ISMET HAJRULLAHU: NGRITJA DHE RËNIA E NJË KLASE POLTIKE!

Prishtinë, 08. 05. 2015 – Për fat të keq të këtij populli, të gjitha qeveritë e pas luftës, në momentin e ndërrimit të tyre, kanë filluar historinë prej zeros, duke shpërfillur kështu të gjithë angazhimin e qeverisë paraprake, me bindjen se qasja dhe vizioni i tyre është pikërisht ai për të cilin ka nevojë Kosova. Në emër të kësaj, shteti ynë ka kaluar në çdo mandat qeveritar, nëpër reforma jo serioze e përfundimisht edhe të dështuara, e që vetëm kanë dëmtuar buxhetin, e bashkë me të edhe mundësitë që ai do mund t’i ofronte qytetarëve që paguajnë për të. Për këtë arsye, secila parti politike që ka ardhur në pushtet, mund te konsiderohet se ka pasur ngritjen, por edhe rënien e saj “spektakolare”. Në rastin konkret, ngritja e kësaj pjese të klasës politike vjen si rrjedhojë edhe e vakumit dhe ngërçit politik, që për fat të keq, rezultoi në vendosjen e një udhëheqje të sforcuar dhe të imponuar të shtetit. Kjo, njëkohësisht, i dëshmoi qytetarëve se politikanët tanë kanë gjithçka përpos parimeve, si dhe mbajnë gjithçka, përpos fjalës! Me fjalë të tjera, qytetarët përjetuan një imoralitet politik të llojit te vet.
Gjithësesi, në pak muaj jetë të kësaj qeverie, ajo po tregon shenja të dukshme të rënjes së saj, si në fushën politike, ashtu edhe në atë ekonomike e sociale. Jo rastësisht, kemi një rënje të lirë të imazhit të Kosovës në botë, e kjo për shumë arsye, ku nëjra nga më të spikaturat është barkatisja e vendit nga qytetarët, të cilët ikin në shenjë revolte, dhe si rrezultat i përkeqësimit të jetesës në Kosovë, duke mos parë asnjë perspektivë per ta, apo fëmijët e tyre. Imazhi i Kosovës është në rënie të lirë edhe për shkak të qasjes së papërgjegjshme të qeverisë ndaj këtij fenomeni të dhimbeshëm. Kryeministri Mustafa, për asnjë moment nuk denjoi të fliste me qytetarët, përkundrazi ai zgjodhi heshtjen. Për më shumë, për mos ta konsideruar si problem të tijin, ai akuzoi qarqe të huaja për konspiracion dhe nxitës të eksodit. E gjithë kjo, pasi për të dhe kabinetin e tij qeveritar, ky fenomen u konsiderua si shpëtimtar, duke tërhequr kështu vëmendjen nga paaftësia e tyre për të zgjidhur problemet e mëdha politike dhe ekonomike që sfidojnë çdo ditë institucionet dhe qytetarët e këtij vendi.

Zoti qoftë me Kosovën, pasi kjo klasë politike e ka braktisur qysh moti atë!

Si për ironi, një Qeveri shpenzon miliona për transmetim reklamash me qëllim të ndërtimit të një imazhi pozitiv për Kosovën, ndërkaq një qeveri tjetër, e shkatërron atë brenda natës me politika centraliste tashmë të tejkaluara të llojit të vetadministrimit jugosllav.
Kosova përballë agresivitetit politike serb
Kosovën sot e rrezikon hapur shteti serb. Ai është një nga nxitësit më të mëdhenj të destabilitetit politik dhe ekonomik të Kosovës.
Në veri të vendit, edhe sot pas kaq viteve të largimit zyrtar të trupave serbe, jeta politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore, ende mbikqyret krejtësisht nga strukturat e shtetit serb. Edhe pas luftës së shkurtër dhe të përgjakshme mes forcave ndërkombëtare dhe atyre serbe në veri të Mitrovicës, më 17 mars 2008, ku mbeti i vrarë polici ukrainas, Ihor Kynal, dhe dhjetëra ushtarë të KFOR-it u plagosën, sistemi paralel serb, vazhdon të funksionojë edhe sot, si ne veri, ashtu edhe në brendësi të Kosovës, pa u shqetësuar asnjëherë nga institucionet e sigurisë në vend. Edhe pse ky sistem paralel serb është bërë një gangrenë për shtetin e Kosovës, qeveria, për turpin e saj, luan rolin e të verbërit e të shurdh-memecit.
Që nga fillimi i negociatave me Serbinë, jeta dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës jo vetëm në Bashkimin Evropian por edhe ne veri të vendit, mbetet thjeshtë një endërr. E si për ironi kur qeveria e ka gojën plotë sovranitet, në Mitrovicë vendoset “Parku i Paqes”, e për më keq, heqja e barikadës ose “murit i gjallë” është lënë në duart e një krimineli serb si Goran Rakiq, dhe një avanturieri politik si Agim Bahtiri.
Jo rastësisht konflikti me Serbinë, nga shumë analistë të huaj cilësohet si loja e macës me miun!
Rritja e varfërisë ekstreme
Si pasojë e një qeverisje të dobët e degraduese, jeta e qytetarit është bërë mizerabel, pasi edhe pas 15 viteve pas luftës, pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës vazhdojnë të jetojnë sot për nesër. Pasi rritja ekonomike gjithmonë pretendohet të jetë meritë e qeverisë, atëherë edhe rritja e varferisë sigurisht është po “meritë” e saj gjithashtu. Prandaj, me Qeveri që nuk shohin përtej hundës së tyre, nuk mund të fajsojmë gjeneratën e re që ardhmërinë e saj nuk e sheh më në Kosovë.
Ndonëse, qeveria vazhdimisht ka deklaruar se ka të arritura të mëdha në ekonominë e vendit, këto deklarata ngelin thjeshtë deklarata propagandistike të llojit komunist, pasi raportet e organizatave ndërkombëtare i kanë përgënjeshtruar duke treguar se Kosova nuk ka ecur aspak në rrugën e duhur të zhvillimit ekonomik. Përpos një propagande të orientuar vetëm për konsum të brendshëm, qeveria nuk ka bërë asgjë serioze për përmisimin e kushteve për thithjen e investimeve në Kosovë. Përkundrazi, si për ironi, ajo vetëm ka arritur t’i dëbojë investitorët e huaj nga Kosova. E gjithë kjo si rezultat i një korrupsioni që është rrënjosur thellë në mentalitetin e klasës politike dhe rrjedhimisht në institucionet e vendit.
Kështu, me një korrupsion të nivelit më të lartë në rajon, shteti është kapur nga oligarkët, ku resurset e shtetit menaxhohen vetëm nga ata.
Gjendje alarmuese në arsim
Përkeqësimin e situatës në vend e bën edhe më të dukshme gjendja alarmuese në arsimin e Kosovës. Që nga çlirimi i vendit, politikat qeverisëse në këtë fushë kanë qenë vazhdimisht jo vizionare dhe dëshpruese për të rinjët e këtij vendi, të cilët mundohen të dalin jashtë Kosovës për të fituar një edukim më cilësor, apo në rastin më të keq, braktisin shkollimin për të punuar punë të natyrave të ndryshme, e që nuk përkojnë me potencialin dhe përgaditjen e tyre.
Cilësia e mjerueshme në arsimin e Kosovës sot, vjen si rrjedhojë edhe se shkollat, universitetet, apo edhe drejtoritë komunale të arsimit, udhëhiqen nga drejtorë dhe rektorë të pa aftë, apo të emruar nga politika ditore. Rrjedhimisht, me politikat miope dhe korruptuese që janë ndjekur nga po këta njerëz, si zor mund të rimëkëmbet niveli i arsimit, që tanimë ka degraduar tërësisht.
Pavarsisht se të gjithë ministrat, në fillet e punës së tyre, flasin për reforma të thella arsimore, me kalimin e kohës ata bien në rehatinë e kolltuqeve të tyre, dhe si pasojë reforma harrohet tërësisht duke mbetur thjeshtë një politikë e shkruar bukur në letër, por e pavlerë.
Për më shumë, pa një analize të mirëfilltë të nevojave të tregut, gjithë këta të rinjë që tanime janë të pajisur me diploma – nëse ato mund të quhen të tilla, ata do kenë në duart e tyre një copë letër, por mjerisht, jo edhe diturinë dhe shkathësitë që ju nevojiten për të qenë pjesë e tregut të punës vendor, e aq me pak të atij evropian.
Prandaj, me këtë ritëm dhe mungese vizioni, rrezikohet të nxirret një brez injorantësh, të cilëve as vet kjo klasë politike, nuk do ju besonte dot drejtimin e institucioneve të vendit ne një të ardhme të afërt.
Përfundimisht, çdo qeveri e ardhshme, nëse nuk fillon te mendojë – ama të mendojë realisht, jo për xhepin, por për shtetin dhe qytetarët, shtetësia e Kosovës do përfundojë si një “eksperiment” i dështuar, i cili do i atribuohet krejtësisht kësaj klase politike, e që padyshim do gjykohet nga historia dhe brezat e ardhshëm.
Zoti qoftë me Kosovën, pasi kjo klasë politike e ka braktisur qysh moti atë!

– Kontakti me autorin: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura