËNSHKRUAJNË.
Kush e ka nismuar hartimin e kësaj deklarate? Cili ka qenë SYNIMI I MIRËFILLTË, sepse po shihet qartë që MBROJTJA E NJERIUT NUK KA QENË SYNIMI I MIRËFILLTË?!
NENI 12. „Asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare në jetën, familjen, banesën ose korrespondencën vetjake…“ „Gjithkush ka të drejtën të mbrohet nga ligji.“ Këtë fjalinë e fundit e kemi hasur nja 5 herë në të njëjtën Deklaratë. Ne mësuesit, kur nxënësit na bënin hartime të këtillë, me kaq përsëritje të kota, jashtë rregullavet të përcaktuara në stilistikë, u vinim notë negative.
Por pjesa e parë e nenit 12 meriton të komentohet pak. Te skandalet e përgjimevet të vitevet të fundit, filluar që nga babaxhan‘ja dhe transparentja, madje engjëllorja zonja Angjelë Merkeli, deri te e paemra, e quajtura „përkohësisht“ Ish-Rep.Jug. e Maqedonisë, ky nen është respektuar në mënyrën më të përsosur. Por edhe jetën, familjen e banesën e miliona banorëve të këtij planeti, neni 12 i kësaj Deklarate, i ka mbrojtur më së miri.
(Le që, unë do të thosha: Përderisa Zoti, që është në qiell, na përgjon që të gjithvet, në çdo hap e në çdo frymëmarrje, përse të kemi frikë se po na përgjojnë edhe njerëzit? A duhet të bëjmë kaq zhurmë për këtë të paevitueshmin përgjim, sa të mos na mbetet kohë për t’u marrë me punë të tjera më të dobishme për njeriun?!)
Lidhur me shprehjen „asnjeri nuk duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes arbitrare“, a ka nevojë t’i rreshtojmë, që nga viktimat pafajësisht „aksidentale“ të Çernobilit, te varret masivë nëpër Meksikë, nga mbytjet me gjithë fëmijë nëpër Mesdhe e deri te prerja e kokavet para kameravet në Kalifatin „modern“ të ISIS-it?! Por, se si i mbron Deklarata e famshme, unikalja Deklaratë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombevet të Bashkuar, jetën e individit dhe familjen, mund të shihet edhe në kryqëzimet e semaforëvet, në shtëpitë publike dhe në numrin e prostitutavet, për të cilat ajo Deklaratë nuk ka ngarkuar askënd me DETYRËN për të mos ua prishur ëndrrën që të bëhen nëna.
NENI 13. Pika 1. „Gjithkush ka të drejtën e lirisë së qarkullimit dhe banimit brenda kufijvet të çdo shteti“. Kjo pikë e nenit 13, me sa duket, ka kontribuar dukshëm që të tejmbushen një numër qytetesh të botës me popullsi, e cila, ose vuan nga obeziteti dhe VDES PARA KOHE, ose vuan nga uria dhe prapë VDES PARA KOHE. Fshatrat, ndërkaq, ky nen i ka lënë nën mëshirën e zjarrevet të korrikut e gushtit.
Pika 2 e nenit 13. „Gjithkush ka të drejtë të largohet nga cilido vend qoftë, përfshirë edhe të vetin.“ Ata po largohen, trafikantët po i rrjepin, detrat po i gëlltitin, në “tokën e premtuar” të nenit 13, ata që po arrijnë gjallë, po i presin kampet dhe „premtimet“, krejtësisht cinikë, për t’i kthyer andej nga kanë ardhur.
Gjithsesi, Deklarata ia dha të drejtën njeriut të bredhë nga të dojë nëpër planet, ashtu siç kish bredhur dikur në kohën e komunës primitive, dhe u bë, nga ana tjetër, shkaktare që, miliarda viça, mëzet e qe, të burgosen përjetësisht nëpër kafazat e majmërimit. U bë shkaktare që edhe miliarda pula të mund të kakarisin vetëm nëpër burgjet e tyre dhe të ngopen ashtu miliarda njerëz „të lirë“ me ushqim OMGJ dhe me kortizone të gjithfarshëm. U lanë fshatrat në pronësi të derravet të egër dhe arriti puna deri aty, sa të quhet „zbulim i madh“ në fushën e shëndetësisë, të ecurit dhe të vrapuarit. Zbulim, të cilin, prapë, miliarda njerëz „të lirë“ nuk e kanë vullnetin e duhur për ta zbatuar në jetë.
Lum kombet që e kanë një organizatë të vetën, e cila ua mbron të drejtat, pa i vënë askujt asnjë DETYRË!
„Mu rrëzë malit ngrihet një kënetë/ që prish çka kemi ndrequr gjer më sot;/ shpejt t’na e heqin pellgun e molepsur,/ do të ishte ky ngadhnjimi im më i madh./ Kështu u hapet vend milionavet të rrojnë,/ jo ngeshëm, por në punë e të lirë/ fushave pjellore; njerëz e kopera,/ gultuar tok në trollin më të ri,/ do lumturojnë, mbrojtur nga ajo digë/ që ngritën punëtorët e palodhur./ Këtu përbrenda toka si parajsë,/ atje përjashta arrin tallazi bregun/ dhe rreh të futet, porse forcat e përbashkëta/ tok turren për të mbyllur plasat./ Këtij qëllimi i jam truar unë;/ ja përfundimi i mbarë i urtësisë:/ Vetëm ai meriton lirinë dhe jetën/ që rreh përditë t’i fitojë./ Kështu rrëziqesh të rrethuar gjithmonë,/ fëmija, burri, plaku të jetojë./ Një zell të tillë ma kënda të shoh/ në tokë të lirë e popullin të lirë./ (J.V.Gëte, Vep.të zgj.1, f.610)
Johan Volfgang Gëteja, kërkuesi dhe shpjeguesi më i madh i të gjitha kohëve, i konceptevet LIRI dhe E DREJTË njerëzore, nuk kish si të ndikonte te hartuesit e kësaj Deklarate, thjeshtë sepse ata nuk e kishin lexuar Gëten. Por edhe në e pastë lexuar një pjesë e hartuesvet apo nënshkruesvet, mundësia që ata ta kenë KUPTUAR mendimtarin dhe krijuesin e madh, është fare e pakët. E përfytyrojmë, sado pak të besueshme, edhe mundësinë që, ndonjëri, ndoshta edhe mund ta ketë kuptuar thelbin gjithkohës, të përjetshëm, të vizionit getean. E ç’mund të fitonte ai, nëse përpiqej ta fuste në punë atë vizion, përveç nënvleftësimit mendjemadh nga ana e atyre që s’e kanë lexuar Gëten?!
NENI 14, pika 1. „Gjithkush ka të drejtë të kërkojë dhe të gëzojë në vende të tjerë azil nga ndjekjet.“ Por nuk ka të drejtë të kërkojë azil nga papunësia. Njeriun mund ta ndjekë papunësia gjithë jetën, azilin mund ta marrë ai që ndiqet politikisht dhe, meqë tani e gjithë bota u bë „demokratike“, nuk ka më të drejtë askush të kërkojë azil.
Pika 2. „Këtë të drejtë (të drejtën e azilit) nuk mund ta gëzojë askush, në rast se ndiqet për krime jopolitikë…“ Këndej rrjedh konkluzioni: Nëse ke bërë ndonjë krim POLITIK, OKB-ja, me Deklaratën e vet, të jep mundësi strehimi. Psh, nëse, si kundërshtar politik, larg qoftë, ke vrarë Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ja të jep azil dhe të mbron me pikën 2 të nenit 14 të kësaj Deklarate të famshme.
NENI 15 flet për të drejtën e shtetësisë. Atje thotë se gjithkush ka të drejtën e një shtetësie, por nuk thotë asgjë për ata që marrin dhe kanë nga 2 e nga 3 shtetësi. Gjithsesi, neni është aq i rëndësishëm, sa s’kish si të mos përfshihej në një dokument ndërkombëtar me përmasa kaq epokale: Duhet apo s’duhet ta ketë njeriu një shtetësi?!
NENI 16. „Burrat dhe gratë në moshë të pjekur kanë të drejtë të lidhin martesë“. Ja edhe një „MREKULLI“ tjetër! Më në fund NJERIU FITOI TË DREJTËN PËR T’U MARTUAR! Para vitit 1948 njeriu s’e kish të qartë, kish apo s’kish të drejtë për t’u martuar. Më në fund, u mblodhën burrat më të shquar të kombevet dhe gratë më të shquara të kombevet, dhe e bënë njeriun të lumtur, duke i dhënë të drejtën të martohet.
Nuk po mund të kaloj pa e vënë re edhe se, në gjuhën shqipe, me fjalët BURRË dhe GRUA nënkuptohen njerëz të martuar tashmë. Ndoshta duhej thënë: Djemtë dhe vajzat, në moshë të pjekur…
„Pa kurrfarë kufizimi… sa i përket racës, shtetësisë ose besimit.” Kjo pjesë e nenit 16 nuk është pa vlerë. Gjithsesi, njerëzimi nuk mund të rrijë pa vënë re „SA SHUMË ËSHTË FORCUAR FAMILJA“ nga dita kur kryetarët e shtetevet të të gjithë botës e firmosën këtë dokument „TË MADH“. Aq i rëndësishëm është ky nen, sa, prej gjysmës së dytë të shekullit XX, që përkon me lindjen e këtij dokumenti, 40% e çiftevet DIVORCOHEN, duke i lënë miliona fëmijë, jetimë me prindër gjallë. Shkoni dhe numrojini fëmijët e braktisur në Rio de Zheneiro!
„Ata(burri e gruaja) kanë të drejta të barabarta“, thuhet po aty dhe lexuesi nuk ka se si të mos e sjellë ndërmend trukun e së quajturës „BASHKËJETESË“, ku mashkulli e përdor femrën si të dojë vetë dhe e flak në rrugë, duke i thënë: „Je e lirë!“ Dhe FEMRA MENDON SE VËRTET ËSHTË E LIRË DHE E BARABARTË, falë pikërisht këtij neni të Deklaratës mbi të Drejtat e Njeriut.
Në pikën 3, shkruhet kështu: „Familja është bërthama e natyrshme dhe themelore e shoqërisë dhe ka të drejtën e mbrojtjes nga shoqëria dhe shteti“. Ka TË DREJTËN e mbrojtjes nga shoqëria dhe shteti! Por nuk thuhet, a kanë DETYRË shoqëria dhe shteti ta mbrojnë familjen. A mund ta realizojë familja TË DREJTËN e vet, nëse shtetin NUK E DETYRON Deklarata e Asamblesë së Përgjithshme të Kombevet të Bashkuar, për ta mbrojtur familjen?! Dhe, a e dinë të mëdhenjtë e OKB-së si mbrohet familja?! Familja mbrohet, duke e dënuar e rrasur në burg mashkullin që e shkatërron familjen (psh, kur tradhton gruan), dhe duke bërë të njëjtën gjë edhe me femrën që e shkatërron familjen (psh, kur tradhton burrin).
NENI 17. 1. „Gjithkush ka të drejtën të ketë pasuri, si vetëm, ashtu edhe në bashkësi me të tjerët“. 2. „Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga pasuria e tij.“ Këtu OKB-ja duhej të ndalej te pyetjet: a: A ka të drejtë 3% e banorëvet të planetit tonë të zotërojë gjysmën e krejt pasurisë sonë dhe tani të përgatitet të emigrojë në planetin që posa na e zbuloi NASA?! B: Me gjithë këtë TË DREJTË që OKB-ja ua jep „TË GJITHËVET“, sa për qind e popullsië së rruzullit tonë nuk ka kurrfarë pasurie ose ka të atillë „pasuri“ e cila s’i hyn fare në punë?!
Të thuash, „secili ka të drejtë të ketë pasuri“, pa përcaktuar një LIMIT PASURIMI, do të thotë t’i lësh në dorë më të fortit dhe më të pamoralshmit për t’ua marrë pasurinë më të dobëtvet dhe këtu ka hapësirë për të folur shumë më tepër se kaq, nëse nuk duam të plasë zjarri atomik anembanë planetit Tokë, pa arritur dot as ai 3-përqindësh të fluturojë drejt planetit që sapo e ka zbuluar NASA.
Në vendet ku u vetëpërmbys komunizmi, triumfoi E KEQJA, pikërisht e mbështetur prej këtij neni tragjikisht të pasaktë. Kujt nuk do t’i vinte mirë, sikur të kish triumfuar E MIRA në vendet ish-komunistë!?
Shohim në Ish-Jugosllavi çfarë bënë forcat antikomuniste sërbe (sado që mbanin ende emra gjoja socialistë)! Ato forca e rikthyen edhe „juridikisht“ gjendjen koloniale në Kosovë dhe ushtruan TERROR mbi një popullsi krejtësisht të pambrojtur. Kur them, krejtësisht të pambrojtur, e kam fjalën në radhë të parë, te ata që kishin hartuar dhe që e mbanin gati si Bibël, Deklaratën mbi të Drejtat e Njeriut.
Shohim ç’bënë në Republikën e Shqipërisë forcat negative që erdhën në pushtet pasi u rrëzua komunizmi. Nuk lanë kanal ujitës pa e shkatërruar! Nuk lanë fabrikë pa e çuar për skrap!
Shohim ç’bënë në Rusi forcat që e përmbysën komunizmin. Bënë çdo gjë të keqe, deri sa e prunë shtetin rus në pozita kërcënuese për paqen në botë. Bashkimi Sovjetik i Kohës së J.V.Stalinit ishte kërcënues, të themi, potencial, por vetëm për klasat e pasura. Rusia e sotme i kërcënon që të gjithë.
I marrim me radhë dhe do të shohim që, me fare pak përjashtime, atje ku u rrëzua komunizmi, e morën pushtetin pikërisht ato forca që I SHKELNIN TË DREJTAT E NJERIUT. Ndërkohë, çfarë bënte Asambleja e Përgjithshme e Kombevet të Bashkuar për t’i mbrojtur njerëzit, të drejtat e të cilëvet po nëpërkëmbeshin?! Ajo gëzohej: Shyqyr që u përmbys komunizmi! Dhe le të mbeteshin miliona fëmijë pa bukë dhe pa mundësinë për t’u arsimuar normalisht! Le të trafikoheshin qindra mijë fëmijë! Le të mbyteshin pa mbërritur në Lampeduzë! Le të mbilleshin tokat e grurit e të patatevet me kanabis sativa! Le të mësonin, aman, more, le të mësonin, të rinjtë e ish-shtetevet komunistë, si përdoren hashashi, marihuana, heroina, vetëm ta hiqnin mendjen nga komunizmi!
VIJON…

____________
PJESA E PARË:
GJOKË DABAJ: PAVLEFSHMËRIA E DEKLARATËS MBI TË DREJTAT E NJERIUT (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=4367
***
PJESA E DYTË:
GJOKË DABAJ: PAVLEFSHMËRIA E DEKLARATËS MBI TË DREJTAT E NJERIUT (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=4368

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura