GJOKË DABAJ: PËRKUJDESJA SHQIPTARE, PROGRAMI MË MADHOR I SHTRUAR DERI MË SOT PARA KOMBIT SHQIPTAR

Durrës, 10. 09. 2016: I lutem lexuesit të më kuptojë drejt, sepse në këtë kontekst nuk kemi të bëjmë me kurrfarë mendjemadhësie. Vërtetë se autor i kësaj ideje, i kësaj nisme dhe i këtij programi, hartuar tashmë në shumë aspekte deri në imtësi, jam unë, Gjokë Dabaj, por kjo nuk do të thotë aspak se kam shpikur ndonjë gjë të madhe. Unë, thjeshtë, kam analizuar të kaluarën e etnisë sonë, që nga zanafilla, të kaluarën dhe të tashmen e kombit tonë, dhe kam nxjerrë konkluzionet përballë pyetjes: Ç’DUHET TË BËJMË?! Punë që mund ta bëjë cilido intelektual i angazhuar.
Bazat, themelet e këtij programi, i gjejmë thellë nëpër histori, përfshirë këtu, ndaç epopenë mbuluar me lavdi të Gjergj Kastriotit Skënerbeut, ndaç kuvendet e famshëm të Matit, por veçanërisht në Rilindjen tonë Kombëtare të shekujvet XIX e XX. Pikërisht atje, në mençurinë dhe në vizionin afatgjatë, deri në përjetësi, të asaj Rilindjeje, gjendet Shkrimi i Shenjtë, Bibla e Kombit tonë.
Ndërsa nxitja konkrete për ta hartuar këtë program, në formën që e kërkon epoka, në të cilën sapo kemi hyrë, ka qenë dhe është lëvizja e madhe gjithpërfshirëse e krejt Kombit tonë, në vitet dhe në ditët që po jetojmë. Mbushet fejzbuku me qindra flamuj e stema, mbushen sallat e koncertevet me shikues e dëgjues të këngëvet e të muzikës sonë patriotike, mbushen stadiumet e sheshet e qytetevet me mijëra tifozë të Kombëtares Shqiptare, krijohen anembanë botës shoqata të panumërta shqiptarësh, bëhen përpjekje për t’u organizuar në gjithfarë lëvizjesh mbarëkombëtare, dijetarë e analistë të ndryshëm hartojnë teza e deri traktate të plotë lidhur me pyetjen e madhe: Ç’duhet të bëjë sot, në këto rrethana të reja, Kombi Shqiptar, i rrethuar prej lakmitarësh të papërmbajtshëm, i mpleksur në rrjete intrigash fuqishë të mëdha e të vogla, i rrëzikuar edhe drejtpëdrejt prej ripërçarjesh e madje edhe prej ricopëtimesh?!
Para 5-6 vjetësh, me ndihmën e pakursyer të një djali matjan, deputetit Bedri Hoxha, arrita të nxjerr në dritë librin tim “Strategjia e shqiptarëvet”. Libri, që i takon llojit të manifestit, në rastin tonë manifest kombëtar, doli më 2011-n dhe u prit me miratim nga njerëzit që e lexuan.

Njëri ndër zëdhënësit më të zellshëm të këtij manifesti u bë një djalë nga Prizreni, Sheradin Berisha, pjesëmarrës familjarisht në luftën për çlirimin e Kosovës, tash me punë në Shtutgard të Gjermanisë dhe kryeredaktor i një portali nga më prestigjozët midis rrjetevet tanë socialë, “pashtriku.org”, në faqet e të cilit marrin pjesë me studimet dhe shkrimet e vet përmbi 300 autorë. Nga dita kur e lexoi librin tim “Strategjia e shqiptarëvet” dhe kur ra në kontakt me mua, Sheradin Berisha i ka publikuar në faqet e portalit të vet, edhe librin (onlain), edhe një varg shkrimesh të tjerë, që lidhen me këtë problem shumë të madh të Kombit tonë.
Publikimet që bëri Sheradin Berisha lidhur me platformën ‘Përkujdesja Shqiptare’, bënë që kjo platformë tashmë të ketë gjithnjë e më shumë përkrahës. Njëri prej këtyre përkrahësve, publicist, autor librash me vlerë dhe veprimtar patriotik prej shumë dekadash, është edhe tashmë miku im i ngushtë, Kadri Rexhaj, i vendosur prej kohësh me punë e banim në Zvicër.
Njëri prej përkrahësvet tërësisht të angazhuar të kësaj platforme, është edhe shoku im i ngushtë, që nga koha e fakultetit, gazetari i njohur Llazar Vero, sot me banim dhe veprimtar patriotik në Filadelfia të SHBA-së.
Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe shokun tim të kohëvet të ilegalitetit në vitet 1960 në Prizren, Fadil Cukajn, si dhe Salih Zybën, djalin e të ndjerit Haxhi Zyba, njërit prej shokëvet tanë ilegalë të po asaj kohe.
Në muajt e fundit, a ndoshta është më mirë të themi, në javët e fundit, m’u paraqitën, për t’u njohur me këtë platformë, zotërinjtë Bedri Zyberaj dhe Bejtush Isufi, me banim në Prishtinë.
Pasi ish njohur me platformën time, mendimi i z.Bejtush Isufi ishte që, pikërisht më 10 qershor 2016, të mblidhej pikërisht në Prizren një grup nismëtar i Përkujdesjes Shqiptare, duke e lidhur kështu veprimtarinë tonë me veprimtarinë e Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Mbledhja u bë. Merrnin pjesë rreth 40 nismëtarë. Edhe gati po aq ishin të deklaruar, por nuk mundën të ishin të pranishëm.
U parashtrua programi, u bënë arsyetime, pse u duhet shqiptarëvet një institucion i këtillë dhe u zgjodh një grup kontakti, me detyrën për të përgatitur tubimin themelues, i cili duhet të mbahet po në Prizren pas 1 viti dhe po më 10 qershor. Kryetar i këtij grupi kontakti u zgjodh z.Bejtush Isufi, për disa arsye:
1. Për ta njohur juridikisht institucionin tonë, të cilit i është “përcaktuar” qendra qysh në vitin 1878, paraqitësi i kërkesës duhet të jetë shtetas i Republikës së Kosovës.
2. Z.Bejtush Isufi është i ri në krahasim me mua. Unë jam tashmë afër të 80-avet dhe nuk kam më fuqi për të bërë punë kaq të mëdha.
3. Është praktikë që njihet në të gjitha fushat, por në fushën e ndërtimevet del më qartë se kudo gjetkë: Projektin e një ndërtimi e harton arkitekti, zbatimin e kryejnë inxhinierë e mjeshtër të tjerë.
Le t’i bëjmë këtu edhe 2 paralelizma të tjerë: Krishtërimin e ideoi dhe themeloi Jezu Krishti, por ishin apostujt ata që e përhapën krishtërimin. Kuranin e predikoi Muhamedi, por janë pasuesit e tij ata që i vunë në jetë porositë e Kuranit.
Ne iliro-arbro-shqiptarët kemi qenë egoistë të pakundshoq dhe prandaj, me sa duket, jemi katandisur një grusht njerëz, duke u ngushtuar ditë për ditë. Përkujdesja Shqiptare ka nevojë që të ketë përhapës të përkushtuar, duke kryer secli detyrën që i takon. Pëndryshe, dështimi është i paracaktuar.
Dua të theksoj këtu, me një konsiderate të veçantë, se, në atë tubim nismëtarësh, mbledhur në Prizren më 10 qershor 2016, midis rreth 40 pjesëmarrësvet, 6 ishin matjanë. Unë atëherë thashë me vete: Asnjë punë e madhe për Kombin Shqiptar nuk është bërë e nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e matjanëvet.
***
Thelbi i platformës Përkujdesja Shqiptare është shumë i thjeshtë për t’u kuptuar dhe është gjithkështu i thjeshtë edhe për t’u zbatuar, sado që kërkon shumë përkushtim e sakrifica, personale dhe kolektive. Sidomos atje ku ithtarët dhe zbatuesit e një të këtillë program, shpeshherë do ta kenë edhe jetën të rrëzikuar. Në të kaluarën, për shkak të një shkronje shqipe, u është marrë jeta shqiptarëvet. As sot nuk kanë ndryshuar rrethanat.
Platforma Përkujdesja Shqiptare, si shumica e institucionevet ideologjiko-edukues, i ka 3 komponente kryesorë.
1. Komponenti i parë është një TEORI, teoria jonë kombëtare, krijuar ndër shekuj, por kryesisht dhe qartësisht e artikuluar prej autorëvet të Rilindjes sonë, filluar me
– Naum Veqilharxhin,
– Zef Jubanin,
– De Radën,
– D’ora D’Istrinë,
– Pashko Vasën,
– Sami Frashërin e të tjerë, vazhduar e përsosur me
– Hasan Prishtinën,
– Ismail Qemalin,
– Ndre Mjedën,
– Gjergj Fishtën,
– Mihail Gramenon,
– Luigj Gurakuqin e të tjerë.
Vepra e tyre është BIBLA E KOMBIT SHQIPTAR.
Përkujdesjes i mbetet detyrë vetëm për ta përzgjedhur, sistemuar, pasuruar me pjesë të kohëvet më të vona (një “Dhjatë e Re” shqiptare me vlerat e murevet sipër themelevet), dhe për ta publikuar në mënyrën më dinjitoze.
BIBLËN tonë nuk e ka asnjë komb tjetër në botë. Ajo predikon harmoni midis besimtarëvet të fevet të ndyshme, predikon vëllazëri e bashkëndërthurje Veri-Jug, predikon vëllazëri e bashkëshkrirje midis krahinavet, predikon shkuarje mirë me popujt fqinjë, sado që ata na kanë gjakosur e copëtuar me barbari. Këta parime nuk i ka askush tjetër, përveç nesh. Mbetet vetëm për t’i njohur e kuptuar përherë e më mirë dhe zbatuar përherë e prej më shumë njerëzvet të Kombit Shqiptar. Po sjell vetëm një fragment të Fan Nolit, ndoshta një e njëmijta pjesë e kësaj BIBLE:
“Flamur që lind Shën Kostandin,
Pajton Islamn e Krishtërimn’
Çpall midis feve vëllazërimn’,
Flamur bujar për Njerëzi.”
“Përjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintja shpirtin e fuqinë,
Diell për vllan’, yrnek për fqinë,
Për botën ëndr’ e qiell i ri.”
Mund të rrimë një javë ballë këtyre 8 vargjeve duke predikuar virtytet e Kombit tonë.
2. Komponenti i dytë i Përkujdesjes është NJË UDHËHEQJE. Dihet që pa udhëheqje s’ka kund, jo institucion kombëtar, por as një shoqatëz fare të vockël. Udhëheqja qendrore, me seli në Prizren, do të ketë një KRYESI dhe një KËSHILL TË MADH. Kryesia, simbolikisht dhe shenjtërisht, do të marrë si shembull Komitetin e Stambollit krijuar në vitin 1886. Ai Komitet ka pasur 9 anëtarë dhe kjo Kryesi do të ketë gjithashtu 9 anëtarë. Natyrisht që funksionet e tyre do të jenë të ndryshëm, sepse edhe faza e zhvillimit tonë historik është tjetër.
Do thënë që në fillim që Përkujdesja Shqiptare nuk parashikon të ketë antarësi me lista, siç kanë shoqatat apo partitë e ndryshme. Pjesëtarë të Përkujdesjes Shqiptare, nën përkujdesjen e saj dhe me detyra ndaj saj, janë parimisht që të gjithë shqiptarët dhe madje edhe ata që, për shkaqe rrethanash, mund të mos e zotërojnë gjuhën e të parëvet të vet. Të gjithë fëmijët me prindër shqiptarë, nga çasti kur lindin, janë pjesëtarë të kësaj Përkujdesjeje dhe regjistrohen sit të tillë në dokumente të rregullt.
– ANËTARI I PARË i Kryesisë do të ketë rolin e Kryetarit dhe do të ketë detyrë t’i organizojë të gjitha punët nëpërmjet 8 anëtarëvet të tjerë. Midis tjerash, Anëtari i Parë i Kryesisë së Përkujdesjes Shqiptare do të ketë edhe përgjegjësinë financiare, mënyrën dhe transparencën, tejdukshmërinë e sigurimit e grumbullimit të mjetevet financiarë, si dhe menaxhimin, përdorimin e tyre. Ky dhe të gjithë të tjerët, do të kenë kabinetet e vet me një numër nëpunësish, sipas kërkesavet të punës dhe, natyrisht, sipas mundësivet financiare.
– ANËTARI I DYTË i Kryesisë do të ketë rolin e Nënkryetarit, për ta zëvendësuar atë kur mungon, dhe kontaktet me personalitetet e Kombit Shqiptar. Kjo është një nga detyrat më të mëdha që ka Përkujdesja Shqiptare, sepse kontaktet me masën e shqiptarëvet të thjeshtë janë dhjetëfish më të lehtë për t’u realizuar. Në punën e vet ky Anëtar i Kryesisë do të bashkëveprojë me të gjithë Anëtarët e tjerë të Kryesisë që do t’i shohim më poshtë.
– ANËTARI I TRETË do të jetë i ngarkuar të kontaktojë dhe të punojë efektivisht me klerikët dhe kryeklerikët e të gjithë besimevet që veprojnë brenda Kombit Shqiptar, me qëllim që të sigurojë një harmoni të pandërprerë midis konfesionevet tanë, ashtu siç edhe e kanë përkufizuar (simbolikisht) rilindësit tanë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!” Edhe këtu Përkujdesja Shqiptare ka punë shumë të madhe. Po ky Anëtar i Tretë do të kontaktojë e punojë në mënyrë të vazhdueshme edhe me funksionarët e partivet të ndryshme politike shqiptare, si dhe me udhëheqësit e shoqatavet, në mënyrë që edhe atje të sigurohet mirëshkuarja e domosdoshme, sidomos në ato pika që kanë të bëjnë me interesat jetikë të Kombit.
– ANËTARI I KATËRT do të ketë punë me mërgatën e hershme arbërore, shpërndarë sot, jo vetëm në Italinë e Jugut, në Greqi, në Turqi apo në Dalmaci, por në të gjithë kontinentet. Mërgata jonë e hershme është “gjaku ynë i shprishur”, të cilin Përkujdesja Shqiptare duhet ta mbledhë pikë-pikë dhe ta rikthejë në rrjedhën normale nëpër arteriet e Kombit të vet.
– ANËTARI I PESTË do të ketë nën përkujdesjen e vet mërgatën tonë të 2 shekujvet të fundit. Kjo mërgatë e jona përbën numerikisht pjesën më të madhe të Kombit tonë. Numerikisht më e madhe, ekonomikisht më e pasur, por është edhe në pikëpamje kulturore, në disa aspekte, në disa grupime apo individë, mjaft e përparuar. Mirëpo, do të mjaftonte t’i përgjigjeshim me statistikë kësaj pyetjeje: Sa fëmijë të kësaj mërgate lindin shqiptarë dhe sa prej tyre nuk vdesin shqiptarë, por vdesin me emra të ndërruar dhe me gjuhë shqipe të pamësuar kurrë?! Mjafton vetëm kjo, që të kuptojmë sa shumë punë ka ky Anëtar i pestë i Kryesisë, bashkë me stafin e vet.
– ANËTARI I GJASHTË i Kryesisë së Përkujdesjes Shqiptare do të merret me shqiptarët autoktonë në Republikën e Greqisë (me çamët ortodoksë dhe me shqiptarë të tjerë të asaj pjese të Shqipërisë), me shqiptarët autoktonë në Republikën e Sërbisë dhe me shqiptarët autoktonë në Republikën e Malit të Zi. Në të gjitha këto republika fqinje, ku gjenden toka të Shqipërisë dhe banorë shqiptarë në tokat e veta, shtetas të atyre republikave, institucioni i Përkujdesjes Shqiptare duhet të hapë degët e veta dhe të veprojë atje me të gjithë mjetet që ia lejon demokracia aktuale dhe, me anë të atyre degëve, të ndikojë te të gjitha qeveritë, qoftë të 2 shteteve të Shqipërisë, qoftë të atyre shteteve ku jetojnë ata shqiptarë. Ky Anëtar i gjashtë do të ketë punë me shumë pengesa e rrëziqe, ndërsa veprimtarëvet e tij në terren mund të ndodhë që t’u rrëzikohet edhe jeta.
– ANËTARI I SHTATË do të ngarkohet nga Kryesia që të përkujdeset për shqiptarët në të quajturën Ish-Republikë Jugosllave e Maqedonisë. Dihet tashmë që shqiptarët në IRJM kanë probleme të panumërt. Që nga marrëdhëniet me njëri-tjetrin, midis partivet, nga marrëdhëniet me bashkështetasit e tyre sllavë, të vetëquajtur maqedonë, e deri te ekonomia e tyre, kultura, shkollimi, si dhe kultivimi i vetëdijes progresiste kombëtare. Gjendja e shqiptarëvet, të cilëvet historia ua ka imponuar jetesën në një shtet binacional, është aq problemore, sa ajo mund të shfrytëzohet prej gjithfarë forcash destruktive, për ta destabilizuar Gadishullin e Ilirio-Thrakisë deri në shkallën e një lufte të re. Përkujdesja jonë nuk shkon atje për të nxitur konfliktet, por për të gjetur mënyrat që të shmangen konfliktet. Natyrisht, pa i sakrifikuar as sa një fije floku të drejtat e Kombit tonë.
– ANËTARI I TETË do të ketë detyrë të përkujdeset për shqiptarët në Republikën e Kosovës. Mund të thotë dikush që aty tashmë kujdeset shteti. Është e vërtetë që duhet të kujdeset shteti, jo vetëm për shqiptarët, por për secilin shtetas të vetin, por punën e Përkujdesjes nuk mund ta zëvendësojë asnjë lloj shteti. Mjafton të bëjmë pyetjen: “Po për shtetin kush kujdeset?” Në kuptimin filozofik, Përkujdesja ideologjiko-edukative, e cila i shtron dhe i zgjidh problemet në mënyrën më të studiuar e të mençur, ushtron njëkohësisht edhe përkujdesjen ndaj vetë pushtetarëvet, jo duke i trembur, jo duke i kërcënuar, por duke krijuar me ta një klimë bashkëpunimi sa më të frytshme të jetë e mundur. Po mjaftohem të sjell vetëm njërin prej mijëra shembujvet: “Linjën e interkonjukcionit Kosovë-Shqipëri”. Kështu thotë një kryqeveritar i njërit prej 2 shteteve të Shqipërisë. Në pikëpamje terminologjike ai është krejt jashtë realitetit të Kombit dhe Atdheut të vet. Është kryeqeveritar, por është totalisht i painformuar në konceptimin e raportevet komb-shtet. Nuk e bën dot kurrsesi dallimin gjuhësor midis një administrate, historikisht të përkohshme, dhe ekzistencës së një kombi, shekullisht i pandyshueshëm. Nëse ky kryepushtetar do të ishte minimalisht i vetëdijshëm, do të mjaftonte që shprehjen “Kosovë-Shqipëri” ta shqiptonte “Republikë e Kosovës-Republikë e Shqipërisë”. Kaq do t’i duhej këtij kryeqeveritari, nëse nuk do të ishte totalisht i paudhëzuar në konceptimin e atdheut dhe të kombit të vet. Detyra e Përkujdesjes Shqiptare do të jetë që, pikërisht të këtilla rutina kanceroze në të folurit tonë të përditshëm t’i konstatojë dhe t’i ndryshojë “ndë e mirë”, siç do të thoshte Dom Gjon Buzuku. Se ç’probleme të tjerë ka Republika e Kosovës, shih më poshtë.
– ANËTARI I NËNTË i Kryesisë së Përkujdsjes Shqiptare do të jetë ngarkuar të përkujdeset ndaj shqiptarëvet në Republikën e Shqipërisë. Mjafton të kujtojmë vetëm disa prej dukurive që e shqetësojnë keqas këtë pjesë të Shqipërisë, që ta kuptojmë sa shumë punët i ka ky Anëtari i tetë i Kryesisë. Gjaqet, gjakmarrja, gjakfalja, ngujimet. Kjo plagë e jona asesi nuk mund të shërohet vetëm ne institucionin tashmë të çoroditur të pajtimit të gjaqevet. Duhet parandalimi i vrasjevet dhe këtë askush nuk mund ta bëjë, në mos e bëftë dot Përkujdesja Shqiptare. Ashpërsimi i marrëdhënievet brenda familjes shqiptare, që shpeshherë po shndërrohet në tragjedi. Trafikimi i njerëzvet. Trafikimi i organevet njerëzorë. Korrupsioni. Sistermi arsimor, i cili, në shumë aspekte, po del jashtë qëllimit dhe misionit për të cilin është krijuar. I quajturi sistem i drejtësisë, i cili, mirëfilli kriminalisht, e ka marrë drejtësinë nëpër këmbë. Shëndetësia, përfshirë aty edhe farmaceutikën, e cila, në një shumicë rastesh, po vepron kundër shëndetit të shqiptarëvet. Përdorimi i drogës që po i merr më qafë mijëra shqiptarë. Lojërat e fatit dhe bixhozi, shkatërruese të jetës së mijëra individëvet dhe qindra familjevet. A pak probleme ka dhe kush do të mund t’i vërë në rrugët e zgjidhjevet, nëse nuk do të kemi një instotucion të Përkujdesjes?! Njerëzvet që do t’u hyjnë punëvet për t’i mjekuar këto plagë në Republikën e Shqipërisë, shpeshherë do t’u rrëzikohet jeta.
***
Secili prej këtyre 9 Anëtarëve të Kryesisë së Përkujdesjes, siç edhe e thashë te Anëtari i parë, duhet të ketë aq shumë nëpunës nën urdhërat e vet, sa që krejt veprimtaria e tyre do t’i ngjajë punës së një ministrie.
Përveç Kryesisë me 9 anëtarë, Përkujdesja ka në udhëheqje, edhe një KËSHILL TË MADH me 171 anëtarë, të ndarë simbolikisht në 3 pjesë:
– Këshilli i të Moshuarvet me 89 anëtarë, aq sa vite ka rrojtur Jeronim De Rada,
– Këshilli i Moshës së Mesme me 52 anëtarë, aq sa vite ka rrojtur Isa Boletini dhe
– Këshilli i të Rinjvet me 30 anëtarë, aq sa vite ka rrojtur Papa Kristo Negovani.
Ky Këshill i Madh do të mblidhet, si rregull, njëherë në vit dhe ka detyrë (mision) të mbikqyrë punën e Kryesisë, si dhe të vendosë, kur duhet, edhe zëvendësimin e ndonjë anëtari apo të krejt Kryesisë, me të tjerë funksionarë.
3. Komponenti i tretë i Përkujdesjes Shqiptare është pjesa institucionale E ZBATIMIT NË TERREN të Biblës sonë Kombëtare, si dhe të urdhëresavet apo udhëzimevet të Kryesisë.
Zbatimi në terren i çfarëdo ideje a orientimi nuk mund të realizohet pa NJËSITË VENDORE përkatëse. Idetë dhe orientimet mund të jenë shumë të mirë ose mund të jenë edhe të këqinj, por pa iu ofruar organizativisht komunitetit, aty ku ai komunitet bën jetën e vet të përditshme, ato ide e ata orientime nuk mund të japin rezultatet e dëshiruar. Po kështu, as përkujdesja, aty ku njerëzit kanë nevojë për të, nuk mund të realizohet për së largu. Përhapës të idevet, lajmevet e orientimevet, gazeta, libra, filma, rrjete socialë, sidomos në kohën e sotme, ka me shumicë. Madje ka aq shumë përhapës ideshë, lajmesh e orientimesh apo dizorientimesh, sa ata kanë sjellë e po sjellin përditë e pënatë një konfuzion të paparë as në kohërat më të errëta të historisë njerëzore.
Këtë komponent të tretë të Përkujdesjes unë kam konceptuar si një numër tempujsh, ndërtesash, me një arkitekturë të mirëstudiuar, ku, në formë rituale dhe sipas një rregulli qartësisht të përcaktuar, pra, të standardizuar, të zhvillohen veprimtari të shumta në shërbimin konkret të komunitetit.
Njësinë e këtij komponenti të tretë dhe jetik të këtij institucioni që po duam të themelojmë, unë fillimisht e pata quajtur Fjalëmira e Gjuhës Shqipe, por me sugjerimin e Abdyl Kadollit, publicistit të njohur, me të cilin kemi qenë dikur bashkënxënës në Normalen e Prizrenit, e reduktuam në FJALËMIRA SHQIPE. Të atilla Fjalëmira Shqipe do të synohet të ndërtohen e të hapen kudo ku ka shqiptarë dhe kjo do të thotë që Kombit Shqiptar do t’i duhet të ndërtojë dhe të vërë në punë, brenda këtij shekulli, diku rreth 150 mijë Fjalëmira. Kuptohet, nëse Kombi Shqiptar do ta kuptojë që vetëm kështu mund t’i shpëtojë rrudhjes së mëtejshme.
Në krye të secilës Fjalëmirë Shqipe duhet të qëndrojë një ligjërues a profesor, njohës i mirë i gjuhës shqipe, i historisë së shqiptarëvet, i gjeografisë së Shqipërisë e i tjera shkencavet që lidhen me Kombin tonë.
Ritmika e punës, përgjithësisht do të jetë kjo:
Në çdo ditë të shtunë, në një orë të caktuar, do të mblidhet komuniteti në ambientin qendror të Fjalëmirës. Aty, pasi të jetë kënduar Himni ynë, ligjëruesi do të mbajë një ligjëratë 20-minutëshe nga fusha e albanologjisë. Dmth, do të trajtojë një fragment të Biblës sonë Kombëtare, të historisë, të gjuhës, të folklorit, të etnografisë. Në pushimin 10-minutësh do të mblidhen kontributet në të holla, por jo në formën rifugjo, siç e kemi pasur dhe e kemi zakon ne shqiptarët, por me një mënyrë strikt të përcaktuar, që të mos mund të ketë abuzime.
Pjesa e dytë e ligjëratës, prapë 20-minutëshe, do të trajtojë ngjarje aktuale, pas së cilës do të bëhet mbyllja e ritit, shoqëruar me muzikë të zgjedhur kombëtare shqiptare.
Në pjesën e tretë ligjëruesi do të mbledhë rreth vetes ata pjesëtarë të komunitetit, që kanë shqetësime dhe probleme apo që duan të tërheqin vëmendjen te ndonjë dukuri a ngjarje që sjell rrëziqe. Gjithë javën udhëheqësi i Fjalëmirës Sqipe punon, bën përpjekje, që çdo dukuri e keqe në atë komunitet të kapërcehet dhe të fitojë e mira, e bukura, e moralshmja, normalja. Të mos mendojë kush se janë të lehta këto punë. Por as të mos mendojë që, pa këtë formë trajtimi mendor e shpirtëror, Kombi ynë do të mund të përparojë.
Njerëzit tanë, kur përballen me formën e punës që parashtrova këtu, e kuptojnë këtë tezë tonën në mënyra nga më të ndryshmet. Disa e kuptojnë mirë platformën, por thonë që ne “nuk kemi shpatulla” për të bërë punë të tilla të mëdha. Disa e kuptojnë, por “nuk kanë kohë” të merren me këto punë, pasi janë të angazhuar me punë të tjera dhe kjo është e arsyetueshme. Një palë tjetër vënë si barrikadë pamundësinë financiare, “varfërinë” e shqiptarëvet, dhe as që duan të shohin që po këta shqiptarë për një kampionat futbolli shpenzojnë minimum 4 milionë e gjysmë euro. Disa të tjerë, që janë shumica, as që duan ta kuptojnë ç’po thuhet këtu dhe as që i hyjnë punës për ta lexuar literaturën tonë jo të pakët, tashmë të publikuar. Dhe, “më e bukura”, shumë nga shqiptarët “e mençur”, e lexojnë (apo thonë që e kanë lexuar) platformën në fjalë dhe, në vend që të pajtohen me të ose ta hedhin poshtë, të thërrasin për të “realizuar së bashku” një tjetër platformë, shkruar me nga 2 e 3 gabime në çdo fjalë.
Ndërkohë, Kombi ynë, sa vjen e pakësohet, asimilohet, rrudhet e rrëgjohet, Atdheu ynë sa vjen e ngushtohet, duke iu hequr herë një copë e herë një tjetër, ekonomia jonë ka mbetur përjetësisht në bisht të të gjitha ekonomivet rrethe e rrotull, shqiptarët largohen me mijëra prej vendit të vet dhe, në krejt këtë kuadër kaq tragjik të realitetit tonë, do të mjaftonte vetëm kjo: Të kuptonin të gjithë këta njerëz të botës sonë shqiptare, ç’do të thotë, cila është domethënia e shprehjes PËRKUJDESJE E ORGANIZUAR?!
Durrës, 30 qershor 2016

Prizren, 10 qershor 2016: Grupi Nismëtar i Përkujdesjes Shqiptare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura