GJOKË DABAJ: TRE POLITIKANËT QË, NË KËTË KOHË, POPULLI SHQIPTAR DUHET T’I PËRKRAHË

Durrës, 22 maj 2017: Në Shqipëri janë sot tre politikanë që duhet të përkrahen e të votohen prej shqiptarësh në mënyrën më masive. Në IRJM është Ziadin Sela, në Republikën e Kosovës është Albin Kurti dhe në Republikën e Shqipërisë është Ed Rama. Është fat i mirë që Shqipëria i ka nxjerrë këta tre politikanë në të njëjtën kohë. Jo se këta janë aq të mirë, sa duhej të ishin, por sepse, sot për sot, për Kombin Shqiptar pikërisht këta janë më të pranueshmit.
Ziadin Sela e tregoi veten me një qëndrim burrëror, qoftë në raport me partiakët e mëparshëm, me të cilët kish lidhje, qoftë në zhvillimet e mëvonshëm në Strugë dhe në përgjithësi midis shqiptarëvet dhe sllavëvet, pjesëtarë të atij shteti. Sulmi fizik që iu bë në ngjarjet e fundit, dëshmoi që armiqtë e bashkëjetesës së barabartë të sllavëvet dhe shqiptarëvet në atë shtet, shohin te ai kundërshtarin më të vendosur. Po të donin, sulmuesit e asaj nate a dite në parlamentin e Shkupit, do t’i kishin gjetur edhe të tjerët të quajtur „liderë“ të shqiptarëvet. Por ata nuk u duheshin gjë, sepse ata nuk përbëjnë kurrfarë pengese ndaj veprimtarisë sllave në ato hapësira. I vetmi që përbën pengesë për sllavët, që duan të sundojnë në atë vend mbi shqiptarët, është në këtë çast Ziadin Sela, prandaj, atë njeri duhet ta përkrahin të gjithë shqiptarët me të gjitha mënyrat.
Albin Kurti ka vite që lufton për një liri reale të shqiptarëvet, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por në krejt Shqipërinë. Në këto zgjedhje të qershorit 2017, asnjë subjekt politik i Republikë së Kosovës nuk meriton të marrë vota prej shqiptarëvet më shumë se Vetëvendosja dhe asnjeri prej kryeministravet të nominuar nuk meriton të përkrahet më shumë se Albin Kurti. Prandaj shqiptarët e Republikës së Kosovës nuk duhet t’i kursejnë votat për Albin Kurtin. Janë një varg arsyesh që më shtyjnë të them kështu. Albin Kurti është lideri që luftoi më shumë se kushdo tjetër për të mos iu falur toka të tjera Malit të Zi. Luftoi dhe e arsyetoi në mënyrë të parrëzueshme qëndrimin e tij. Vetëm kjo do të mjaftonte që shqiptarët e Republikës së Kosovës t’ia jepnin votën atij. Lidhur me të quajturën „Zajednicë“, Albin Kurti sërish mbajti qëndrimin që duhej. Sërbët, në territorin e Republikës së Koosvës janë që të gjithë imigrantë. Si të tillë, ata nuk mund të pretendojnë aty kurrfarë të drejte territoriale. Madje, edhe jashtë Republikës së Kosovës ata janë imigrantë, por ne nuk po merremi tash me këtë punë. Albin Kurti nuk po i mohon pakicës sërbe të Republikës së Koosvës të drejtat qytetare. Ai thjeshtë po shprehet kundër pretendimevet absurdë të Sërbisë dhe pikërisht për këtë të gjithë shqiptarët e Republikës së Kosovës, por edhe vetë sërbët, edhe të quajturit turq dhe të gjitha pakicat e tjera, duhet t’ia japin votën Albin Kurtit, sepse me asnjë kryeministër tjetër nuk do të jenë më mirë.

– Ziadin Sela, Edi Rama dhe Albin Kurti –

Ed Rama nuk është më i miri shqiptar. Larg qoftë! Ka shqiptarë më të mirë se ai me mijëra. Por Ed Rama është, midis të gjithë kandidatëvet, më i pranueshmi kandidat për kryeministër. Në qeverisjen e vendit ka pasur rezultatet më të mirë, midis të gjithë kryeministravet të kësaj republike, nga 1990-a e këndej. Të gjithë ata që mundohen ta njollosin Ed Ramën në këtë aspekt, ose kanë mllefe personalë e gruporë, ose nuk dinë çka flasin. Në qeverisjen e Tiranës, si kryebashkiak, ka qenë më i suksesshmi. Në politikën tonë kombëtare ka qenë më i pranueshmi. Grekëvet u tha ç’u duhej thënë dhe ç’mund t’u thuhej në këto rrethana, sërbëvet u tha mu në Beograd, njiheni shtetin e Kosovës. Politikanët shqiptarë të IRJM-së u mundua t’i këshillojë dhe, për këtë, politikanët sllavë të atij shteti, që, në të vërtetë, punojnë edhe kundër popullit të vet, e akuzuan Edin se po ndërhynte në punët e tyre të brendshme. Vetëm për ne shqiptarët që kemi mbetur nën Mal të Zi këtu e 140 vjet, Ed Rama s’ka bërë thuajse asgjë. Megjithkëto, unë them që, që të gjithë shtetasit e këti shteti, më 25 qershor duhet t’ia japin votën vetëm Ed Ramës. Askush jetër nuk mund t’i qeverisë shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, në këtë kohë, më mirë se Ed Rama dhe këtë e dëshmoi më së miri në durimin ndaj Çadrës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Duhej të kishe nervat e buallit, që t’i duroje të gjitha ato fyerje dhe të gjithë ata pretendime absurdë! Vetëm për këtë shembull që i dha Ed Rama demokracisë shqiptare dhe demokracisë në përgjithësi, meriton të votohet masivisht prej të gjithë shtetasvet të këtij shteti dhe unë shpresoj që ai, këtë herë të mos marrë 71 deputetë, por plot 80 dhe ashtu t’i jepet mundësia të qeverisë pa shkopinj ndër këmbë të paktën për katër vjet të tjerë.
Duke bashkëpunuar të tre këta politikanë të Shqipërisë, Ed Rama kryeministër në Republikën e Shqipërisë, Albin Kurti kryeministër në Republikën e Kosovës, Ziadin Sela, parlamentar me peshë në kuvendin e IRJM-së, shtuar këtyre edhe Genc Nimanbegun në Kuvendin e Malit të Zi e ndonjë tjetër, unë po shpresoj që Kombi ynë, kaq keq i rraskapitur, do të mund të njohë, në këta vite, një përparim sado pak të dukshëm. Por kjo varet shumë prej asaj, se sa do ta kuptojnë shqiptarët rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe rëndësinë e orientimit mençuror në këto zgjedhje.
Le të urojmë, ndërkohë, që njerëzit tanë të mos ua vënë veshin përrallavet si ato të Isa Mustafës, kur thotë: Populli i Kosovës e di mirë kush e ka penguar liberalizimin e vizave, apo ato të Lulzim Bashës mbi “republikën e re”. Të tilla deklarata nuk janë tjetër, veçse broçkulla njerëzish, që aq dinë e aq thonë, duke e menduar edhe popullin si vetja.
Gjokë Dabaj – 21 maj 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura