FATMIR KRASNIQI: MËSIMDHËNËSIT – HERONJTË E GJALLË TË VITEVE 90-ta

Prishtinë, 20 janar 2019: Në intervistën ekskluzive të dhënë për gazetën “Bota Sot”, arsimtari i dalluar Fatmir Krasniqi, shpalos rrugëtimin e tij shumëvjeçar të punës së tij edukativo-arsimore, përvoja jetësore, mbresa dhe emocione, por ka edhe një porosi për mësuesit e rinj: “Para se të shkelni në pragun e shkollës, harrojeni çdo brengë personale e familjare tuajën. Përkushtim dhe vetëm përkushtim, durim dhe vetëm durim, dashuri dhe pasion për profesion, se për Ju fillon një rrugë e betejë e gjatë e dritës dhe diturisë. Rrëmbeni e pushtoni zemrat e nxënësve. Dhurojuni atyre dashuri e ngrohtësi, buzëqeshje e çiltërsi, kënaqësi e drejtësi, mësim e dituri, shkathtësi e lumturi. Ju mësuesit e ardhshëm para se të jeni mësues të mirë e të dalluar, të jeni edukatorë të mirë, të luani rolin e prindit, psikologut, pedagogut, po pse jo nganjëherë edhe të artistit. Të depërtoni thellë në botën shpirtërore e emocionale të nxënësit. Të keni kujdes të mos i lëndoni emocionet e tyre, dhe gjithmonë t’i kontrolloni emocionet tuaja. Në arsimin fillor edukimi dhe shkollimi duhet të jenë në radhë të parë. Për asnjë çast mos e leni edukimin duke u mburrur me realizimin e planprogramit mësimor. Gjithmonë të jeni të përgjegjshëm dhe mësoni nxënësit edhe me shkathtësitë e jetës.”
***
Intervistoi: AJETE ZOGAJ
– I nderuari mësuesi Fatmir, janë vite të tëra që punoni në arsim. A mund të na rikujtoni rrugëtimin tuaj të shkollimit dhe ditën e parë të punës si mësues?
Eh, është një rrugë shumë e gjatë e dëshirës për lexim e dije, për mësim e shkollim, rrugë e ndritshme, ku leximi e mësimi të shoqërojnë gjatë gjithë jetës. Dhe, të them të vërtetën që nga klasa e katërt e fillores, libri për mua u bë shoku më i dashur, më i ngushtë e më i mirë i imi. Leximi i librit për mua u bë pasion, ashtu siç u bë edhe profesioni im i mësimdhënësit.
Deri sa moshatarët e mi luanin lojëra të ndryshme në fushat, luadhet e malet e bukura të Terpezës, vendlindjes sime të dashur e shumë të bukur, unë më shumë isha i dhënë pas leximit. Lojërat baritore që ata i luanin mua nuk më tërhiqnin fare. Më vonë kuptohet fillova të luaj, por loja që më pëlqente më së shumti ishte loja me top këmbe (futboll) dhe ajo me top dore (volejboll). Po ashtu në atë kohë i vetmi unë kisha pasion vrapimin, dhe pasdite e nganjëherë edhe në orët e hershme të mëngjesit vrapoja drejt shtigjeve të bukura të vargmaleve të Berishës.
Për dashurinë ndaj librit dhe pasionit e kënaqësisë për të lexuar sa më shumë libra që nga fëmijëria ime e hershme meritat më të mëdha kanë babai im, ndjestë pastë Haziri, punëtorë i shkollës dhe dashamirësi i flaktë i arsimit, si dhe djali i axhës Bajrami, atëherë normalist i dalluar madje jurist, aktor e artist, dhe avokat shumë i njohur.
Pra, që në atë kohë isha i rrethuar me libra dhe u rrita me libra. Gjatë asaj kohe i kam lexuar librat e Gurakuqit, Kristoforidhit, Frashërit, Migjenit, Çajupit, Krasniqit, Çetës.
Më kujtohet fort mirë dita e parë e punës me ditar në duar si arsimtar, apo më mirë tingëllon emri mësues i Gjuhës shqipe në shkollën fillore “Hasan Prishtina” të Terpezës, ishte shtatori i vitit 1981. Për mua ishte një ndjesi e rrallë dhe e papërshkruar që m`u krijua mundësia dhe pata fatin të punojë në shkollën, ku i kisha marrë mësimet e para, e ku mësuesit e mi ma kishin shtuar dashurinë për gjuhën e atdheun, lashtësinë e kombit tonë, mësimet dhe shkathtësitë për jetën.
Me disa prej tyre që atë ditë u bëmë edhe shokë të profesionit. Përzemërsisht më pritën dhe fuqishëm më mbështetën ish arsimtarët e mi shumë të nderuar Faik, Daut, Habib, si dhe mësuesit e dashur Ismail, Milazim, Murat Z., Murat H., si dhe shoku im i çmuar Halil.
Por, ende e kam të freskët dhe kurrë nuk do ta harroj takimin e parë dhe njohjen me nxënës dhe përshëndetjen e ëmbël e buzëqeshjen e çiltër të tyre. Buzëqeshja shkëlqente në fytyrat e tyre, e kjo buzëqeshje hyjnore e engjëllore e nxënësve po më pëcjell e shoqëron edhe sot.
Sikur më ka bekuar Zoti me profesionin e mësuesit!
– Jeni arsimtar shumëvjeçar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, pse keni zgjedhur këtë profesion dhe pikërisht këtë lëndë?
Profesioni i mësuesit është i shenjtë, ashtu siç janë vet nxënësit me çiltërsinë, dashurinë dhe botën e tyre fëmijërore e të padjallëzuar. Që në klasën e tetë ëndrra e dëshira ime ishte të bëhesha mësues e poet si Migjeni. Ëndrra e dëshira për tu bërë mësues m`u plotësua dhe u bëra, por poet si Migjeni nuk u bëra. Edhe pse qysh si fillorist kam provuar të shkruaj vargje, por që ato mbetën në fletoret e mia, pa patur mundësinë atëherë, t`i publikoja e botoja, ndërsa në hartime dallohesha në klasë. Madje, si gjimnazist i Prishtinës, derisa banoja në Konviktin e atëhershëm të Shkollës Normale, paraqitesha dhe merrja rregullisht pjesë në Orët e mëdha letrare, që organizonin normalistët, e ku udhëheqës ishte Mire Gashi, dhe miku im i çmuar Skënderi. Ndërsa si student kam bashkëpunuar me “Rilindjen për fëmijë“, “Zërin”, po ashtu kam qenë edhe bashkëpuntor i Radio Prishtinës, në Programin për fëmijë dhe në atë arsimor, me portrete nxënësish të dalluar, me çështjet e arsimit dhe reportazhe të ndryshme. Pra, profesionin e mësuesit që e kam zgjedhur me dëshirën më të madhe nuk e ndërroj dhe as që e kisha ndërruar me ndonjë profesion tjetër. Sikur më ka bekuar zoti me këtë profesion, ndërsa pse zgjedha lëndën e Gjuhës shqipe, gjithmonë më kanë frymëzuar duke më dhënë force e moral vargjet e bukura e të ëmbla të bilbilit të gjuhës shqipe, Naim Frashërit, për gjuhën tone të dashur, gjuhën shqipe. Në përvojën time tridhjetë e shtatë vjeçare gjithmonë ishte dhe mbetet parim se të edukosh dhe mësosh gjenerata të tëra nxënësish është mund e përkushtim, kënaqësi e dashuri, nder e krenari, por edhe detyrim dhe përgjegjësi e madhe.

– Keni filluar punën në vendin tuaj të lindjes dhe prej aty keni vazhduar në kryeqytet, në Prishtinë. Cili është dallimi nga shkollat e fshatrave të largëta me ato të kryeqytetit, po tek nxënësit?
Në shkollën e vendlindjes sime kam punuar afër 14 vite, ku një kohë të gjatë kam udhëtuar çdo ditë me autobus Prishtinë-Tesrpezë, e që në atë kohë gjatë udhëtimit kam përjetuar edhe vështërsi të shumta. Madje për një kohë të caktuar m`u krijua më në fund mundësia për të punuar e zëvendësuar në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, të Prishtinës. Dhe që 22 vjet punojë në shkollën “Elena Gjika”, Prishtinë, ku pata fatin që për disa vite të kem drejtoreshë Greta Kaçimarin, një udhëheqëse të shkëlqyer që gjithmonë rrezatonte mirësinë, dashuri e ngrohtësi te nxënësit e mësimdhënësit, dhe që shquhej për vizionin e shkollës dhe arsimit në përgjithësi.
Kuptohet se dallimi i shkollave të fshatrave me ato të kryeqytetit është i theksuar. Numri më i madh i nxënësve në shkollat e kryeqytetit, ndërsa numri më i vogël i nxënësve në fshatra. Është fakt se përgatitja profesionale e mësimdhënësve e ngritë cilësinë në mësimdhënie dhe në të nxënë, e që për shkollat e kryeqytetit kjo është përparësi, ndërsa në të kaluarën në fshatra është ndjerë ndjeshëm mungesa e disa mësimdhënësve të kualifikuar për lëndë të caktuara mësimore. Dhe, se kjo ndikon në ngritjen e cilësisë, suksesit dhe rezultateve në procesin mësimor.
Në përvojën time shumëvjeçare me nxënës të fshatit e të qytetit kam kujtimet më të mira e më të paharruara dhe se ndjehem shumë krenar që pata fatin të punojë në edukimin e arsimimin e tyre, e më vonë edhe t`i analizojë e studioj, përcjellë e krahasoj sjelljet, sukseset, karakteret e talentin e tyre.
Cilësinë në mësim e bën edhe konkurrenca më e madhe e nxënësve të shkëlqyeshëm nëpër klasa të qytetit, por edhe në shkollat e fshatrave ka individë të dalluar që shkëlqejnë, po që numri i tyre është më i vogël.
Nga shkolla e Terpezës kanë dalë nxënës të dalluar, që sot janë shumë aktivë dhe të njohur në të gjitha fushat e jetës; si në arsim, kulturë, ekonomi, drejtësi, shkencë e profesione të ndryshme.
Po, përmend disa nga ish nxënësit të shkollës së vendlindjes sime, me të cilët krenohem shumë. Shyqiri Bytyçi, tani ministër i arsimit, Ju vet Ajete Zogaj, arsimtare, gazetare e publiciste e dalluar. Xhavit Zogaj, Doktor i Mikrobiologjisë në Universitetin San Antonio në Teksas të ShBA, Afërdita Bytyqi gjykatëse e njohur, Afrim Berisha, Mr i Biologjisë, poet.. Drita Krasniqi muziciente, Motrat Servete e Sahadete Bytyqi, arsimtare, Sahadetja tani edhe drejtoreshë, Gazmend Krasniqi, arsimtar, Naser Krasniqi, profesor, Emine Krasniqi, drejtoreshë, Pleurat Krasniqi, inxh., Dukagjin Krasniqi, inxh., Sylejman Bytyçi, dëshmor, si dhe disa ish nxënës, luftëtarë të dalluar të UÇK-së Arsim F. Krasniqi, Naxhi Krasniqi, Agron Krasniqi, e shumë të tjerë në pamundësi për ti përmendur të gjithë,duke i nderuar deri në përjetësi për luftën mbrojtëse dhe heroizmin.
Edhe në fshatra ka nxënës të zgjuar e talentë të rrallë, por në të shumtën e rasteve në pamundësi që të shprehur atë, talenti i tyre shuhet. Ndërsa në shkollën time nxënësit e zgjuar e talent e kanë mundësinë që ta shprehin e dëshmojnë atë qoftë në kuadër të veprimtarive të lira të shkollës, në emisione të ndryshme televizive, në radio, në revista, në festivale, në teatër dhe në gara e prezantime të ndryshme. Mësimdhënësit janë të detyruar përherë të mbështesin e përkrahin, të motivojnë e afirmojnë talentet e rinj.
Nuk i bën nder askujt të bëjë krahasim me mësimdhënësit e atyre viteve!
– Keni punuar edhe në vitet më të vështira, ato të viteve të 90-të në shtëpi-shkolla. Ishin vite të rënda ato, mësuesi Fatmir, por ishit Ju mësuesit e Kosovës që për asnjë çast nuk u zmbrapsët, por hapët rreze drite e diturie në Kosovën e robëruar. A po shpaguhet mundi dhe puna e arsimtarëve të atyre viteve nga shteti i Kosovës?
Se arsimimi është shpirti i kombit, këtë e kishte thënë që moti patrioti i shquar demokrat, personaliteti i rrallë e heroi i madh i kombit tonë, Hasan Prishtina. E meqë ishte pishtar i flaktë i arsimit shqip, ai edhe e kishte jetësuar këtë thënie me shkollimin e tij personal duke shkrirë tërë pasurinë e tij për arsimin shqip.
Edhe, ne mësimdhënësit e viteve të 90-ta të vetëdijshëm për detyrën dhe misionin tonë nuk u zmbrapsëm për asnjë çast nga regjimi i tmerrshëm serb dhe veprimet barbare që ai bënte duke helmuar vet nxënësit shqiptar, e madje turpshëm duke thënë para opinionit, se nxënësit shqiptarë po aktrojnë. Regjimin serb çdo gjë që ishte shqiptare e pengonte, e sidomos ai e goditi rëndë edhe arsimin shqip, shkollën, vatrën e dritës e të diturisë, u përpoq që ta zhdukte e shkatërronte, dhe përgjithmonë ta errësonte.
Por, ishim ne mësimdhënësi, heronjtë e gjallë të viteve 90-ta, që nuk u nënshtruam e as që u dorëzuam përkundër vështirësive të shumta e kërcënimeve. Ne qëndruam të vendosur e të pamposhtur duke i dhënë shpirtë, dritë e shpresë arsimi, pa lejuar që për asnjë çast të mos fiket e shuhet. Ishte detyrë e jona morale e kombëtare. Mësimdhënësit e atyre viteve vërtet meritojnë shumë.
Se a po shpaguhet mundi dhe puna e mësimdhënësve të atyre viteve nga shteti i Kosovës, këtë përgjigje kisha dashur që sa më parë dhe më në fund ta japin përfaqësuesit më të lartë të shtetit, dhe të zgjedhurit e popullit, deputetët, se është detyrë e përgjegjësisë morale e tyre.
Nuk i bën nder askujt të bëjë krahasim me mësimdhënësit e atyre viteve! Po, shpresojmë se në fund të këtij viti të jetësohet Projektligji i shumëpritur e që patë mbështetje e u procedua nga MASHT-i e u miratua edhe nga Qeveria. Po, ashtu edhe shumica e deputeteve janë për t`u njohur statusi i viteve të 90-ta.
Secili nxënës ka në brendësinë e vet talentin!
– I nderuar mësuesi Fatmir, për gjithë këto vite pune në arsim, sigurisht se kemi shumë momente të paharruara. Ju lutem a mund të tregoni ndonjë moment më mbresëlënës dhe të paharruara në jetën tuaj?
Në përvojën time shumëvjeçare në arsim kam përjetuar shumë momente të paharruara e mbresëlënëse, por për shkak të natyrës së shkrimit, do t`i veçoj dy momente më dramatike e më emocionale, shumë të ndjeshme e me përgjegjësi të madhe. Pra, profesioni i mësimdhënësit aq sa është krenar, është i ndjeshëm, aq sa është i suksesshëm është edhe i përgjegjshëm.
Po ua rrëfej një përvojë të jetës sime, që edhe sot kur e kujtoj më shkakton emocione e ndjesi, por edhe lehtësim shpirtëror e krenari.
E mërkurë, 16.05.2001. Ekskursion nëpër Kosovë, me nxënësit e kl VII-ta të Shkollës “Elena Gjika”, të Prishtinës. Me tu kthyer nga Peja e Gjakova rreth orës 14:20, u ndalem te Ura e Fshejtë. Dhe, disa nga nxënësit e kl.VII/3 me vrap si rrufeja ishin hedhur në lumë për të notuar, meqë moti atë ditë ishte i ngrohtë. Unë së bashku me kujdestarin e tyre, e shokun tim të çmuar e historianin e shquar Frashër Demaj, menjëherë shkuam pas tyre dhe për t’u gjendur pas tyre. Ata nxënës dinin fort mirë të notonin dhe po kënaqeshin, kur papritmas po vjen drejt meje një nxënëse e klasës sime duke më thënë se në anën tjetër ka hyrë i vetëm për të notuar nxënësi A. Z, një nxënës shembullor dhe i shkëlqyeshëm në mësime, por si adoleshent që ishte duke u mburrur që di të notojë, e po ashtu duke u nxitur edhe nga disa shoqe te klasës hidhet pa ditur notin në lumë, dhe valët e Drinit e rrëmbyen dhe e morën me vete, për pak drejt përmbytjes, por fal reagimit tim të shpejtë pa u hamendur fare e pa i zbathur fare atletet kërceva në lumë, e sikur valët e Drinit bënin garë me mua dhe nxitonin të dalldisura e të dallgëzuara me nxënësin A. Z në drejtim të Shqipërisë. Zëri i A. Z “O kujdestar u mbyta”, ishte zë e klithmë trishtuese e shteruese për mua, në ato çaste të rënda dramatike, dhe fal qetësisë shpirtërore e forcës e shpejtësisë se papërshkruar dhe në sekondat e fundit diku në një largësi mbi 100 m arrita ta nxjerr e ta shpëtoj nga valët e lumit Dri, edhe pse ai, e po ashtu edhe unë ishim “ngopur “ së piri ujët e lumit.
Fati ynë i përbashkët ishte që isha pranë nxënësve në ato çaste, por edhe që jam notues i mirë, në ato momente te rënda isha edhe ne rolin e zhytësit, por jo si zhytësi e heroi i gjallë i zhytjes, Ismail Kosumi. E kthimi deri te bregu i lumit ishte shumë i gjatë, i mundimshëm e me vështirësi të theksuara, se në çastet e fundit para se të përmbytej nx. A. bëra disa rrotullime dhe mezi arrita ta shtrëngoj shumë në një pjesë të trupit, ku ishte pa ndjenja, e madje me njërën dorë e mbaja kokën e tij lart, e me tjetrën notoja derisa mbërritëm në breg, më dukej shumë i lehtë edhe pse me trup gati ishte sa unë. Në breg të lumit ishin të mpirë e të stepur të gjithë pa frymë si nxënësit, ashtu edhe mësimdhënësit.
Nga përvoja ime po e shpalos edhe një moment tjetër poashtu të ndjeshëm e të paharruar.
Mësimdhënësit duhet të jenë nganjëherë me te kujdesshëm në vlerësimin e njohurive me notë, se nota është numër, e dija është mbi të gjitha. Të rrallë janë ata nxënës që i mësojnë e u pëlqejnë të gjitha lëndët mësimore. Secili nxënës ka në brendësinë e vet talentin, për të cilin nëse nuk ka mbështetje, atë edhe nuk mund ta shpreh.
Një nxënës i talentuar i klasës së VIII-të, në një fushë të caktuar, që sot është emër i njohur e shumë publik i asaj fushe, e që e ka mbaruar edhe fakultetin, në momentin kur brenda një dite në prag të përfundimit të vitit shkollor, i mbyllen dy nota të dobëta në dy orët e para mësimore, nga stresi e shqetësimi i madh, tenton të kërcej pa ndjenja nga kati i dytë. Njëra nga arsimtaret thërret e kërkon ndihmë nga unë. Shkova shpejt e hyra në klasë, ndërsa ai ishte jashtë në cepin e mbajtjes së dritares, ato momente ishte i pavetdishjëm për vendimin që po merrte, dhe ishte i vendosur dhe nuk donte të bashkëbisedoj as me mua, edhe pse më parë kishte dhe shprehte një respekt e dashuri për mua, por as që prisja nga ai, kur më tha që të mos i afrohem, se sot nuk e do më askë! Atëherë, iu drejtova se nëse nuk më dëgjon e nuk ma zgjat dorën po kërcejmë ne të dy bashkë! –Jooooo, arsimtar pse edhe ti?!… Në atë moment ma zgjati dorën! Për mua ishte edhe rrëqethëse zëri e lutja e disa shoqeve të klasës që kishin dalë në një kënd të oborrit të shkollës duke kërkuar nga ai që të kthehet në klasë, apo edhe nga më e keqja shpresonin se nëse kërcen mund t’i ndihmonin duke e pritur atë ne duart e tyre!… E, këtë moment e veprim, të gjithë ata që e lexojnë, e sidomos mësimdhënësit, vet lë ta vlerësojnë e mendojnë…
– Tani jeni arsimtar i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe ne SHFMU “Elena Gjika” të Prishtinës. Madje jeni ndër më të merituarit për urat e bashkëpunimit ndërmjet shkollave të Shqipërisë dhe shkollës suaj.
I nderuar mësuesi Fatmir a mund të na flisni pak më shumë për këtë bashkëpunim?
Një rrugëtim i gjatë e me peripeci, por edhe një bashkëpunim shumë i suksesshëm e me një përvojë të pasur e të rrallë jetësore. Për mua, nxënësit dhe mësimdhënësit që kemi bashkëpunuar me Shqipërinë janë momentet më mbresëlënëse e të paharruara për jetë. U krijua një urë e fortë e lidhur vëllazërore.
Më 9 nëntor të këtij viti, në teatrin “Dodona” shfaqen një program të rralle kulturoro-artistik në kuadër të Vitit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Heroit Kombëtar të Shqiptarisë, si dhe 12-Vjetorit te bashkëpunimit të shkollës sonë në aspektin arsimor, kulturor, artistik, social dhe edukativ. Pra , në këtë vit të madh jubilar u kurorëzua edhe bashkëpunimi dymbëdhjetë vjeçar i shkollës sonë me Shqipërinë. Një simbolikë tjetër që lidhet me 25 betejat e Skënderbeut, por edhe 25 veprimtari të bujshme të shkollës sonë me Shqipërinë.
Për herë nxënësit e SHM-të Përgjithshme ”Andon Zako Cajupi”, të Tiranës, së bashku me shkollën tonë,si dhe të rinjtë nga Free Youth Club Vidin nga Bullgaria, shfaqen legjendën shqiptare në teatrin Ballkanik “Kush e solli Doruntinën”, më 30 maj 2006, në orën 17:30 në Sallën e Kinemasë së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, në Tiranë, ku rolin kryesor të Doruntinës, u dallua dhe mori duartrokitje të zjarrta e të pandërprera nxënësja e shkollës sonë, që atëherë ishte në kl. V III-të Fiona Gllavica, tani aktore e dalluar dhe shumë e dashur. Ishte shfaqja e parë e përbashkët dhe bashkëpunimi i parë i nxënësve të shkollës sonë me nxënësit e Tiranës. Koordinatorë të këtij projekti dhe kësaj shfaqje të parë ishin: Ina Kasimati, profesoreshë e Gjimnazit, “Andon Zako Çajupi”, nga Tirana, Ardita Repishti, dhe unë së bashku me Lindita Loshin, një aktiviste e re dhe e palodhshme dhe drejtoreshë e Qendrës Rinore të Prishtinës. E njëjta shfaqje, më 23 shtator 2006, u realizua dhe u shfaq edhe në Teatrin Kombëtar të Prishtinës.
– Sot shumica e nxënësve tuaj kanë mbaruar universitete dhe janë kuadro të suksesshme. Si ndiheni ju si arsimtar i tyre?
Ndjehem shumë i lumtur e krenar jo vetëm me nxënësit e Tërpezës, por edhe me nxënësit e mi të Prishtinës. Shkolla “Eena Gjika” e Prishtinës është vatër e burim i pashtershëm i nxënësve të dalluar në mësime dhe i shumë talentëve që sot e nderojnë jo vetëm shkollën, por edhe kombin e Kosovës. Po përmend vetëm disa prej tyre, duke i kërkuar falje edhe shumë të tjerëve në pamundësi për t’i përmendur të gjithë.
Qendrim Gashi, Doktori më i ri i shkencave të Matematikës, ligjërues në shumë universitete të njohura botërore, tani ambasador i Kosovës ne Francë.
Pëllum Kelmendi, doktor i shkencave dhe profesor i njohur në Amerikë.
Ema Uka(Aktore), Fiona Gllavica (Aktore), Filloreta Raci (Aktore, Regjisore e Këngëtare), Ilirianë Blakaj, Nërenxa Jakupi, Leunitë Luzha, Nderim Salihaj, Albulenë Sylaj, Merita Marteti, Dardan Selimaj, Ardije Kelmendi, Lavdim Zylfiu, Qëndrim Sopi, Nita Deda, Rezetë Veliu, Fjollëza Neziri, Fjolla Preniqi.
Unë jetoj dhe mburrem me sukseset e nxënësve të mi!
– Sipas jush, cila është dhurata më e çmuar që nxënësi mund t’i dhurojë mësuesit?
Sjellja e mirë dhe suksesi në mësime, urtësia e mençuria, çiltërsia e sinqeriteti, afërsia e ngrohtësia, buzëqeshja e dashuria. A ka ndjenjë e dhuratë më të çmuar për një mësues të afërt e të dashur me nxënës, që nuk e ka askush në botë, se kur çdo ditë nxënësit të flasin me buzëqeshje, përshëndetje e përqafime. Dhuratë tjetër për mësimdhënësin është kur nxënësi e vlerëson dhe i është mirënjohës për mësimet e jetës që ja ka dhënë. Nxënësi është ai që e vlerëson më së miri një mësimdhënës. S’ka dhuratë më të madhe për mësuesin, se kur nxënësit e tij i shkruajnë, e urojnë dhe e përgëzojnë dhe i janë shumë mirënjohës për punën e bërë. Këto dhurata unë i marr vazhdimisht nga nxënësit e mi, dhe se ndjehem shumë i motivuar e krenar. Një mirënjohje e falënderim publik për përvojën time shumëvjeçare, në fillim të këtij viti që po lëmë pas e kam marrë nga ish-nxënësi im, Shyqiri Bytyqi, ministër i Arsimit, nga ju vet Ajete, si dhe nga shumë nxënës të tjerë. Sikur prindi që i gëzohet dhe është shumë krenar me suksesin e fëmijës së tij,ashtu edhe mësuesi i gëzohet dhe ndjehet shumë krenar me suksesin e nxënësit të tij. Unë jetoj dhe mburrem me sukseset e nxënësve të mi!
– Jemi në prag të Festës se Vitit të Ri. Cili është urimi dhe porosia juaj për të gjithë ata që kanë vendosur të jenë mësuesit e ardhshëm, por edhe për nxënësit tuaj që i doni shumë?
Para se të shkelni në pragun e shkollës, harrojeni çdo brengë personale e familjare tuajën. Përkushtim dhe vetëm përkushtim, durim dhe vetëm durim, dashuri dhe pasion për profesion, se për ju fillon një rrugë e betejë e gjatë e dritës dhe diturisë. Rrëmbeni e pushtoni zemrat e nxënësve. Dhurojuni atyre dashuri e ngrohtësi, buzëqeshje e çiltërsi, kënaqësi e drejtësi, mësim e dituri, shkathtësi e lumturi. Ju mësuesit e ardhshëm para se të jeni mësues të mirë e të dalluar, të jeni edukatorë të mirë, të luani rolin e prindit, psikologut, pedagogut, po pse jo nganjëherë edhe të artistit. Të depërtoni thellë në botën shpirtërore e emocionale të nxënësit. Të keni kujdes të mos i lëndoni emocionet e tyre, dhe gjithmonë t’i kontrolloni emocionet tuaja. Në arsimin fillor edukimi dhe shkollimi duhet të jenë në radhë të parë. Për asnjë çast mos e leni edukimin duke u mburrur me realizimin e planprogramit mësimor. Gjithmonë të jeni të përgjegjshëm dhe mësoni nxënësit edhe me shkathtësitë e jetës.
Gëzuar dhe ju priftë e mbara në misionin tuaj të shenjtë!
Për të gjithë nxënësit e mi që i dua aq shumë, e që më duan, kam një urim të veçantë qe buron nga thellësia e zemrës dhe e shpirtit.
Gëzuar vitin 2019!
Shumë shëndet e suksese, mbarësi e mirësi, buzëqeshje e harmoni, paqe e lumturi, ditë të bardha e bardhësi! I pushtofshi majat më të larta të dijes e shkencës!
Ndërsa, Ty nxënësja ime e dashur Ajete, të falënderoj nga zemra me mirënjohjen më të thellë për kujdesin e respektin e pafund, si dhe për intervistën! Të uroj një vit të mbarë e me plot suksese! Me mendjen tënde të ndritur e pendën e artë të na dhurosh shumë vepra e shkrime tjera! Të gjithë lexuesve dhe personelit të ” Bota Sot”, Gëzuar Vitin 2019! Ardhshin ditë te bardha për të gjithë NE!
Prishtinë, 25 dhjetor 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura