(Durrës, 29 shkurt 2012) – Jemi të shokuar nga vrasja e 2 të rinjve tanë në Gostivar. Nuk dimë ç’të themi. Nuk dimë si të i shprehim ngushëllimet për familjet e tyre. U themi: “T’ju rrojnë të tjerët!” U themi: “Shpirti i tyre shkoftë në Xhenet!” Marrim pjesë në këtë dhimbje të madhe, por ngushëllim nuk ka. Ngushëllimi është aq larg, sa mendja më thotë, se edhe mbas 100 vjetësh kjo vrasje nuk duhet të harrohet. Nëse e harrojmë këtë vrasje, duhet të jemi të sigurtë që, pa shkuar shumë kohë, do të na vriten edhe të tjerë. Themi: Do të na vriten edhe të tjerë, sepse, ja ç’ka ndodhur në të kaluarën po në Gostivar:
Në vitin 1913, anglezja e madhe, Edith Durham, shkruan: “Në Reçan të Gostivarit, sërbët, pasi pushkatuan 30 vetë, 200 gra, fëmijë e pleq i mbyllën në 2 shtëpi dhe i dogjën të gjallë.” (Krahaso: Gj.D.”Strategjia e shqiptarëvet”, f.101)
Dokumente të tjerë vazhdojnë të na japin të tjerë lajme, secili më i rëndë se tjetri.
“Në Zdunjë të Gostivarit djegin 37 gra, fëmijë e burra. Të nesërmen 9 të tjerë i çojnë në Vakuf të Benicës dhe i masakrojnë.” (“Strat.” f.101)
“Në Simnicë të Gostivarit djegin 113 shtëpi dhe vrasin 18 vetë.” (“Strat.” f.102)
“Pas 8 ditësh, sekretari i nënprefekturës ftoi me emër 22 vetë, i lidhën gjoja për t’i çuar në nënprefekturë dhe i masakruan në Vakuf të Bencës.” (“Strat,” f.102)
“Në katundin Gjinovicë (Gostivar) djegin 7 shtëpi me njerëzit brenda. Vetëm në 2 prej tyre (djegin) 17 vetë.” (“Strat.”f.102)
“Në Vërtok pushkatojnë 18 vetë dhe i groposin në Bigorë. 40 i çojnë e i pushkatojnë në Vakuf të Benicës.” (“Strat.”f.102)
“Në Kalisht të Gostivarit, rrugës për në Pozheran, i vrasin dhe i therin 43 vetë.” (“Strat.”f.102)
“Në Çergan vrasin 32 vetë, duke i çuar për në Gostivar.” (“Strat.”f.102)
“Në Qafë të Gostivarit masakrohen 65 gra, pleq e fëmijë.” (“Strat.”f.102)
Vetëm për këto ploja të vitit 1913, ne duhej t’i kishim sot e pakta 10 përmendore, pranë të cilavet të çonim vit për vit mijëra tufa lulesh dhe të ndiznim mijëra qirinj përshpirtnorë. T’i bënin këto ceremoni përkujtuese jo vetëm shqiptarët, por edhe sllavomaqedonët, nëse duan të qytetërohen, nëse duan ta humanizojnë vetëveten.
Në vitin 1921, kemi prapë, po në trevat e Gostivarit, ploja të papërfytyrueshme. Po japim vetëm disa. (Ata që i dinë më mirë, mund t’i plotësojnë ose edhe t’i saktësojnë.)
“Në fshatrat e Gostivarit janë masakruar 408 shqiptarë, ndër të cilët 79 gra e 5 fëmijë.” (“Strat.”f.106)
“Në Gjeshovicë (të Gostivarit) u vranë 9 burra, u dogjën 13 të tjerë e 7 gra. Gjithsej 29 vetë,” (“Strat.”f.106)
“Në Kalisht të Gostivarit u vranë 43 vetë.” (“Strat.”f.106)
Nuk do të mjaftonin 3 përmendore dhe nuk do të mjaftonte t’i përmendnim këta shembuj martirësh vetëm kur të na vriteshin të tjerë. Do të duhej, në kujtim të këtyre viktimave, të paktën 1 herë në vit, në të gjitha kishat e sllavomaqedonëvet të ndizeshin qirinj përshpirtnorë. (Edhe në xhamitë!) Kështu duhet të bëjnë sllavomaqedonët, nëse duan të rrojnë me ne! Nëse nuk duan, Bota duhet ta marrë vesh që sllavomaqedonët nuk janë ende të denjë për të qenë qytetarë të Evropës. Kështu duhet të bëjmë edhe ne! Nëse nuk dimë të bëjmë kështu, le ta dijë Bota, që nuk jemi të denjë as për Evropë, as për Azi!
Në vitin 1944,
“Në Gostivar janë pushkatuar mbi 100 vetë.” (“Strat.”f.110)
“Prapë vriten, po në Gostivar, edhe 20 vetë të tjerë.” (“Strat.”f.110)
“Në Vrapçisht të Gostivarit vriten më se 150 vetë.” (“Strat.”f.110)
“Në Zhegë të Gostivarit, therur me thika 12 vetë.” (“Strat.”f.111)
“Arrestuar në Gostivar dhe pushkatuar në Kodrën e Gradishtit, 75 vetë.” (“Strat.”f.111)
“Në Pirok të Gostivarit, vrarë 27 vetë.” (“Strat.”f.111)
“Në kampin e Gostivarit, janë pushkatuar më shumë se 300 vetë.” (“Strat.”f.111)
Pushofshin në përjetësi edhe këta 2 djem, së bashku me të panumërtit, vrarë po kështu dhe po prej të këtillë njerëzish! Por, a mundet, a është e mundur, më në fund, të mos e fajsojmë edhe vetëveten, për të gjitha këto që na kanë ndodhur, dhe jo vetëm këtu?! Në këtë ditë të përcjelljes së këtyre 2 të rinjve, para kohe, në banesën e tyre të fundit, ç’duhet të bëjë qeveria shqiptarte e Tiranës?! (Ç’bëri qeveria greke për të ndjerin Aristotel Guma, e cila, me siguri, nuk kish të drejtë kaq sa ne?!) Në këtë ditë të përcjelljes së dhimbshme të këtyre 2 të rinjve “kundravajtës”, çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare e Prishtinës?! Më e pakta që do të duhej të bënte pjesa shqiptare e qeverisë së Shkupit, duhej të ishte: Dorëheqja e përkohshme. Një dorëheqje, një largim nga qeveria, duke shtruar së paku 2 kushte:
1.Të shpallet ditë zie shtetërore në krejt Republikën e Maqedonisë, të celebrohen ceremoni mortore në të gjitha kishat dhe xhamitë në territorin e këtij shteti.
2. Me shpenzimet e shtetit, të ngrihen, me këtë rast, e pakta 20 përmendore në kujtim të një pjese të atyre të vrarëve e të masakruarvet shqiptarë, që u përmendën këtu. (Të tjerat përmendore të lihen për kur të na vritet dikush tjetër po në këtë mënyrë!) Kësisoj, të tjerë policë sllavë të atij shteti, apo kushdo tjetër i armatosur, nuk do ta kish kaq të lehtë të nxirte armën kundër jetës së bashkështetasvet të vet.
Postime të Lidhura
PASHTRIKU: FAMILJA E TË BURGOSURIT REXHAIL QERIMI – LETËR DREJTUAR PARTIVE POLITIKE NË KOSOVË
(Pashtriku.org, 09. 09. 2012) – Letër e hapur prej familjes Qerimi nga fshati Opajë-Likovë (Maqedoni), drejtuar Partive politike…
GLAUK KONJUFCA: KOSOVA DUHET TË JETË NJË, DHE JO E NDARË NË DY ASOCIACIONE ETNIKE
Prishtinë, 21. 04. 2013 – Fjala e Glauk Konjufcës në seancën e jashtëzakonshme parlamentare, Raportimi i Kryeministrit për…
BEHXHET SHALA BAJGORA: PËRPJEKJET E JUSUF BUXHOVIT PËR TA MOHUAR ATDHEDASHURINË DHE KOMBËTARIZMIN E ADEM DEMAÇIT ËSHTË MOHIM I VET QENIES SHQIPTARE!
Prishtinë, 5 mars 2021: Kush dhe pse në këtë kohë po merret me Adem Demaçin Në historinë e…
GJEKË GJONAJ: PALOKË SHKRELI I PARI SHQIPTAR QË MORI GUXIMIN TË BËJË DASMËN ME FLAMURIN KOMBËTAR NË SHTOJ TË ULQINIT
Ulqin, 19. 04. 2015 – Shqiptarët në Malin e Zi në kohën e sistemit komunist përjetuan fatin e…