Durrës, 20 nëntor 2019: (Me rastin e Festës së 28 Nëntorit 2019)
Kam në dorë 13 vëllime me poezi të Adem Zaplluzhës, nga afër 180 që i ka botuar deri tani. I lexova dhe i kalova nëpër duar të 13 librat nga 3-4 herë dhe konkluzioni im është që, për ta analizuar krejt veprën e këtij poeti, (siç do të duhej vepruar për të gjitha prurjet e reja letrare) duhet një punë institucionale. Individi, sado dashamirësi, kohë dhe vullnet të ketë, nuk do të mund ta kryente krejt punën analizuese dhe sqaruese që kërkon kjo krijimtari. Rrjedhimisht, unë po kufizohem këtu në njërin nga dimensionet e kësaj vepre, për aq sa lexova në këta 13 vëllime, dmth për vetëm 7% të krijimtarisë së tij. Mora në shqyrtim vetëm emrin ATDHE (me kontekstet përkatës) dhe më doli që ky emër është përdorur në këta 13 vëllime rreth 250 herë, më shumë nga të gjitha fjalët e tjera që mua m’u duk se duheshin shqyrtuar në pikëpamje stilistike. Kjo, mendoj unë, dëshmon më së miri që DIMENSIONI KRYESOR i veprës së Adem Zaplluzhës është dhe mbetet preokupimi i tij për fatet e KOMBIT E TË ATDHEUT tonë. Dhe kjo nuk është aspak rastësi.
Pa u ndalur në zbërthimin kuptimor të vargjevet, unë po i rendis këtu gati të gjithë rastet, në mënyrë që vetë lexuesi të mund të mendojë e konkludojë.
——————————
1.Te vëllimi 164, PAK DIELL E SHUMË ACAR:
„Atdheu na mbati diku larg/ Mes dallgëve të turbullta//“ (f.16)
„Atdheu sikur mos të kishte qenë kurrë/ Na humbi mes gishtave/ Mbetëm si zogjtë e trishtuar në shi//“ (f.20)
„Ky atdhe i humbur dhe i askujt//“ (f.20)
“Këto eshtra të plakura/ Sa shumë kanë nevojë/ Për një grusht dhe deltinor/ Të atdheut tim//” (f.21)
“Mbi varrin e vetmuar le të mbjellin/ Një rrap të maleve tona/ Le të binden njerëzit/ Se këtu rrapat/ Nuk rriten si në atdheun tim/ Për një mall të pashuar nuk lëshojnë shtat//” (f.21) Pra, në dhe të huaj as rrapi nuk lëshon shtat, sepse ka mall për vend të vet.
“Merrni me vete pushkën e gjyshit/ Vendoseni afër varrit tim/ Nëse thërret atdheu/ të mos e humb kohën/ duke e kërkuar”// (f.23)
“Ndoshta ju nuk e dini/ Por miqtë e mi kështu janë varrosur/ Edhe të vdekur po iu deshën atdheut/ Sa ora çohen në këmbë/ Çohen si dragonjtë/ T’i kafshojnë armiqtë me dhëmbë//“ (f.23)
“Sa herë hap sytë/ Shoh një atdhe të ndërtuar/ Prej iluzioneve//” (f.26)
“Kalaja me nostalgji shikon të kaluarën/ I kujtohen burrat/ Që e deshën/ Dhe me kranari vdiqën për atdheun//” (f.26)
“Zëra shekujsh të mbërthyer/ Si kryqi mbi fatin e atdheut//” (56)
“E pamë atdheun si ia prekte gishtat diellit//” (f.57)
„Shekuj me radhë vizatuam/ Mbi një gur të murrmë/ Fatin e atdheut/ Mermerët e kuq të Kosovës/ Asnjëherë s’e humbën ngjyrën all të gurit//“ (f.75)
„…në këtë tokë humusore/ Kurrë nuk vdesin këngët/ Rrapat në atdheun tim/ Janë të bekuar nga perenditë dardane/“ (f.82)
„Atdheun po ma gërryejnë gjarpërinjtë//“ (f.85)
„…as unë as vetmia/ Nuk bëzajnë/ Një… lloj frike verur në gozhdë/ Duket si një pykë druri/ Ngulur në trupin e atdheut//“ (f.86)
2.Te vëllimi 165, KUR KYÇEN YJET E HARRESËS:
„U shndërrove në zog/ Fluturove përtej shtatë qiejve/ Duke kërkuar yllin tënd/ Kurrë më nuk u ktheve në atdhe//“ (f.21) Është fjala për mërgimtarin që ikën e s’kthehet më.
„…unë nuk jam poet/ Pa atdhe/ Vendi im fillon atje/ Ku përfundon mallkimi juaj/ Pesëmijë vjet i ngrita çadrat/ Mbi ashtin e tokës mëmë//“ (f.31)
„Atdheu im fillon atje/ Ku përfundon anatema juaj//“ (f.31)
„Edhe nëse do të eci zvarrë/ Unë do të gjej në atdheun tim/ Një vend për një varr//“ (f.31)
„Por mos harroni/ Unë poeti/ Nuk jam njeriu pa atdhe/ Kam një varr mbi një dunë/ Ku shtrihem si dua unë//“ (f.32)
„Larg atdheut ndjejmë dënesje plepash//“ (f.35)
„Po qe se ulemi në ndonjë stol të braktisur/ Pranë ndonjë bliri/ Ndjejmë aromën e atdheut//“ (f.35)
„…do qëndroj këtu/Si fetusi në barkun e nënës/ Nuk kam se ku të shkoj/ Ky është atdheu im/ Dhe varri i gjyshërve të mi//“ (f.40)
„Dua të flë në djepin tim/ Gdhendur nga bungu i atdheut//“ (f.40)
„Tjetër atdhe nuk kam//“ (f.40)
„… asnjë përcjellës/ Nuk na ndiqte në udhëtimin tonë/ U ngjanim reve/ Dhe kuajve të egër/ Iknim diku sa më larg atdheut//“ (f.46)
„… në vend të huaj/ Varri nuk ka kurrfarë vlere//“ (f.52)
„Do dalim në rrugë/ Me mallin tonë të pashuar/ Se vetëm ashtu mund ta gjejmë atdheun//“ (fj.52)
„Thonë se dy gishta burrëri/ Ka secili njeri/ E nëse nuk varrosesh/ Në atdheun e gjyshërve/ Do mbetesh edhe pa ata dy gishta//“ (f.52)
„Asnjëherë nuk më vajti mendja/ Se kaq shumë…/ …do ta dua… atdheun/ Sa më larg që ikja…/ Aq më shumë/ Si uragan më rritej dashuria//“ (f.53)
„Të pushoj në ndonjë hije/ Ku më janë varrosur të parët/ Të ngre dolli/ Për ty atdhe//“ (f.53)
„Do të kthehem te ti atdheu im//“ (f.54)
„Do të kthehem një ditë te ti/ Atdheu im i paçmueshëm/ Nuk dua që ashti im të fosilizohet/ Në dhe të huaj//“ (f.54)
„Nëse do të mbetem vetëm/ Pa iluzione në atdhe/ Më tregoni/ Ku të shkoj me vetminë time//“ (f.57)
„Atdheu më mbeti përtej kodrave/ Kurse unë/ Larg pragjeve të lagjes/ I huaj në lëkurën e grisur të mërgimit//“ (f.57)
„Nëpër tërë gjeografinë e atdheut/ Si rrënjët lëshuan lastarë/ Edhe degët e shtrira të shpresës//“ (f.60)
„U linda i tillë me një këmishë të bardhë/ Atdheut ia fala dashurinë//“ (f.66)
„Lashë pas meje male e dete/ Për të mbërritur në atdhe/ Flijova edhe dashurinë time të parë//“ (f.66)
„Atdheu im i përvuajtur/ Sonte feston dhjetëvjetorin/ E lindjes/ Pa druajtje dua të shtoj/ Edhe pesë zero//“ (f.69)
„Të ngrejmë të gjithë sonte/ Nga një dolli/ Për shëndetin e atdheut//“ (f.69)
„Për dashurinë/ Dhe shëndetin e atdheut/ Do pimë deri sa të dehen perenditë//“ (f.70)
„O atdheu im i paçmueshëm/ Ti kurrë nuk ishe rob/ Ishe fantazmë për armikun/ Nuk i pranove zinxhirët e huaj/ Vdiqe edhe linde duke kënduar//“ (f.70)
„Lëkura e zeshkët përcëllon/ Si toka e çarë e atdheut tim/ Dielli përcëllues i Jugut/ M’i lanë flokët e palarë//“ (f.78)
3.Te vëllimi nr.166, NGA PRAGJET E SHTËPIVE:
„Janë shpeshtuar… fluturimet/ Atdheut jo që po i mbyllen dyert e ngurta/ Por trishtueshëm po i hapen plagët//“ (f.19)
„Më tepër se njëqind vjet në atdheun tim/ Era tinëzare/ Po fryn me hidhërim//“ (f.20)
„Atdheu është një plagë/ E cila gjithmonë kullon dhimbje//“ (f.26)
„Një e ligë… ka ngjarë në atdheun (tonë)/ Nataliteti tmerrësisht ka rënë/ Kurse mortaliteti është në rritje e sipër“// (f.30)
„Dhe asnjëherë nuk gjete një udhë/ Se si të kthehesh për në atdhe//“ (f.31)
„Thonë se ka qenë një grua e bukur/ Miku im shkoi pas saj/ Dhe kurrë më/ Nuk e gjet rrugën/ Për t’u kthyer në atdhe//“ (f.32)
„Sa herë që ika nga atdheu/ Më ndiqte një mallkim i padefinuar/ Në fytyrat e të huajve dalloja urrejtjen//“ (f.33)
„Dhe ja ku më në fund/ U ktheva në atdhe/ Me një bastun të blerë në tregun e plaçkave/ Ku gjërat shiten sa për t’u shitur/ U bë tepër vonë të njoh vetëveten//“ (f.33)
„Ne ishim shumë larg atdheut/ Thellë i ndjemë vigmat e drurëve//“ (f.35)
„I dëgjuam edhe piskamat e lisave/ Atdheu në dy gjunjë/ Dukej më krenar/ Se asnjëherë më parë/ Krenar me djemurinë e zgjuar//“ (f.35)
„Larg diku pas atyre kodrave/ dëgjoheshin vigmat e atdheut//“ (f.37)
„…po i mbështetem/ Trungut të vjetër të ullirit/ Ky dru i atdheut tim/ Jeton dhjetë herë më shumë se unë//“ (f.41)
„Mbi një tren të trentë udhëtonte nata/ Dëbohej atdheu im/ Paralelet e oksiduara në horizont/ Putheshin me urrejtjen/ Isha një njeri pa fe atdhe//“ (f.42)
„Nuk na ngrohte asgjë/ Përpos atdheut (mbetur) në ingranazhet e ushtarëve//“ (f.42)
„Na thanë se jemi në shtëpinë tonë/ I madhi dhe i vogli/ Bujarisht i hapën dyert e zemrat/ Nga zëri i burrave derdhej kënga e vajit/ Por ne ishim pa atdhe o vëllezër//“ (f.42)
„Me qindra vjet jemi puthur me vdekjen/ Ishim zogj pa flatra/ Atdheu i zhytur në mjerim//“ (f.43)
„Nga rënia e gurit të murrmë u dëgjua/ Zëri i lashtë i atdheut të vjedhur/ U dëgjuan vigmat e pandërprera të etërve//“ (f.48)
„Dimrat në atdheun tim janë të ashpër//“ (f.62)
„Vajtova njëqind vjet/ Fatin e gurit të murrmë/ Asnjë shtërg nuk u kthye në atdhe/ Mbase edhe atdheu kishte vdekur//“ (f.65)
„Ullinjtë e atdheut tim/ Janë buka dhe kripa e udhëtarit/ Frymëmarrja e shpirtrave/ kur zogjtë e atdheut/ I vendosin nëpër çerdhe vezët//“ (f.71)
„Nën rrënjët e ullinjve/ Mbinë duart e mermerta të atdheut//“ (f.76)
„Me sëpatën e topitur/ Të fjalëve/ Më pretë në besë/ I shkulët nga mendja ime/ Rrënjët e pashkelura të atdheut//“ (f.103)
„Do na ikin të rinjtë/ Do shndërrohen në shtërgje/ Që kurrë më/ Nuk do të kthehen në atdhe//“ (f.104)
„Në parlament vdiq atdheu im//“ (f.106)
„Ra në dy gjunjë demokracia/ Secili në emër të atdheut/ E shet atdheun//“ (f.107)
„Ende pa u lindë atdheu vdiq/ Nëntë lloje plagësh i ka në shtat/ Kafshojnë në veri/ Dhëmbët si langonjtë në jug/ E ju po zgërdhesheni/ Nëpër sallonet e Evropës së Fishtës//“ (f.108)
„Sot atdheu im u dorëzua/… Ngadhnjeu në luftë/ Dhe u dorëzua me dy gishta//“ (f.108)
Te vëllimi nr.167, FLUTURAT E DJEGURA:
„Të këndosh për atdheun/ Në gjuhën tënde të bukur/ Është një bekim hyjnor//“ (f.21)
„Atdheu i shëmbëllente si kurrë më parë/ Lëkurës së grisur të leopardit//“ (f.31)
„Ne nuk kemi një tjetër atdhe/ Ku të shkojmë//“ (f.31)
„Atdheu të rrinte mbi kokë/ Dhe qante…/ Kur plagët kullonin dhimbje/ Dhe dëshpërim//“ (f.33)
„Ky atdhe i askujt/ Nuk më dha një krodhë bukë//“ (f.53)
„I kalova sinorët e huaj/ Askund dielli nuk shkëlqente/ Si në atdheun tim mbetur peng/ Mbetur në dorë të askujt//“ (f.53)
„…këtu/ Këndohet në gjuhë të huaj/ Thua se paska vdekur gjuha e lashtë shqipe//“ (f.53)
„Më thuaj si t’i thërras zogjtë të kthehen në atdhe//“ (f.54)
„…i pamë zogjtë e hekurt/ Mbi qiellin e vranët të atdheut//“ (f.82)
„Kurse në Grykën e Këlcyrës/ Ariu i murrmë i Ballkanit kryeneç/ Lëpin plagët e pashëruara të atdheut/ Plagët që kullojnë gjak shekullor//“ (f.87)
„Kur të vdes lini hapur një dritare/ T’i shoh ikjet e korbave/ Kah largohen/ Nga Fusha e Mëllenjave/ T’ua shoh shpinën çafkave/ Të cilat një kohë të gjatë/ Po e gërryejnë atdheun tim//“ (f.89)
„Secili njeri me yllin e vet/ Largohej nga atdheu/ I cili qante si një kërthi i braktisur//“ (f.94)
Te vëllimi nr. 168, PËRTEJ ASAJ PEME:
„Nuk di më/ S’jam në gjendje të kuptoj/ A thua ky atdhe është një copë mish//“ (f.9)
„Flamujt e grisur nëpër skuta/ Atdheu vuante/ Nga një sëmundje e keqe/ Nuk kishte shpresa për shërim//“ (f.12)
„Një pemë e egër lëshoi rrënjë/ Në trurin e sëmurë të atdheut/ Njerëzit po largohen/ Po ikin diku askund//“ (f.17)
„Trualli që e quanim atdhe/ Kishte mbetur si një lëkurë e grisur leopardi//“ (f.31) Krahasim i përsërtitur.
„Nëse kështu duket kjo luftë/ Druaj se hiç më mirë/ S’do të dukej ky vend/ I quajtur atdhe i etërve të mi//“ (f.31)
„Edhe sot mund të betohem/ Vetëm për dashurinë ndaj atdheut//“ (f.43)
„… dashurinë ndaj teje mëmëdhe/ S’mund të ma shkulin asnjëherë nga shpirti//“ (f.43)
„Mund të më lini pa asgjë/ E për çfarë më duhet diçka tjetër/ Kur më mungon atdheu/ Frymëmarrja e luleve//“ (f.44)
„Nëse doni mund t’i hidhni/ Eshtrat e mia në honin tuaj të urrejtjes/ Por mos harroni pa atdhe/ Kurrë nuk mund të më lini//“ (f.44)
„Vallëzojnë edhe korbat/ Vallëzojnë mbi qiellin e plagosur të atdheut/ Krakëllimat e sorrave të larme//“ (f.52)
„Të vranë se shkruaje për lirinë/ Në shpirtin e ndjenjave të tua/ Si kala e pamposhtur/ Mbi të gjitha ngrihej atdheu/ Të vranë se i deshe poezinë/ Dhe fëmijët e Kosovës miku im//“ (f.63)
„Edhe ty ta vranë këngën/ Pa u përshëndetur edhe njëherë/ Me zogjtë e Çabratit/ Ty që këndove për dashurinë/ Dhe atdheun/ Të vranë pa lindur e nesërmja//“ (f.64)
„Prekmi këto eshtra atdheu im/ Preke flamurin e grisur//“ (f.66)
„Në ndodhtë që të më vrasin/ Pa e parë atdheun të lirë/ Eshtrat e mia afrojuani qenve endacakë/“ (f.66)
„…dyqind të mbështetur për muri/ Panë se si duhet/ Të vdesë njeriu për atdhe//“ (f.67)
„… dyqnd ofshama/ i ngulfatën ndjenjat e vrastarit/ Në maja malesh atdheu si nuri/ I ndriçonte përreth/ Shpirtrat e vrarë të pemëve//” (f.67)
“Më pëlqejnë cicërimat e zogjve/ Dhe fluturimet e virgjëra/ Të fluturave nëpër hapësirat e atdheut tim//” (f.81)
Te vëllimi nr. 169, KUAJT E MJEGULLAVE:
„Krakëllimat me shekuj po dëgjohen/ Zëri yt atdhe paska humbur në hapësirë//“ (f.11)
„Atdheu im dhëndër i pafat//“ (f.14)
„Nëpër degë të thyera/ I pamë flamujt e grisur/ Atdheu lakuriq/ Pa opinga shkelte nëpër dhimbjen time//“ (f.14)
„Atdheu im fati im fatkeq/ Nga cili hon dole/ Dhe në cilin tmerr u fundose/ Pasi kurrë më nuk e pe dritën//“ (f.14)
„… digjej qielli i fëmijërisë// (…) „… acari na e ngrinte gjakun// (…) „Kurse toka/ I ngjante gurit të murrmë të atdheut tim//“ (f.16)
“Njerëzit janë si zogjtë/ Gjithmonë fluturojnë hapësirave/ Të gjejnë një tjetër atdhe/ Fluturojnë prej një ëndrre në ëndërr//” (f.24)
“Nganjëherë nuk dimë/ Se ku ta lëshojmë spirancën/ Në atdheun e premtuar apo në fundin e gotës//” (f.24)
“Atdheu im as i vdekur/ E as i dorëzuar//” (…) “Atdheu im as i vdekur/ E as i gjallë//” (…) “Atdheu im fati im i pashkruar/ Dhe fatkeqësia ime/ Në duart e kujt paske mbetur//” (f.27)
“Në duart e kujt mbeti atdheu/ Që s’dinë as të vrasin e as të të varrosin//” (f.29)
“Këputmani kokën/ Këputeni si kokrrën e bostanit/ Unë nuk ndiej asnjë dhimbje/ Moti kam vdekur për dashurinë e atdheut//” (f.29)
“Atdheu im i paçmueshëm/ Toka e gjyshërve të mi dardanë/ Deri kur më/ Do i gjunjëzohesh zonjës Evropë/ E cila nga ti mësoi/ Se si duhet të mbrohet atdheu//” (f.30)
“Dje e pashë atdheun/ Që s’doja ta shihja asnjëherë të tillë/ Nuk ishte as i gjallë/ E as i vdekur//” (f.34)
“E pashë atdheun e etërve/ Si një oktopod të plagosur//“ (f.34)
„Atdheu im s’dukej i gjallë/ Por nuk dukej as i vdekur//” (f.34)
“Me kë po flas sonte/ Ky atdhe po vdes ngadalë//” (f.37)
“Hapi dyert e mbyllura të kujtesës/ Preki me kujdes kanatat/ Çfarë ka mbetur prej sinoreve të atdheut/ Përpos pluhurit e urrejtjes//” (f.45)
“Sonte desha të shkruaj një poezi/ Për dashurinë/ Po si mund të shkruajë njeriu pa atdhe//” (f.49)
“Ka diçka të paqartë dhe të patreguar/ Brenda meje/ Kjo paqartësi që fle në mua/ Më shumë se njëqind vjet/ I paska rrënjët/ Në shpirtin e lënduar të atdheut//” (f.50)
“Ishte nata e parë e fëmijërisë sime/ Kur kuptova/ Se jam i huaj në atdheun tim/ Erdhën një kordon milicësh/ Me zinxhirë ia lidhën duart babait/ Të cilin kurrë më nuk e pashë//” (f.50)
“Kuku lele jao majko/ Një piskamë e trishtueshme/ më bëri të ndjehem njeri/ Më bëri të më dhimbset armiku//” (…) “U ngrita si hije dhe në emër të atdheut/ Shpëtova vrasësin e shokëve të mi//” (f.53)
“Nëse është mëkat të duash atdheun/ Atëherë mëkato deri në fund//” (f.53)
“Fjalën e sotme/ Mos e le si bukën për nesër/ Thuaje troç/ Se ky atdhe as nuk shitet e as nuk blihet//” (f.55)
“Thellë e shumë thellë/ Përtej thellësisë së kësaj toke/ I gatuam me dheun deltinor/ Ëndrrat tona për lirinë e atdheut//” (f.55)
“Pata edhe çaste më të mira/ Po ashtu edhe më të liga/ Po për ty atdhe/ Gjithmonë kisha nevojë…//” (f.61)
“Nga pjergullat e atdheut/ Do e shtrydhim verën/ Do pimë khajamçe//” (f.69)
“Në emër të kujt ta ngre/ Këtë dolli/ Ky atdhe i bukur/ Me këto male madhështore/ Orë e çast më rri mbi kokë/ Duket si një oreol perendie//” (f.69)
Te vëllimi nr. 170, PO TË ISHTE NDRYSHE:
“Nuk flas kot për lagjen time/ Njerëzit dashurojnë/ Marrëzisht atdheun/ Pranë secilës përmendore/ Mbjellin nga një pemë të madhe/ Për t’u bërë hije çlirimtarëve//” (f.14)
“Thonë se kur thahen rrënjët/ E ullinjve/ Atdheun e pret një lëngim i gjatë//” (f.25)
“Kah po largohen/ Ku po ikin zogjtë e atdheut tim/ Ndoshta diku në fund të dynjasë//” (f.29)
“Një flutur e kaltër/ E kaltër si qielli i atdheut tim//“ (f.30)
„Ju jeni deti dhe mjegulla/ Shpirti i atdheut/ Nga i cili çelën/ Dhe po çelin dashuri dykrenorësh në fluturim//“ (f.37)
„Atdheu im qante si fëmijë//“ (f.45)
„O të lutem më lejo që sonte/ Ta mbështes kokën/ Ta mbështes dhimbjen time/ Mbi supin tënd të plagosur/ Ta mbështes mbi ashtin tënd atdhe//“ (f.45)
„Do pimë sonte…/ Dhe do ngrejmë dolli/ për të rënët e atdheut//“ (f.48)
„Atdheu im tani/ U shëmbëllen perendive/ A thua vallë kam ndonjë arsye për lot//” (f.49)
“Sa shumë dhimbje në shpirtin/ Tënd të sfilitur Kosovë/ Sa shumë dhimbje/ Kush mund t’i shërojë plagët e tua/ Atdheu im dhe i etërve të mi//” (f.53)
“Ti je atdheu i etërve dhe i Gjergjit/ Me nëntë plagë/ Sa herë që pate nevojë/ Bijtë e tu o atdhe i etërve të mi/ T’i lëpinë plagët deri në shërim//” (f.53)
“Ja sot më dukesh më krenar se kurdoherë/ Atdheu im dhe i etërve të mi/ Dhëndër pa asnjë plagë/ Kush t’i shëroi të nëntë plagët//” (f.53)
“Çfarë nuk bëmë për ty atdhe/ Çfarë nuk bëmë për të të ngritur/ Në këmbë/ Nga palca jonë i nxorëm hartat e vjetra/ T’ia tregojmë botës për gjenezën e fisit//” (f.54)
“Si shtërgjet që kthehen/ Nga brigjet e diellit/ Ju u kthyet të lodhur e të dërmuar/ Nga luftërat/ U kthyet në atdheun e askujt//” (f.75)
“Nga asnjë betejë nuk dolët të zhgënjyer/ Për të humbur atdheun mbi tavolinë/ Ju bijtë e etërve/ Që ngadhnjyet nëpër luftëra përballë të huajve/ Sot po bridhni rrugëve si lypsarë//” (f.75)
“Çfarë ju dha ky atdhe/ Për të cilin ju dhatë edhe gjakun tuaj//” (f.75)
“Ah moj zonjë e vjetër e Fishtës/ Edhe njëherë na e vure lakun në qafë/ Thua se ishte faji ynë/ Që ndërruam fe…//” (f.76)
“Sonte do ta kaloj dorën/ Time të lodhur/ Nëpër plagët e pashëruara të atdheut//” (f.78)
“Ky atdhe kjo tokë e etërve dardanë/ Ka shumë nevojë/ Sa shumë nevojë ka/ Për dorën e njeriut/ Për dorën/ E cila i shëron plagët e pashëruara//” (f.78)
“Dua që ky atdhe t’i shëmbëllejë/ Të bukurës së dheut//” (f.78)
“Kush e mallkoi atdheun tim//” (f.79)
Te vëllimi nr. 171, KUR KTHEHEN ZOGJTË E SHIUT:
„…kur u kthye në atdhe/ (Uliksin) Nuk e priste Penelopa/ Sepse s’ish martuar asnjëherë me të//“ (f.21)
„Kurrë nuk do të isha i huaj/ Në atdheun tim//“ (f.27)
“Të isha një copë dru i kalbur/ Do i përngjaja eshkës/ Dhe do lëshoja dritë/ Në atdheun tim të errësuar/ Nga flamujt e njëqind kombeve//” (f.27)
“Të isha ai që nuk jam/ Ndoshta miqtë e mi…/ (Do të) më kishin mbështjellë me dashuri/ Kurse atdheu ah ky atdhe i askujt/ (Do të) më kishte mësuar si vlerësohet njeriu//“ (f.27)
„Që nga koha e Uliksit/ Atdheu im mbeti pa dyll//“ (f.33)
„Do të vijë një ditë e një kohë/ Kur do të arratisem nga vetëvetja/ Pas meje/ Do të vijnë zogjtë e shirave/ Dhe shtërgjet/ Që kurrë nuk i takova në atdheun tim//“ (f.34)
„Si të kuptoj se kush jam sot/ Të gjithë heshtni/ Asnjeri asnjë fjalë nuk thotë/ Sa shumë shëmbëlleni me rrapin/ Heshtni si guri i stërralltë i atdheut tim//“ (f.43)
„Ne nuk kemi një tjetër atdhe/ Kjo tokë e lashtë e etërve/ Mund të na mbajë gjallë edhe pesë mijë/ Ose dhjetë mijë e më shumë vite/ Ndalini fluturimet e çmendura/ Është koha e kthimit në atdhe//“ (f.50)
„Kur të kthehem në atdhe/ Nuk di/ Se çfarë më duhet të ju sjell/ Fëmijërinë e humba rrugëve//“ (f.71)
Nga vëllimi nr. 172, MES GISHTAVE TË HIJES:
“Një tjetër diell i ri lindi/ Mbi atdheun e etërve të mi//” (f.31)
„Prej një fëmije të pafajshëm/ U bëmë burra (luftëtarë)/ Ndoshta kështu kërkonte atdheu/ Ishte betimi i etërve tanë/ Të luftojmë kundër armikut si luanë//“ (f.37)
„Në emër të kujt të bisedoj sonte/ Për kufijtë e atdheut/ Mos vallë po u hyj në hak etërve/ Ky sinor nuk e ka vendin këtu/ Dikush i huaj i paska lëvizur gurët/ E paska shlyer kujtesën e pemëve//“ (f.39)
„Dielli dukej/ Si një top i leckosur/ Shëmbëllente me hartën e atdheut tim//” (f.45)
“Atdheu as në dy gjunjë/ Nuk gjunjëzohej/ E as nuk mund të çohej/ Në këmbët e veta të drunjta/ Ishte në një gjendje sterile/ Ushtarët e huaj/ Trokisnin si të çmendur në portat e mbyllura//” (f.46)
“Në një degë të thyer molle/ Çelën dy portokaj/ Shtërgu i atdheut tim/ Kishte mbetur pa itinerar//” (f.56)
“Mos më pyetni se në cilën moshë jam/ U linda në shkurt/ Atë vit bora i kishte mbuluar çatitë/ Dhe asnjëherë më nuk ka reshur/ Aq shumë borë/ Në atdheun tim të robëruar//” (f.75)
“Në fillim i vajtuam të vrarët/ U ngritëm përmendore/ Më pastaj filluam/ t’i vrasim të gjallët/ Atdheu dukej si një kazan i zi/ Ku ziheshin të palarat e të gjithë llojeve//” (f.83)
“Ky atdhe ishte i gjithkujt dhe i askujt/ Flamujt e grisur/ Lëvareshin nëpër shtyllat e turpit/ Atdheu im/ Kjo tokë martire e etërve të mi/ Dukej si një kasaphanë hajdutësh//” (f.83)
“Unë disa herë vdiqa për së gjalli/ Më dukej se po na zihet frymëmarrja/ Filluan të na ndërrojnë flamurin/ Nga dykreniri/ Si me dhunë zbritën një kokë/ Kjo tokë martire tani ka mbetur/ As në qiell e as në tokë//” (f.83)
“Në duart e kujt po e lëmë atdheun/ Nëpër trotuare pashë me trishtim/ Flamujt e përdhosur të kombit//” (f.84)
“Ky atdhe po vdes ngadalë/ Po vdes nga një sëmundje e njohur mirë/ (Edhe) armiku/ Po na njeh për mrekulli/ Dhe aspak nuk po na e ka frikën//” (f.84)
“Në atdheun tim të sfilitur/ Ende shndrijnë me forcën e dritës/ Mëngjeset siç shndrinin në kohët e lashta//” (f.90)
“Po kthehem i vetëm dhe pa asnjë lek/ Nuk vijnë me mua as lejlekët/ Sepse po më thonë/ Ashtu siç shkove i vetëm/ Po ashtu duhet të kthehesh në atdhe//” (f.91)
Te vëllimi nr. 173, KUSH I THEU XHAMAT E SHIUT:
„Nëse duhet të vdesësh, njeri,/ Ti i ke dyert të hapura…/ Në daç vdis nga turpi/ Që mban në shpirt/ Ndaç vdis si njeri/ Për atdheun tënd të robëruar//“ (f.58)
„Ose vdis/ Si njeri me krenari,/ Ose përfundo/ Si një kandër në gjiriz.“ (…) „Nëse duhet të vdesësh,/ Gjithmonë zgjidh të parën!/ Nëse (rron pa krenari),/ Ti veç je i vdekur:/ Një kufomë që e shpenzon (haram) ajrin e atdheut//“ (f.58)
„Këtu në atdheun tim/ Dimrat janë me shumë fshehtësi//“ (f.74)
„Kurrë nuk na ndihmuan shtërgjet/ Ta gjejmë itinerarin për në atdhe//“ (f.83)
„Atdheu im,/ nuk kishte diell/ Nën të cilin mund të dashuronim.//“ (f.94)
„Ku të putheshe,/ Kur në atdheun tënd/ Binin plumbat si shirat e vjeshës//“ (f.95)
„Atdheu im ishte një tokë pa diell//“ (f.95)
„Kjo tokë e ky atdhe,/ S’janë të varfër./ Kanë një gjuhë e tri fe.//“ (f.117)
„Edhe mëllenjat e grunajave të arta,/ Me një mjeshtri misterioze,/ Gatuan emrin e atdheut tim.//“ (f.118)
Te vëllimi nr.175, MARSI I ÇMENDUR NË DY KOHË:
„Nëse njëherë vdes për dashuri/ Për atdhe/ Do të vdisja/ hiç më pak se shtatë herë//“ (f.31)
„…nuk ka vdekje/ Më të bukur/ Se sa të vdesësh për atdhe“ (f.31)
„Nëse vdes për atdhe/ Dashurinë s’do ta kem mall as në amshim//” (f.31)
“Një ditë mora udhë maleve/ Dhe nga shpirtrat e gurëve/ Fillova t’i shtrydh kujtimet/ T’i strydh dhe të mësoj prej tyre/ Se si duket krenaria e vdekjes për atdhe//” (f.35)
“Atdheu mbase ka lindur në mars/ Ani që në vjeshtë bëhen dasmat/ Por në mars/ Ah në këtë muaj të bekuar/ Për liri të atdheut perenditë ngrinin dolli//” (f.36)
“Si sot më kujtohet/ Ose kam dëgjuar prej të tjerëve/ Se si ktheheshin nga luftërat e huaja/ Etërit e mi krenarë/ Ktheheshin me gjymtyrë sakatosura//” (…) “Kështu e ka kur lufton për të huajt/ Kurse atdheun tënd e lodrojnë djajtë//” (f.37)
“…luftuam deri në asgjësim/ Për tekat e huaja/ E atdheu…/ S’dihej… se kujt i takonte//“ (f.38)
„Ndoshta që moti paska vdekur/ Ose atdheut tim/ Ia kanë shlyer kufijtë//“ (f.40)
„Ky mars…/ Për trishtimet/ Dhe dhimbjet e atdheut tim/ Gjithmonë ishte një muaj i pashpirt//“ (f.41)
„Tanimë përfundimisht/ Që e humbëm atdheun/ Kujt i mbetën flamujt e dhimbjes//“ (f.45)
„Atdheu im shtërg i plagosur/ Kohë e humbur/ Mes disa kohërave/ Të kafshuan cerberët//“ (f.45)
„Kur më thanë se vdiq atdheu im/ Unë askujt nuk i besova//“ (f.45)
„Nuk i besova/ Sepse m’u kujtuan/ Varret e etërve/ M’u përkujuan kalorësit e zjarrë/ Të cilët domosdo do zgjohen një ditë//“ (f.45)
„Ata që mbetën peng lagjeve/ Mbajtën ison e së kaluarës/ Atdheu ishte guri/ Dhe varri i tyre i hapur/ Atdheu ishte një pëllumb i egër/ Kur pyeta një mik të moçëm/ Përse nuk ka pasaportë biometrike/ M’u përgjigj thjeshtë/ Unë nuk kam tjetër atdhe/ Përpos kësaj Kosove e toke gratçore//“ (f.63)
„Nën pemët e shartuara/ Këndonin turtujt që kishin mbetur në atdhe/ Këndonin një këngë mallëngjimi//“ (f.64)
„Nuk ulen çafkat e zgërlaqura/ Të pushojnë një çast/ Për të mbërri në atdhe/ I pret një udhë e gjatë//“ (f.66)
„Ecën shekujt mbi kurrizin tim/ Galopuan kuajt e tërbuar/ Por gjithsesi atdheu mbeti//“ (f.92)
Te vëllimi nr.176, KUR DËNESIN VARRET:
„Unë jam tepër i rehatshëm/ Ky qivur qenka ndërtuar/ Për eshtrat e mia rakitik/ E paskan gdhendur/ Nga rrapi i atdheut tim//“ (f.20)
„Ndoshta papandehur vdiq atdheu//“ (f.25)
„Unë njëmijë vjet prita lirinë/ Atdheu shpëtimin e shumëpritur//“ (f.27)
„Ne deshëm ose jo por i harruam/ Udhët tona/ Asnjëherë nuk menduam/ Për itineraret e kthimeve/ Me vetëdije ose pa të e zbrazëm atdheun//“ (f.37)
„Kjo tokë u bë atdheu i askujt/ Nga të katër anët e dynjasë/ Erdhën djajtë dhe e lodruan sa dhe si deshën/ Varret mbetën peng i vetmisë/ Mbetën si reliktet e një lashtësie//“ (f.37)
„Njëmijë vjet trokita/ Në shpirtin e atdheut të vibruar/ Por kurrë nuk m’i hapën dyert//“ (f.49)
„Kur të kthehem në Qytetin e Lidhjes/ Domosdo që do jehojnë/ Daullet e një kohe/ Kur Evropa na e rropi lëkurën/ Na griu si duhanin/ Në havanin e trishtuar të kohës/ I kafshoi kufijtë e atdheut//“ (f.58)
„Kur të kthehem nëse kthehem/ Në Qytetin e Lidhjes/ Do mbjell një rrap të madh/ Që i lëshon rrënjët/ Përtej kufijve të atdheut/ Që i lëshon rrënjët/ Deri te sinorët e etërve//“ (f.58)
„Retë u bënë gjethe/ Dhe fluturuan nëpër zymtësinë e qiejve/ Kurrë më nuk u kthyen në atdhe/ Mbetën udhëve me Kashtën e Kumtrit//“ (f.61)
„Vdekje pas vdekjeje më përcollën në jetë/ Na e vranë dykrenorin/ Ai shpend gjigant/ Asnjëherë nuk iu nënshtrua të huajve/ Deshën të na vrasin edhe atdheun//“ (f.66)
„Atdheu filloi të marrë frymë/ Nëpër male u ndezën flakadanët e lirisë/ Nga tytat dhe shpirtrat e djalërisë/ Jehuan këngët/ Malet ngritën dollinë për çlirimin e atdheut//“ (f.66)
„Ishte tepër vonë/ të kthehem në atdhe/ sepse çdo betejë kishte përfunduar//“ (f.69)
„Unë nuk isha askund/ Këmbët nuk e preknin as ajrin/ As tokën e shkriftë të atdheut//“ (f.85)
Te vëllimi nr. 177, MOS MË URONI UDHË TË MBARË:
„Mbi dyert e mëdha të drunjta/ Si dy perendi të pavdeshme/ Qëndrojnë të gdhendur/ Dy zogj gjigantë/ qëndrojnë dykrenorët e atdheut tim//“ (f.50)
„Dhe ne ecëm pa ditur se ku/ dhe kur do të mbërrijmë në atdhe//“ (f.61)
„Një britmë…/ …një zë baritoni…/ …i etërve…/ …na zgjoi nga gjumi/ Kur atdheu kish nevojë për ne//” (…) “U zgjuam dhe si titanët/ E legjendave/ Ua mësymë armiqve//” (f.63)
“Ja se si dukej tragjedia/ E jonë shqiptare/ Na ngujuan në një fushë të vdekur/ Prej një atdheu të vrarë/ Na dëbuan në një atdhe tjetër të robëruar//” (f.68)
2…nënat.. i kishin grisur shamitë/ …për t’i lidhur plagët/ E pleqve të masakruar/ Për t’i lidhur plagët e atdheut…//” (f.68)
“I kapërcyem të gjitha Iliadat/ Nga zëri bariton i atdheut/ Lindnin zjarret/ Lindnin për t’i djegur djajtë//” (f.80)
“Nuk është hera e parë/ Që në atdheun tim me vrizma dhimbjesh/ Përdridhen stinët//” (f.86)
“Nuk di a thua vallë/ U ndalëm ndonjëherë të pyesim veten/ se çfarë bëmë për atdheun//” (f.87)
“A thua kaq pak meritoi/ Kjo tokë e etërve tanë krenarë/ Që po ia kthejmë sot shpinën/ Po e marrim dynjanë në sy/ Pa menduar se kujt po ia lëmë atdheun//” (f.87)
————————————————————–
Me Adem Zaplluzhën kemi 60 vjet që njihemi. Kemi qenë bashkënxënës në Shkollën Normale të Prizrenit dhe anëtarë të njëjtit rreth letrar. I takojmë të njëjtit front përpjekjesh në të mirë të Kombit tonë dhe nuk do të mund të quhej e plotë kjo pasthënie, nëse nuk do të thoshim diç më tepër për Shkollën Normale të Prizrenit të atyre viteve.
Në atë shkollë të atyre viteve, si në dhjetëra shkolla të tjera të asaj pjese ë Shqipërisë, pulsonte një yllësi me dritë të pashueshme ndër shekuj. Ukshin Hoti, Bedrush Çollaku, Haxhi Zyba, Fadil Cukaj, Abdyl Kadolli, Ramadan Shala, renditur aty krejt natyrshëm edhe Adem Zaplluzha e shumë të tjerë, ishin nxënës të asaj shkolle. Ali Dida, Rifat Kuçi, Enver Dukagjini, Zenel Kabashi, Ismet Dehiri, Albinë Bashota, ishin mësimdhënës në atë shkollë dhe krejt ai ansambël i mrekullueshëm veprimtarësh (secili në mënyrën e vet) s’kish si rezultonte ndryshe, veçse si një rrugë që po u hapej gjeneratavet për ta çuar drejt çlirimit të plotë krejt Shqipërinë.
Të lutem, i nderuari lexues! Lexoje edhe njëherë atë që shkrova pak më sipër! Nuk janë gjashtë vjet njohje me Adem Zaplluzhën! Janë gjashtëdhjetë vjet! Kohë, nëpër të cilën kanë kaluar aq shumë ngjarje, sa na duket sikur kemi jetuar gjashtë shekuj. Gjashtë shekuj po themi, por punë, na duket ne, s’kemi bërë as për gjashtë ditë.
Gjatë gjithë këtyre gjashtë (ditë, dekada apo shekuj), krahas punëvet të tjera, nuk kemi reshtur së shkruari edhe vargje. Vargje jo më kot. Jo për t’u argëtuar. Jo për t’u englendisur. Por për t’i shërbyer, sa të ish e mundur, kauzës sonë kombëtare. Kombëtare edhe sociale!
Ademi arriti e po arrin edhe ta botojë krijimtarinë e tij. Ndërsa mua po më myken e po më kalben mijëra vargje nëpër radhonj, dosje e sirtarë. Jam shumë i lumtur që së paku ai po arrin të na përfaqësojë, duke u treguar brezavet, atyre që ende nuk kanë lindur, kush kemi qenë dhe me ç’ideale e kemi ushqyer veten.
Po e kapërcejmë, Ademi e unë, një gjysmë shekulli, në të cilin, krahas telashevet të tjerë shkaktuar familjevet tona, i kemi mërzitur edhe bashkëshortet tona, aq sa çuditemi si na kanë duruar. Ç’po bën kështu?! A ti ke për ta shpëtuar këtë të vend? Në ty paskan mbetur Shqipëria dhe Kombi Shqiptar?! Vaj halli! E shikojmë plakjen e tyre dhe nuk e kuptojmë dot: A janë penduar që janë martuar me ne apo, megjithatë, janë edhe krenare?!
Poezitë e Ademit janë pa rimë dhe pa një metrikë të disiplinuar. Vargu i tij, në disa raste, këputet në mes, sikur e ka goditur dikush me shkop. Rrjedhimisht, në të atillë raste, s’kemi një varg, por kemi dy gjysma vargu vendosur në të njëjtin rresht.
Ademi nuk i përdor as shenjat e pikësimit, sado që fjalitë i ka përgjithësisht të rregullta. I ka hequr nga përdorimi, pikat, presjet, pikëpyetjet, pikëçuditëset dhe shpeshherë e pyes veten: Po sikur t’i nxirrte jashtë përdorimitm edhe nja gjysmën e shkronjavet, ç’do të mbetej?
Poezia e Ademit është përplot me figura stilistike. Aq sa, lirshëm do të mund të thuhej: Të mos ish ky lloj figuracioni, e gjithë kjo, a do të mund të quhej poezi?! Mjetet e tij kryesorë stilistikë, ndaç thuaj poetikë, janë metafora dhe metonimia, të dyja këto të përdorura me spontanitet aq befasues, sa shpeshherë je i detyruar të ndalesh për të kuptuar ç’ka dashur të thotë. Ndeshim jo rrallë edhe përmbysje kuptimore aq të çuditshme, sa sërish ndalemi duke pyetur: Mos ka këtu ndonjë gabim shtypi?!
Në këtë mënyrë, poezia e Ademit është, në të gjithë përbërësit e saj, një poezi tërësisht rebele. I zemëruar me çfarë shikon rretherrotull, duke mos dalë nga poezia, duke mos ikur andej, ai gjithsesi nuk mund t’u bindet rregullavet tradicionale.
Ashtu si brezi ynë nuk bëri atë që duhej të bënte, ashtu si ky brez, pjesë e të cilit ishim edhe ne, bëri shumë punë të mira, madje deri në vetëprivim dhe vetëmohim, por i le pa kryer apo i kreu së prapthi shumë punë të tjera, edhe gjendja jonë shpirtërore doemos e tillë do të mbetej. Prandaj s’duhet të çuditemi aq shumë, që në 177 librat e deritanishëm të Adem Zaplluzhës, hasim edhe nota të rënda pesimizmi. Ç’dreq popull jemi ne?! Ç’dreq komb jemi, që luftojmë me shekuj për liri e, kur vjen liria, një pjesë e jona vepron mbi pjesën tjetër më keq se cilido pushtues?!
Dhe, përfundimisht, a t’i gëzohemi 28 Nëntorit apo të dalim e të ulurasim rrugëve?!
Të dy jemi pleq 80-vjeçarë, por s’po na rrihet pa folur e pa shkruar. Puna ka arritur deri aty, sa nuk po duam të vdesim pa e parë atdheun tonë më mirë se ç’është. / 19 nëntor 2019 – Gjokë Dabaj
Postime të Lidhura
QIBRIJE DEMIRI FRANGU: ELIFE LUZHA, KRIJUESE ME IDE TË VEҪANTA
Pashtriku.org, 22. 09. 2014: Libri “Vdekja e ditëlindjes” e krijueses Elife Luzha është libri i tretë me poezi…
DR.SHEFKIJE ISLAMAJ: LIGJËRIMI ARTISTIK I ADEM DEMAҪIT
Prishtinë, 07. 03. 2016: Në letërsinë shqipe ka shumë vepra letrare që kanë si bazë jetën e një…
XHELAL ZEJNELI: KRIJIMET LETRARE TË ARBËRESHËVE
Shkup, 16 shkurt 2020: EMIGRIMI I ARBËRESHËVE NË ITALI Ngulimet masive të shqiptarëve në Itali filluan me pushtimin…
ALBERT HABAZAJ: NËN DRITAT E KUJTESËS *)
Vlorë, 30 Nëntor 2018: Nuk na ndodh shpesh që të kemi në dorë një tekst të veçantë, shumë…