Pashtriku.org, 6 korrik 2018:
Ftoheni të merrni pjesë:
Të premten, më 6 Korrik 2018, në ora 12:00
Instituti Albanologjik i Kosovës, Prishtinë
Gjithë jeta e Skender Ibishit që nga rinia e hershme ishte jetë politike. Dhe jetë politike për një njeri të sojit të tij, domethënë: ballafaqim me shumë anë të errëta jo vetëm të ish-Jugosllavisë: shkollimi deri edhe përfundimi i akademisë ushtarake në gjuhë të pushtuesit, angazhim i rrallë dhe shembullor në Lëvizjen atdhetare e shoqërore shqiptare për barazi e pavarësi të kohës, arrestim, nënçmim, dënim, burg, përbuzje, keqtrajtim,… dhe edhe në “pluralizëm politik” vazhdon angazhimi i përkushtuar e flijues, që përcillen me keqtrajtim, përndjekje, arratisje, jetë refugjati politik,… të gjitha këto janë vetëm disa nga përshkrimet që karakterizojnë jetë-rrugëtimin e tij.
Njerëzit si Skender Ibishi, që kanë vuajtur burg për arsye politike, shkaku i angazhimit në Lëvizjen e rezistencës, sakrifikimi i jetën dhe karrierës profesionale bashkë me privilegjet që u ka mundësuar funksioni i oficerit ushtarak, duke përjetuar arrestim edhe burg e vuajtur të rëndë, gjithmonë për të mirën e përgjithshme do të duhej të jetonin shumë më gjatë, jo vetëm për t’i kompensuar vitet e jetës në ambient të huaj deri edhe armiqësor, jo vetëm për vitet që ia ka grabitur një sistem i padrejtë shtetëror e gjyqësor. Pra, jo vetëm për shkak të së kaluarës së tij si veprimtar atdhetar e politik dhe i burgosur e i përndjekur politik, Skender Ibishi do të duhej të jetonte më shumë se sa vetëm deri në moshën 61 vjeçare. Ndoshta ngushëllimi i vetëm për të ishte se e pa vendin e tij të lirë. Mirëpo, si çdo idealisti e veprimtari atdhetar, as Skenderit kjo s’i mjaftonte. Liria për të ishte vetëm parakusht për të luftuar për një shoqëri të drejtë. Kosovës i duhen më shumë qytetarë të tillë.
***
Në vijim po japim një biografi të shkurtë përmbledhëse të Skender (Hamdi & Naile) Ibishit:
BIOGRAFIA e SKENDER (HAMDI e NAILE) IBISHIT
Skender Ibishi është lindur në acarin e dhjetorit të vitit 1956, në një familje të varfër, por nga prindërit të cilët me ato kushte të vështira kanë bërë çka është e mundur që fëmijët t’i risin dhe t’i shkollojnë për të qenë zot të vetvetes. Familja e Skender (Hamdi & Naile) Ibishit ka prejardhje nga Banja e Siarinës, që deri në vitin 1878 ishte pjesë përbërëse e Shqipërisë (së moçme)…
Familje me traditë atdhetare
Fatin e popullit shqiptar e ka pasur edhe familja e Skedner Hamdi Ibishit, e cila në regjimin serb përjetoi tortura dhe përndjekje. Kështu pas luftës së dytë botërore, Hamdiun në vitin 1946 e kishte dënua me 12 vjet heqje lirie (dy nga të cilat edhe i vuan), duke e akuzuar se kishte qenë aktiv në furnizimin me armë të luftëtarëve atdhetar shqiptar që nuk u pajtuan me sundimin e huaj të ri, por edhe akuza tjera të njohura të kohës në gjykimet e montuara politike të shqiptarëve nën pushtetin jugosllav. Atë pas arrestimit menjëherë e transferojnë në burgun e Shpuzës në Mal të Zi. Hamdiu dhe e shoqja Nailja kishin 7 fëmijë: Sadiku, Ramadani, Bahrija, Skënderi, Agimi, Faiku dhe Bashkimi.
Skender Ibishi shkollën fillore e kreu në Shkollën ish “Vlladimir Nazor” (tani “Naim Frashëri”) të Prishtinës. Gjatë klasave të larta të shkollës fillore, disa nga arsimtarët e kësaj shkolle, ishin mjaft aktivë në demonstratat e vitit 1968. Njëri nga ta, që tek kjo klasë ka lënë përshtypje, ishte posaçërisht arsimtari i historisë, kujdestari i klasës së Skënderit, Mustafa Arifi nga rrethi i Tetovës. Ky pedagog, veteran i 68’ës që inspiruan gjeneratën e 81’ës, edhe e motivon Skënderin të shkollohet për oficer ushtarak, duke arsyetuar se populli ynë ka nevojë për kuadro ushtarake.
Veteranët e 68-ës inspiruan gjeneratën e 81-shit
Gjimnazin Ushtarak Skenderi e kreu me vështirësi të mëdha, sepse ai atje shkon pa njohurit elementare në gjuhën serbo – kroate prandaj i është dashur shumë punë dhe angazhim për të arritur objektivat që ai i kishte vu vetes në atë kohë.
Pas përfundimit të gjimnazit ushtarak, Skenderi u regjistrua në Akademinë Ushtarake Tokësore në Beograd, drejtimi – Njësia e Blinduar.
Në Akademi Ushtarake, Skendri diplomoi në vitin 1980, duke mbrojtur temën e diplomës: “Përforcimi i togut, i njësisë së blinduar në mbrojtje ditën“.
Si gjatë vijimit të gjimnazit ushtarak, ashtu edhe më vonë sa ndiqte akademinë ushtarake në Serbi, Skënderi mbante kontakte të rregullta shoqërore me shokët e fëmijërisë dhe të shkollës fillore në Prishtinë i, dhe sa herë që vinte për pushime në Prishtinë, takohej dhe kohën e shumtë e kalonte bashkë me ta. Në ndejat e tyre, pos tjerash – ashtu si ndodhte asokohe – edhe në rrethe të tjera të shumta shoqërore, pos tjerash bisedoheshin edhe “hallet” e të rriturve si dhe zhvillimet në shoqëri dhe në vend. Pak a shumë ishim po të njëjtit shokë që ai takonte rregullisht: Osman Osmani, Lekë Nikolla, Kadri Cakiqi, Bahtir Ahmeti, shokët tjerë tanimë gjithashtu të ndjerë Ramiz Gashi e Hilmi Mehmeti dhe ndonjë tjetër. Përmbajtja e këtyre bisedave të zhvilluar mes nesh kishte të bënte konkretisht me situatën – edhe atëherë – të vështirë ekonomike dhe politike në Kosovë, për pakënaqësinë e popullit e posaçërisht të rinisë, që udhëheqja (edhe ajo e atëhershme) ishte e paaftë të zgjidhë këto çështje, që Kosovën e shfrytëzonte Serbia, që një situatë e tillë duhej ndryshuar dhe se kjo situatë do të ndryshonte nëse Kosova merr statutin e Republikës, që shqiptarët të cilët jetojnë jashtë Kosovës gjenden në një pozitë edhe ma të pabarabartë në krahasim me kombet tjera…
Këshilltar për çështje ushtarake në Organizatë (PKMLSHJ)
Skender Ibishi propozimin për angazhim në këtë Organizatë e pranoi me shumë dëshirë dhe pa asnjë hamendje edhe më të vogël. Kjo ndodhi nga mesi i vitit 1978. Ai do të merr pjesë edhe në mbledhjen themeluese të kësaj Organizate në vjeshtë të këtij viti në shtëpinë e Adem e Abdullah Prapashticës në ish-rrugën e Bihaqit (tani rr. Gjergj Fishta) në Prishtinë. Skenderi do të angazhohet në strukturat më të larta të Organizatës duke marr përsipër edhe funksionin e këshilltarit për çështje ushtarake.
Në përfundim të Akademisë Ushtarake në vitin 1980, ishte caktuar për ta mbajtur një seminar para anëtarëve të Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave me temën “ Bashkim –Vëllazërimi në Armatën Jugosllave”. Me këtë rast Skenderi duke u mbështetur në platformën e Organizatës ilegale që i takon, (në një version të përshtatur për këtë manifestim, ai bashkërisht me Abdullah Prapashticën dhe Osman Osmanin), në referatin e tij kryesisht thekson qartas nevojën e barazisë politike, ekonomike, sociale e administrativo territoriale të shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe krijimit të Republikës së shqiptarëve në ish RSFJ, gjë e cila më vonë gjatë hetimeve do të bëhet shkak për tortura shtesë
Arrestimi nga organet e ushtrisë jugosllave
Skender Ibishi në këtë organizatë do të veproj aktivisht deri në vitin 1982, kur edhe do të burgoset. Edhe pse “Një Majin” e vitit 1982, Skenderi nuk e kishte planifikuar që ta kaloj tek prindërit në Prishtinë, komandanti i batalionit ia kishte imponuar të shkonte për festë në Kosovë. Arsyet e të këtij imponimi Skënderi do t’i kuptonte tek më vonë. Në Prishtinë do të takohem me vëllain e Bahtir e Nysret Ahmetit, i cili do të tregojë Skënderit se Bahtirin, Nusretin, Kadriun e shokë tjerë i kishin burgosur, si dhe se edhe shtëpia e tij ishte nën kontrollin dhe vrojtimin e njerëzve të sigurimit. Operatorë të sigurimit shtetëror gjatë gjithë kohes Skenderin do ta përcillnin këmba-këmbës kudo që ai qarkullonte. Pas mbarimit të pushimit Skënderi do të kthehet në garnizon ushtarak ku shërbente si oficer. Karshi Skenderit menjëherë do të fillojnë provokimet e eprorëve, në veçanti të atyre të sigurimit ushtarak duke gjuajtur fjalë lidhur me gjendjen në Kosovë (ani pse ata gjendjen e dinin thuaja se më mirë se sa Skënderi). Më 16 maj 1982 Skënderi është dashur të shkojë në stërvitje të rregullta, por kjo stërvitje ushtarake do të shtyhet për një ditë më vonë. Siç do ta kuptoj më vonë Skënderi, e gjitha kjo do të bëhet mu për shkakun e tij. Të nesërmen tok me katër eprorë të tjerë joshqiptarë Skënderin do ta dërgojnë në Beograd, gjoja për një testim profesional. Në vend të testimit, Skënderin do ta dërgojnë drejt e në komandën e Armatës. Aty në një lloj bisede “informative”, siç u bë modë të thuhej më pas, e morën njëfarë gjenerali Buçiq dhe koloneli Jerko. Në fillim biseda dukej spontane, por gradualisht do të marrë konotacione të tjera dhe do të kalojë në politikë. Interesimi i tyre kryesisht kishte të bënte me demonstratat e vitit 1981, duke vënë theks veçanërisht mbi aktivitetin e organizatave ilegale të shqiptarëve. Dhe nga fundi i bisedës ata do të fillojnë t’i kërkojnë nga Skënderi emrat e shokëve të tij në Kosovë. Ai u thotë atyre fillimisht disa emra të personave që nuk ekzistonin, gjë që këta do t’i bëjë të revoltojnë keqas. Pas kësaj ata nga përpara Skënderit do të nxjerrin një fletë me emrat e shokëve të tij që tashmë organet e ndjekjes i kishin arrestuar në Kosovë. I njeh? – e pyetën – Shokë të shkollës fillore iu përgjigj atyre Skënderi. Pas kësaj në zyrë kishin hynë katër policë ushtarak dhe kishin kontrolluar Skënderin, të cilin më pas do ta dërgojnë në burgun hetues ushtarak të Beogradit.
Dëshmitarët e rrejshëm shqiptar
Në shqyrtimin kryesor në Gjyqin Ushtarak, Skender Ibishit dëshmitarë i dolën eprorë ushtarak shqiptarë, ca prej të cilëve ai as që i njihte. Ata flisnin për ta ngarkuar Skënderin sa më shumë, edhe pse ata asgjë konkrete nuk dinin për te, e aq më pak për veprimtarinë e tij politike. Dhe për kontributin e tyre të dhënë në këtë proces kundër Skender Ibishit, disa prej tyre edhe do të shpërblehen me gradime të reja dhe detyra të posaçme, duke kaluar në sigurimin ushtarak që të vazhdojnë me këtë avaz të denoncimit dhe akuzimit permanent të shqiptarëve në armatën e ish Jugosllavisë.
Angazhimi i mëtejmë në jetën politike pas burgut
Pas përfundimit të burgut famëkeq të Pozharevcit, veprimtaria kombëtare e Skender Ibishit, ashtu sikur fillimisht edhe e shumë veprimtarëve dhe të burgosur tjerë politik, do të vazhdojë aktivisht në kuadër të subjekteve posa të krijuara. Në LDK si anëtarë i Kryesisë së Degës së III-të dhe kryetar i komisionit për informim dhe komisionit për luftimin e huliganizmit dhe delikuencës. Është me rëndësi të theksohet se me iniciativën e Skender Ibishit u formuan këto komisione të cilat Skënderi i kultivoi aktivisht gjatë vitit 1990-1993, me qëllim kryesor përmbushjen e detyrave ushtarake… Pasi që policia serbe kishte spikatur këto përpjekje dhe donin ta arrestonin atë, sikur kishin arrestuar ish-eprorë tjerë ushtarak, të cilët ishin në formacionet e “Mbrojtjes Territoriale të Kosovës”, Skënderi detyrohet që ta lëshojë vendin.
Ai largohet ilegalisht duke kaluar përmes Maqedonisë deri në Shqipëri, fillimisht me mendimin vetëm për përkohësisht deri sa nuk qetësohej situata. Mirëpo, situata dhe rreziku për te nuk kaluan, kështu qe ai nga Shqipëria përmes Italisë kalon në Zvicër tek shokët me të cilët kishte filluar veprimtarinë atdhetare… Pas pak ditësh në Zvicër fitoj statusin e refugjatit politike dhe aty ishte rezident.
Edhe në Zvicër dallohet si veprimtar aktiv në të gjitha aktivitetet atdhetare të kohës në Zvicër dhe shtetet përreth.
Skënderi nuk i përkiste vetëm një subjekti politik
Veçoria pozitive që karakterizonte Skender Ibishin, ishte urtësia dhe respekti që tregonte për ata me secilin person që kishte të bënte ai. Aftësia e tij analizuese, parashikimi i veprimeve de zhvillimeve jo vetëm në Kosovë e viset shqiptare por edhe në regjion e më gjerë, e bënte atë të jetë nga më largpamësit ndër shokët dhe shoqet bashkëveprimtarë. Krahasuar me veprimtarët tjerë atdhetarë dhe thuaja se të gjithë ne tjerëve, shokëve dhe bashkëveprimtarëve të tij të ish Organizatës dhe në përgjithësi të Lëvizjes atdhetare shqiptar të dekadave të fundit, është se ai gjatë veprimtarisë, vuajtjes së dënimit, angazhimit politik pas daljes nga burgu, aktiviteti politik e shoqëror në mërgim si dhe jeta, puna e angazhimi pas kthimit në Kosovë arriti të ruajë ekuilibrin njerëzor e raportet e shëndosha njerëzore, edhe kur të tjerët – thënë butë – nuk ishin korrekt. Skënderi megjithatë në çdo situatë ishte tolerant dhe mirëkuptues. Nuk u armiqësua me asnjë person, pse ai/ajo mendonte ndryshe, apo pse ai/ajo i përkiste një subjekti tjetër…Ishte i shoqëruar ngushtë dhe bashkëpunonte konkretisht me persona dhe organizime shqiptare të kohës, pa paragjykuar pikëpamjet e tyre dhe përkatësinë grupore e organizative.
Pas luftës vendos që lëshojnë Zvicrën, ku si i arratisur politik kishte të rregulluar lejen e përhershme të qëndrimit, dhe bashkë me familjen (bashkëshorten Selveten dhe tre fëmijët Marigonën, Fjollën dhe Taulantin) kthehet përfundimisht në Kosovë.
Edhe pse të dy subjektet rivale në Kosovë (LDK e LDK) ishin në dijeni për veprimtarinë e mëhershme dhe gatishmërinë për të kontribuar si para, gjatë dhe pas luftës edhe në ndërtimin e sistemit të mekanizmave mbrojtës të Kosovës, ai u anashkalua pikërisht edhe nga vet ata që për tu ngritur në karrierën e tyre, janë ngjitur përmes Skënderit…. kështu pas kthimit në Kosovë ai edhe aplikon në TMK duke ndjekur procedurat e vura nga ndërkombëtarët neokolonialist por refuzohet pa asnjë arsyetim konkret… Pas kthimit nga Zvicra me siguri sociale e mirëqenie shoqërore në Kosovën e pasluftës, Skënderi dhe familja e tij ballafaqohet me mbijetesë fizike dhe tek pas një kohe mjaft ë gjatë e të mundimshme me ndihmën e bashkëveprimtarëve dhe miqve të tij familjar, arrin të punësohet në Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë. Aty punon për disa vite, deri edhe kur sëmuret rëndë, disa muaj para vdekjes së tij të hershme në moshën 61 vjeç.
Postime të Lidhura
FAHRI DAHRI: QËNDRESA SHQIPTARE NDAJ PENGESAVE ARMIQSORE GJATË 140 VITEVE TË FUNDIT
Itali, 25 prill 2018: (Disa ngjarje kryesore historike të rrugëtimit të kombit shqiptar) – Historikisht të gjithë shekujt…
YLLI POLOVINA: MAJ 1999, ROMË-PARIS, VIJOSLLAV SHESHELJ DHE VUK DRASHKOVIÇ ME ISMAIL KADARENË PËRBALLË (2)
Tiranë, 20 shkurt 2019: Ylli Polovina – Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë…
ZHVILLIMET E FUNDIT NË UKRAINË!
Njohuri bazike për zhvillimet në Lindje të Europës ZHVILLIMET E FUNDIT NË UKRAINË! Të hënën presidenti i Rusisë,…
UDB-a DHE SHQIPTARËT NË AMERIKË (13)
UDB-a DHE SHQIPTARËT NË AMERIKË (13) Nga Nafi Çegrani, Pashtriku 29. 09. 2022 PËRSE U LARGOVA NGA UDBJA…