Durrës, 30. 01. 2014 – Jam i detyruar të jem i ashpër në trajtimin e këtij problemi. Sot u publikua në gazetat e Tiranës një shkrim me titull “A do të dorëzohet Ulqini”, dhe kjo më nxiti edhe më shumë të prononcohem. Më nxiti edhe një bisedë në Topçenëll lidhur me garat ilegale të qenvet në Tiranë e në Durrës. Nuk jam kundër asaj që Topçenëlli të flasë edhe për rrëzikun e garavet ilegale me qen, por: Sa herë ka folur ky televizion për garat, legale dhe ilegale, kundër të drejtavet të shqiptarëvet të Tivarit?!
Çështja e parë, detyrimisht nga historia.
Në vitin 1479, Shkodra u pushtua nga Perandoria Osmane. Ulqini e Tivari u pushtuan në vitin 1571. Plot 92 vjet Ulqini dhe Tivari kanë përjetuar një TË MBETUR GJALLË, nën një rrethim të pandërprerë prej forcash ushtarake osmane. Jo 92 ditë, por 92 vjet! Sulme, plaçkitje, rrëmbime njerëzish dhe rrëmbime të çdo lloj pasurie. Vrasje ditë për ditë… Por, nëse i shfletojmë dokumentet me kujdesin e duhur, na del që, plaçkitësit, dhunuesit dhe vrasësit, në shumicën e tyre, nuk ishin as nga Anadolli, as nga Egjipti. Ata ishin shumica shkodranë tashmë të islamizuar dhe banorë të rrethinavet të Shkodrës. Është indinjuese, është revoltuese, por kjo është e vërteta dhe s’kemi si t’i shmangemi, veç duke i vënë gishtin kokës, ne të sotmit. Studuesit le t’i marrin një për një dokumentet e informacionet dhe le të vërtetojnë të kundërtën! Mua do të më vijë mirë.
– Harta e Ulçinit të vjetër –
Pas kësaj, kur edhe Ulqini e Tivari ranë nën Perandorinë Osmane, ka shumë raste bashkëpunimi e bashkëveprimi në përpjekjet për t’u çliruar prej pushtuesit osman, por ka edhe një tjetër aspekt rrënqethës: Ulqini u shndërrua në liman kusarësh të detit dhe shumica e plaçkës derdhej në thesarët e pashallarëvet të Shkodrës, sepse ata mendonin PËR VETE, jo për Shkodrën, as për Ulqinin.
Vitet 1878-1881, kanë qenë vitet më të lavdishëm, kur forcat patriotike shqiptare u patën bashkuar më vrullshëm se kurrë, në mbrojtje të qytetevet të Tivarit dhe Ulqinit. Mirëpo, edhe aty na bie në sy një dukuri e jona përjetësisht e kritikueshme. Shqiptarët, jo vetëm këta të Shkodrës, por të krejt Shqipërisë (Nuk duhet të harrojmë që në ata vite qenë ngritur në këmbë vetëm në Veri mbi 240 mijë luftëtarë të armatosur.) DUAN t’i mbrojnë Ulqinin dhe Tivarin, por NUK DINË t’i mbrojnë. Mbi të gjitha, nuk kanë strategji dhe taktikë ushtarake për të realizuar atë që populli e kërkonte me këmbëngulje. (Shqipëria, kjo prodhuese në seri e gjeneralëvet që jepnin jetën për Babën Mbret, nuk qe në gjendje të nxjerrë një gjeneral, për të mbrojtur vatanin prej sllavëvet dhe prej grekëvet!)
Në ata vite, u thurën shumë këngë për Tivarin e për Ulqinin, por unë po sjell këtu vetë 3 a 4 vargje. “Të shtatë krajlat me ba urdi/ pa krisë pushka, nuk e lshojmë” Kemi, nga njëra anë, një realitet që Evropa ish kundër Ulqinit, por kemi, në anë tjetër, PSIKOZËN E TË DORËZUARIT, ende pa filluar përballja. Ç’do me thënë “pa krisë pushka, nuk e lshojmë”?! Do me thë, hiç më pak se “e lëshojmë”. “Vërtet do të kërcasë pushka, por Ulqinin do ta lëshojmë.” Edhe në aspektin taktik të të krisurit të pushkës, nuk ka kurrfarë profesionalizmi. Pse nuk i bien Cetinjës gjithato forca që i kishin armët më të mira se malazezët dhe që, për nga numri, ishin nja 9 herë shumë?! Nuk i bien Cetinjës, e cila s’kish thuajse fare mbrojtje, por shkojnë e rrasen, si budallenjtë, në një grykë të ngushtë të Shkallëmushkës në Kllezën! Më në fund, vjen edhe urdhëri kapitullues, në të vërtetë, sebep për t’u justifikuar në njëfarë mënyre: “Çajre s’asht pa e lshue Ulqinin/ kam Stamollën muhasere.” Gozhdë për të varur gozhupin e turpit.
Kjo histori e luftës për mbrojtjen e Ulqinit, sado që populli e kish me gjithë shpirt, nuk mund të emërtohet ndryshe, veçse si kapje e mëzatit për bishtit, në vend që të kapej për brirësh.
Në vitin 1962, kur për herë të parë erdha në Shkodër, vura re një shkallë injorance të papërballueshme dhe të padurueshme në mentalitetin e shkodranëvet, mentalitet, i cili shprehej nëpërmjet gjuhës shqipe, të sakatuar e të gjymtuar, njëlloj si toka e shqiptarëvet! Jo vetëm në të folurin e shkodranëvet, por në të folurin e shumicës së banorëvet të Rep.Pop. të Shqipërisë. Ata i konsideronin Tivarin dhe Ulqinin Jugosllavi! “A prej Jugosllaviet je ti?” “Ka pasë ardhë para 2 vjetsh ktu edhe nji jugosllav tjetër. A kenë prej Ans Malit m’duket.” As shqiptarët e Tepelenës, për 5 vjet, sa qëndrova atje, nuk i mësova dot të mos më quanin jugosllav. E shumta, disa prej tyre, mësuan të thonë: “Ky është shqiptar i Jugosllavisë.”
Në vitin 1969 apo 1970, pata një epsod të hidhur me Haki Toskën, anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së. Profesori ynë i nderuar, Kristaq Prifti, një patriot nga të kthielltët e asaj kohe, deshi të më lavdërojë para anëtarit të Byrosë dhe i tha: “Gjokën e kemi nga Ulqini.” “Ashtu?!” U habit byroisti. “Po shqipen, kur e ke mësuar?” “Ma ka mësuar nëna,” i thashë, ndësa vura re një zbehje në fytyrën e profesorit.
Mbas vitit 1990 kam hasur jo 1, por disa shkodranë e malësorë apo bregasorë, që punojnë në Tivar e në Ulqin. Shumë prej tyre Tivarit i thonë Bar. “Kam punue edhe në Bar.” “Po ti, a prej Barit kenke!” “Bari bie matanë Ulqinit.” Të njëjtë shkallë injorance shfaqi një natë edhe një gazetare e Tiranës. Ajo tha: “Klandestinët dalin në Muriqan dhe kalojnë në Itali nëpërmjet Barit të Malit të Zi.”
Në këtë mënyrë, me këtë shkallë diturie dhe me këtë lloj cektësie tuberkulare, është e kotë të pyesësh: “A do të dorëzohet Ulqini”. Me këtë shkallë diturie dhe me këtë lloj cektësie, që e perhap në shpirtin tone si pakuptueshëm sëmundjen e veremit, ka rrëzik që një ditë t’i ngrejë duart përpjetë edhe vetë Shkodra. Ta pushtojnë prapë, ashtu siç edhe e pushtuan, malazezët dhe sërbët, në Luftërat Ballkanike. Gjenero sa të duash heroizëm, kur s’e ke kokën atje ku duhet!
Çështja e dytë: Barku plot, po truri?
Vetë Ulqinit i mungon arma kryesore e të vetëmbrojturit. I thashë një ditë një mikut tim ulqinak: “Ju kurrë nuk do ta fitoni Ullishtën që jua kanë marrë sërbo-malazezët!” “Pse?!” Më pyeti i habitur shoku dhe miku im. “Sepse ju nuk lexoni libra!”
Në krejt Ulqinin nuk ka as edhe 1 librari me libra shqip. Në të vetmin lokal, mbi derën e të cilit shkruan shqip LIBRARI, s’ka, veçse kancelari: Fletore të të gjithë formatevet, stilolapsa të të gjithë llojevet, tabakë letre dhe letra me ngjyra për punë dore. Në krejt Ulqinin nuk ka asnjë kioskë, ku të shiten gazeta e revista të Tiranës, Prishtinës apo Shkupit. Ka vetëm kioska të gazetavet e libravet në gjuhët sllave, madje edhe prej Beogradit, që s’është pjesë e këtij shteti. Fatmir Toçi dhe shokët e tij, organizues panairesh të libravet, shkojnë 1 herë në vit me librin shqip në Ulqin. Po them: 1 herë në vit, jo përditë! Se aq i kanë mundësitë. Por edhe kjo, 1 herë të vetme në vit, sa vjen e po zbehet, sepse ulqinakët nuk i lexojnë librat. Si mund ta mbrojnë Ulqinin ulqinakët, nëse të gjitha ditët i gëdhijnë e i ngrysin nëpër kafene, duke e shpërndarë pa kursim “mençurinë” e tyre natyrale, më shumë shterpë se plle?!
Tumori në Tivar, në Ulqin, metastazat.
Ulqini nuk mund t’i ruajë, as veçoritë kulturore kombëtare, as ato të pushtetit lokal, pa u përpjekur edhe për Tivarin, ashtu si as Shkodra në të ardhshmen, nuk do të mund të vetëruhet, pa u përpjekur në vazhdimësi për Tivarin e për Ulqinin. Nuk po them, t’i mbrojnë, Shkodra e Tirana, Tivarin e Ulqinin, me topa e me raketa, sepse, edhe po të duan, s’i kanë më, as topat, as raketat. Po them: Të mbrohen me dituri dhe me mençuri të mirëfilltë kombëtare dhe të mirorganizuar. Ka në Shkodër e në Tiranë jo pak intelektualë të përkushtuar edhe ndaj këtij problemi. Por kjo nuk mjafton, ashtu si nuk mjaftuan një Hodo Sokol e një Mehmet Bec, në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Na duhen qeveritarë patriotë! Duhen lisa me gjithë degë, jo vetëm degë! Duhet krejt pylli të rrijë qëndrueshëm, drejt më këmbë, jo veç lisa, të veçueshëm, që është lehtë për t’i prerë e për t’i djegur!
Unë nuk kam në dispozicion kurrfarë statistikash të besueshme, por, si tivaras që jam, me aq sa e njoh Tivarin e sotëm, kam bindjen që 60% e banorëvet të Tivarit me rrethinë, e përbëjnë shqiptarët. Nuk janë të regjistruar si shqiptarë, llagapet, dmth pranemrat, i kanë në sllavisht, në shumicën e rastevet edhe emrat vetjakë i kanë të sllavizuar apo gjysmë të sllavizuar, nuk flasin shqip në ambientet publikë, por në shtëpi, kur u duhet të komunikojnë më mirë me gjyshërit apo me gjyshet, ia fusin edhe shqip, nuk marrin pjesë në partitë politike shqiptare, madje i shajnë, nuk kanë as edhe 1 shkollë shqipe, madje as që kërkojnë të kenë shkollim në gjuhën e vet. Nuk ka as në Afrikë popull më të pavetëdijshëm. A mund të shpresosh që Ulqini të qëndrojë shqiptar, duke pasur për fqinj, me vëllazëri e me farefis, një Tivar që i është dorëzuar shkombëtarizimit në mënyrë kaq të prostitutshme?!
Nuk po flas, sa e si po punojnë shovinistët sërbo-malazezë, për t’i asgjësuar, kulturalisht, kombëtarisht dhe politikisht, shqiptarët. Jo vetëm në mënyrë të hapur, por sidomos në mënyrë perfide, duke u shtirur si miq të shqiptarëvet, duke i përçarë ata, duke i neutralizuar 1 nga 1 e 2 nga 2. Nuk po flas as për mënyrën se si Evropa nuk e ka as në cep të vëmendjes për t’i mbrojtur shqiptarët, që vetë ajo ia ka dorëzuar Malit të Zi. Evropës, por, po më duket, edhe Amerikës, i mjaftojnë 2 apo 3 rezervate shqiptarësh, sa për të shuar kuriozitetin e antropologëvet.
Po flas për veten tonë!. Legjislacioni i sotëm i Malit të Zi nuk e ndalon shqiptarin e Tivarit për të folur shqip. Legjislacioni i sotëm i Malit të Zi nuk e ndalon shqiptarin e Tivarit për të kërkuar shkollë shqipe për fëmijët e vet. Legjislacioni i sotëm i Malit të Zi nuk e ndalon shqiptarin e Tivarit për të marrë pjesë në një parti politike shqiptare. Mirëpo, shqiptari i Tivarit është krejt injorant përsa i përket kulturës kombëtare dhe, si i tillë, ai është edhe pa kurrfarë dinjiteti. Hiqja njeriut dinjitetin kombëtar, bëj që ta harrojë gjuhën e të parëvet të vet, ia ke hequr edhe dinjitetin familjar e personal. E ke zhveshur së gjithash!
Prandaj, pa e mësuar, edhe shkodrani i fundit, që Tivari nuk është Bar për ne shqiptarët, pa e mësuar kryeministri i Rep.së Shqipërisë dhe ai i Rep.së Kosovës, se edhe Tivari ka nevojë për t’u mbrojtur e përkrahur, jo me topa e me havana, por me parimet e fqinjësisë korrekte, askush të mos ëndërrojë për një Ulqin të parrëzikuar!
——————————
– ULҪINI NË VITIN 1912 –
———————————————
(Ilustrimet i bëri kryeredaktori i pashtriku.org, Sh.Berisha)