DILEMA: KUSH E ÇLIROI KOSOVËN?

DILEMA: KUSH E ÇLIROI KOSOVËN?

10 Qershor 1998 – 10 Qershor 1999

Nga Dilaver Goxhaj, Tiranë 9 qershor 2023

Dilema: “Kush e çliroi Kosovën?”, ka përmbi dy dekada që vijon të jetë në diskutim një temë mbarë kombëtare prej shumë medjave shqiptare, por edhe të huaja. Ky është një fakt i rëndësishëm historik, që tregon se temat me të vërtetë kombëtare, nuk janë tema abstrakte dhe as jashtëkohore, por janë motive që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me rrugën e Kosovës drejt progresit; me ndeshjen e forcave përparimtare me reaksionin serb e atë shqiptar të djeshëm e të sotëm, që përpiqen ta mohojnë atë kryengritje heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke përdorur një lloj forme “demokratike”, duke na treguar titujt e gradat shkencore, apo me emra të bukur partishë e shoqatash të ndryshme “intelektualësh”.

Që të jemi sa më të qartë në këtë diskutim sa profesional aq dhe historik e politik, saktësoj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila e ka fillesën e bumit të saj në Luftën e Prekazit 5-8 mars 1998, gradualisht erdhi duke u shndërruar në një ushtri tipike guerile e oganizuar, me një komandë unike. Si e tillë, ajo nuk mund të bënte strategji të madhe, (organizimin e betejave të mëdha), pasi po ta bënte atë lloj strategjije, do të ishte mundur sikundër edhe u mund gjatë verës së vitit 1998. Dhe, pse nuk bëri UÇK-ja këtë “strategji të madhe”, apologjetët tanë “intelektualë” e “patriotë” na dalin me teorinë se: “Kosovën as e çliroi dhe as kishte mundësi ta çlironte UÇK-ja”!

Duke qenë sa janë profanë në fushën ushtarake, po aq dhe dashakeqë, “teoricienët” analistë shqiptarë të formateve të ndryshëm nuk mund ta kuptojnë, edhe sikur të duan, se pse UÇK-ja gjeti strehë kryesisht në strategjitë guerile, (e luftës së vogël), dhe jo në atë të betejave të mëdha. Por, duke qenë se nuk kanë haber se ç’janë luftrat çlirimtare, duke u manipuluar prej ideologjisë pacifiste, edhe u falet nëse nuk e kanë nga urrejtja për UÇK-në, ngaqë ajo vërtetoi se politka pacifiste në Kosovë ishte politikë antokombëtare.

Luftimet e shpeshta e me forca të vogla, që përzgjodhi UÇK-ja, përbëjnë strategjinë e vogël, që është shumë më e tmerrshme se strategjia e madhe. Kjo lloj strategjije që aplikoi UÇK-ja është një lloj beteje pa anë e pa fund.

Quhet “betejë pa anë e pa fund” sepse luftimet zhvilloheshin në të gjithë hapësirën e Kosovës: nëpër pyjet, kodrat, malet, grykat, rrugët, depot e armikut; kudo ku stacionohej e lëvizte armiku. Këto lloj luftime, edhe pse nuk i shkaktonin armikut përgjakje shumë të ndjeshme, ato e shkurajuan vijimisht atë, prandaj dhe më në fund Serbia pranoi të ulej në tavolinën e bisedimeve.

Këtë lloj strategjije të UÇK-së e pohon edhe gjenerali serb Bozhidar Deliç, (komandant i Br.549 me bazë në Prizren), i cili, kur dëshmoi në Gjyqin që i bëhej Millosheviçit në Hagë, tha: “Mënyra e luftimit të UÇK-së ishte duke iu shmangur çdo lloj luftimi të drejtpërdrejtë. Ata përdonin taktikën: godit dhe ik”. (Božidar Delić, July 5th, 2005, Milošević).

Kjo metodë luftimi, në artin ushtarak botëror quhet edhe metoda e tërthortë, pasi e mposht armikun jo me beteja, por me luftime të vogla e të shumta; që do të thotë jo ndeshje direkte: ushtri me ushtri me sulme ballore; por në mënyrë të tërthortë, me luftime të befasishme, që ndryshe quhet: me luftime guerile, se vetëm ashtu i hiqet armikut liria e veprimit. Me një fjalë, lufta e UÇK-së ishte betejë pa anë e pa fund.

Pra, gjatë luftës në Kosovë u ndeshën dy ushtri, njëra me strategji të madhe, sikundër ishte ushtria e Serbisë, dhe tjetra me strategji të vogël, sikundër ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Dhe faktikisht fituam ne që përdorëm strategjinë e vogël.

Ne duhej të fitonim dhe fituam, pavarësishtë se ata që nuk kishin besim tek ne dhe ata që na urrenin e na urrejnë, si dhe ca politikanë e “analistë” që nuk marrin vesh aspak nga arti ushtarak, duan ta mohojnë fitoren tonë, duke thënë: “Kosovën e çliroi aviacioni i NATO-s”. 

Mirëpo, këtë mburje dashakeqe të tyre e kundërshton vetë Komandanti i Përgjithshëm i forcave të NATO-s, gjenerali me katër yje Uesli Klark, i cili drejtoi luftën e parë në historinë e saj. Në kujtimet e tij për atë luftë që bënte me aviacion kundër forcave serbe në Kosovë, krahas UÇK-së, në bisedat që ai bënte shpesh me Gjeneral Edvin H.Burba, (mentor i programit trajnues të Komandes së Ushtrise Amerikane për Beteja), me Ruper Smith, (gjeneral-leitnant në Ushtinë Britanike, zv.Komandat Suprem i NATO-s), dhe me Dieter Stockmann, (gjeneral i Ushtrisë Gjermane, Shef Shtabi i forcave të NATO-s), midis të tjerave ai thekson: “Përderisa mbrëmjeve qëndroja ulur me mikun tim të vjetër dhe mentorin Ed Burba dhe pasqyronim progresin tonë gjat takimve tona çdo pasdite me Rupert Smithin dhe me Dieter Stockmannin, opsioni tokësor ishte në mënyrë konstante në mendjet tona. Ekzistonin kufij se çfarë mund të arrijë realisht fushata ajrore. Forca Ajrore mund të kërcënojë, të dënojë, të shkatërrojë objekte dhe të sulmojë forcat në tokë. Por, pa një forcë tokësore, nuk ekzistonte garanci se ne do të mund ta dëbonim Milosheviçin nga Kosova. Ishte e panjohur se a do të mund ta bënim këtë gjë nga ajri.” (U.Klark,”Të bësh luftë moderne”,Tiranë, 2003, f.303).

Por kjo që pranon gjenerali Uesli Klark është provuar edhe në shumë luftra të tjera. Dhe, të mos harrojmë se historia të mëson me anën e shembujve. Dhe ja disa shembuj që e vërtetojnë këtë gjë:

1. Hitleri, me urdhërin e tij nr.17, datë 1 gusht 1940, urdhëroi Geringun që me forcën e aviacionit të ulte Anglinë në gjunjë. Dhe ai pasi ndërtoi me qindra aeroporte ushtarake dhe grumbulloi që nga Kanali la Manshit dhe deri thellë në Norvegji 3358 avionë Junkers, Dornier, Heinkes, Stukas dhe Messermid, një forcë e paprecedentë dhe tepër shokuese dhe, duke kryer nga njëmijë sulme në ditë, nuk e mposhti dotë Anglinë, edhe pse kishte një spiun brenda në kabinetin e luftës së Anglisë, i cili jepte të dhënat për MKA dhe forcave të tjera angleze, duke e mundësuar aviacionin gjerman të godiste me preçizion, edhe pse Anglia kishte prodhuar radarin, që nuk e kishte atëherë asnjë shtet tjetër.

2. Nga viti 1943 deri në vitin 1945 bombardimet e pandërprera të SHBA dhe të Anglisë ndaj qyteteve gjermane nuk e detyruan dot të kapitullonte Hitleri, ushtra e të cilit kapitulloi kur u takuan ushtria amerikane me atë sovjetike në territorin e Gjermanisë në 25 prill 1945, në Qytetin Torgau, mbi Lumin Elbë, shumë larg Berlinit, në perëndim të tij. 

3. “Në Kore,- thekson historiani ushtarak amerikan Sam C. Sarkesian, – ne mësuam se vetëm me fuqinë detare dhe atë ajrore nuk mund të fitohet lufta, ashtu siç nuk mund të fitohet edhe vetëm me forcat tokësore të pamjaftueshme”.(S.C.Sarkesian “Përtej fushës së luftimit”, Tiranë,1995,f.122).

4. Këtë pamundësi të mposhtjes vetëm me aviacion e pamë 12 vjet rresht në luftën midis Vietnamit të Veriut dhe aviacionit të SHBA, 1960 – 1972, ku edhe pse ai aviacion e plugoi gjithë Vietnamin, por më në fund ishin SHBA ata që i propozuan Vietnamit të Veriut të uleshin në bisedime.

5. Lufta kundër Irakut, si për çlirimin e Kuvajtit edhe në pushtimin e Irakut (1991 dhe 2003) u fituan vetëm sepse goditjet ajrore u pasuan nga ndërhyrja tokësore.

6. Zgjati gati 10 vjet, 2012-2022, lufta në Siri ku aviacioni i 30 shteteve të Perëndimit e të Lindjes së bashku luftuan kundër ISIS-t, madje në një terren krejtësishtë fushor, ndryshe nga terreni kodrinor, malor e i pyllëzuar i Kosovës, dhe nuk po e mposhtën dot. Apo edhe kësaj këta “strategë” duan t’i vendosin ndonjë vegje, e të thonë se “nuk deshën ta mposhtnin”?! E kemi dëgjuar edhe këtë përrallë.

Analogjitë historike është e vërtetë që janë delikate, për shkak të ndryshimeve në kohë, por këta shembuj janë më se kuptimplotë dhe më se bindës për të rrëzuar shpifjet dhe idetë nihiliste për kontributin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës, duke bindur cilindo se fitorja e një lufte vetëm me goditje ajrore është absurde.

Realizimi që matet me sasinë e avjonave, raketave dhe bombave, çon në mosrealizimin më të keq. Të hedhësh bomba nga 6000 metra lartësi nuk mund të konsiderohet luftë. E këtë askush nuk e beson.

Por, për ta bërë sa më bindëse këto që theksuam më lartë, po citoj shkrimtarin e njohur anglez, Frederik Forsyth, ish-pilot ushtarak pjesmarrës në atë fushatë ajrore të NATO-s, se çfarë shkruante ditët e fundit të muajit prill 1999, për mundësitë e mos-fitores së luftës vetëm me aviacion nga ana e NATO-s kundër Serbisë, që çuditërisht koinçidon me letrat që ne si SHP i dërgonim po ato ditë Gjeneral Uesli Klarkut, për të na furnizuar me armatim e municion: “60 për qind e misioneve tona të bombardimit u ndërprenë për shkak të reve; pilotët tanë, të përgatitur për sulme në kuota të ulëta, në Kosovë janë duke kërkuar të gjejnë topat dhe tanket e fshehur nga një lartësi prej 15.000 këmbë (6000 metrash D.G.) (si ish-pilot mund të siguroj se nuk është e mundur) dhe kemi arritur deri aty sa kemi goditur fshatarët kosovarë… Më keq akoma, as NATO nuk mund të përballojë gjashtëdhjetë ditë. Në Romë, Paris e Berlin, e Majta po kërcënon se do të rrëzojë qeverinë (e çuditshme, nëse e mendojmë se po luftojnë një regjim fashist që bën masakra të mëdha); Greqia mbështet Serbinë unanimisht, të paktën në nivel popullor; të gjitha qeveritë, përveç asaj britanike, vazhdojnë të mos besojnë atë që tashmë është e qartë: që Kosova nuk mund të çlirohet pa forcat tokësore, sepse nuk mund të bllokohet makina e genocidit nga 5000 metra lartësi. Ka vetëm një rrugëdalje nga ky ferr: të dërgohen 40.000 të rinj vullnetarë kosovarë nga vendi i tyre i origjinës, të pajisur me çdo lloj arme që janë në gjendje ta përdorin; t’u hedhësh armë nga lart atyre qindra mijëra të rinjve kosovarë të tjerë që fshihen në male dhe pyje në brendësi të krahinës; t’u jepen disa nga njerëzit tanë të stërvitur të forcave special siç janë ërdoruesit e pajisjeve të transmetimit dhe të lokalizimit të objektivit armik; duke u siguruar gjithashtu një mbështetje ajrore të plotë. Nuk ka asnjë të dhënë që të provojë se ushtarët dhe policët serbë, për të mos folur për paraushtarakët psikopatë të Beogradit, të jenë më të mirë se kosovarët brenda vendit të tyre”, (“Lufta kundër luftës”, Tiranë,2001,f.164-165)

Sikundër shihet, më realist dhe besim më të madh në luftën tonë çlirimtare ka pas ky ish-pilot ushtarak anglez, për mundësitë e “forcës tokësore” që quhej UÇK, dhe në strategjinë e saj të vogël, duke bëshkëvepruar me aviacionin e NATO-s. Por, ajo që të indinjon së tepërmi është fakti se shumica e inteligjencës kosovare dhe e të rinjve e të rriturve kosovarë që morrën arratinë jashtë Kosove, si dhe ajo pjesë e inteligjencës së këtejme, përfshi edhe shumë nga ish-ushtarakët tanë me grada e tituj shkencorë, flasin tërë kompetencë “shkencore”: UÇK-ja nuk mundej ta çlirimte Kosovën e vetme”,

Këtyre “atdhetarëve të mençëm”, këtej e andej kufirit politik midis dy Shqipërive aktuale, po u japim shembuj të disa ushtrive të ngjashme me UÇK-në:

a) Edhe në Malajzi, ku ushtria e saj guerile kishte jo më shum se 10.000 veta,

(ndërkohë që UÇK-ja arriti në gati 30.000 veta), u deshën rreth 80.000 britanikë, krahas 40.000 trupave malajzeze, për gati 13 vjet për ta mundur këtë kundërshtar guerilas, i cili nuk kishte ndonjë mbështetje të jashtme të rëndësishme, apo linja të sigurta komunikimi por dhe mundësi të pakta për të shtuar numurin e tyre; ndërkohë që UÇK -ja kishte shtetin amë, si dhe e rrethuar vetëm nga shqiptarë.

b). Nuk e tepërojmë aspak t’ju kujtojmë këtyre trimave të kafeneve se, sado e madhe të jetë forca ndëshkuese, ajo asnjëherë nuk mund të jetë e mjaftueshme kundër një ushtrie guerilase, bazat e furnizimit e të cilit ndodhen në mbarë popullin, si dhe jashtë vendit, sidomos kur ai ka vullnet të çelniktë. Per shembull:  Lufta ne Vietnamin e Jugut zgjati 10 vjet, 1965 – 1975, por amerikanet dhe aleatet e tjere edhe pse angazhuan 643.000 trupa, (nga të cilat 485.000 ishin amerikane), por ne prill 1975 Presidenti Ford u detyrua te shpallte fundin e luftës, ku u vrane 12.716 ushtarë, prej të cilëve 11.365 amerikanë.

c). Edhe në Afganistan NATO-ja e filloi më 7 tetor 2001 dhe në prill 2021, pas 20 vite luftë me talebanët, Presidenti Bajden vendosi tërhiqjen e trupave nga Afganistani. Dhe interesantja është se askush nuk ka dhënë llogari për 3.586 ushtarë të vrarë, (prej të cilëve 2.442 amerikanë), dhe 20.666 të plagosurve si dhe për 2 trilionë dollarët e harxhuar, edhe pse ishin humbës(!); ndërkohë që guerilen UÇK, edhe pse ishte fituese, e ndëshkuan, duke e çuar në Gjyq Ndërkombëtar! Mos vallë ngaqë ishte fituese kundër pushtuesit serb?

Dhe këta “strategët” tanë, ish-ushtarakë e intelektualë, po mundohen të na bindin se UÇK-ja nuk e çlironte dot e vetme Kosovën(!). Ky vetëmashtrim i tyre vjen, ose ngaqë nuk e kanë të qartë se në Kosovë kishte më shumë shqiptarë se sa serbë që ishn gati të vdisnin për Kosovën e lirë dhe të luftonin sa të ishte nevoja për të përzënë serbët; ose janë njerëz cinikë të mësuar të shohin vetëm të ligën, ta sanksionojnë atë duke mos dashur ta vënë re të mirën. Pyetja që mund të shtrohet është: çfarë e nxit këtë kontigjent nihilistësh të kontributit të UCK-së? Susta lëvizëse e tyre duhet të jetë fyerja që i ka bërë lufta e UCK-së krenarisë së tyre të sëmurë, për të justifikuar mos-aktivizimin e tyre të detyrueshëm në atë moment historik të jashtëzakonshëm mbarë kombëtar.

______

PËRFUNDIMISHT: Mund të themi, se Kosovën e çliroi bashkëveprimi luftarak midis UÇK-së dhe aviacionit të NATO-s, duke mos e ia hëngër hakun aspak njëra-tjetrës. Por, duhet thënë e pranuar me guxim se: Roli i Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ishte dhe mbetet faktori vendimtar për çlirimin e Kosovës. Për ketë le t’u referohemi protagonistëve të NATO-s pjesmarrës në atë luftë, historianëve, analistve ushtarakë si dhe politikanve:

  • “Së pari, ne nuk ishim në gjendje të bënim në mënyrë efektive planet e vërteta për veprim në tokë, përderisa Kongresi të mos njoftohej rreth gjurmimit të pashmangshëm (për forcat serbe në terren,D.G), neve nuk na lejohej të shpenzonim fonde për përgatitjen e stacionimit. U përpoqëm të anashkalojmë këtë problem, duke shfrytëzuar personelin amerikan, i cili tashmë gjendej në Shkup, por, këtyre njerëzve, u mungonte kualifikimi i nevojshëm për të kryer gjurmimin. (Uesli Klark “Të bësh Luftë Moderne”, Prishtinë, 2003, f.236-237) Dhe këtë “gjurmim të pashmangshëm” për aviacionin e NATO-s e realizoi në mënyrë të pandërprerë, gjatë gjithë atyre 78 ditëve, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.
  • Admirali James Ellis, komandant i forcave jugore të NATO-s gjatë luftës kundër Serbisë, ka pranuar se: “NATO-s i mungonte jo vetëm një plan koherent i fushatës dhe objektivi, por edhe stafi për të krijuar një plan të detajuar, kur ishte e qartë se një plan i tillë ishte i nevojshëm.” (James O. Ellis, “A View from the Top,” briefing slides, summer 1999, emphasis in original).
  • Në raportin që Departamenti i Mbrojtjes i jep Kongresit amerikan, theksohet: “Në fillim të muajit Maj moti u përmirësua, megjithëse ishte përsëri i dobët. Pentagoni vlerëson se moti ishte një faktor kryesor në pesëdhjetë e katër ditët e vitit të luftës shtatëdhjetë e tetë ditore. Për ta thënë ndryshe, mbulimi i reve ishte më i madh se 50 për qind të qiellit të Kosovës në më shumë se 70 për qind të rasteve, misioneve”. (Report to Congress: Kosovo/Operation Allied Force After-Action Report (U.S. Department of Defense, 2000), p.60.)
  • “Përpjekja taktike ajrore u bë më efektive drejt fundit të luftës. Në fund të muajit Maj dhe në fillim të Qershorit, NATO raportoi se po godiste dy deri në katër duzina armësh të rënda në ditë, duke përfshirë artilerinë, tanket, transportuesit e blinduar të personelit, mortajat dhe infrastrukturën e mbrojtjes ajrore”. (Report to Congress: Kosovo/Operation Allied Force After-Action Report,p.87. )&(Ivo H. Daalder & Michael E. O’Hanlon “Winning ugly. NATO’s ëar to save Kosovo”, Wuashington,D.C.,2000, f.145)

*    *     *

Më 10 qershor 1998 u themelua Shtabi i Përgjithshëm (SH.P) i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndoshta jo rastësisht, përkon me 10 qershorin e para 120 viteve, 10 qershorin e vitit 1878, kur u themelua Lidhja Shqiptare Prizrenit për të organizuar vetëmbrojtjen politike dhe ushtarake të trojeve shqiptare. SHP i UÇK-së ishte bërthama intelektuale e strukturimit dhe e përdorimit të UÇK-së, thënë më qartë, trupa e posaçme e përbërë kryesisht prej oficerë, për t’u dhënë mundësi komandantëve të zonave operative dhe të brigadave që të udhëhiqnin, secili në sferën e vet, për komandimin dhe drejtimin e trupave që u ishin besuar. SHP e realizoi këtë duke ndjekur dhe studjuar gjëndjen luftarake, përgatitjen dhe drejtimin e planeve, urdhrave e udhëzimeve, më qëllim që komandat vartëse të mos humbisnin kohë për zhvillimin e luftimeve, plotësimin e nevojave jetësorë e luftarake të përditshme të efektivave si dhe kontrollin e zbatimit të detyrave. SHP i UÇK-së veproi sipas modelit të UNÇ SHqipatare, duke ruajtur në vijimësi gatishmërinë e saj luftarake, nën drejtimin e kolonelit Bislim Zyrapi.

Njëkohësisht data 10 qershor, përkon me 10 qershorin e vitit 1999, që është dhe data e nënshkrimit të kapitullimit të Serbisë para luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aviacionit të NATO-s.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura