(Durrës, 28. 10. 2012) – E kam shprehur edhe në një shkrim timin para pak ditësh, që ky 100-vjetor po vjen krejt i panatyrshëm për ne shqiptarët, pikërisht sepse janë hedhur poshtë gati 50 vjet të jetës e punës titanike të këtij Kombi. U fillua në mënyrë të pamenduar e të panevojshme me rrënimin e përmendorevet të Enver Hoxhës dhe pastaj, entuziastët enverofobë, shumica besnikë të Tij deri dje, nuk ditën të ndaleshin. Shkatëruan çdo gjë që ish ndërtuar në Rep. e Shqipërisë në Kohën e Enver Hoxhës dhe tani s’po guxon kush ta përmendë për mirë atë Kohë. Nuk është punë serioze, nuk është moralisht e pranueshme, nuk është as historikisht e justifikuar. Siç jam shprehur edhe në shkrimin tim të paradoditëvet, nuk kërkohet që ish-zogistët, ish-ballistët dhe ish-të përndjekurit politikë prej regjimit të Enverit, të kthehen tash e t’i thurin elozhe atij udhëheqësi. Do të ish absurde të kërkohej diçka e tillë. Por pjesa tjetër e Kombit tonë, brenda dhe jashtë kufijvet të Rep. së Shqipërisë, nuk ka asnjë arsye të kultivojë fobi ndaj atij udhëheqësi, i cili është, pa dyshim, i dyti udhëheqës i yni i madh, mbas Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Mirëpo, që të ndodhë kjo kthesë, me sa duket, është e nevojshme që ta ndryshojnë qëndrimin e vet ndaj Tij edhe SHBA-ja e Anglia dhe, mbas tyre, krejt Evropa Perendimore. Nuk po u themi as atyre që të fillojnë tash e t’i thurin lëvdata Enverit. Po kërkojmë vetëm të jenë pak më të arsyeshëm dhe ta shikojnë më realisht historinë. Është e nevojshme kjo kthesë, sepse pikërisht me këtë kthesë të tyren do të lidhen shumë gjëra në të ardhshmen. Në të vërtetë, z.B. Klinton e z.Toni T.Bler, dhe të tjerë Perendimorë, e kanë bërë një të tillë kthesë qysh në ditën kur kanë vendosur të luftojnë në një front me UÇK-në, duke dërguar për bisedime me atë forcë tonën ushtarake z.R.Hollbruk. UÇK-ja, e vetmja forcë e armatosur shqiptare, e cila bashkëpunoi me NATO-n dhe që u pranua nga NATO-ja, përbëhej në pjesën më të madhe prej simpatizantësh dhe madje adhruesish të Enver Hoxhës. Kjo është një e vërtetë që nuk ka pse mohohet. Shumica e dëshmorëvet të rënë në këtë luftë heroike për çlirimin e Kosovës, dhe të trevavet të tjera, kanë qenë, jo pa arsye, simpatizues e madje adhurues të Enver Hoxhës.
………………………………………….
Z.H.Klinton po vjen këto ditë në Tiranë e në Prishtinë. Pikërisht kjo vizitë e saja u bë edhe një nga arsyet që më shtynë për t’iu rikthyer këtij problemi. Për t’iu rikthyer këtij problemi dhe për t’i parë më mirë gjërat sidomos në aspektin e të vërtetavet historike. Në të njëjtën kohë, si duket, po vjen edhe z.K.Eshton në Prishtinë. Kjo nuk do të jetë e rastësishme.
Kur flitet për marrëdhëniet midis shqiptarëvet dhe angloamerikanëvet në Luftën II Botërore dhe në vazhdim deri sa vdiq Enver Hoxha, të fajësosh Enverin është fare lehtë. Thua: “Fajin e kish Enveri.” Kërkon, gjen, zmadhon apo edhe sajon një varg cilësish të Tijat negative. Shqiptarët janë një komb i vogël në krahasim me anglezët dhe amerikanët. Veç kësaj, midis shqiptarëvet ka një shumicë të atillësh që i besojnë lehtë asaj që thotë i madhi. Dua të them, midis nesh, midis shqiptarëvet, ka një shumicë të madhe hipokritësh dhe dihet që hipokriti “mendon” gjithë jetën siç mendon tjetri.
Është e vërtetë që Enver Hoxha e krijoi partinë komuniste me ndihmën e komunistëvet jugosllavë. Por, nga 7 prilli 1939 deri më 8 nëntor 1941, janë plot 2 vjet e gjysmë. Çfarë bënë patriotët shqiptarë jokomunistë gjatë atyre 30 muajve, për t’u çluiruar prej Italisë Fashiste? Ose të paktën për të krijuar një front nacional me program: Çlirimin e Shqipërisë nga fashistët në aleancë me Aleatët? Ç’bënë anglezët dhe amerikanët për t’u ardhur në ndihmë antifashistëvet shqiptarë? Nëse ka dokumente lidhur me ndihmën e angloamerikanëvet dhënë shqiptarëvet në këta 2 vjet e gjysmë, mirë është të botohen ata dokumente.
Duke parë më këndej, gjatë vitevet të Luftës, pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNSH-së (Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare), anglezët dhe amerikanët patën në vazhdimësi misionet e vet. Nga pala komuniste ishin të pranishëm vetëm jugosllavët. Sovjetikët nuk ishin aty dhe kjo tregon që Shqiprinë e kishin nën mbrojtje aleatët Perendimorë, jo Lindja. Pra, edhe përgjegjësinë. A nuk mund ta shfrytëzonin atë rast Perendimorët për ta vënë Enverin në krye të të gjithë shqiptarëvet antifashistë, prej Shkupit e deri në Tivar dhe prej Mitrovicet deri në Prevezë? A thua nuk do të pranonte Enveri?! Fashistët ia kishin dhënë Kombit Shqiptar të drejtën “për t’u bashkuar”. Pse të mos ia jepnin të njëjtën të drejtë, por jo nën thonjëza, edhe antifashistët anglezë dhe amerikanë?
Është thënë që aleatët kishin vendosur mosndryshimin e kufijvet të Paraluftës. S’është e vërtetë. Jugosllavisë komuniste iu dhanë Ishujt Dalmatinë dhe Bregdeti Dalamatin, nga Zara në Trieste, që deri atëherë i kish pasur Italia. Në vitin 1953 qyteti i Triestes iu hoq Jugosllavisë dhe iu dha Italisë (ish-fashiste), pikërisht me ndihmën e forcavet angloamerikane. Pse nuk iu dha Çamëria Shqipërisë? Enveri e kish krijuar batalionin “Çamëria” dhe ai mund të përdorej fare normalisht, me përkrahjen e angloameriknëvet, për t’ia rikthyer Çamërinë shtetit tonë. Në vend që të zbarkonin në Sarandë, forcat detare angleze mund të kishin zbarkuar në Gjirin e Prevezës, për t’i hequr forcat greke nga territori i Shqipërisë dhe për t’i shtyrë ato drejt Greqisë. A është e mundur të mos e kenë ditur anglezët që Çamëria është tokë e Shqipërisë?
…………………………………………..
Brigadat e UNSH-së shkuan në Kosovë. Po të donin anglezët dhe amerikanët, mund t’i thoshin Titos: “Ti merr Dalmacinë, Shqipërisë lëria tokat që i takojnë!” Kur u nënshkrua marrëveshja Tito-Shubashiq, anglezët dhe amerikanët e pranuan komunistin Tito si kryekomandant, ndërsa Shubashiqi ishte në qeverinë e Titos thjeshtë një përfaqësues i nacionalistëvet jugosllavë. Në Mukje, misionet anglezë dhe amerikanë preferuan të bisedojnë fshehurazi me Mustafa Gjinishin kundër Enverit. Pse nuk folën direkt me Enverin, madje në nivele të lartë, (sepse djali I V.Çërçillit këndej gjendej) dhe t’i thoshin: “Komandanti i merituar i shqiptarëvet antifashistë je ti, ballistët dhe zogistët merri në formacionet e Ushtrisë tënde Nacionalçlirimtare, por t’i kesh ti nën komandë, sepse ata s’kanë merituar më shumë.” Asgjë nga këto nuk u bë. Pse? Sepse Enveri ishte një komunist?! Por Stalini ishte 5 herë më komunist se Enveri dhe anglezët e amerikanët kapitalistë e kishin pranuar atë jo vetëm si aleat, por takoheshin me të vetë Çërçlli e Ruzvelti. Titoja ish gjithashtu komunist, por anglezët dhe amerikanët patën me Titon lidhje dhe miqësi shumë produktive.
Gjatë Luftës II ndodhën edhe ngjarje revoltuese, si ajo e Pejës apo e Ulqinit. Avionët anglezë e bombarduan Pejën, në emër të sulmevet ndaj objektivavet gjermanë, por vranë 3000 civilë, të gjithë shqiptarë. E bombarduan edhe Ulqinin dhe vranë mbi 100 shqiptarë, asnjë malazias dhe asnjë gjerman. Në të 2 rastet u kuptua sheshazi që në aviacionin anglez vepronin agjentë, duke qenë madje edhe pilotë me kombësi sërbe apo malazeze, të cilët qëllimisht godisnin popullsinë civile shqiptare. Megjithatë, komanda angleze nuk i dënoi ata kriminelë, të cilët, duke bërë genocid me amatimin anglez, e njollosnin rëndë vetë Anglinë.
Shtrohet tash edhe një pyetje: A vërtet kish dëshirë të madhe Enver Hoxha të lidhej me Rusinë, apo e bëri këtë sepse dyert e Perendimit i ishin mbyllur që të gjitha?
Dihet që Enver Hoxha mezi priti që Bashkimi Sovjetik të armiqësohej me Titon dhe qe i pari ndër udhëheqësit komunistë që u pozicionua prerazi kundër Titos. Pse veproi kështu Enveri? Përgjigjja jonë, sigurisht deduktive, është kjo: Gjatë gjithë Luftës, Enveri i kish pasë barrë të rëndë jugosllavët. Miqësia e Tij me ta ishte miqësi nga halli. Jugosllavët ia eliminuan Enverit një nga një të gjithë ithtarët e bashkimit të Kosovës etj me Rep. e Shqipërisë, që nga Vasil Shantoja deri te Emin Duraku e Mustafa Bakia. Jugosllavët deshën ta shkarkojnë Enverin nga funksionet që kishte. Jugosllavët deshën ta bëjnë Rep. e Shqipërisë republikë VII. Ata përdorën Koçi Xoxen e të tjerë, për ta diskredituar me krime qeverisjen e tij dhe pastaj për ta rrëzuar.
Cila ishte politika e angloamerikanëvet e të tjerëvet në këtë kohë ndaj Rep. së Shqipërisë? Angloamerikanët dhe Perendimorët e tjerë i përdorën Jugosllavinë, pushtuese të gjysmës së Shqipërisë, si plasdarm për të dërguar diversantë në Rep. e Shqipërisë. Angloamerikanët dhe Perendimorët e tjerë ndihmuan Greqinë për të “provuar” një tjetër pushtim të tokavet shqiptare më 9 gusht 1949. Të gjithë ishin kundër Enver Hoxhës. Pse?!
Ç’do të ndodhte sikur angloamerikanët dhe Perendimorët e tjerë ta kishin përkrahur “Gubernën e Enver Hoxhës” ashtu si këshillonte peshkopi Theofan Stilian Noli? Nëse Perendimi do ta kish përkrahur “Gubernën e Enver Hoxhës” në Konferencën e Paqes në Paris, a do të detyrohej Enver Hoxha të mbështetej te “përkrahja” e delegacionit jugosllav? Nëse Perendimi do ta kish përkrahur “Gubernën e Enver Hoxhës” në vitet nga 1944-a deri më 1955-n, a do ta rrëzikonte kjo kapitalizmin në Amerikë dhe në Evropën Perendimore? Në vend të një të këtillë logjike, Perendimi përkrahu të arratisurit shqiptarë, ata që, në të gjithë variantet e nacionalizmit të vet, kishin dështuar njëri pas tjerit. Nga Greqia kapitaliste dhe nga Jugosllavia komuniste, Perendimi niste me dhjetëra e me qindra diversantë, për të djegur mullarët e për të numëruar të pakënaqurit. Ç’do të ndodhte, sikur, në vend të kësaj, të ishte ndihmuar Enver Hoxha, politikisht, diplomatikisht dhe ekonomikisht? Do të ndodhte që Enveri, ndonëse komunist, të mos detyrohej për t’u mbështetur te rusët dhe te kinezët. Dhe atëherë e gjithë Lufta e Ftohtë në këtë rajon, me siguri, do të zhvillohej me më shumë sukses. Nuk është e vërtetë ajo që thuhet se Enveri e pat izoluar vendin e vet. Është e kundërta: Perendimi i kish bërë Atij bllokadë, në kuadrin e Luftës së Ftohtë.
…………………………………………..
Perendimi e përkrahu Imre Nagin në Hungari. Perendimi e përkrahu revoltën antiruse në Çekosllovaki. Pse nuk e përkrahu Perendimi pozicionimin antirus të Enver Hoxhës në vitet 1957-1961? A nuk ishte ky një disident i llojit të vet në të quajturin Kampi Socialist? Perendimi e përkrahu Les Valesën në Ploni. Pse nuk e pëkrahu lëvizjen antijugosllave (antisërbe) të shqiptarëvet në Jugosllavi? Shqiptarët bënë në Ish-Jugosllavi gjysmë milioni vite burg. Shqiptarët kërkuan republikë në Ish-Jugosllavi. Enver Hoxha i përkrahu këto përpjekje të bashkëkombësvet të vet. Pse nuk ka as edhe 1 qëndrim zyrtar shtetëror të Perendimit ndaj këtyre kërkesave të shqiptarëvet? Evropianoperendimorët dhe amerikanoveriorët, në ata vite, 1968-1981, kishin mundësi të ushtronin një lloj presioni ndaj jugosllavëvet për t’u dhënë të gjithë shqiptarëve, jo vetëm Kosovës, statusin e republikës. Pse nuk e bënë? Sepse nuk ditën të punojnë në interest ë vetëvetes. Kjo është përgjigjja.
Në vitet 1967-1968, Rep. e Shqipërisë e denoncoi Traktatin e Varshavës, ia hoqi BS-së bazën ushtarake detare të Vlorës dhe kështu, praktikisht, ajo u bë aleate e NATO-s. Pse Perendimi nuk e kapi këtë moment të rëndësishëm, por vazhdonte të përgatiste, madje vrasës, atentatorë, kundër Enver Hoxhës? Në ata vite Enver Hoxha ka shfaqur, politikisht e diplomatikisht, disa herë gatishmërinë për t’u afruar me Perendimin. Po përmend këtu vetëm 3 a 4 raste. Priti Shtrausin, njërin prej europianëvet më të kthjellët, pas De Golit, dhe njërin prej kapitalistëvet më të dëshmuar. Perendimi s’e kapi këtë moment. Përkundrazi, vazhdoi të ushqejë tipa si Xhevdet Mustafa dhe s’po dimë ç’u bë e si ndodhi as me vetë Shtrausin. Enveri priti princin Norodom Sihanuk dhe i tha: “Ne kemi për hero kombëtar pikërisht një princ si puna jote.” As këtë sinjal nuk e kapi dot diplomacia perendimore. Shkurt të themi: Nuk deshi. Enveri priti dhe cakërroi gotën me Demali Pozharin, njërin prej ballistëvet më në zë të Rrafshit të Dukagjinit. Shkroi librin “Dy popuj miq” dhe prapë Perëndimi nuk ia zgjati dorën Enver Hoxhës. Zgjati dorën dhe u gëzua shumë, kur edhe në bronx e pa të rrëzuar! A është politikë e kthjellët kjo politikë e Perendimorëvet?
(Fundi i pjesës së parë)