Pashtriku.org, 01. 05. 2013 –
1.
Tani që i braktisëm të gjithë të gjitha vendlindjet tona, vendrrënjët, ku të parët na kanë jetuar, tani që u bëmë grumbull, kapicë, këtu në Tiranë, na ka dalë një problem papritur: Me se të merremi, kur të gjithë duam të hamë, kur qejf duam të bëjmë të gjithë dhe, nga një shtëpi, mundësisht vilë, të gjithë e duam?!
2.
Është vërtet problem! Atje, në provincë, kish tokë, ujë dhe pyll. Kishim shtëpi secila familje. Të keqe ose mesatare. Por, sidoqoftë, i KISHIM shtëpitë dhe diçka për të ngrënë gjendej. Mirëpo, kryeqyteti, ky sinonim mirëqenieje e lumturie, ky na linte pa gjumë, ky na e kafshonte pa ia ndarë mendjen.
3.
Kooperativat na i prishën! Na i mbytën, siç mbytet me thonj në fyt një femër kryeneçe! Minierat na i shkatërruan, me ndihmën tonë. Të gjitha me ndihmën tonë! Dhe na thanë: “Shqipëria duhet të ketë… vetëm një Tiranë dhe s’duhet të ketë fare, as fshatra, as qytete të tjerë!” Të hipnotizuar ashtu, që të gjithë njëzëri thamë: “Është e drejtë! Është shumë e drejtë, kjo që po na thonë!”
4.
Dhe ia mësymë kësaj kodërfushe shtuf e rërë! Iu rrasëm njëri-tjetrit në kurriz e në brinjë! Ndërtuam kioska 1000, ndërtuam njëkatëshe e dykatëshe me blloqe! Bodrumet e dikurshëm të pallatevet i veshëm me pllaka të ndritshme! U vumë vitrina dural, tabelat, në gjuhë të huaja i shkruam!.. Edhe RRUGËT i shndërruam në dyqane! E mbushëm me pluhur e pleh Tiranën, me grumbuj dherash dhe me tonelata njerëzish e mallrash stoqe!
5.
Jemi vënë secili në kërkim të diçkaje. Mendojmë e veprojmë si në ethe: Me temperaturë herë të lartë e herë të ulët e plot të dridhura. Mendojmë, them! Nuk mendojmë pothuaj fare! Vetëm u sulemi, jo punëvet, por veprimevet! Dhe, në veprim e sipër, na duket sikur e ngushëllojmë veten: Ç’na duhet të vrasim mendjen me teorira!
6.
Aso HERE, në kohën, të cilën e shkelëm, kishim mungesë rrobash! Tani, rroba të Gabit kemi plot! Aso HERE, s’kish fare makina vetjake. Tani, ka, sa s’i zënë rrugët! Edhe arat i kemi mbushur me sosh! Sidoqoftë, ajo ngrehinë e asaj HERE, u rrokullis e u shemb, se s’qëndronte dot! Por, tok me të u shembëm edhe ne! Ramë mbi zhavorrishtë, humnerë iluzionesh, dhe… po na thyhen, edhe brinjët, edhe hundët!
7.
Sot, Tirana ngjan me një krater! Krater mbushur me haluçinantë, që sillen rreth vetes, si në vorbull! I ngjan një çibani, ku gëlojnë 1 milion krimba të shkathët! Krimba që ndukin gëzueshëm mish të gjallë qeniesh, krimba që lëvrijnë pa pushim e që njësoj ndjehen të lumtur, si në ditët me mejgull e me pluhur, si edhe kur bie shi dhe rrugët mbushen me ujë e me baltë!
8.
Në rrjedhë të kësaj tollovie njëlloj janë të mençur, si lypësi, që i kacërrohet e i ngjitet histerikisht për rrobash çdo ushtari të EJFOR-it e çdo turisti, që hyn në hotel a del nga hoteli jashtë, si presidenti i republikës, si kryeministri… Njëlloj të mençur, si ai që laurohet me urdhërin Nderi i Kombit, si ata që, pa e mbaruar 8-vjeçaren, me mik a me pare, regjistrohen në shkollë të lartë.
9.
Kërkojmë të gjithë të merremi me diçka që na sjell para! S’ka kohë për gjë tjetër! Veç të jetë DIÇKA! Të gjithë e ndiejmë veten si në gropë! Të gjithë kacaviremi për të dalë nga këto pezullnaja e gërraçka: U ngjitemi ditë-natë rrëpiravet të jetës, në grumbull e copë-copë, por litarët këputen, çengelët lëshojnë, dhe mijëra nesh rrëzohen sërish, gjer ku ishin e më poshtë!
10.
Hajt! Të krijojmë një parti! Hajt! Të bëjmë një shoqatë joqeveritare! Të hapim një tjetër gazetë, sa më titullkërcitëse! Jo, se u dashka një parti! Jo, se u dashka një shoqatë! Jo, se u dashka një gazetë! Por: Ç’të bëjmë tjetër në këtë gjullurdi që të rraskapit?! S’mungojnë as partitë, as shoqatat, as gazetat, por mungojnë paret e thata! Paret e shkreta! Të marrim disi e diku njëfarë page! Ja pse na duhen shoqatat e partitë!
11.
Vorbullojnë, këmbësorë e makina trazuar! Aty tenxhere e pirunj, atje tylet, varur në litarë, më tej tavolina të llustruara, rrinë gjithë ditën në diell. Mos i prek, se të përvëluan! Në sheshet, mbi gurë e zaje e mbi asfalt të zi, dhoma gjumi, kolltuqe, divanë!
12.
Aty ku shkelin këmbë elegante femrash, mbathur me këmbale thundërmëdha, aty shiten fara luledielli dhe piqen misra të njomë. E hanë misrin e misrishtet i hedhin pëtokë. Mbushur Sheshi “Skënderbe” misrishte anembanë! Së shpejti do të krijohet, thonë, trusti i farashitësvet e i misërpjekësvet, se s’ka tiranas që farat e lulediellit s’I gërric e misrin e pjekur s’e ha. Zyrat do t’i kenë mu pranë UNICEFIT dhe me OSBE-në mu pranë.
13.
Në çdo 40 centimetra, anash rrugëvet, kemi çelur nga një dyqan, me të gjitha e për të gjithë. Minimarkete po u thonë. Rishesim këtu, ato që i blejmë pak më tutje: Vaj nga Italia, miell nga Kanadaja e Franca, kripë të Greqisë, gjilpëra,brisqe rroje, tjegulla, çimento, kosa e sfurqe.
14.
Të gjitha i shesim nga 5-6 herë! Jo, se kanë nevojë për mallin tonë blerësit, por se kemi nevojë ne, shitësit, për të shitur! Ne, që shitës kurrë s’kemi qenë! Ne, të grumbulluarit këtu, që nga Mali i Gjërë e që nga Thethi! Ne, që, për t’u bërë biznesnenë modernë, nga fushat, KËTU kemi rendur, e nga malet, KËTU jemi rrokullisur!
15.
200 kilometra det të kripur ka Shqipëria, por kripën po e blejmë në Greqi. Mijëra hektarë i patëm: agrume, pemëtore e vreshta, por ishte punë më e mençur t’u vinim sëpatën pemëvet, e shtyllat e vreshtavet t’i vidhnim një nga një, e pastaj, vrap e në Tiranë, për t’i blerë nga Greku: edhe mollët, edhe mandarinat, edhe rrush të bardhë, edhe rrush të zi!
16.
Kemi zbritur që nga Skrapari e Dibra, kastile për të ngrënë e për t’u nginjur këtu në Tiranë: me pula të dyshimta belge e me mish të dyshimtë lopësh britanike. Ha, sa të ngopesh! Kemi rendur këtu, se në Skrapar e Dibër, s’kish dëshirë, s’kish pasion, as për pulari moderne, as për stalla moderne lopësh! Kemi ardhur këtu, jemi shtërnguar si në një thes, dhe s’pushojmë së vërrituri cjapërisht e së mjaullituri macërisht: “Ah, kjo Shqipëria! Ky vendi ters!”
17.
Askush nuk mendon më për këto gjëra. S’ka kush kohë as për t’u penduar! As për të ruajtur diçka nga ato që na kanë lënë të parët: një gram sedër, një thërrime burrëri, një fije krenari!.. Të merremi me diçka që sjell para!.. Kjo është e tëra!.. Burrëria, sedra, krenaria, le të rrinë atje, me gjyshërit, te varret!
18.
Një pjesë nesh, le të bëhen edhe lypsarë! Sidomos, ata që e kanë fatin të kenë një sy qorr apo një këmbë të prerë! I duhen edhe lypsarët Tiranës, për hijeshi! Një pjesë nesh, le të shkojnë te grumbujt e plehëravet! Atje, me nga një trastë plasmasi në sup dhe me nga një kërrabë hekuri, ata do t’u ngjajnë gjeologëvet, atyre që kërkojnë gur kromi a flori!
19.
Gurkromin e floririn tonë le ta marrin mbrojtësit tanë, evro-amerikanët, ose kush të mund! Mjafton të mos e marrim ne! Ne, që përtuam të lodhemi në lugina malesh e në galeri, le të kërkojmë copëra paninesh e copëra qoftesh, në malet e hedhurinavet, edhe rrotull, edhe në mes të Tiranës! Veç atje të mos shkojmë! Atje ku shqiptari do të mund të kish PËR VETE: krom, flori, naftë, mish qengji, mish dashi, mermer, bitum!..
20.
Profesioni i lypësit dhe i eksploruesit të plehëravet, është shumë më dinjitoz se ai i bariut të dhivet apo i mihësit në mihnierë! Profesioni i eksploruesit të plehëravet është ku e ku më i dinjitetshëm se ai i ruajtësit të viçavet!.. Se viçat bëjnë bajga! Se viçat kanë erë!.. Përveç kësaj, në Rrugën e Durrësit, ka një duzinë argjendarësh. Janë zejtarët tanë më të vjetër, artizanët më të mirë!.. Disa nga djemtë, ardhur krahinash, s’është keq të stërviten për të vjedhur aty ndonjë unazë a zinxhir!
21.
Hordhia e vjedhësvet dhe e vrasësvet duhet të jetë në Tiranë sa më e kompletuar! Sepse, në katet e parë të pallatevet, në të gjitha rrugët, punojnë, me orar e pa orar, të diplomuar e të pseudodiplomuar, 150 avokatë. Si do t’i ushqenin ata familjet?! Familjet dhe dashnoret?! Shokët e gotës, farefisin, sorollopin?! Si do t’i ushqenin, po të mos kish në Tiranë sa më shumë hajdutë, sa më shumë grabitës dhe sa më shumë vrasës?! Për shtimin e gjithë këtyre, juristët përditë i luten Zotit!
22.
Në katund, po dihet, s’i ke të gjithë katundarët njësoj. Disa janë më të zgjuar e finokë, disa më të ndrydhur e më të trashë. Këtu në Tiranë, ata që rrjedhin nga familje dinakësh, kanë bërë një dorë para dhe kanë hapur këtu, psh, salla të mëdha me lojëra fati. Se paraja e ndjek si qeni bastard dinakun! Ndërkaq, ata që, në vend të paravet, kanë grumbulluar, jo para, por ëndrra për para, ata thajnë pështymën në karriket e bingovet dhe… janë përherë njësoj të pasur.
23.
Ata që, në kooperativë, punonin 2 orë dhe merrnin 2 ditëpunë, kanë hapur në Tiranë sallat fitimprurëse të bilardovet. Ata që s’punonin asnjë orë e që s’merrnin asnjë ditëpunë, tek i ke (Në mos i pastë shpurë fati tjetërkun): Blejnë llotarira, bingora e parashikime ndeshjesh, përherë në kërkim të mrekullisë së bastevet!
24.
Të tjerë, nuk rrinë në pritje të fatit! Se s’ kanë ardhur në Tiranë për të qenë varfanjakë! Ata dalin në rrugë dhe fatin e krijojnë!.. Ia marrin tjetrit veturën!.. “Hajt, se me para droge e ka blerë!..” Ia rrëmbejnë tjetrit: portofolin, jetën: “Hajt, se tepër i kish!” Sirenat e makinavet policore mbërrijnë te pellgjet e gjakut përherë vonë! Janë pjesë e grumbullit edhe pjesëtarët e policisë!
25.
Shtresa me më pak rendiment, janë ish-nëpunësit pensionistë dhe dijetarët. Ata enden me hapa të imët, në fragmente bulevardesh, andej e këndej, dhe përgjojnë (Si ca mjeranë! Si ca fukarenj!): Mos ka ndonjë konferencëzë gjëkundi! Ndonjë veprimtarizë, ku të mund të hyhet pa para! Janë të vegjël në Tiranë (E bënë ashtu VETË veten!) ata që duhej të ishin… të mëdhenj!
26.
Mu në qendër dhe pak më poshtë, midis Bankës edhe Postës, bëjnë seminar praktik ish-llogaritarët e kooperativavet! Rrinë gjithë ditën në këmbë, me tufa parashë në duar, thërrasin për dollarë e marka dhe thithin erë qoftesh! Pa e çarë kokën fare, se ç’mund të bëhej, në këtë fund shekulli, me tufat e dhenvet e me tufat e dhivet.
27.
Tok me llogaritarët, janë edhe ish-oficerët tanë. Aty, rrotull Bankës e rrotull Postës, në afërsi me Socialistë e Demokristjanë. Ata po mbrojnë Atdheun prej imperializmit! A po e mbrojnë, apo e kanë harruar fare, s’po di! Po e mbrojnë, mbase, duke u thelluar në të fshehtat e kapitalit finaciar! Nuk kanë pistoleta, ndaj dhe ecin disi me frikë, kur kthehen mbasditevet për në shtëpi.
28.
E gjithë kjo, nuk ndodh, se banka vetë nuk mund ta kryejë këmbimin e paravet. Banka MUND t’i ndërrojë vetë paratë! Por, ku do të hamë ne?! Ne, që jemi dyndur këtu nga ana e anëvet?! Atdheun po na e mbron, lavdi zotit, një EJFOR!.. Në Argjentinë e në Australi, ka të tjerë, që i ruajnë lopët, antilopar, dhentë!.. Ne, ku të shkojmë, në mos ndenjshim këtu, me tufa parashë në dorë?!
29.
Armata e madhe e falsifikatorëve, që nga pasaportat, vizat, siguracionet, patentat e shoferëvet, etiketat e rrejshme të mallravet, tapitë e tokavet e të shtëpivet… Prej tenderavet e deri te dëftesat shkollore!.. Armata e madhe e falsifikatorëve! Është shoqatë po aq e zellshme, sa më e spikatura shoqatë joqeveritare! Shtabet e kësaj armate, i ke atje atje: në zyrat ME FLAMUR, të ministrivet!
Gjokë Dabaj, 31 korrik 1999
Postime të Lidhura
DR.ROVENA VATA: ROLI I AT GJERGJ FISHTËS NË THEMELIMIN E GJUHËS SHQIPE DHE NDIHMESA E TIJ NË ARSIMIN SHQIPTAR
New York, 19 nëntor 2019: Referimi i studiueses dhe pedagoges Dr. Rovena Vata, mbajtur në New York, me…
ARBEN HOXHA: KOMUNIKIMI SI ZGJATIM I MASHTRIMIT
Prishtinë, 24 korrik 2018: Hyrje Komunikimi është një nga dimensionet themelore të ekzistencës njerëzore. Në rrafshin konceptual të…
PASHTRIKU: DOLI NGA SHTYPI LIBRI ‘NË RRUGË RREZIQESH’
(Pashtriku.org, 22. 10. 2012) – Doli nga shtypi libri “Në rrugë rrëziqesh”, rrëfyer në formë autobiografie nga Fadil…
DARDAN BELA*): KOMENTE TË LIRA PËR LIBRIN ALBUM ‘METAFORA MEMECE’ TË MOIKOM ZEQOS
Tiranë, 11. 02. 2013 – Libri album “Metafora Memece” i Moikom Zeqos më ka impresionuar shumë. Figurat grafike…