GJOKË DABAJ: JETËN E NXËNËSVET NUK E MBRON DOT POLICIA

Durrës, 07. 12. 2013 – Them kështu, sepse po dëgjojmë çudira. Nxënësin nuk mund ta ruajë policia. Edhe nëse çdo shkollë rrethohet me polici, nxënësin do të mund ta vrasë dikush jashtë shkollës. Edhe nëse i mbledhin të gjitha armët e zjarrit, nxënësin do të mund ta vrasë dikush me armë pa zjarr: me thikë, me levë, me kaçavidë, me gur, me tullë, me shiringë, me stol. Nxënësit mund t’ia shkatërrojnë jetën me drogë. Nxënësit mund t’ia shkurtojnë jetën me duhan dhe me alkol. Nxënësit mund t’ia çorientojnë jetën me “lojëra fati” e me bixhoz. Nxënëses mund t’ia zhvleftësojnë jetën, duke ia prishur virgjërinë që në moshën 12-13-vjeçe.
Nxënësin mund ta shndërrojnë edhe në vrasës, dhe policisë të mos i mbetet tjetër, veçse ta çojë në burg atë nxënës, tashmë përjetësisht të palumturueshëm.
Atëherë, kush mund dhe DUHET ta ruajë e ta mbrojë nxënësin nga rrëziqet?! Do të jap këtu një përgjigje, e cila do të mund t’u shërbejë organevet përkatës, nëse duan ta vënë në rrugën e zgjidhjes këtë punë.
JANË 3 FAKTORË KRYESORË, që e mbrojnë dhe e ruajnë fëmijën, dmth nxënësin:
– PRINDI (si kategori, dmth të 2 prindët),
– MËSUESI (si kategori, dmth tërësia e mësimdhënësvet) dhe
– VETË NXËNËSI.
Ky, faktori i tretë, bëhet gradualisht VENDIMTARI. Kjo do të thotë që, duke pasur fëmija, gjegjësisht nxënësi, rreth vetes 2 ROJA SYPAFJETUR, ai, ditë pas dite, mësohet ta ruajë veten VETË.

Nxënësi Adriatik Tota, (16 vjeçar) – i cili më 4 dhjetor 2013 u vra, në ambientet e shkollës “Beqir Çela” në Shkozet të Durrësit!

…………………………………….

Shikoni Video’materialet

 Jashtë kësaj TRESHEJE, nxënësi (fëmija) mund të ketë me dhjetëra të tjerë ruajtës dhe mbrojtës: xhaxhanë, hallën, tezen, shokun, shoqen, fqinjin, kalimtarin, shoferin, muratorin ndërtues, shkrimtarin, kineastin, prodhuesin e lodravet, prodhuesin e ushqimevet, mjekun, farmacistin, botuesin e revistavet, midis të cilëvet, doemos, edhe policin.
Sigurisht, nuk është detyrë e vogël kjo e POLICIT, për të ruajtur, MIDIS TJERËVET, edhe kalamajtë. Por nuk kanë aspak detyrë më të vogël as kategoritë e tjera të shoqërisë. Merrini me radhë, po të doni, që të gjithë! Ç’do t’i ndodhë fëmijës së sëmurë, në qoftë se farmacisti do t’i japë ilaçe të skaduar?! Ç’u ndodh fëmijëvet, kur në një restorant u jepen nxënësvet ekskursionistë ushqime të prishur?
Kur vjen puna që nxënësit t’i ruajnë, me pistoletë në brez, policët e një shteti, opinioni duhet ta dijë mirë që ai shtet është i sëmurë rëndë. E unë nuk po flas këtu vetëm për Shqipërinë, por edhe për SHBA-në apo për cilindo shtet tjetër, ku nxënësit vrasin ose vriten.
Si e ruan apo e mbron PRINDI fëmijën nga rrëziqet? E ruan, duke e EDUKUAR qysh në moshën 3-ditëshe. Me veprime, por edhe me fjalë, madje duke ia kënduar fjalët. Një nënë, nëse nuk ka mësuar t’i këndojë fëmijës qysh më parë (vëllait apo motrës), duhet të mësojë sapo ta ketë lindur foshnjën. Fëmija edukohet në radhë të parë me veprimet e prindit. Kjo është një punë e madhe, njëkohësisht punë shumë serioze. Ç’bën me këpucët prindi, kur hyn në shtëpi?! Ç’bën me rrobat, me xhupin, me xhaketën? Ku i mban prindi këmbët, kur ulet te kolltuku? A i mban mbi tavolinë? Si i flet prindi prindit dhe si u flet prindi të tjerëvet? A rrihen prindët njëri me tjetrin? Si komunikon prindi me fqinjët? A e vjedh prindi rrymën elektrike? A e lë çesmën hapur kur lan duart? Ku i mban veglat e rrojës? Si e mban dhomën e gjumit, vendin ku zakonisht nuk hyjnë të tjerë njerëz? A lexon apo nuk lexon libra prindi? Ç’filma shikon prindi? A i kursen paratë prindi, apo i harxhon si t’i vijë? A dehet prindi? A luan kumar prindi? A pi duhan prindi? Nëse e do shumë fëmijën tënd, lëre duhanin, sapo të jesh bërë prind! Përndryshe, mos thuaj që e do fëmijën!
Këshillat prindërore janë gjithkështu të panumrueshme, por ato kanë efekt, siç u pa, vetëm kur prindi ta ketë “këshilluar” më parë fëmijën me veprimet e vet. “Mos i fut gishtat te priza, se të zë korenti.” (Këtu bëhet edhe teatër: Nëna, gjyshja ose motra e madhe e afron dorën te priza, i jati bërtet: “Mos i afro duart atje!”) “Mos e derdh ushqimin, se mbetesh pa ngrënë!” (Në rast se ndodh që fëmija e derdh pjatën, prindit nuk i lejohet kurrsesi ta rimbushë atë pjatë për atë natë. Le të rrijë pa ngrënë, se s’i bëhet gjë!) “Rregulloje vetë krevatin ku ke fjetur!” (Nëse fëmija, natyrisht mbasi të jetë rritur pak, nuk e bën shprehi për ta rregulluar vetë krevatin e vet, prindi duhet doemos të gjejë mënyra për t’ia krijuar këtë shprehi fëmijës së vet.) “Sillu mirë me shokët! Jo si qyqar, por as si kapadai!” (Edhe këtu prindi ka një barrë shumë të madhe, por kjo do të bëhet shumë më e lehtë, pasi ai, për vete, t’i ketë zgjidhur me dinjitet problemet me të tjerët.) “Dëgjoje mësuesin, bëji detyrat dhe mësoji mësimet!” (Atë natë që fëmija të mos i ketë kryer punët që ia ka ngarkuar mësuesi, FAMILJA nuk ka të drejtë të shikojë televizor. Do të rrijë televizori gjithë kohën i mbyllur. Por edhe goja e prindëvet do të rrijë përgjithësisht e mbyllur atë natë.)
Pas këtyre, mund dhe duhet të kalohen nëpër mend edhe nja 2000 a 5000 shembuj të tjerë.
Por dihet mirë që jo të gjithë prindët janë në gjendje t’i përgatisin kështu fëmijët për jetën. Dihet edhe që ka prindër injorantë e ka edhe më shumë prindër të edukuar keq. Sido që të themi dhe çfarëdo që të themi, sa herë që t’ia lëmë policisë punët që prindi i ka lënë mangut, s’do të kemi tjetër, veçse tragjedi. Policia vjen në konsideratë dhe thirret në ndihmë vetëm atëherë kur punët edukuese të prindit kanë marrë prej kohësh tatëpjetën.
Si e ruan dhe e mbron MËSUESI nxënësin? A mos, duke lajmëruar në polici që “këtu po rrihen” ose: “këtu po theren”?! Pikërisht ky është problem që, jo vetëm ne shqiptarët, por krejt shoqëria e sotme njerëzore duhet ta shikojë dhe ta trajtojë si një dukuri në krizë. Edhe ekonomia e financa botërore janë në krizë, edhe morali njerëzor është në krizë, edhe familja është në krizë, edhe religjionet janë në krizë, por arsimi është një nga sektorët, në të cilin, o duhet ndërhyrë sa më shpejt të jetë e mundur, o të mos shpresohet në kapërcimin e asnjë lloj krize, nga këto që i numërova.
Pse po e them këtë me kaq alarm? Po e them, sepse: Nga dalin politikanët që nuk po i drejtojnë mirë shtetet? (E ka marrë malli botën e sotme të shikojë burra të madhërishëm dhe gra të madhërishme në krye të shtetevet.) Nga dalin intelektualët, të cilët në shumicën e rastevet i shërbejnë vetëm parasë, rrogës?! (Më thoni: Sa shkencëtarë kanë refuzuar publikisht të punojnë në prodhimin e armëvet bërthamore? Sa shkencëtarë kanë refuzuar deri më sot të japin kontribut në prodhimin e helmevet fëmijëvrasës?) Nga dalin kriminelët, për të cilët po duhet të shtohen burgjet ditë për ditë e prapë ata burgje po mbeten të mbipopulluar? Nga dalin prodhuesit, tregtuesit apo përdoruesit e drogës? Nga dalin armatat e prostitutavet, ato të pakamufluarat, por edhe ato që e hiqen veten si bashkëshorte të ndershme? Nga dalin njerëzit që nuk i shtrohen punës për të punuar, por vijnë vërdallë gjithë jetën duke kërkuar punë “të lehta”? Nga dalin kontrabandistët e mallravet dhe trafikantët, jo vetëm të njerëzvet, por edhe të organevet njerëzorë? Nga dalin tregtarët e foshnjavet? Le më vrasësit e foshnjavet, ushtarët mercenarë!.. Ç’të numërojmë më tutje?! Që të gjithë këta, ose kalojnë nëpër shkolla, madje një pjesë deri në shkallët më të larta, ose e braktisin shkollën.
Edhe ata “analistë” apo “teoricienë”, të cilët po i vënë “detyra” policisë, për të na i ruajtur kalamajtë prej rrëziqesh, po nga shkollat kanë dalë, por s’kanë mësuar gjë prej gjëje.
Që te kohërat e orakujvet e të priftëreshavet nëpër tempujt paganë, e te rabinët, priftërinjtë e hoxhët, e deri te Rableja, Bekoni, Komenski, Pestaloci, Sen Simoni, Spenseri e Makarenkoja, të njëjtën punë ka pasë me popullin kjo kastë njerëzore, që ne sot e quajmë KASTA E MËSUESVET: Të përpunojë njeriun. T’i kultivojë njeriut një mendje të caktuar dhe një moral të caktuar.
Në shekullin XIX njerëzimi pa te shkolla, gjeti te sistemi arsimor, mënyrën më çudibërëse, për të përparuar: sistemin e shkollimit në masë.
Sistemi i shkollimit në masë, që u aplikua në shekullin XX, sistemi i të pajisurit me arsim të të gjithë banorëvet, bëri, natyrisht, midis tjerash, që njerëzimi të njohë të atillë përparime, sa, brenda më pak se 1 shekulli, popullsia e Rruzullit të Tokës, nga 1 miliardë ë shkojë, të arrijë në 7 miliardë.
Mirëpo tash, për fat të keq, ka ardhur një e atillë gjendje që, o duhet shpikur diçka që shkolla të mbetet në rolin e çuarjes përpara të shoqërisë, (S’është fjala për demografi, por për cilësi të njeriut.) ose ajo të bëhet, siç është bërë tashmë, FAKTOR I REGRESIT.(“Shkolla, faktor i regresit!?”, ka për të nënqeshur dikush me sarkazëm.)
* * *
Unë nuk po vazhdoj më tutje, sepse kaq janë përmasat e një shkrimi në gazetë, por po rikthehem pak te PUNA E MËSUESIT. Si duhet ta ruajë mësuesi nxënësin nga rrëziqet që e presin? Mësuesi i mëson nxënësit lexim dhe shkrim, në mënyrë që ai t’i PËRDOTRË leximin dhe shkrimin. Nuk ia mëson mësuesi nxënësit leximin dhe shkrimin për të mos i përdorur, por për t’i përdorur dhe pikërisht këtu edhe qëndron vështirësia e madhe. Mësuesi ia mëson nxënësit shkencat, por jo vetëm kaq. Ai i frymëzon nxënësit dashurinë ndaj shkencës dhe pikërisht këtu qëndron vështirësia e punës së tij. Mësuesi i mëson nxënësit të ruajë shëndetin, por kjo nuk mësohet vetëm me fjalë. Mësuesi i mëson praktikisht nxënësit rregullsinë dhe korrektësinë. Por, si do ta bësh të rregullt dhe korrekt, një nxënës, i cili në familje mund të mos ketë aspak rregull?! Pastaj, si ta bësh të rregullt një nxënës, i cili gjithë jetën e tij prej nxënësi e kalon në rrëmujë, në pluhur dhe në zhurmë? Mësuesi duhet ta mësojë nxënësin të mos jetë hipokrit. Mësuesi duhet ta mësojë nxënësin të mos rrihet me shokët. Mësuesi duhet ta mësojë nxënësin ta urrejë duhanin, jo ta pijë. Mësuesi duhet ta mësojë nxënësin të mos bëjë seks si macja e si pula, por të presë të martohet dhe pastaj të kënaqet me seks. Mësuesi duhet ta mësojë nxënësin të mos gënjejë, të mos vjedhë. Jo: Të mos DIJË të gënjejë e të vjedhë, por të mos DOJË të gënjejë e të vjedhë. Të mos grabisë, të mos lypë, të mos e ulë veten duke kërkuar mëshirë. Mësuesi duhet ta mësojë nxënësin të mos i shkatërrojë sendet, për të cilat është shpenzuar mundim njerëzor.
Që të gjitha këto punë të vështira është i thirrur mësuesi për t’i kryer. Madje ai ka për detyrë t’ia mësojë këto mënyra pune edhe prindit të nxënësit.
Por, si t’ia bëjmë, në qoftë se, ndër 10000 mësues, 7000 prej tyre nuk i kryejnë të gjitha këto punë ashtu si duhet?! A t’u ofrojmë literaturë?! A t’ua reformojmë metodat?! A t’u bëjmë mbledhje pas mbledhjesh?! A t’u kërkojmë mastera pas masterash?! A t’i vëmë secilit prej tyre nga një inspektor te koka?! Apo ta rrasim në burg ndonjërin, që fati i zi i e ka çuar afër një sherri midis 2 nxënësve?!
Mjafton të kalojmë nëpër mendje vetëm kaq sa thashë dhe të nxjerrim konkluzionin që, me gjendjen e sotme, me mënyrën si është sot i organizuar arsimi, as 80% e detyravet mësuesore nuk mund të realizohen. Dhe atëherë doemos do t’i lihet POLICISË për të VRAPUAR drejt shkollavet, pasi atje të kenë kërcitur armët. (Them: “Të kenë kërcitur armët”, sepse policia NUK VRAPON FARE, sikur me 100 nxënëse 13 a 15-vjeçare të kërcasë seksi nëpër nevojtore apo midis bankavet. NUK VRAPON, sepse kjo punë bëhet 1 këtu, 2 atje, dhe 1 sot, 4 nesër, gjë që policit as që i bën përshtypje. ) A është kjo zgjidhja?! Dua të them: a zgjidhet problem i krimit nëpër shkolla me polici? Sigurisht që jo.
E vetmja zgjidhje është, që MËSUESI të vihet metodikisht dhe organizativisht para DETYRIMIT për t’i kryer si duhet punët që ai DUHET t’i kryejë. Kjo nuk mund të arrihet kurrsesi as me këshillime, as me seminare pas seminaresh, as me “frymëzime” idealesh, por VETËM ME SISTEMIN E MARRJES NË DORËZIM të atyre nxënësve që ai i ka përgatitur. Në i pastë përgatitur, ia pranon mësuesi i klasës më të lartë, në mos, le t’i mbajë përsëri në po atë klasë dhe pagën le ta marrë mbi bazën e numrit të nxënësvet që ia ka pranuar kolegu. Do të viheshin kështu në të njëjtën pozitë përgjegjësie që të 3 FAKTORËT vendimtarë të edukimit: PRINDI, MËSUESI dhe NXËNËSI dhe puna e policisë, ashtu si edhe puna e funeralevet trupash të njomë e të parritur, VETËM KËSHTU do të mund të ulej në minimum.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura