IBRAHIM SKENDERI: KRIJUESIT PA ADRESË!

Sharr, 17. 07. 2016: 1990-1999, vitet më të rënda për shqiptarët në Kosovë. Serbia përmes masave represive i mori të gjitha. Bile edhe ajrin të cilin nuk arriti ta administrojë me ligje të dhunshme, e helmoi. Qoftë e kaluar!
Po ne vallë si patëm dije e forcë të homogjenizohemi, të formojmë shoqata, klube e institucione, gjatë viteve 1990-1999 ?! Çudi?!
Mbase veprime instiktive për t’u mbrojtur?!
Mbase?!
Sot kur dhunën serbe nuk e kemi mbi kokë, institucionet në krizë.
Shoqata e klube krijuesish me status të OJQ-së nuk veprojnë si institucion, por vetëm si pronë BOSS-ash.
Matrapazët dolën të jenë më të aftë dhe më të shkathtë se intelektualët krijues.
Shumë nga BOSS-at, edhe si diletantë, pa fuqi profesionale e intelektuale regjistruan OJQ-të e tyre. OJQ-të që me qëllimin më të mirë na i solli përvoja demokratike evropiane, por, të cilat (me përjashtime) në praktikë u keqpërdorën dhe u bënë antipropagandë e qëllimit të themelimit të tyre.
Në aspektin menaxhues, më i “madhi” nga tre themeluesit e OJQ-së (sikur e kërkon ligji për regjistrimin e OJQ-ve), merr mandatin e BOSS-it. Ai automatikisht bëhet zotërues i projekteve, i donacioneve, i parave, i urdhrave dhe i gjithçkahit, pa i dhënë llogari askujt.

Kurse intelektualët, veçmas ata krijues mbesin në rolin e argatit dhe i nënshtrohen autoritarizmit dhe tekave denigruese të BOSS-it.
Ndonëse, dihet mirëfilli se intelektual nuk mund të jetë patjetër secili që kryen një shkollë, por ai që aftësitë e veta intelektuale e krijuese i ve në shërbim të popullit dhe atdheut, ndër krijuesit tonë po ndodh e kundërta: Gjithçka në shërbim të BOSS-it! Sepse ai BOSS-i na qenka i gjithfuqishmi dhe i gjithdijshmi. Ai po i afirmoka krijuesit! Thjesht, fati i krijuesit na qenka në duar të BOSS-it?!
Keq, shumë keq!!
Në realitetin tonë po ndodh madje që në qytete dhe në nivel komunash, krijuesit letrarë të mos kenë një adresë. Nuk kanë kurrfarë shoqate a klubi që i bashkon si komunitet, sikur i kishim në vitet e homogjenizimit. Edhe ato shoqata e klube me traditë afër gjysmë shekullore, duket, jorastësisht qenkan shkatërruar dhe pengohet riaktivizimi i tyre. Ndërkaq, krijuesit e padjallëzuar vetëm sa për tu kyqur në ndonjë aktivitet, për të lexuar një t’vetme poezi në ndonjë orë letrare, detyrohen të endën domosdoshmërisht pas BOSS-it duke ia privuar edhe të drejtat vetvetës. Nuk guxojnë as të marrin pjesë në ndonjë aktivitet, manifestim a festival, nëse nuk është në interes të BOSS-it.
Unë si autor i këtij shkrimi, jo se jam më i menquri e më i dituri. Por përvoja e hidhur e troçexhisë, veçmas pas luftës në Kosovë më shtyri të rebelohem. Së pakut të mos vdes si argat i përjetshëm i BOSS-ave mosmirënjohës dhe pa u thënë “Mos më zini për budalla!”. Andaj, zemrthyer e barkplasur u bëj
T H I R R J E
Kolegëve të mi krijues të mos e pranojnë nënshtrimin. Të mos ia zgjasin jetën të keqës. Askend dhe kurrë nuk do ta afirmojë BOSS-i, por puna vetanake krijuese. Prandaj, të mblidhen të formojnë institucione “Shoqatë” apo “Klub” qoftë. Të zgjedhin kryesi e kryetar. Të hartojnë e veprojnë me Rregullore pune dhe Plan vjetor. Thjesht të veprojnë sipas normave demokratike.
Kështu, duke krijuar kushte për vendimmarrje demokratike me shumicë votash do të arrijnë të krijojnë selinë e tyre, adresën e selisë dhe zyrtarët organizativë mandatorë, dhe kësisoji:
-Do të krijojnë kushte për punë, aktivitet e vendimmarrje ekipore;
-Do të krijojnë kushte bashkëpunimi me shoqata e klube simotra në nivel vendi, nivel gjithkombëtar dhe ndërkombëtar;
-Do të shtojnë mundësinë për prezantim dhe afirmim të punës së tyre krijuese përmes aktiviteteve letrare dhe editimeve;
-Do të krijojnë kredibilitet për të qenë edhe anëtar i ndonjë klubi, shoqate apo lidhje në nivelin republikan, gjithëkombëtar apo ndërkombëtar;
-Do t’i sjellin qytetit dhe komunës së tyre manifestime e festivale. E jo ti largojnë ato sikur po ndodh aktualisht, për interesa të BOSS-ave. Kjo nënkupton të sjellin edhe dobi ekonomike për qytetin dhe komunën ku veprojnë;
Kështu do t’u jepet mundësia prezantimit dhe afirmimit të krijuesëve të rinj;
Përfundimisht duke e ruajtur dinjitetin prej krijuesi e intelektuali do të mundë të jenë vetvetja.
Por, mbi të gjitha me transparencë do tu mbyllen shtigjet matrapazëve uzurpatorë të gjithçkahit në jetën tonë, të cilët edhe krijuesit dhe krijimtarinë e tyre përmes fuqisë politike, i shfrytëzojnë si trambolinë vetëm për qëllime dhe përfitime të tyre materiale.
Pranverë-fillimverë, 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura