GJOKË DABAJ: PRUSH NETËSH PA GJUMË

Pashtriku.org, 13. 05. 2013 – (Parathënie – Janë disa nga vargjet që i kam shkruar në vitet 1980 e në vazhdim. Pra, pas vitit 1981. Nuk jam unë i vetmi, që i kalova në ata vite shumë net pa gjumë. Janë me mijëra shqptarët të Rep.së Shqipërisë që jetonin në ankth, duke përgjuar ç’po ndodhte dhe duke pritur ç’do të ndodhte në Kosovë e gjetkë në viset e pushtuar. Nuk janë në lartësinë që do të doja unë. Unë do të doja që vargjet e mi të ishin, jo 1 mijë herë, por 1 milion herë më të fuqishëm. Sidoqoftë, duke qenë prush, shpresoj që dikush të mund të ngohet pranë këtij prushi. – Durrës, maj 2013 Gj.D.)
SI I MBANI BUBULLIMAT?!
1.Bubullimat shqepin malesh çataj ahash, bungje, pisha! Bubullimat ia çajnë rrasat brinjës së malit! I shqyejnë më dysh!
2.Si i mbani bubullimat, o fletëza t’krahërorit të bardhë, kur ky shpirt zë e ulurin, për një trim, Jusuf Gërvallë?!
8.VIII.1985.
Mbi çdo plagë, mbi çdo mazgallë
1.U zunë 50 vetë brenda natës! 50 djem në burg përcolli nëna! 50 burra s’janë më rrotull vatrës! 50 trima njëherësh ranë në pranga!
2.S’janë të parat plagë të Kombit! S’janë të parët plumba në zemër! Janë me mijëra! Nata i mori! Ah, natë mizore! Natë e verbër!
3.Zemra dhemb gjer te britma! Gjer te klithma shpirti dhemb! Nuk janë 2, po 50 trima! Nuk janë pak, po 50 djem!
4.Por, mbi dhimbje e mbi klithmë, mbi çdo plagë, mbi çdo mazgallë, ma çjerr gjoksin një enigmë: Cilët janë të ultët tradhtarë?!
5.Mijëra djem që vendi humbi, gjithë këta njerëz që burgu i piu, sa dëshmorë që hëngri plumbi, krejt tradhtia në dhe i shtiu!
11.XII.1985.
Ssss-të
1.Të 4 SSSS-të, me peticione, për shqiptarë kërkojnë shfarosje, “të përvuajtur” ndër kafana, rrëkllejnë shlivë gotë pas gote.
2.Djemtë shqiptarë s’kërkojnë, ndërkaq, as shfarosje, as inondata, veç të jenë të barabartë, dhe për kët’ i vënë në pranga: 50 njerëz në një natë!
3.SSSS-të ndër kafenera, mbi gazeta sypërv’luar, djemtë shqiptarë ndër biruca, gjak pështyjnë, të torturuar!
4.Tash, kush thotë që s’ka Evropa, Hitlerë e Afrikë Jugore?! Ç’doni më?! Apart’heid dhe nacizëm, ja ku i keni! Në mes t’Evropës me SSSS!
12.XII.1985.
Një Diell
(Xhuzepe del Gaudios)
1.Lexoj: “E bukur je, Shqipëri”, lexoj: “Tufë vjershash për Kosovën”. Je i të njëjtit brumë t’arbëreshë, që NJË DIELL n’zemër kanë!.. 200 mijë ditë mërgimi, gjithë mallin e Atdheut, te ti e mblodhën!
2.Çdo varg i yti, një himn i ri, edhe te unë po zgjon DIELL: Të tutë, pra, janë të gjithë shekujt që vijnë, me të tilla zemra, Shqipëri!
22.IV.1986.
Natën e lehtë, o trima!
1.Të 46 të akuzuarit “për faje të rëndë”, urojmë që, në këto ditë të vështira të majit, të kenë guxim e trimëri përpara gjyqevet! Ju jeni bijtë më të mirë të Kombit tonë! Ju jeni kërkuesit e drejtësisë njerëzore! Ju jeni flatrat fluturuese të shqipevet!
2.Ndaj, durojini dhimbjet e trupit! Urdhërojeni trupin të mos vuajë! Edhe dhimbjen e shpirtit, Zemra e Kombit ju thotë: Durojeni! Unë e di cila është dhimbja më madhe e shpirtit tuaj: keqardhja që ju kapën! Durojeni, se vetëm ashtu do të mësohemi t’u shpëtojmë kasapëvet!
3.Për 46 të akuzuarit “për faje të rëndë”, në Mitrovicë e në Prishtinë, tash s’po themi dot: Natën e mirë! Po themi: Natën e lehtë!..Heronjtë nuk vdesin! Një Komb i tërë ju ka në zemër! Një Njerëzim i tërë do të ju ketë si bij, kur t’jua njohë qëndresën!
12.V.1986.
Përmbi tel e mbi humnerë

1.Historia shtrigë apo fati i skëterrës na vunë me sërbo-sërbët në bashkëjetesë! “Epo, mirë!” Po themi ne. Mirëpo, sërbo-sërbët po duan edhe djallit t’ia mbushin mendjen, se me shqiptarët jetë të përbashkët s’mund të ketë!
2.Ja, ky është teli, mbi të cilin shqiptari është i detyruar të ecë ditë për ditë e me kujdes! Teli mbi humnerë, e mbi tel shqiptari! Sërbin të mos e shtysh në radhën e biletavet! Sërbit të mos i flasësh kurrë me të ashpër! Sërbit të mos ia zësh diellin te plazhi! Sërbit të mos ia zësh hijen te livadhi!
3.Të mos e hapësh gojën, kur Sërbi ngulet në tokën tënde! Të mos ia blesh dot ndonjë sërbi shtëpinë, se të varin! Ti ta mësosh gjuhën e Sërbit, kur ai tënden s’e mëson kurrë! Sërbja, femra sërbe, s’e meson gjuhën tënde, edhe kur është nënë e fëmijëvet të tu! Sërbja, femra sërbe, s’ta meson gjuhën shqipe, edhe kur të ka për burrë!
4.Sërbit të mos ia shkelësh as këpucën pa dashur!.. Je milic?! Të mos i bësh dot asnjë vërejtje për kundravajtje Sërbit!.. Je mësues?! Nxënësit sërb të mos ia vësh dot notën që ai s’e dëshiron!.. Je shitës?! Sërbit pa radhë i duhet shërbyer!.. Je kamerier?! As gjysmë minute të mos i vonohesh Sërbit, pa çka se shërbimin tend e presin 20 të tjerë!
5.Me çdo gjë: Kujdes! Kujdes! Kujdes! Se gjysmë fjale t’i thuash Sërbit, në çast paditesh për “eksces”. Përgjuesit e “ekscesevet” në çdo qoshe të presin e … sikur këmba t’i rrëshqasë një sërbi të dehur, tek të kalon pranë, i gjithë kori i madh i sërbo-sërbëvet njëzëri do të bërtasë: “Ja, kush janë shqiptarët! Shqiptarët, ja kush janë!”
20.V.1986.
Me bij si ju…
(55 trimavet, që u nxorën në gjyq këto ditë.)
1.O, mbahuni, bre burra, se Kombi te ju mendje e shpirt i ka! Pushtuesi mundohet luftën tuaj ta zvogëlojë, deri te pesha e një mize! Por ju, heronjtë e Kohës Sonë, jeni e mbeteni! Ju, themel i Epokës Sonë dhe e ardhmja e gjithë Shqipërisë!
2.Mbahuni mirë, o trima! Ua thoni troç SSSS-vet sërbo-sërbë fjalën heroike! Pa çka se ata, SSSS do të mbeten përsëri! Ua thoni troç fjalën e vërtetë, edhe plehëravet të plehut tonë! Pa çka se edhe ata, tërë jetën pësh-pësh-pësh e tërë jetën janë e mbeten pleh i zymtë e pleh i zi!
3.Trimëria është shpejtimi i lirisë! Trimëria është: Atdhe ballëçelur! Atdhe-flamur! Qëndresa juaj, dritë për brezat që po vijnë! I gjithë Kombi, bijtë e vet, veç në atë rrugë, e tjetër, ku?! Me bij si ju ka vetëm jetë e humbje kurrë! Me bij si ju!
24.V.1986.
SHËNIM: Po sjell këtu edhe një tufë akrostikësh, sipas rendit kohor, kur janë krijuar. Ata janë rezultat i përcjelljes së ngjarjevet dhe të bartësvet të atyre ngjarjeve. Psh, kish ndodhur në Kosovë epidemia e rubeolës. Jusuf Buxhovi pat botuar romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”. Akrostiku që i kushtohet atij, ka të bëjë pikërisht me përshtypjet që më pat lënë ai roman, i shkruar vërtet bukur dhe me shumë intuitë, si dhe, me sa duket, një fushatë mediatike kundër tij. Akrostikët e tjerë lidhen me të tjerë bashkëkohës, te të cilët unë kisha, gjithashtu, shumë shpresa. Shpresa dhe dëshira të mëdha, që punët e tyre të jenë sa më të frytshme. .. Nëse diku jam ngutur ose kam gabuar, s’më mbetet tjetër, veçse të kërkoj ndjesë. Nëse kam bërë mirë, meritat janë të tyret.
Maj, 2013 Gj.D.
Ajzbergë dhe diej
Ja, dhe një djalë tjetër, në rreshtat e qëndresës sonë!
U ngrit si dritë terrshpartalluese, pishtar i flakëruar,
Sipër fushëbetejavet për të bardhin shpirt arbëror!
Ushtima akujsh nën qiejt e Jugut!.. (Akujt veç akuj duan!)
Flakë e Jugut, ai, dhe ndjelladiell, ballë ajzbergësh veriorë!
Babilonkërkuesit dhëmbëkaltër ngrejnë mjegulla mbi ne!
Ulurima gurmazësh, anatema, thirrje për pogrom!..
Xhandarë apo shkrimtarë janë ata?! Ja, ata atje!..
O! I kafshuan, i hëngrën, i grinë mikrofonët!..
Vigan ai, prapë ngrihet e flet, është i qetë, por edhe i flakët,
Indinjata dy viza ia gdhend te buzët, në të 2 krahët.
27.IV.1988
Deshët Muj e Muj ju dhamë
Rëndon mbi shpatullat shumë të forta të Kombit edhe në këtë shekull
E rënda robëri. Nga skajet e largët të shkretëtiravet
Xhingiskanë të rinj, ja, me koka pa flokë e me gazeta në xhepa,
Errësirë emblemash përhapin prapë, si në kohë të zhupanivet!
Por as ne, prapë s’mbetemi pa kalorës! Pa prijës, pra, kurrë s’na gjeti stepa!
Qëndrojmë ballë shkarravinavet, jo me profka, por me dije e famë!
Oratorë duhen?! Ja ku i keni oratorët e dijetarët tanë!
Se, në kohë të zhupanëvet, ju deshët Muj e ne Muj ju dhamë!..
Janë ende shumë shekuj në fqinjësi për t’u ngrysur e për t’u gdhirë!
A ju xhingiskanë po pillni, a ne, si t’i doni, edhe Mujë, edhe Halilë!
28.IV.1988.
A do ta ruajmë dot gjakun pa na u bërë ujë?!
Ani se po të vënë etiketa gjithfaresh e po të lënë me net pa gjumë!
Gojët e atyre, të këqia të tjera shumë më tepër kanë bërë!
Ia shtojnë kështu përkushtimit tonë një argument më shumë!
Mua, ndërkaq, ca trishte të tjerë,Agim, zemrën po ma brejnë:
Vaj, për ne! Kur nuk do të lindin më ca nëna nga tonat, që shqip flasin,
Insekte që s’kanë gjak, po lëng e jargë në damarë?!
Në qofshim gati të derdhim gjakun 5 a 7 herë për liri,
Ca të tillë gjakpërjargur, në ujerk gjakun po na e kthejnë!
Agim! Gjakun ujerk na e bënë e si t’ia bëjmë s’po di!
7.V.1988.
Bora e zezë e shikimit
1.Kur nuk na lënë të takohemi në kufi, mua “nipin e arratisur” dhe ty, 80-vjeçarin dajë, ç’të thonë, vallë, ATA?! Për këtë mostakim zemërplasur, kush ka faj?!
2.Eh, dajë! ATA, me siguri shiten demokratë të mëdhenj para teje! “E ka fajin pala tjetër!.. S’e lënë as me njerëzit e vet një fjalë të shkëmbejë!”
3.Vija e pamëshirshme e kufirit midis nesh, 10 centimetra vijë! Shikimi im ndalet në sytë e tu… Shikimi yt… kalon përmbi tela edhe ai! Bie mbi supet e mi një shkëndijë e fikur, mbi këpucët e tua, thërrmohet një pikë prej qiriri të djegur.
4.S’do të shihemi më! Ky është thumbi i skuqur që ngulet edhe në kokën tënde, me siguri! “Fajin e kanë ata përtej!” Të thonë sytë e oficerit-rojë. “Ne, si kudo, zemërgjërë jemi edhe këtu, në kufi.”
5.E unë, ndalem e pyes veten (Me atë borën e zezë të shikimit tend mbi supe.): Sikur papritur ti të thoshe: “Hiqeni këtë vijë të mallkuar! Dhe çojeni vijën atje ku vija duhet! Çojeni prapa shpinës sime, tutje!” Si do të silleshin, vallë, me ty këta të pashoq demokratë?! Këta kaq zemërgjërë?! Këta kaq zemërbutë?!
21.V.1988.

Këngë Shestani
(Stil i vjetër, përmbajtje “moderne”)
Qysh se erdh Jugosllavia,/ Re të zeza te Rumia!../ Oj Rumi, Rumi e shenjtë!/ Shkojnë nanat tuj folë me vete!/ Ku janë vajzat? Ku janë djeltë?/ Na kanë humbë e na kanë tretë/ Nëpër rrugë e nëpër dete!/ Na i kanë lanë shtëpiat vetëm!../ Si ka mbetë Shestani? Si?/ Si pa zot e pa njeri!/ Si kanë mbetë Muriqi e Pinçi?!/A po i lini, a po i digjni?!/Si ka mbetë e shtrenjta Ljare?!/ Pa t’marrë vaji, nuk ke çajre!/ As për shkije, as për shqiptarë!/ Thtjani e Brisku, djegë për hanë!/ As me i mbajtë e as me i lane!/ Si ka kjenë katundi Draganj?!/ Mblidhte Kranjën për një dasmë!/ Si ka kjenë Kështenja e bukur?!/ Jepte ujë e jepte bukë!/ Si kanë kjenë Ostros e Runj?!/ Asi trimash s’kish kurrkund!/…O, qysh se erdh Jugosllavia,/ Ndër kta vende ka ra zia!/ Mbushë Tivari, prej Sërbie!/ Një fjalë shqyp s’po munj m’e ndie!/ Kush na e ka hyqmin në dorë?/ Malazeztë, se janë me shkollë!/ Oj Rumi, Rumi e shenjtë,/ E bardha ti, si na ke mbetë!/ Oj Rumi, Rumia nanë,/ E mjera ti, si t’kena lanë!/
16.VI.1988.
Kosovë. Lajme për klimën.
Në rrugën “Jakshiqeva”, një plake sërbe, ish-luftëtare, 2 të panjohur, parmbrëmë, i thanë diçka. Në korridorin e një manastiri, një milic shqiptar, iu afrua në terr një murgeshe plakë, dhe, edhe ky, diç i tha. Për këto 2 ngjarje, në këmbë Sërbia e tëra! Për këto 2 ngjarje kaq të mëdha!
31.VIII.1988.
Era, retë dhe ne
Qëllimi i të errtëvet përherë errësim ka lakmuar.
Edhe të errëtit e sotëm, qiellin po na e nxijnë.
Retë po na i fryn era andej nga ne nuk duam.
I kanë mbushur kacekët e urrejtjes brinjë më brinjë.
Mundet që edhe drejt më së madhes provë po shtyhemi.
Unë, ndërkaq, të shoh ty se si po rrekesh në këto të natës dallgë.
Jam përherë aty, me ty. Bij të Laokontit të 2 qenkemi!
Kur, më në fund, errësirat e këqia, e diellta dritë të na i ketë tretur larg,
Aty ku ti e unë i qëndruam kësaj kohe të rëndë, pa u epur,
Ndoshta drita e ditës do t’ia zbulojë atëherë botës më qartë
Inicialin e mosvdekjes sonë: 2 duar e 1 zemër!
14.XI.1988.
Një ditë e madhe
Do të doja, o Ditë e Madhe, të festoheshe me kufij të plotë!
I gjithë ky Komb do të ish i lumtur, do të ish i gëzuar!
Të qetë dhe të tjerët, probleme më pak në Botë…
Atdhe i shtrenjtë! Sa keq të ndanë në copa! Sa keq të copëtuan!
Eh, o kohë! Aspak mirë s’e ndërtove për ne historinë!
Fajin dimë kush e ka. Por, a lodhen ata, që ne e dimë?!
Liria na u mohua nga kryemohuesit e lirisë!
As vetë popujt e tyre prej asi farë diplomatësh s’patën të mirë.
Mjerë popujt që vuajnë! Arnimet me paçavra diplomatësh
U kthekan fill në fusha gjaku! Ç’faj i kanë të lashtët ballkanas
Rusit gojëgropë apo një mbreti mendjepjepër, te Bregsava në Beograd?!
I tillë qe çasti!.. Por tani jo më! S’ka më tokë shqiptare, plaçkë e falas!
Tani… Epo, tani mjaft! Me poshtërime për ne shqiptarët, vërtet, mjaft!
27.XI.1988.

Era fryn
(Duke lexuar shkrimin “E.Mekuli” të R.Qoses)
Era fryn e diejt përditë lindin një mbas një…
Sytë e mi, me vesë qërpikëve, shohin kohët prapa:
Atë ditë, kur ti më fole me të qetin zë,
Deshe të m’i fashisje flakëzjarret sadopak.
Mësimi yt njeriut i jepte frymëngrohje e shpresë!
E doje ti njeriun! Bukë jete shikimi yt i butë!
Kurse unë… Unë, aha! S’ia kisha kimetin ngesë!
Udhë e gjatë! Vërtet, nuk ban me u ngutë!
Lene, thoshe, popullin ta gjejë udhën vetë!
I pashë atëherë te ti do sy, nga rridhte lutje.
30.XI.1988.
Mbrëmë
Mbrëmë dole e mbajte fjalë para 7 mijë studentëve.
U the, sigurisht, fjalë me mend e fjalë qetësimi.
Hoqe, sigurisht, nga shpirti yt një copëz jete.
Ata ty, herë trokitje, herë fishkëllima.
Mua, ndërkaq, në mendje, greva jonë, e para, në Gjakovë!
E kujtove, vallë, edhe ti 61-në?!
Të erdhi, vallë, në mendje ajo e para provë?!

Bëre dhe ti atëherë një punë për t’u lëvduar, vërtet.
Ia punove atëherë, me mençuri dhe mjaft dinakërisht
Cinikur udbo-pushtet, që gati hekurat na i kish.
I dinin, vallë, këto bëmat tona, tek të dëgjonin, studentët?!
24.II.1989.
Për çfarë tjetër?!
1.ATA, pa bukë, 200 orë, nën qiellin e rëndë të galerisë! Unë, mbrëmë, pastër e ngrohtë, hëngra, sa u ngopa, bukë e mish!
2.ATA, 3 ditë e 3 net, mbi truallin e fortë e të lagësht, thellë nën tokë! ATA ATJE, valle lufte, për jetë e vdekje, unë këtu, në liri, por i lidhur, pëlcas e vuaj e s’lëviz dot!
3.O, si rri unë kështu, si rri?! Kur s’i kam sot, për ATA, dora, koka, goja, për çfarë tjetër më duhen?!
24.II.1989
Tytat në hi
1.Ju erdhët tash edhe me tanke të rëndë. E dimë! Keni ardhur trupa njerëzish për të grirë! Mitralozët tuaj dëshironi t’i derdhni mbi gjokset tanë! Zemrat e fëmijëvet doni t’i shtypni me zinxhirë!
2.Por ne, po ditkemi tash, diç më shumë se ju. Ne në rrugë nuk dolëm, që ju të na shkelni. Ne në mal nuk shkuam, që ju të na gjeni. Ne zbritëm në të thellën zgafellë dhe juve… ju rrofshin tytat! Ju rrofshin grykat! Futini grykat në pleh dhe futini tytat në hi!
25.II.1989.
1300 diej
1.Vargjet janë tepër të ngushtë, për të zënë madhështinë tuaj. Fjalët që t‘ju cilësojnë juve, s’i gjen dot në asnjë gjuhë të Botës. Nuk ka as ngjyrë mbi tokë, që të mund të përjetësojë fytyrën tuaj. Dhe nuk mund të gjendet asnjë skulpturë, që të na e përafrojë heroizmin tuaj.
2.Prandaj ju, në shekuj do të qëndroni në krye të këngëvet tona, pa e thënë dot kurrë atë që ndiejmë, në krye të monumentevet dhe në krye të pikturavet, pa jua gjetur dot formën e ngjyrën që duhet! Ju do të mbeteni kështu, në qiellin tonë të ardhshëm, 1300 diej!
26.II.1989.
Dita e Mësuesit Shqiptar, në 102-vjetor
1.Sot mësuesvet tanë nuk ua zënë pritën, as me pushkë e as me thikë. Sot, tanke dhe mitralozë, mijëra mësuesvet tanë, u kanë zënë pritë!
2.Si do të kalojë, vallë, kjo Ditë e Jona, midis këtij tërbimi antiarsimor?! A do të mund të jetë kjo Ditë, vetëm një Ditë Përkujtimore?!
3.S’e kemi mendjen në vend. Meraku gjoksin po na e ndrydh. Sot, dhjetëra mijë dhëmbë të ckërmitur, mijëra mësuesvet tanë u kanë zënë pusi! Aeroplanët Mig ia zënë qiellin nxënësit shqiptar. Qiell pa diell e pa yll!
4.Ku e kemi, vallë, Rexhep Qosen sot?! Ku e kemi Agim Vincën?! Ku i kemi mësuesit anembanë nëpër Kosovë?! Parakalojnë midis plumbavet! Plumba e predha në vend të lulevet!
7.III.1989.

Nën lotët e yjevet
Nëpër skajet e trotuarëvet e nëpër morgjet e spitalevet! O bij, o bija!
Ju kërkon e s’ju gjen dot nëna dhe s’e lënë t’ju bëjë as gjëmën! O bij, o bija!
Lakuriq përmbi dërrasa, o sypëvëluarit me gazna! O bij, o bija!
Nxirë nga shkopinjtë prej gome, o trupnjomët e nënavet! O bij, o bija!
Me plumba trupin shpuar e grirë, o trupcopëtuarit e mirë! O bij, o bija!
Shkallmuar e shtypur nga makinat e tash shtrirë mbi tavolina! O bij, o bija!
Ju shqelmojnë edhe të vdekur e ju pështyjnë mbi trup të zhveshur! O bij. o bija!
Pa një dorë nëne te koka e pa një lot motre te floku! O bij, o bija!
Pa gishtat e nënës te balli, pa një lot motre prej mallit! O bij, o bija!
Si rrini ashtu, pa bëzajtur?! Si rrini?! O trupënjturit nga durimi! O bij, o bija!
31.III.1989.
Një copë nga bluza jote
1.Si më ike ashtu, moj bijë, nga shtëpia, si më ike?! Vetëm me një të puthur në faqe, sikur po më shkoje në valle! Më the: “Sot do të vdesim për liri” dhe, as të them: “Luftë të mbarë!” s’më prite.
2.Dola dhe unë në rrugë pas teje, e shkreta! U futa dhe unë mes përfytjes dhe zhurmës… Gjithë ditën i rash kryq e tërthor zallahisë perms plumbavet dhe gazit, që ia merrte frymën turmës. Pashë, në tufa, shoqet e tua, i preka me dorë, ua lidha plagët… Po ty s’të gjeta.
3.Vetëm pasi u largua batërdia dhe në shesh mbetën vetëm gjaku e hiri, gjeta, në Rrugën “Baca Isë”, një copë nga bluza jote. Gjeta pastaj në Sheshin “Kongresi i Manastirit”, shallin tënd të gjatë, ngjyrëthekre që ty aq bukur të shkonte.
4.E tash po të presim të gjithë të na kthehesh… Dhe ti do të na kthehesh, pa tjetër, se atje në morg s’ke si rri gjithë jetën! Do të vish bashkë me dritën dhe të gjithë zgjuar do t’i gjesh.
14.IV.1989.
Ç’u flasin shokëvet sytë tu?!
1.Këto ditë, atje është luftë. Unë jam shumë i shpërqëndruar: Nuk di asgjë për ty! Të çfarë shkalle i ke telashet? Mos të kanë nxjerrë nga puna?! Mos je i plagosur? Mos të kanë arrestuar?! Ata të ndjekin, pa tjetër. Ata, pa tjetër, të kanë në sy.
2.Kam 100 e sa net që bie e zgjohem zemërngrirë! Shqetësimi i vëllait për vëllanë nuk matet. Vallë, si ia bën me nusen? Me fëmijët, që i ka axha aq të mirë?!
3.Vallë, si e qetëson nënën?! Si ia bën kur është për të shkuar ose për të mos shkuar në punë? A more pjesë në përleshje, apo ndenje mënjanë? Ç’u flasin sytë e tu shokëvet, për ne, për pjesën e lirë, për vëllanë?
4.Kam 100 e sa net që bie e ngrihem, ja kështu, thuajse i mpirë! Të të kenë shtirë SSSS-të në dorë, e di se ç’punojnë mbi ty! E di unë! Por, edhe të mos të ketë ndodhur asgjë fare, nuk do të më vinte, natyrisht, aspak mirë.
1.V.1989.
Si të ta shtrijë këtë dorë ?
(R.Ismajlit)
1.E lexova emrin tënd në gazetë… Po më dhemb shpirti e trupi fort po më dhemb. Tëmthat po duan të më çahen, nofullat po më shtrydhen e po duan të m’i copëtojnë edhe këta pak dhëmbë.
2.Sytë po duan të kërcejnë zgavrash… Prej zgavravet të kafkës, që zien! Foleshë të kokërdhokëvet, edhe po të kërcejnë, s’kanë ku bien!
3.Si të të ndihmoj, o gjuhëtar i shqipes?! Si të ta shtrij këtë të këputurën dorë?! Gjithë mendja e Kombit mbërthyer lisicash! Mbushur qelitë e mykura plot me profesorë!
4.A ka ligje ky njerëzim i plakur?! A ka ky njerëzim drejtësi gjëkundi?!. Sa keq kur je gati për të vdekur për diçka e s’të lënë litarët! Këtij kalvari s’po i ardhka kurrë fundi!
5.Kështu po flas e po rropatem me vete, Rexhep Ismajli. S’di se ç’të mendoj, as ç’të them, as ç’të bëj. Di vetëm që koka fort po më dhemb dhe s’e dimë, as ku jemi, as ku do të dalim.
2.VI.1989.
A thua do të mund..?
A thua do të mund t’ia them një fjalë familjes?!
A thua do të mund t’ia them Shestanit një fjalë, për ta mbajtur mend?!
A thua do të mund t’ia them një fjalë Kosvës?!
A thua do të mund t’ia them një fjalë krejt Atdheut?!
A thua do të mund t’ia them një fjalë Njerëzimit?!..
Një fjalë, që t’i vlejë…
Një fjalë, që të zërë vend!..
9.X.1989.
Të ish edhe ai atje
Vëllanë tim unë e dua më shumë se fëmijët e mi.
Kuptohet, kësisoj, unë e dua atë edhe më shumë se veten.
Por, parmbrëmë, tek po luftohej për Kosovën në Kodrën e Diellit,
Unë dëshiroja, heshturazi, të ish edhe ai i rrethuar!
Dëshiroja që, bashkë me Fahri Faslliun, edhe ai ta jepte jetën!
4.XI.1989.
Cipa e kuqe e qiellit tonë
1.Bedri Sokoli sonte u bë i të gjithëvet. Të gjithë e njohim, të gjithë emrin ia dimë. Ai tashmë pushon midis nesh, në jastëkun e butë të bebëzavet tona. Nën rrezet e së ardhshmes, me emrin e tij, tash të gjithë ne po endim përjetësinë.
2.Jo më me ëndrrime, por duke ndenjur pa gjumë pranë radiovet deri vonë, me fijet e gjakut të Bedri Sokolit, po e thurim cipën e kuqe të qiellit tonë.
4.XI.1989.
Lotin e than murlani
(Me A.Vincën, pas leximit te “Drita” më 20 nëntor 1988 e në vazhdim)
Ti në stuhi qëndron e vargje thur për stuhinë.
Unë në strehim po rri dhe lexoj vargje në strehim.
Ti po i jep Atdheut mesazhe burrëriplotë,
Unë lexoj vargjet e tu dhe derdh nga një lot.
… A nuk tregon kjo
se, sidoqoftë,
të 2 ne nga diç Atdheut i dhamë?!
Ti një grusht vargje,
unë një kupë lot.
Sigurisht, po.
Veçse,
… lotin tim e than murlani
e vargu yt mbetet, i gjallë!
1989.
Nëpër shkallët e mjerimzezëvet
I mjeri Danillo Burzan! Sa të mençur e pandeh veten, mjerimziu, e sa pak që di!
I mjeri ai radiostacion, që s’vë dot në krye një komentator më të mirë, një më të saktë në mençuri!
Dhe i mjeri ai popull, që është kaq tragjikisht i dënuar të kripë mendjen nga një radistacion si ai!
1.I.1991.
Po flitet shqip!
Radio-Prishtina, vazhdon të flasë shqip!
Në shkollat e Kosovës, mësimi vazhdon të jepet në gjuhën shqipe!
Në Universitet, ende po ligjërohet shqip!
Po botohen edhe libra në Kosovë, në këtë gjuhë-sfidë!
Edhe nëpër rrugët e katundevet, edhe në çarshitë e në shetitoret moderne të qytetevet, ende po flitet gjuha e stërlashtë e popullit tonë!
Kjo dëshmon që ky popull, është ende gjallë mbi këtë dhe dhe se ende rron!
12. V. 1986.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura