NJË BISEDË E HAPUR ME KRIJUESIN XHEVAHIR CIRONGU

Durrës, 24. 09. 2015: Ju faleminderit që u ra ndërmend të vini e të bisedoni me mua, pasi për dyzet e sa vjet që merrem me krijimtari letrare nuk i ka ra ndërmend askujt të marrë takim qoftë edhe për të dhënë ndonjë mendim apo mirënjohje për veprimtarinë letrare të kolegëve të mi krijues në zhanret e letërsisë së shkruar. Përveç iniciativave të mia personale për të shkruar artikuj të ndryshëm teoriko-praktik dhe tre librave me karakter vëzhgues, studiues e hulumtues, duke e zhvilluar më tej mendimin kritik letrar që të afishohen vlerat e vërteta artistike të arritura edhe nga krijuesit durrsak apo mirditor gjatë këtyre dekadave. Shpresojmë që kur të mos jenë më ata që e meritojnë të shkruhet për ‘ta, do të kujtohen krijuesit tanë të nderuar të këtij zhanri Josif Papagjoni, Moikom Zeqo, Zydi Dervishi, Behar Gjoka, Mark Marku, Agron Xhekmarkaj, Petro Lati, Mark Simoni, Ndue Deda, Petraq Risto, Met Dervishi e dekanati i Gjuhë-letërsisë shqipe të U.D. dhe gazetarët e talentuar që merren me trajtimin e problemeve letrare, si z. Rezarta Reçi, Beti Njuma, Monika Stafa, Arta Marku bashkë me disa pena të reja si Llanaj, Gradica, Macaj e të tjerë të talentuar, që ta studjojnë periodikisht me dëshirë veprimtarinë e krijuesëve mirditorë e durrsakë që janë mjaft prodhimtarë në fushën e letërsisë.
Më falni se u zgjata me këtë konsideratë jo pak të ndjeshme meqë me disa nuk njihemi ende fizikisht e personalisht, por ajo është kuptimplote dhe mjaft e dëshirueshme për fakirët krijues që memoria letrare ende nuk i ka skeduar për arkivin e saj. Pasi gjatë zhvillimeve letrare demokratike në këto dy dekada janë kritikuar vazhdimisht e publikisht “kapardisjet e dukurisë mburravece”, nepotizmi klandestin, familjariteti i sëmurë lokalist, xhelozia injorante mjaft injoruese, tendencat e megallomanisë konservatore se “vetëm ata kanë lindur për të drejtuar” me uzurpimin e organeve letrare për një kohë të gjatë pa u bërë rrotacioni i domosdoshëm artistik nga klanet e paafta profesionalisht. Këto mbeturina, duke përfituar nga indiferentizmi, mefshtësia e amullia kanë vënë si moto të punës së tyre kompromentimin moral të opinionit të drejtuesësve shtetëror që merren direkt me politikat e organizimit e të zhvillimit kulturor të qarkut apo në shkallë vendi. Që të realizohen këto farsa egoiste e dëmprurëse, përdorin forma të ndryshme për publikimin hiperbolik nëpër podiume e konkurse të “lavdisë panegjeriste të karrierizmit primitiv” si njëherë e një kohë, për vlerësimin nëpër kafene apo bankete kioskash në mënyrë stereotipe me një semplizëm mjaft paragjykues lokalist të disa krijimeve të dobëta artistike me çmime aspak të merituara, duke shpërdoruar kështu detyrën e shenjtë të gjykatësit të paanshëm të vlerave të vërteta artistike, pavarësisht se kush i ka krijuar ato. Dhe para gjithë këtyre kritikave parimore të drejta e shkencore apo artistike gjatë një komunikimi kulturor të admirueshëm, shurdhëria burokratike dhe djallëzia e mediokritetit letrar i bëjnë veshët “shurdh e sytë qorr” para kësaj “lavdie të shterruar(!)”, duke vazhduar me të njëjtën mënyrë e me të njëjtën masë vlerësimi si një vit në tjetrin pa e prishur aspak terzinë se notohet në ujra të amullta pa u merakosur se kush i bien “bririt” të së vërtetës apo se çdo ditë shumësia e krijuesëve të talentuar firon në humnerat e moskujdesjes e të mospërkrahjes ose në strehët e vetmisë kufizuese të pa dëshiruar. Êshtë e papranueshme dhe e palejueshme që shumica e krijuesëve të largohet e të mos pranojë të mblidhet me një “kastë” të rënë nga vakti vetëm prej paaftësisë e mediokritetit, diktatit konservator dhe interesave të saja klienteliste që rrogomizet të bëjë biznes të pandershëm e primitiv me vlerat e dobëta artistike.

– Krijuesi Xhevahir Cirongu –

Në shenjë nderimi për intervistën tuaj, le ta përjetojmë këtë çast ogurmirë që erdhi për të folur jo vetëm për tendencat përçarëse e premisat realiste aspak favorizuese të krijuara dhe imponuara nga mediokrititeti burokratik ndaj marrëdhënieve të kolegëve krijues. Prandaj dëshiroj shumë të shprehë disa mendime konkrete që t’i ndajë me publikun për krijimtarinë e brishtë letrare, por të sinqertë e premtuese nga ana estetike e poetit e prozatorit të ri të talentuar Xhevahir Cirongu nga Tomorrica e lashtë e Skraparit tonë heroik, i cili e ka filluar rrugën e vështirë të krijimit si një gazetar vullnetar. E mbara, e mira dhe e dobishmja e kësaj krijimtarie flasin me zë të lartë, se këtë duhet ta bëjë kryesia e këtij klubi në mënyrë të organizuar e sistematike për çdo antar të tij.
Megjithatë keqardhja pohon, se jo vetëm nuk janë shkulur nga rrënjët konceptet, praktikat dhe metodat e vjetra të së shkuarës, por në këto dy dekada pas ’90-tës përmbysja e madhe bashkë me lirinë e krijimit solli edhe lumin e rrëmbyer të veprimtarisë gjithëpërfshirëse krijuese të shoqëruar me “cunamin” e prurjeve të çfarëdoshme që rrezikoi të përlante vlerat dhe traditat më të mira të traditës së shartuar me ato moderne, aq sa e lejonin niveli dhe mundësitë intelektuale të botëkuptimit letrar shqiptar. E theksova këtë fakt, pasi Xhevahir Cirongu është një nga të parët që mori pjesë në riorganizimin e klubit të shkrimtarëve pas shpërbërjes të lidhjes së tyre, që kur erdhi nga Leskova e tij e dashur. Ndonëse unë jam një antar i thjeshtë e i zakonshëm i këtij klubi me një veprimtari të pasur krijuese letrare i ardhur pas tij në këtë shoqatë si ish antar i LSHASH, përsëri më takon patjetër si më i moshuar me një përvojë të gjatë, për t’u ndalur në disa vlera të krijimtarisë së tij artistike.
Xhevahiri e ka filluar si gjithë të tjerët veprimtarinë krijuese me aktivitete kulturore e artistike , pastaj si punonjës biblioteke në vendlindjen e tij. Dhe mbresat e para i ka ushqyer me këngë e krijime prozaike në formën e vjershave të thjeshta e të reportazheve gazetareske, të monografive patriotike dhe për mbledhjen e frazeologjisë së pasur popullore, me të cilat ka debutuar në gazetat lokale e kombëtare. Për përkushtimin e tij në këto veprimtari krijuese është dekoruar me medaljen “Naim Frashëri”. Kështu, guximi i tij poetik, provoi të krijojë poezi të brishta e tregime të shkurtëra eseistike, ku në vitin 1984 është nderuar me çmim të parë kombëtar për tekstin e një kënge për fëmijë të kënduar në festivalin e organizuar në Shkodër për moshat e të vegjëlve. Me rritjen e pjekurisë letrare, krijimet e brishta i ka mbrujtur me ide të qarta patriotike, me sinqeritet të çiltër krijues dhe me një tematikë koherente e problematikë mjaft impulsive që ravijëzon shqetësimet e njerëzve të thjeshtë, traditat më të mira të tyre dhe kontributin e çmuar të figurave të ndritura të kombit, të cilat i ka ngjizur e derdhur bukur nëpër vargje apo rreshta eseistikë me balsamin e zemrës e me nektarin e shpirtit të pastër në vëllimet poetike “Kush ia shkeli syrin Ildës, Shpirtit i thërres, Kënga e lotit dhe vëllimet në prozë “Tomorrica zemra jonë, Mall nga oqeani, Misteri i një gruaje, përmbledhja publicistike “Tomorri qiell perëndie” 1 e 2, “Bisqet e gjakut” kushtuar luftës ë Kosovës, Kozmogonia e një poeti kosovar, Pena e Bedri Tahirit, një roman me titull “Një kafe në ishull” dhe fabula e përralla për fëmijë. Po ashtu ka botuar në disa organe të shtypit periodik në Shqipëri, Kosovë e Suedi si dhe në revista të ndryshme portale në Evropë dhe Amerikë.
E veçanta e krijimtarisë së tij është pasioni, këmbëngulja e dashuria për letërsinë, duke prodhuar pa pushim me një zell e nerv poetik mjaft të ndjeshëm e të admirueshëm, përmbajtja e të cilave reflekton një sens të pasur meditativ me një problematikë interesante, të cilat nuk heziton t’i hedhë në shtyp me ngrohtësinë e kujdesin e kulturuar dhe me qëmtimin letrar gjithnjë realist. Pothuajse e gjithë përmbajtja e lëndës letrare të krijimeve të tija e meriton t’i kthehet vëmendja e secilit te logjika vlerësuese për përmbajtjen e veprave të shkruara që të reflektohet ndaj mësimeve të domosdoshme e të dobishme dhe ndaj vlerave letrare artistike që ato përcjellin te lexuesit.
Sinqeriteti kritik qëmton motive me tematikë të larmishme që gjallojnë në zemrën e popullit dhe të mjedisit natyror e shoqëror, politik dhe social jo vetëm të Tomorricës, por të shumë zonave të vendit, për ndryshimin e të cilëve është luftuar që të përballohen vështirësitë e shumta të mbijetesës. Atje ku janë këto probleme e shqetësime ndodhet muza e talentit të Xhevahirit me karakteristikat e ligjërimit poetik si referencë e së bukurës, si emotiv i ndjenjave njerëzore, si fakte të realitetit tonë kombëtar historik e aktual dhe si pasuri e vyer e gjuhës sonë poetike. Kënaqësia nga shijet estetike dhe cilësia artistike me vërtetësinë historike nuk kanë mbetur peng as trofe e një krijimtarie “folklorike apo rapsodike”, siç mund të pëshpërisë ndonjë zë meskin apo keqdashës i mediokritetit të prapambetur që ka zënë shtratin e llomotit duke përgojuar penat e reja për format e ligjërimit e mjetet e tyre shprehëse, të cilat ravgojnë të çajnë përpara midis vështirësive e të panjohurave që paraqet rruga e lodhshme e krijimit artistik. Ata e harrojnë mësimin e aktores së shquar franceze Brixhid Bardo, e cila porosiste se “Në art, si edhe në jetë, ndodhin batica e zbatica të mëdha…Në zbaticën shpirtërore kuptohen më mirë fenomenet, njihen më mirë njerëzit, miqtë apo vetvetja”. Me shumë të drejtë shkrimtari disident Sali Leka nga Shkodra tërheq vëmendjen e seriozitetit letrar e shkencor të forcave krijuese që të heqim dorë nga “fabrikimi mdiatik i shkrimtarëve që vijnë nga dështimi në politikë ose në organet mediatike me modelin e letërsisë së dështuar…Për shkak të favoreve që u jep politika dhe ekrani televiziv me mesazhe jo estetike, veçse reklamime të fryra gazetareske për shpërblimet që mund të marrin nga ustallarë apo klane të caktuara për një produkt letrar të gjithëfarshëm, i cili duhet të vihet në provën e kohës nëse i reziston apo jo asaj.” Le t’i hyjmë me sinqeritet e çiltërsi pa paragjykime e denigrime delirante kësaj rruge të ndershme për të njohur sa më thellë e më nga afër njëri-tjetrin dhe veprimtarinë krijuese të secilit, edhe të këtij biri të Tomorricës që është sinonim i urtësisë e i thjeshtësisë dhe i vullnetit skraparllit për të ecur me sukses shtigjeve letrare.
Ky talent i ri është në shpërthim e sipër drejt rrugës racionale, duke u dhënë hov: epikës historike; lirizmit të gurrës popullore; dashurisë së çiltër njerëzore për vendlindjen e shpirtin e paepur dhe të asaj intime për ndjenjat më sublime të gjallimit të jetës. Për t’i dhënë tonin e ndëshkimit artistik shkaqeve të plagëve sociale të shkaktuara nga varfëria e skajshme, nga mërgimi ogurzi apo nga persekutimi monist pa klithma e kuje me ngarkesa të ndryshme politike e pluraliste, psikologjike e shpirtërore. Optika e krijimtarisë së tij rrok e përdor një tipologji të thjeshtë prodhuese në zhanrin e poezisë, të prozës së shkurtër eseistike dhe të letërsisë dokumentare e gazetareske me monografi e portrete për heronj e njerëz të thjeshtë anë e mbanë vendit, duke i derdhur brenda elementëve semantikë të një forme e përmbajtje të re sa më realiste dhe aktuale.
Sipas shembullit të krijuesëve më të njohur Fatmira Kulli e Muharrem Gazioni, Hysen Çyrbja e Daut Hoxha, Fatmir Minguli e Bashkim Hoxha, Mimoza Erebara e Flora Dervishi, Myzejen Konduri e Ledi Myshketa, Shpendi Topollaj e Ruzhdi Gole, Met Gjergji e Agim Bajrami, Ardi Omeri e Durim Çaça, si edhe të brezit aktual me një krijimtari cilësore poetike Eva Kacani e Merita Thartori, Enton Bido e Vasillaq Papaj, Ilir Paja e Kadri L. Aliu, Artan Ballgjini e Keti Sejdiu e të tjerë; krijimet e Xhevahirit po vijnë të freskëta e plot vërtetësi realiste si risi gjithë vitalitet estetik me vlera të dukshme artistike. Konkretizimin artistik të këtyre vlerave estetike të krijimtarisë poetike të Xhevahir Cirongut e japin shembujt e vargjeve të poezive të tij sipas tematikës e problematikës që po shtjellojmë në këtë bisedë letrare.
*Ai me fjalë të thjeshta e të kulturuara, që i burojnë nga zemra e paqtuar, tregon për farset e persekutimit monist pa dhënë alarmin me britma alergjike. Por kur hëna të jetë e plotë e qielli me detin të jenë kulluar, zëri i poetit këndon se ishte si “gjethi i zverdhur” i vjeshtës që binte mbi tokë nga furtuna e dallgëve të luftës së egër klasore: “Ashtu dhe zemra ime/ e lodhur nga përleshja/ me kujtimin ogurzi,/ nga plaga e zhgënjimit/ ka rënë në qetësi”. *Patjetër frymëzimi i tij nuk shkëputet nga burimet e gurrës popullore patriotike, duke shfaqur qartë dhe bukur vitalitetin e dashurisë për vendin e kombin, si dy komponentë legjitim të historisë sonë shekullore. Prandaj zemra e tij nuk resht së kënduari me një patos të ndjeshëm shpirtëror: “Nga Tomorri/ fron i parë/ dielli ngroh// globin mbarë./…/ Fshati im shtrihet n’faqen e një mali,/ Aty ku rriten lulet e lajthia,/ Një burim uji seç rrjedh si kristali,/ Aty nisën udhën ëndërrat e mia…”/… / Kush këndon për Shqipërinë/ fjalët nga shpirti i vijnë/ e lartësohen në Tomorr/ lule-thurur si për kuror’./…/ Rrjedh nga shpirti/ si ujvarë,/ kënga e zemrës/ o Skrapar!”.
*Xhevahir Cirongu e kupton identitetin kombëtar të lidhur ngusht me përpjekjet për t’i vazhduar me sukses rrugët e dijes, për t’u arsimuar e kulturuar që të mund t’i shërbesh më së miri vendit e kombit duke zhvilluar artin e letërsinë. Respekti e mirënjohja për nënën, sipas Cirongut, është dashuri dhe respekt i përhershëm për gjuhën shqipe, për flamurin kombëtar dhe për institucionin e besës shqiptare si një traditë e vyer e popullit tonë. Këto ide të mëdha ai i shpreh me vargje të thjeshta e një bukuri magjepse që reflektojnë vlera të dukshme artistike. Dhe kënga e tij jehon me krenari: “/E deti kos të bëhet/ me lug’ s’mbarohet kurrë./ Ashtu rruga e dijes/ ësht’ më e gjata rrugë./ N’altarin e zemrës/ mjalti i shkronjave/ rri brenda./ /Gjaku ynë-ngjyrë ari/ dhe shqiponja-shqipëtari.”/
* Po ashtu Xhevahiri e koncepton lirinë si një përpjekje heroike kundër robërisë pushtuese e tradhtarëve të vendit të ngjizur me sakrificat e flijimit të lules së trimërisë për t’i vaditur rrënjët e saja me gjakun e tyre. Prandaj i drejtohet kujtesës së maleve t’i flasin për nëntorët e historisë, për të evokuar trimëritë e heronjëve Bjram Curri, Shota Galica, Riza Cerova e të dëshmorëve të tjerë që me amanetin e vendlindjes sakrifikuan sublimitetin më të shtrenjtë të jetës së tyre për lirinë e atdheut e të kombit shqiptar. Dhe zëri poetik pyet me ndjeshmëri:“/ Malet tona me qafat hijerënda/ më kallzoni diçka për historinë…,/ për hasmin që eshtrat i mbetën brenda…?/ Un’ qafës së malit do të zë pusinë.”/… / Eh, nëntorë me qiell kaq të përflakur,/ mbetët dritë mbi kët’ tokë të përgjakur!/…/ Ata prehen të qetë në tokën mëmë,/ se themelet e vendit vet’ i kanë vënë./ Nga rrënjët e gjakut vjen thirrja çdo ditë/ që t’mos vyshket petali i trëndafiltë.”/
* Ndjeshmëria e ndjenjave të poetit të ri Xhevahir Cirongu të tundon me pasione meditative, vrullet e së cilës i mbrunë në bukurinë e vargjeve të çiltërta për peizazhet magjepëse të natyrës së vendlindjes-Tomorricës së dashur si fron i perëndisë, për laryshin e kolorit stinor me aromat pranverore, për ngjyrën vjollcë të rrezeve diellore dhe freskinë e valëve lozonjare të qilimit të blertë në brigjet e Durrësit si perlë e lashtësisë sonë historike. Dhe kënga e tij gurgullon si ujëvarat e bardha të maleve tona: “/ Udhëtoj mes gjelbërimit,/ Trëndelina kudo rritet./ Zogjt’ i grahin fluturimit,/ Flladi lehtas i kryen ritet./…/ Në kudhrën e fjalës të shkrijë/ natyrën, njer’zit, bukuritë…/ Gjoksin e nënës që m’dha sisë,/ ku lindi filiz’ i poezisë.”/
* Optika e muzës së frymëzimit nga akumulimi i mbresave shumë të ndjera e mjaft prekëse e ngul penën te plagët më prekëse të mërgimit si një malcim dramatik e tragjik i zemrës së popullit, të cilit i rrodhi shumë gjak i pastër dhe i firoi një pjesë e mirë e trurit intelektual me largimin për në kurbet të bijëve e bijave që ishin në lulen e rinisë. Prandaj dhëmbja nostalgjike e shpirtit poetik lëngon e shfren me vargje estetikisht mjaft të ndjera: “/ U ngjajnë zogjëve shtegtarë/ që enden rrugëve të botës./ Kthehuni shpejt o mërgimtarë,/ Nëna qan te pragu i portës!/…/ Loti plag’ e dhëmbjes,/ lag e rà në tokë!/ Trageti po afrohej,/ Dhimbja rëndë në gjoks! /Syri lot e shpirti plagë,/ zemra të grish: eja prapë!/ Prag më prag e der’ më derë/ t’ presin prindërit e mjerë.”/
* Fillimet e tija letrare janë përpjekur të krijojnë një panoramë sa më realiste të dashurisë së çiltër e të sinqertë pastorale me ndrojtjen e moscënimit të sedrës së traditave,…duke i vendosur njerëzit, sendet dhe fenomenet në një hapësirë anonime me fabula interesante. Prandaj kënaqësia estetike dhe vlera artistike e tyre i kanë dhënë mundësinë autorit që këto mbresa t’i paraqesë me guxim para lexuesve të ndryshëm në vargje të bukura si këto që mund t’i deklamojmë edhe në fund të kësaj bisede: “Ajo iku e u bë erë,/ Dy fjalë tha si përherë:/ Së shpejti kthehem/ si sythi nëpër degë./…/Der n’ mbrëmje vonë e prita, si bleta n’ lule iu ngjita./…/Në sytë e tu – gjithësia,/ Në gjoksin tënd – ngrohtësia,/ Në ballin tënd -bukuria,/ I ngjiz zemrat dashuria!/…/ Nuk largohet kujtimi yt/ kaq shpejt dhe pa kuptim/ nga kjo kasafort’ e mbyllur/ këtu në shpirtin tim.”/…/ Ktheu, të thot’ zemra/ dhe lulja në ballkon./ Kanarina e mërzitur/ veç për ty s’po këndon.!/ Vargjet dhe shkrimet eseistike për njerëzit e thjeshtë e të varfër, për gruan dhe fëmijët si gëzimi më i madh i jetës, për heroizmin e dramën kosovare, për ngjarje të ndryshme të jetës shqiptare, për prindërit e pensionistët dhe për problematikën pluraliste nuk kanë të sosur. Pasi pena e Xhevahirit rrëshqet deri natën vonë mbi letrën e bardhë me një vullnet e këmbëgulje të sigurtë drejt të panjohurave të një krijimtarie më të pasur, meqë ecën drejt afirmimit si një krijues i palodhur dhe i mirëpritur në gjirin e kolegëve të tij poetë e shkrimtarë. Ka marrë pjesë edhe në antologjitë poetike të shtëpisë botuese “Muzgu” dhe me tregime të zgjedhur te “Tapeti i tregimeve” të shtëpisë botuese “Ada”. Në studion time gjenden shumë gazeta e revista, ku ka shkruar krijuesi Xhevahir Cirongu.
Tani besoj është kënaqur sadopak “Beluli” me këtë mirënjohje për talentin e poetit dhe të prozatorit të Tomorricës kreshnike! Pasi ndonjë këshillë ose porosi nuk do t’i bënte keq askujt. Monologu i brendshëm i ligjërimit të këtij krijuesi, si edhe i gjithë të tjerëve, shumësia ose mëvetësia e interpretimeve që ndikojnë tek intimitetet apo erotizmi vetiak në procesin krijues, eshtë e nevojshme të mbruhen e kthehen në një ligjërim poetik shumë më të këndshëm estetikisht apo në një prozë të mirëfilltë letrare me një tematikë më të goditur e problematikë më të gjërë në nivele të larta letrare, pa nostalgji të tepruar pastorale qoftë gjinore dhe personale me qëllim që të ndërtojmë një arkitekturë krijimi me vlera përgjithësuese artistike. Këtë e kërkon shpalosja e thelbit realist të problematikës shqetësuese të realitetit të akumuluar, duke u thelluar në dukuritë më pikante me një depërtim ideor e psikologjik, mjeshtëror e kohor në vetëdijen e sendeve, të fenomeneve apo të personazheve për trajtimin e dhënien jetë nga ana artistike që të mos mbeten skica vizatimore të realitetit, por mishërim estetik i tij. Prandaj kjo kërkon përgjegjësi të lartë krijuese dhe artistike që të shmangen nuancat e vakëta e të varfëra të rrëfimit e meditimit, të gjendjes emocionale e pasionante fluturake gjatë mbrujtjes e ngjizjes së thelbit poetik, të përmbajtjes së eseve e tregimeve apo të novelave e romaneve dhe të monografive që merr përsipër frymëzimi t’i derdhë në një formë të caktuar letrare. Njohja e detajeve sa më të imta të këtij realiteti, jetësimi njerëzor i gjithanshëm e përjetimi i sinqertë dhe i panshëm i vetë autorit, është kusht parësor për dhënien e mendimeve e të qëndrimeve të tij në formën e argumentimit poetik e shkencor. Prandaj niveli kulturor e profesional kërkohet të rritet e perfeksionohet në shkallën më të lartë që t’i tërheqim e kënaqin shijet artistike të lexuesëve duke krijuar vepra dinjitoze letrare. Episodet e pamotivuara, shqetësimet e pasqaruara, pasaktësitë kulturore dhe estetike që të sillen nëpër duar pa nuancat e argumentimit, parësisht duhet të përpunohen me durim të vazhdueshëm dhe me thellsinë e përpikëmërinë e nevojshme profesionale, sa të sillen në formën më të përshtatshme letraro-artistike që të konsumohen në shkallë sipërore me mjetet shprehëse estetike, me stilin e nevojshëm dhe me leksikun e pasur gjuhësor vetëm në bazë të normave të njësimit e drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Krijuesi me talent dhe syçeltësi të mprehtë që vlerësohet nga opinioni letrar dhe ai intelektual, nuk duhet të bjerë në kurthin e simpative e të adhurimeve joshëse të një servilizmi dhe hiperbolizmi të sëmurë të disa lexuesëve me disnivele dhe paragjykime të ndryshme. Se pastaj rritet emëruesi i thysës, dhe po të ndodhë kjo, zvogëlohet vlera e saj. Pa këto e cilësi të tjera profesionale, është shumë vështirë, në mos e pamundur, të shkruajmë e prodhojmë krijimtari të mirëfilltë letrare, pavarësisht se mund të keshë dëshirë apo talent në këtë fushë. Duke i uruar Xhevahirit vazhdimësi suksesesh me vepra letrare të një niveli e cilësie më të lartë dhe gjithë të mirat familjarisht, dëshiroj që personalitetet e kësaj fushe, organet drejtuese kulturore nga baza në qendër dhe stafi i Presidencës e i ministrisë së kulturës të stimulojnë, organizojnë e vlerësojnë pandërprerje aktivitete të tilla letrare-artistike për pena të tjera mjaft të talentuara në fushën e krijimit letrar, si ky tubim i këndshëm i shoqatës militante e kulturore të Tomorrit legjendar, nga i cili mund e duhet të marrin shembull të gjitha shoqatat dhe forcat krijuese.

Nga Pjetër Cara – Durrës, Shtator 2015

=======================================================

KUSH ËSHTË XHEVAHIR CIRONGU

Xhevahir Cirongu ka lindur në fshatin Leskovë, Tomorricë – Skrapar, në vitin 1959. Arsimin fillor e të mesëm e mbaroi në vendlindje, viti 1981. Vazhdoi për Kulturën Masive (Degën e Librit) në Korçë, dhe mbaroi atë shkëlqyeshëm në vitin 1990. Pranë gazetës “Jehona e Skraparit”, ka kryer kursin e gazetarisë. Nga viti 1978 deri më 1987, ai ka bashkëpunuar me kabinetin e gjuhësisë së rrethit skrapar, (sektorin e leksikologjisë dhe leksikografisë).
Krijimtarinë e ka nisur herët, që kur ishte nxënës në bankat e shkollës 8- vjeçare. Fillimisht ka botuar në revistat “Fatosi” e “Pionieri”. Më vonë, prej vitit 1976 e deri sot, shkruan e boton në gjithë medien e shkruar dhe atë elektronike. Në vitin 1984, merr çmim të parë në festivalin kombëtar të këngës për fëmijë që u organizua në qytetin e Shkodrës; me titullin e këngës “Ligjëron nëna për djalin” të kompozuar nga Hajri Xhamëni. Po kështu, ka shkruar tekste këngësh folklorike. Kënga me motive të dasmës së krahinës së Skraparit “Moj nuse, faqe simite” merr çmimin e dytë në festivalin folklorik të Gjirokastrës. Është autor i katër këngëve, që janë hedhur në disk të kënduara nga këngëtarët popullorë Asllan Ibro e Bajram Haxhillari, në vitin 2009 dhe 2013 -ën. Tekstet e këngëve iu kushtohen dëshmorëve të Vlushës (të vrarë në luftën e dytë botërore-1944); si dhe Astrit Suli, Dëshmor i Kombit, i cili dha jetën për çlirimin e Kosovës në vitin 1999.
Në vitin 2009 merr pjesë në konkursin letrar për tregimin më të mirë të organizuar nga shtëpia botuese “Ada” për revistën “Obelisk”, ku tregimi me titull “Hijet e harresës” hyn në antologjinë “Tregimit e obeliskut”. Me poezinë “Nëna” merr pjesë në antologjinë “Lotët e Virgjër” me autor Agim Mato – Fatmir Terziu, botuar nga “APCO” 8 mars 2012 në Londër. Ku midis 143 poetëve nga gjithë trojet shqiptare është edhe emri i poetit Xhevahir Cirongu. Deri tani ka marrë pjesë me poezitë e tija të botuara në antologjitë me poezi që boton shtëpia botuese”Muzgu” në Tiranë. Po kështu, autori Xhevahir Cirongu është edhe redaktor e korrektor i mbi 50 librave . Poezitë e Xh.Cirongut janë vlerësuar edhe nga kritikë e studiues të ndryshëm. Të tillë janë Faik Xhani – Tiranë e Pjetër Cara – Durrës, i cili vlerëson poezitë te libri me titullin “Bisedë me poezinë” midis autorëve të tjerë edhe krijuesin e trevës së Skraparit, poetin e ri nga Leskova e Tomorricës, Xhevahir Cirongu.
Ka punuar në Kulturë e telekom deri në vitin 1990. Edhe sot shkruan në mediat e shkruara dhe ato elektronike në të gjitha fushat gazetareske e letrare. Deri tani është autor i 6 librave. Ka në proces botimi edhe 7 të tjerë me tematikë të ndryshme. Deri më sot, publicisti, poeti e shkrimtari Xhevahir Cirongu, në fushën e gazetarisë ka botuar rreth 3000 mijë artikuj të fushave të ndryshme.
Jo vetëm kaq, xhevahiri është edhe një kritik e vlerësues i mirë letrar. Janë me dhjeta kritika vlerësuese që u ka bërë shumë autorëve rreth librave të tyre. Ai di të qëndisi bukur fjalën e shkruar dhe të bëjë vlerësim real që mirëpritet nga lexuesi i mirëfilltë letrar.
Ka bashkëpunuar dhe është bashkëpunëtor i shumë gazetave e revistave brenda dhe jashtë vendit. Ai ka shkruar në revistat: “Fatosi’, “Pionieri”, “Shqiptarja e re”, “Hosteni”, “Obelisk”, “Dituria”, “Metafora”, “Vegime letrar” etj. Por edhe në gazetat “Jehona e skraparit”, “Luftëtari”, “Puna”, “Zëri i rinisë”, “Bulevard”, “E vërteta”, “Ndryshe”, “Zëri i popullit”, “Republika”, “Kushtrim brezash”, “Telegraf”, por edhe në “Drita”, “Muzgu”, “Dielli i Tomorrit” ,”Nacional”, etj.
Botime të autorit:
– Vëllimin me poezi “Kush ia shkeli syrin Ildës”, viti 2005. “Gutenberg” Kavajë.
– Poezi “Shpirtit i therës”, maj 2009, “Gutenberg” Kavajë.
– Cikël me poezi në librin me titull “Mall nga oqeani”, botimet “Ada”, viti 2010 -Tiranë (ese, tregime, kritikë, portrete, skica).
– “Tomarrica zemra jonë “libër historik” -2010.
– Vëllim me tregime “Misteri i një gruaje” -2012.
– “Bisqet e gjakut” libër historik, viti 2013.
– Është anëtar i Klubit të Shkrimtarëve e Artistëve të qytetit Durrës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura