GJOKË DABAJ: POLITIKANËT E PADITUR NUK E BËJNË DOT POLITIKËN KOMBËTARE

(Durrës, 28. 01. 2013) – I dëgjojmë fjalimet e politikanëvet, me dëshirën që të na thonë diçka të qëndrueshme, diçka të fortë, diçka që t’u bëjë përshtypje edhe politikëbërësvet të Europës e Botës, edhe opinionit të kulturuar botëror. I dëgjojmë dhe mbetemi të zhgënjyer. Nuk janë eruditë. Nuk kanë dituri. Janë të paditur. (Nuk po përdor fjalë tjetër, sepse kam respekt ndaj postevet që ata mbajnë.) Por më e keqja është, se ata mendojnë që u mjafton aq dituri sa kanë. Nuk mbajnë afër vetes njerëz me njohuri, të paktën nga fusha e historisë së Kombit të vet, me qëllim që, kur të dalin atje, populli të mund të mësojë prej tyre diçka të re, diçka më shumë.
Po marr disa shembuj. Viti 2013 është 1700-vjetori i Ediktit të Milanos. Viti 313, këtu e 1700 vjet më parë, është një vit, i cili ka realizuar një kthesë në krejt historinë e Europës. E gjithë Bota e krishterë po përgatitet ta kujtojë këtë datë. Vetëm komisioni përgatitor i Nishit, që merret prej 4 vjetësh me këtë punë, ka diku rreth 50 anëtarë. Atje, veç tjerash, po bëhen punime intensivë arkeologjikë, për të zbuluar vilën e Konstantinit të Madh. A e dinë politikanët tanë që Konstantini i Madh është i gjakut të dardanëvet? A e dinë ata që, të përmendurit e Konstantinit të Madh, në një fjalim politik të tyre, do të përbënte ngjarje? Vetëm 3 sekonda t’ia kushtonte një politikan Konstantinit të Madh, do të mjaftonin për të dëshmuar se shqiptarët i kanë themelet shumë më të thellë se ç’mund të mendojë Europa apo dikush tjetër.

 

KONSTANDINI I MADH (280 – 337) – NË KALANË E BERATIT.

……………………………………………..

Vetë emri i Kosovës ka të ngjarë të jetë i lidhur, jo me emrin e një zogu, siç e paraqesin “etimologët” sërbë dhe pas tyre ata botërorë, por me emrin pikërisht të Konstantinit të Madh. (*Toka e Konstit, *Konstovë, *Kosovë).
Shqiponja me 2 krerë, që e kemi ne në flamurin tonë, pavarësisht nëse vjen nga lashtësi shumë të thella, kalon pikërisht nëpërmjet atij Konstantini, e pikërisht prej atij, vjen deri në kohën tonë.
Personaliteti tjetër, të cilin duhej ta përmendnin politikanët tanë në fjalimet e tyre, është Aleksandri i Madh i Maqedonisë Antike. Gjergj Kastrioti, ka për emër të dytë, pikërisht emrin e Aleksandrit të Madh: Skënder. (Prej formës Ksandër, me metatezë, ka dale Skënder.) Pse ia vuri, ose pse ia miratoi sulltani këtë emër Gjergj Kastriotit tonë? A merren me këtë temë të paktën liderët politikë shqiptarë të Ish-Rep.Jug. të Maqedonisë? Aspak. Ata as që e marrin me mend sa do t’i ndihmonte njohja reale e historisë së Maqedonisë së dikurshme.
Emri i Shkupit lidhet me qendrën kishtare, shumë të rëndësishme për ne, të Ilirikut Lindor, themeluar prej një tjetër perandori të gjakut dardan, dmth të gjakut tonë, Justinianit të Madh. A e dinë politikanët tanë, qoftë ata të Shkupit, qoftë të Prishtinës apo të Tiranës, ç’përfaqëson Justiniani i Madh në historinë e etnitetit tonë? Plaça unë, në dinë nga këto gjëra “të famshmit” “ideatorë” të “bashkimit kombëtar” “në suazat e Evropës së Bashkuar”!
Justiniani i Madh, ktitori i njërës ndër kryeveprat e artit botëror, Kishës së Shën Sofisë, ripunuesi më gjurmëlënës i sistemit juridik botëror, gjendet edhe në emrin e Prishtinës sonë, kryeqytetit të sotëm të Rep.së Kosovës. Emri i Prishtinës nuk vjen nga emri i një bime, siç pretendojnë “etimologët” sërbë e prej tyre edhe ata botërorë. Emri i Prishtinës vjen nga emri i Justinianit të Madh. Në Mesjetë atë e gjejmë me formën PRIJUSTINIENSIS, që do të thotë: pranë Justinianës ose afër Justinianës (Sekunda, sepse Justiniana Prima është Shkupi.), me fjalë të tjera, pranë Lipjanit, afër Lipjanit. Ndryshimet përkatës tingullorë, në rrjedhë të shekujvet, janë qartësht të shpjegueshëm me ligjet fonetikë të arbro-shqipes.
Sa do t’ua rrisnin peshën e vlerës politikanëvet tanë, nëse ata do të mbështeteshin sado pak në të këtilla të dhëna historike e kulturore?! Kuptohet: që të mund t’i thonë 2 fjalë, në fjalimet e tyre, ata do të duhej të lexonin 2000 faqe, lidhur me të kaluarën e Kombit të vet. Por ata nuk lexojnë asgjë nga këto. Ata janë mirëfilli të paditur, prandaj populli ynë, thjeshtë, nuk ka ç’të dëgjojë prej tyre dhe nuk mund as t’i simpatizojë, le më t’i adhurojë.

JUSTINIANI I MADH (482 – 565)

………………………………………………………..

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në një letër që ia dërgonte një sundimtari në Itali, gjëja e parë që ai e quan të arsyeshme të thotë, është origjina jonë e tejlashtë. Pirroja kish 1800 vjet që nuk jetonte më, por për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, Pirroja ishte një mbështetje, për t’i treguar italianit kush ishin arbërit. Ndërkaq, këta, politikanët tanë, jo te Pirroja, te Aleksandri i Madh, te Konstantini i Madh e te Justiniani i Madh, por as deri te Idriz Seferi e Ferhat Draga nuk shkojnë dot në fjalimet e tyre. As me fjalime, as me vepra!
Është vërtet për të ardhur keq, këta politikanë, me kaq prapambetje në dituri, nuk mund ta bëjnë, nuk e bëjnë dot, politikën e Kombit të vet.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura