Prof.dr.Eshref Ymeri: Modeli i urrejtjes së shqiptarit për shqiptarin

Santa Barbara, Kaliforni, 25 dhjetor 2020: Ndoqa emisionin “Open” të moderators Eni Vasili, me titull “Pandemia, politika, negociatat, rindërtimi, kryeministri Edi Rama përballë gazetarëve”, të transmetuar më 12 nëntor. Të ftuar përmes skaipit (skype) ishin gazetarët-analistë Abilekaj dhe Gjekmarkaj.
Dy gjëra më lanë mbresa të thella në atë emision.
Së pari, deklarata e kryeministrit Rama, sipas të cilit kushtet në spitalet tona, gjatë përballimit të pandemisë, nuk paskan asnjë ndryshim nga kushtet në spitalet e vendeve perëndimore!!! Kjo deklartatë përcillte një mashtrim të kulluar. Sipas deklaratës së kryeministrit, Shqipëria “paska të njëjtat standarde jetese, si edhe vendet perëndimore”, ndërkohë që dihet shumë mirë se çfarë standardi jetese ka vendi ynë. Sepse shëndetësia dhe arsimi janë dy treguesit kryesorë që shërbejnë për të gjykuar se ku është standardi i jetesës së një vendi. Pikërisht këta dy tregues dëshmojnë më së miri se në ç’nivel të mjeruar e ka vendi ynë standardin e jetesës.

Së dyti, urrejtja patologjike, deri në tërbim, e kryeministrit Rama për doktor Berishën. Me paturpësinë më të madhe, duke nxjerrë në pah edukatën e vet të shëmtuar përmes përdorimit të një fjalori të stilit rrugaçëror, ai e etiketoi doktor Berishën “mbeturinë organike e papërpunueshme”. Ky fjalor rrugaçëror ishte një fyerje e rëndë për mbarë teleshikuesit me dinjitet personal, për dy analistët e ftuar dhe për vetë moderatoren Eni Vasili. Normalisht, moderatorja duhej t’i kishte tërhequr vërejtjen kryeministrit Rama dhe ta paralajmëronte t’i merrte mbrapsht ato fjalë të turpshme për emisionin e saj, se përndryshe do ta mbyllte atë emision. Por ajo, çuditërisht, luajti rolin e mumjes mediatike para një kryeministri gojështhurur, krejtësisht të papërgjegjshëm. Edhe dy analistët, në respekt të dinjitetit personal, duhej të kishin reaguar ashpër, duke e braktisur emisionin.
Me fjalorin e stilit rrugaçëror për doktor Berishën, kryeministri Rama dëshmoi më së miri se ai përfaqëson mrekullisht modelin e urrejtjes së shqiptarit për shqiptarin dhe e zotëron deri në përsosmëri artin e një urrejtjeje të tillë. Në këtë mënyrë, ai, si edhe shumë herë të tjera në sytë e publikut, e vërtetoi përfundimisht se është trashëgimtar i mendësisë së kryediktatorit Enver Hoxha në shfaqjen e urrejtjes së shqiptarit për shqiptarin, se ai përfaqëson kësisoj modelin e përçarjes së shqiptarëve, çka dëshmon në mënyrën më të përkryer se ai i shërben me shumë zell strategjisë së grekoserbizmit për jetësimin e një përçarjeje të tillë. Fjalorin e stilit rrugaçëror kryeministri Rama nuk duhet ta përdorë as kundër Vuçiçit, i cili në paçavurekushtetutën e Serbisë vazhdon të mbajë nenin për Kosovën si pjesë e Serbisë, e jo më kundër shqiptarit, kundër bashkatdhetarit të vet, si doktor Berisha.
Si gjithmonë, ajo që u lë vragë të thellë mbarë shqiptarëve me dinjitet personal dhe me vetëdije kombëtare, është gjendja në partinë socialiste, të cilën Rama e ka shndërrur në një pellgaçe ndotëse, në një kalbësirë politike, ku askush nuk ndihet për i gjallë. Kjo gjendje të kujton partinë e punës apo partinë e dhunës, në të cilën njeriu askush me emrin Enver Hoxha, sillej si t’ia donte qejfi, sepse mumjekomunistët shqiptarë nuk qenë të aftë të nxirrnin që në fillim në udhëheqje të partisë një shqiptar me dinjitet të lartë kombëtar, por lejuan që Beogradi t’u vinte në krye argatin e vet, i cili, në qëndrimin ndaj shovinizmit serbomadh, nuk kishte as nder as dinjitet.
Fjalori i stilit rrugaçëror, si shprehje e tërbimit të papërmbajtur të kryeministrit Rama kundër doktor Berishës, dëshmon për dy gjëra mjaft thelbësore që e turbullojnë keq qenien e tij.
Së pari, Ramën e bluan përbrenda kompleksi i inferioritetit, çka e shtyn të përdorë fjalë të rënda fyese kundër doktor Berishës, si kundërshtar politik. Përgjithësisht, kompleksi i inferioritetit e bën njeriun të papërmbajtur, madje deri në agresivitet, kundër të tjerëve, për të cilët mendon se ata tallen me të.
Së dyti, Ramën e bren pa pushim në heshtje frika për humbjen e pushtetit. Prandaj tani ai është në ethe, në gjendje ankthi, sepse ka 22 vjet që është dashuruar keq me pushtetin. Ai ka dyshim se nuk është krejtësisht i sigurt nëse pas zgjedhjeve të 25 prillit do ta vazhdojë ose jo mandatin e tretë si kryeministër. Ky dyshim Ramën e tmerron, e bën agresiv, e bën të përdorë vulgaritete të pështira leksikore, se, duke ecur në gjurmët e Putinit në etjen për pushtet, ai nuk e përfytyron dot veten jashtë ushtrimit të pushtetit politik. A e përfytyrojnë dot shqiptarët se me çfarë mund të merret Rama, pa qenë në krye të pellgaçes politike me emrin parti socialiste? A iu kujtohet shqiptarëve se me çfarë u mor askushi me emrin Enver Hoxha kur e dëbuan nga Liceu i Korçës dhe erdhi në Tiranë? Në kafe “Flora” ai merrej me kontrabandë cigaresh, kurse historianët mashtrues na e kanë përshkruar ardhjen e tij në Tiranë, si të dërguar me mision nga grupi komunist i Korçës, duke na gënjyer pa iu nxirë faqja fare, kur dihej shumë mirë se ai nuk kishte qenë kurrë anëtar i grupit komunist të Korçës. Edhe Rama. sipas shembullit të askushit Enver Hoxha, pa kreun e partisë socialiste dhe jashtë politikës, me çfarë mund të merret? Me kontrabandë ikonash? Se Martin Henze, këshilltar për çështjet ekonomike pranë partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, CDU, nëpërmjet një postimi në Twitter, i ka bërë një pyetje të thjeshtë kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama:
“A jeni arrestuar dhe burgosur në Francë në vitin 1994 dhe a keni bërë tregti, me ikona të vjedhura?” (Citohet sipas: Poli Hoxha. “4 dëshmi: A ka qenë Edi (Edvin) Rama i arrestuar në Francë dhe pse e ndryshoi emrin pas akuzës së Nanos?!”. Faqja e internetit “VOAL”. 20 dhjetor 2019).
Pas këtij denoncimi puiblik, partia socialiste ka heshtur, organet e drejtësisë kanë heshtur dhe, ç’është më e çuditshmja, vetë Rama ka heshtur. Deri kur kështu?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura