(Pashtriku.org, 16. 09. 2012) – Pakujdesia, vetjake dhe kolektive! Përgjigjemi që në fillim: Ka munguar kujdesi i individit ndaj tërësisë, së cilës i përkiste. Si pasojë, ka munguar edhe kujdesi kolektiv ndaj vetëvetes. Kur themi ka munguar, kuptojmë, nga njëra anë, nuk ka qenë kujdesi i çdo individi në lartësinë e duhur, nga ana tjetër, shpeshherë ka ndodhur edhe më tragjikja: Duke u kujdesur jashtë së pranueshmes për vetëveten, shumë individë, të vegjël apo të mëdhenj, e kanë dëmtuar të ekzistuarit tonë, qenien tonë, shumëfish më tepër se ç’do ta dëmtonte cilido i huaj.
Këtu duhet të përqëndrohemi sa herë që hedhim sytë në të shkuarën. Dhe pikërisht këtu duhet të përqëndohemi edhe sa herë që ne vetë kryejmë ndonjë punë apo themi ndonjë fjalë: Unë, si individ, sa edhe si po bëj kujdes ndaj tërësisë së cilës i përkas?
Kjo që po themi, nuk është ndonjë filozofi e madhe. Do ta shohim që vërtet nuk është ndonjë punë as e vështirë për t’u kuptuar, as e pamundshme për t’u zbatuar. Është thjeshtë një kujdes, të cilin mund dhe duhet ta ketë kushdo dhe i cili, natyrisht, rritet sa më i ngritur të jetë personi në pozitë shtetërore, apo në ndonjë tjetër pozitë.
……………………………………….
Është thjeshtë një kujdes! Por kur mungoka ai kujdes, ardhkan tragjedi! Ardhka gjak! U mbuloka trualli me kufoma të masakruara! E gjithë historia e etnisë sonë, krahas madhështisë, është e mbushur plot me masakrime të popullsisë prej të huajvet. Kjo, sigurisht, tregon dobësinë, frikën dhe, krahas dobësisë dhe frikës, edhe pashpirtësinë e vetë masakruesvet. Por kjo dukuri tejet e dhimbshme tregon njëkohësisht edhe pakujdesinë, naivitetin dhe paaftësinë e vetë ne, si dhe bashkësisë së cilës i përkasim ne.
Tragjeditë
Po e zëmë fillin qysh prej tragjedisë trojane. Nëse është e vërtetë që trojanët kanë qenë pjesë e paraardhësvet tanë, atëherë naiviteti i tyre, i cili, me pranimin e Kalit të Drunjtë, ia ka vënë kapakun më të turpshëm heroizmit 10-vjeçar të një morie trimash të vet të papërmbysshëm, është sinteza më domethënëse e krejt historisë sonë të mëparshme dhe të mëvonshme. Kanë kaluar 3200 vjet dhe ende vazhdojnë të na ankohen fëmijët e djegur dhe gratë e therura të trojanëvet. Pse u treguat aq të përgjumur mu në çastin kur duhej të rrinit më zgjuar se kurrë?! Mos ju lëntë të qetë as në fund të Hadit gjaku ynë i derdhur dhe i piksur nëpër rrasat e qytetit tonë të mashtruar, dhe mos ju lëntë të qetë shkrumbi i trupavet tanë aq të njomë!
Nuk po ndalemi në ç’ka ndodhur në 1000 vjetët që kanë pasuar. Por pas 1000 vjetësh vjen pushtimi i Ilirisë prej romakëvet. Shkrumbi i qytetevet, të djegur e të rrafshuar prej sish (Vetëm në pjesën jugore mbi 70!) (Jo 70 shtëpi, por 70 qytete!), vjen prapë deri në kohën tonë dhe, fëmijët e djegur, gratë që hidheshin prej murevet, mallkojnë përsëri: Mos ju lëntë të qetë as në fund të Hadit gjaku ynë, i derdhur dhe i piksur në faqet e shkëmbinjvet! Era e fëmijëvet të përcëlluar ngrihet përsëri në qiellin tonë: Pse na lindët, o prindër, kur nuk ishit të zotët për të na mbrojtur?!
Pyetjet janë: Pse guxuan romakët ta sulmojnë Ilirinë? Pse s’qemë ne aq të fortë, aq të zotë dhe aq të organizuar, sa Romakut as të mos i shkonte mendja për të na sulmuar?
500 a 600 vjet më vonë, madje duke qenë vetë ne në krye të atij shteti, që quhej Perandori Romake, prapë nuk qemë në gjendje për t’i mbrojtur fëmijët tanë, këtë herë prej heshtavet dhe prej thikavet të barbarëvet. Ata fëmijë të njomë, ato vajza të pafuqishme, ato nuse e gra, prej të cilavet një pjesë edhe shtatzëna, u shndërruan në kufoma prej kalorsëvet të ardhur që nga Skithia a Mongolia. Lexojmë Hieronim Eusebin dhe Prokopin e Cezaresë, që shkruajnë për ato zezëri dhe na pupërrohet lëkura. Barbarët, ndonëse kishin emra të ndryshëm, hunë, gotë, avarë, sllavë apo vandalë, nuk bënin punë të ndryshme. Ata bënin të gjithë të njëjtën punë: Masakronin popullatën tonë! Digjnin, rrënonin, shkatërronin, rrëmbenin, ndërsa ne nuk ishim në gjendje t’ua gjenim marifetin. Hapu, tokë, e jepua krimbavet burrat tanë, politikanët tanë, priftërinjtë tanë, sundimtarët dhe ushtarakët tanë, tregtarët !.. Kalbi, o tokë, të kalburit !
Justiniani i Madh ndërtoi mbi 400 fortesa në të gjithë hapësirën ku mund të depërtonin popullvrasësit. Por ata që perandori i madh, i pagjumi Justinian, i la prapa në krye të shtetit, siç duket, i kish zënë gjumi i kobshëm i përtacisë e i paaftësisë dhe nuk qenë në gjendje t’i përdornin ato fortesa. Nuk qenë në gjendje ata, apo ndoshta Justiniani s’e kish menduar mirë atë lloj mbrojtjeje, kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka që barbarët vazhduan të na vrasin, të na therin e, ç’të zënë gjallë, t’i çojnë me turma për në vendet ku ata banonin, kurse ne nuk e gjetëm dot as mençurinë, as dinakërinë, as forcën, as vullnetin, për t’i mbrojtur jetët e atye që vriteshin, që digjeshin nën gërmadha apo që graheshin drejt Veriut si kope bagëtish. Më në fund, po ata barbarë i gjetën mënyrat për të na i zënë edhe tokat, pjesën më të madhe të tokavet, kurse ne nuk i gjetëm dot mënyrat, as për t’u mbrojtur, as për ta shfrytëzuar ardhjen e tyre, me çfarëdolloj politike, të dobishme për ne. Pse të na ketë ndodhur kështu ?! Kjo është pyetja, e cila pa ndërprerje e godet nga brenda ndërgjegjen tonë, si një lëkurë daulleje.
Vijnë shekujt 10, 11, 12, prapë me arbërvrasës!. Njëfarë Stefan Nemanja, lindur në Dioklenë e lashtë ilire si foshnjë refugjati, rritur e fuqizuar në Rrasën tonë malore, ushqyer me sindromën e urrejtjes, jo vetëm ndaj nesh, por ndaj kujtdo që mund t’ia zinte rrugën, mbyllur prej të vëllezërvet nëpër shpella, për shkak të tiparevet të tij prej egërsire, nuk rreshti së rrënuari, gjer në themele qytetet tanë në Diokle e në Dardani. Kur themi: nuk rreshti së rrënuari gjer në themele, nuk mund të mos na kujtohen qindra Troja dhe nuk mund të mos u drejtohemi prapë mbrojtësvet të atyre qyteteve: Si, ore burrat e dheut, nuk gjetët një mënyrë efikase për t’i mbrojtur ata mure që ju vetë i kishit ndërtuar !? Si nuk gjetët një mënyrë efikase për të mbrojtur familjet, për të cilat nuk mund të dyshohet se ishin krijesat tuaja më të shtrenjta e më të dashura për ju ?!
Stefan Nemanja
…………………………………………………..
Një “lojë” makabre që nuk mund të harrohet kurrë
Të 2 shekujt që i kaluam nën sundimin e Nemanjiqvet nuk mund të quhen ndryshe veçse shekuj të arbërvrasjes, arbërndrydhjes, arbërshuarjes, arbërtkurrjes, deri në shkallën e mosqenies. E dëshmojnë këtë më së miri relacionet e arqipeshkvinjvet të Tivarit, por edhe dokumente të tjerë. Këtij kapitulli të kobshëm të arbërvrasjevet e arbërposhtrimevet, duket se ia ka vënë kapakun më të zi familja e zezë e Preluboviqvet në Janinë. Kjo familje kish marrë prej kohësh nofkën albanoktonos (abërvrasës). Sipas Mihal Dukasit, pjesëtar i shtëpisë perandorake bizantine, sundimtari i Janinës, Atanasije, si duket, një prej pinjojvet të Preluboviqvet, bënte “lojëra” me arbërit vendës, duke u prerë hundën ose organe të tjerë dhe duke i lënë ashtu të vdisnin në agoni. Faik Konica, në lidhje me këto “lojëra” të Atanasije Preluboviqit, shkruan afërsisht kështu:
Disa krerë feudalë arbër e kërcënuan Atanasijen me një ekspeditë ndëshkimore, nëse ai nuk do t’i ndërpriste krimet kundër arbërvet. Atanasije (Preluboviqi) u përmbajt për një farë kohe dhe e martoi vajzën e vet me princin më të fuqishëm, Gjin Shpatën. (Si i mori kështu me të mirë krerët e arbërvet) ai i rifilloi (përndjekjet, madje edhe më të egra se më parë). (Duke parë këtë tradhti të vjehrrit të vet) Gjin Shpata mblodhi ushtri dhe e rrethoi Janinën. Mirëpo, në kohën kur ne kishim dhënë e po jepnim prova se nuk dimë t’i mbrojmë arbërit, Atanasije Preluboviqi edhe i rrethuar, dinte ta kryente zanatin e arbërvrasjes. Ai ngrinte në muret e kështjellës një flamur të bardhë, shenjë e armëpushimit, dhe ia dërgonte rrethuesit, dhëndrit të vet arbër, një shportë të mbushur me sy të nxjerrë nga kokat e masakruara të atyre arbërve që ndodheshin brenda kështjellës. Kjo do të thoshte: Po e zgjate rrethimin, o dhëndër, unë do të t’i lë pa sy të gjithë bashketniasit e tu, të paktën këta që i kam këtu brenda. Atëherë, si u përsërit kjo “lojë” makabre disa herë, Gjin Shpata e lëshoi rrethimin. (Krs.L.8,2004, f.112-113) Preluboviqtë pas kësaj, e vazhduan punën e tyre deri sa i shfarosën të gjithë arbërit e Janinës.
Nuk kemi aspak ndërmend t’i fajsojmë as Nemanjiqtë, as Preluboviqtë. Ata e kanë fajin në natyrën e tyre. Ata i kanë marrë me vete në varr edhe mallkimet e viktimavet të tyre. Por bishën nuk e zë as barra e fajit, as mallkimi. Ujqërit nuk fajsohen. Fajsohen barinjtë! Qoftë edhe të rrafshit të Gjin Shpatës, të cilin historiografia e ka cilësuar dhe duhet ta cilësojë si arbërin më të devotshëm të kohës.
(Shkëputur nga libri: Strategjia e Shqiptarëvet, Tiranë 2011)