GJOKË DABAJ: VITI 1981, VIT I TË GJITHË SHQIPTARËVET

 Durrës, 12. 05. 2013 – Është, për shumë arsye, vit i madhërishëm.
1. Sepse i tregoi edhe një herë Botës që Kombi Shqiptar nuk jetonte vetëm në atë copë shtet që, me 1 mijë pengesa e peripeci, e kish “lejuar” Konferenca e Londrës, por jetonte edhe në pjesë të tjera jashtë kufijvet të atij shteti.
2. Dëshmoi që faktori SUBJEKTIV dhe potenciali OBJEKTIV, energjia objektive, e shpirtit atdhedashës të shqiptarëvet, kur koordinohen mirë, mund të bëjnë mrekullira.

3. Ia tërhoqi vëmendjen Botës që, Jugosllavisë (krijuar artificialisht, si rezultat i bëmavet megalosërbe të Kral Aleksandër Karagjorgjeviqit dhe si rezultat i “revolucionit komunist”, udhëhequr nga J.B.Titoja), do t’i lëkundeshin themelet pikërisht prej shqiptarëvet, prej atij Kombi, të cilin Evropa asnjëherë s’kish pasur sy e veshë për ta dëgjuar.
4. Bota tani do të kish sy e veshë, por prapë, jo për t’i ndihmuar shqiptarët, popujt e Ballkanit dhe veten, përkundrazi, e alarmuar se mos i ndodhte ndonjë hata e madhe Jugosllavisë “së paangazhuar” dhe “vetadministruese”, la që të mbyten në gjak e në mjerim, jo vetëm shqiptarët, por edhe boshnjakët e, në një shkallë jo të lehtë, edhe kroatët. Kjo ndodhi për shkak të miopisë burokratike të politikanëvet perendimorë, evropianë dhe amerikanë, që, në vend të përkrahnin Tiranën e Prishtinën, në kauzën e tyre të drejtë, (dhe në vazhdim, Lublanën, Zagrebin etj), i bllokuan, edhe Tiranën, edhe Prishtinën, nga të 4 anët dhe me të gjitha mënyrat.

– – – – – –
Bisedat, rrëfimet, për ngjarjet e vitit 1981, me shumë të drejtë, i rihapi këto ditë, në faqet e portalit “Pashtriku.org”, njëri prej veprimtarëvet të dalluar të atyre ngjarjeve, z.Rifat Muriqi. Është vërtet koha kur shumë gjëra duhen ndriçuar dhe kjo diktohet në radhë të parë nga ajo që shumë prej dëshmitarëvet të atyre ngjarjeve, në të ardhshmen jo të largët nuk do të jenë gjallë. Nuk është mirë të merren me vete në varr dëshmitë e një viti kaq të madh të historisë së Kombit tonë. Nuk është mirë, veç tjerash, edhe për arsyen se, si shqiptarët, ashtu edhe aleatët natyrorë të shqiptarëvet, duhet të mësojnë për të mos i përsëritur pambarimisht gabimet që pasuan njëri-tjetrin, që nga 1981-shi e deri te marrëveshja Thaçi-Daçiq. Ne duhet të mësojmë të sillemi ndryshe ndaj vetëvetes dhe Evropa duhet të mësojë të sillet ndryshe ndaj nesh.
Unë, me këtë rast, po i përgjigjem nismës së atdhetarit Rifat Muriqi, me fare pak gjëra, me aq sa di unë dhe me aq sa mendoj që, sidoqoftë, një dritë e vogël mund të hidhet edhe së këndejmi.
Kam qenë dhe jam i mendimit që Demonstratat e Kosovës, të vitit 1981, i ka organizuar RPSSH-ja dhe personalisht Enver Hoxha, me njerëzit që i kish organizuar në atë punë me kujdesin më të madh. Për të gjitha këto punë, veç dokumentevet që mund të jenë shkruar, por edhe mund të mos jenë shkruar, duhet të flasin sidomos bartësit konkretë të asaj veprimtarie. Në këtë pikë jam plotësisht i një mendimi me z.Rifat Muriqi.
– – – – – – – – – – –
Që lidhja ime me vitin 1981 të dalë më e qartë, më duhet që këtë histori ta filloj qysh prej vitit 1961. Në prill të vitit 1961, rrethanat e patën prurë që unë të bëhesha organizuesi i një revolte në Konviktin e Normales së Gjakovës.
Patën pezulluar nga ushqimi rreth 60 nxënës. Midis tyre isha i pezulluar edhe unë. 3 apo 4 shokë, Hasan Salaj, Selatin Genashi, Gjergj Nikprelaj dhe, me sa më kujtohet, Mehdi Alaj, e kishin hequr nga racioni i vet nga një rriskë bukë dhe nga pak djathë dhe ma kanë sjellë atë ushqim në lulishten e konviktit. E dinin që s’kisha ngrënë qysh 1 natë më parë dhe nuk dihej kur do të mund të haja prapë. Mua, kur ma prunë atë ushqim, më shkoi mendja që, në të njëjtën gjendje ishin edhe 60 shokët e mi.
Përjashtimi, pezullimi nga ushqimi, kishte, pa dyshim, prapavijë politike. Puna patriotike në Shkollën Normale ishte e dukshme dhe, pushteti, siç dukej, kish nevojë të tregonte forcën e vet. Në të njëjtën kohë edhe të zbulonte drejtues eventualë të punës patriotike, si dhe, në anë tjetër, të siguronte informatorë.
Atëherë, mendova unë, pse të mos përgjigjemi edhe ne me veprime politikë?! U thashë shokëvet: “Unë ju falenderoj që ma sollët ushqimin, por nuk do ta pranoj, sepse kjo nuk është zgjidhja.” Ua refuzova. U thashë: “Hajeni vetë ose jepjani dikujt tjetër!” Ndodhi një stepje. Shokët e mi nuk e prisnin një veprim të tillë nga ana ime. Diskutuam disa minuta, madje edhe debatuam, u pranua që pezullimi ishte bërë me qëllim, pastaj lindi pyetja: “Çfarë të bëjmë?” Përgjigjja ime ishte kjo: “Secili prej jush të gjejë nga 3 ose 4 shokë, nga ata që nuk janë pezulluar, dhe t’u thotë, veç e veç, që sonte të mos e pranojnë ushqimin e konviktit, pa u dhënë të drejtë edhe të pezulluarvet. Mos thoni që ju kam thënë unë. Paraqituni sikur ky është mendim i juaji. Shokët tuaj të veprojnë po kështu, pa e zbuluar emrin tuaj dhe do të shihni që në mbrëmje do ta refuzojnë ushqimin të gjithë, ndërsa UDB-a, nëse ne qëndrojmë të palëkundur, nuk do të mund të na zbulojë.”
Kjo ka qenë skema e famshme, e njohur, sidomos nga 1968-a e këndej, me emrin skema 1+3. Ajo ka lindur, siç po shihet, fare rastësisht në Gjakovë. Kjo, natyrisht, nuk do të thotë që nuk mund të ketë lindur edhe diku tjetër e njëjta formë, në kushte të ngjashëm dhe në mënyrë të pavarur.
Revolta ndodhi. Ajo zgjati gjithë mbrëmjen, deri sa, në orët e pasmesnatës, erdhi një përfaqësues i pushtetit dhe deklaroi që kërkesa jonë ishte pranuar.
Pas kësaj ka filluar e vazhduar kalvari i hetimevet. Shoqërime në UDB, ardhje UDB-ashësh në shkollë e në konvikt, mbledhje me nxënësit, provokime e presione gjithfaresh. Ata që dinë ç’ishte në Kosovë e quajtura Koha e Rankoviqit, e kanë shumë të qartë tablonë e atij kalvari. Mirëpo, ata vepronin kundër nesh, por edhe ne vepronim kundër tyre me metodat tona. Falë qëndresës së shokëvet, UDB-a nuk arriti të zbulojë, me fakte, organizuesin, që ishim, unë dhe 3-4 shokët që i përmenda. Ndonëse u ngritën dyshime, i shpëtova burgut. M’u bë thyerje e notës në sjellje, paralajmërim për përjashtim nga shkolla dhe përjashtim nga konvikti.
Në mbrojtje, jo thjeshtë në mbrojtjen time, por në mbrojtje të një kauze, e cila kish ndikuar fuqishëm në psikologjinë e rinisë gjakovare (mjafton të kujtojmë sa këngët patriotike u kënduan gjatë asaj demonstrate), mund dhe duhet të përmenden shumë prej të rinjvet të atëhershëm, por unë po përmend këtu vetëm disa nga ata që po më kujtohen. (Kush të jetë ende gjallë e të mos ketë harruar, është i lutur të shtojë ç’të kem lënë unë mangut.) Veç 4 shokëvet që i përmenda, kanë qenë përfshirë në forma të ndryshme, ose janë lidhur më vonë me atë ngjarje, midis shumë të tjerësh, këta nxënës: Gjekë Gjokaj, Ramadan Gjokaj, Shaban Osmani, Lin Koçaj, Haki Pavata, Hysni Shala, Hamdi Bucolli, Shaip Berisha, Din Shabaj, i cili më ka bërë një mbrojtje veçanërisht të guximshme në një mbledhje. Mbrojtje shumë të rëndësishme, duke rrëzikuar pozitën e vet si Kryetar i Komitetit të Rinisë për shkollën, ka bërë edhe Muhamet Bicaj, një nga personalitetet e mëvonshëm në Krahinën e Kosovës. Abdyl Myftari nga Runiku i Drenicës, qe përjashtuar, si edhe unë, nga konvikti dhe kemi jetuar bashkë në një banesë me qëra deri në fund të atij viti shkollor. Secili prej këtyre ka nga një apo disa ndodhi më vete. Disa prej këtyre nuk kishin marrë pjesë fare në revoltën tonë, si Hamdi Bucolli, Hysni Shala, Abdyl Myftari, Muhamet Bicaj, por rrjedha e ngjarjevet i përfshiu edhe ata në kohën pas revoltës. Në mbrojtjen tonë qenë angazhuar edhe një numër profesorësh. Një i tillë ishte prof. Shefqet Kazazi, nëndrejtori i Shkollës Normale, pastaj Muhamet Rizvanolli, Skënder Rexha, Ismail Berisha. Prej gjimnazistëvet kanë qenë: Besim Peni, me një grup shokësh, Mark dhe Luz Gecaj, 2 motrat, Faket dhe Nagjë Kusari. Më vonë, me vëllanë e Faketit dhe Nagjës, një nga patriotët e shquar aso kohe në Gjakovë, profesorin e letërsisë shqipe Kadri Kusarin, qeshë takuar disa herë dhe patëm bërë bashkë mjaft biseda të vlefshme. Kadri Kusari ka qenë një nga shtyllat e qëndresës sonë në Gjakovë.
Pas 1 viti, në prill të vitit 1962, në Prizren kemi krijuar grupin ilegal “Liria”. Nuk do të zgjatem këtu në lidhje me atë grup, pasi, në librin “Në rrugë rrëziqesh me vetëdije”, botuar në Tiranë më 2012-n, bashkë me Fadil Cukajn, si bashkautorë, kemi folur gjërë e gjatë.
Në korrik të vitit 1962, i dërguar prej grupit “Liria” dhe me miratimin e Komitetit Organizativ për Bashkim, kam kaluar kufirin dhe kam ardhur në Tiranë, për të njoftuar qeverinë shqiptare mbi ekzistencën e një organizimi ilegal në Kosovë dhe në treva të tjera shqiptare nën Jugosllavi. Për 4 muaj rresht, kam dhënë informacionet që më janë kërkuar. Për hetues kam pasur një nga luftëtarët dhe patriotët më të paepur, të paharuarin Imer Mekuli.
Mënyrën e organizimit, me skemën 1+3 ose 1+4, e kam sqaruar e zbërthyer në mënyrën më të hollësishme dhe gjithë kjo ndoshta do të mund të gjendej diku nëpër dosjet e Ministrisë së Punëvet të Brendshme të RPSSH-së.
Unë nuk mund të pohoj këtu që pikërisht kjo skemë, e cila u përdor me aq sukses sidomos në vitin 1968 dhe në vitin 1981, buron prej meje. Madje kjo as që do të kish fare rëndësie. Rëndësia do të qëndronte, nëse Sigurimi i Shtetit i RPSSH-së vërtet ka qenë ndihmuesi “i tërthortë” i atyre lëvizjeve të mëdha dhe shumë të suksesshme të rinisë dhe popullit tonë në ata vite dhe nëse ai Sigurim ato lëvizje i ka ndihmuar duke zbatuar pikërisht të atilla forma organizimi, të pazbulueshme, ose vështirë të zbulueshme prej organevet të UDB-s. Kjo do të ishte e rëndësishme të dihej.
Prandaj dhe janë të thirrur protagonistët e atyre ngjarjeve të thonë e të shkruajnë çdo gjë që dinë, pa pasur frikë, as se mos po mburrin veten pa merita, as se mos po u ndodh gjë tash, mbas gjysmë shekulli.
– – – – – – – – – –
Në vitin 1981 unë kam qenë në Klos të rrethit të Matit, mësues i gjuhës shqipe dhe i letërsisë. Më vjen papritur një telegram, se më kish ardhur nga Prishtina, me një grup turistësh, vëllai, Palë Dabaj, dhe se do të mund të takoheshim në Durrës. Ka qenë dhjetëditëshi i dytë i marsit, fill mbasi kishin filluar Demonstratat. Datën e saktë s’e mbaj mend. Brenda natës, me shumë ngut, unë dhe ime shoqe, gjejmë para borxh, përgatisim të 4 fëmijët, marrim leje te drejtori i shkollës dhe nisemi. Zëmë vend në hotel “Iliria”, “Vollga” e dikurshme, ndërsa vëllai gjendej te “Adriatiku”.
Por, para se ta takoja vëllanë, unë kisha kontaktuar me Shaban Brahën, i cili kishte një funksion të rëndësishëm në Ministrinë e Punëvet të Brendshme. Ai bisedoi me mua me shumë ngut dhe midis tjerash më tha: “Mos i bëj vëllait kurrfarë propagande! Mos i thuaj asgjë, që do të mund ta komprometojë kur të kthehet atje! Sikur edhe për organesh gjenitalë ta varin, ai nuk duhet të ketë asgjë për të thënë.” Pastaj shtoi: “Mundohu të marrësh vesh ç’po ndodh në Prishtinë! Ka shumë rëndësi të dimë me hollësi çfarë po ndodh atje.” Ka qenë, pra, mesi i marsit 1981. E dimë tashmë ç’kish ndodhur më 11 mars.
E takova vëllanë. Kishim 19 vjet pa u parë. Ai tani ishte inxhinier në Minierën e Lignitit në Bardhaj. Grupi, në të cilin bënte pjesë, përbëhej në shumicën e tij prej ixhinierësh. Marrja e vizavet në Beograd dhe nisja e tyre ish bërë në një mënyrë mjaft enigmatike. I kish mbledhur dikush pasaportat, i kish çuar në ambasadën tonë në Beograd, u qenë vënë vulat dhe ishin nisur. Ka qenë pikërisht koha kur pedagogët e Tiranës ishin larguar dhe ky do të ishte grupi i fundit turistik që vinte në RPSSH. Vëllai im, Palë Dabaj, në momentin e fundit, kish hezituar dhe nuk kish dalë te autobusi.
Ish krijuar një shqetësim. Ka ndërhyrë dikush prej shokëvet, prej atyre që nuk bënin pjesë në grup, i cili tashmë gjendej në udhëtim, dhe i ka thënë: “Ne për ty e bëmë gjithë këtë punë, se asnjë tjetër pjesëtar I grupit nuk ka të afërm atje.” I mbushet mendja Palës për t’u nisur. Marrin një veturë, si duket, të po atij shoku, dhe e sjellin deri në Qafëthanë. Kalon kufirin, sepse e kishte pasaportën në rregull. Në anën e këndejme të kufirit, si rastësisht, e pret një veturë tjetër. E sjellin në Tiranë dhe e bashkojnë me grupin.
Grupi të nesërmen niset për në Jug, por Pala më çon telegram për t’u takuar, duke llogaritur datën kur grupi do të kthehej në Durrës. Takohemi, bisedojmë, shmallemi. Rrimë gjithë natën. Me shokët e tij bëhen thjeshtë prezantimet e rastit.
Agjenda ishte për të shkuar nga Durrësi për në Krujë dhe aty ndodh sërish një ngjarje e pazakontë. Familja ime, bashkëshortja, 4 fëmijët dhe unë, ftohet (apo lejohet) për të udhëtuar në të njëjtim autobus me turistët “e huaj”. Rregullat në RPSSH ishin të atilla që askush nga “vendësit” nuk mund të udhëtonte me turistët, përveç shoqëruesvet zyrtarë.
Pat një lloj ngurrimi nga ana e udhëheqësit të grupit, se mos, kur të ktheheshin në Kosovë, i nxirnin telashe, por shoqëruesi, i caktuar nga ana e shtetit shqiptar, një burrë që mua më qe prezantuar si profesor i muzikës në Fakultetin e Artevet, një njeri i mrekullueshëm, i cili gjithë kohën rrezatonte përzemërsi me të gjithë, nxjerr si arsyetim fëmijët, që ishin të vegjël, dhe ia mbush mendjen udhëheqësit kosovar të grupit, dhe unë, vetë i gjashti, bëhem “turist nga Kosova”. Gjatë rrugës për në Krujë, s’kish tjetër veçse këngë patriotike: Skëderbeu, Mic Sokoli, Sefë Kosharja, Dedë Gjo Luli, Enver Hoxha.
Mbasdita dhe mbrëmja në Krujë, nga më të paharrueshmet. Dhjetëra njerëz vinin dhe i takonin të ardhurit nga Kosova. (Kjo dëshmon se nuk ish vetëm vëllai im që kish të afërm këtu.) Sigurisht, që as grupevet të tjerë të mëparshëm nuk u ka munguar pritja e përzemërt, por këtë herë dukej se kish diçka të veçantë. Bëheshin me dhjetëra fotografi, bisedat nëpër tavolina dukeshin tepër pasionante, shërbeheshin pije, çdo gjë ish si në festë. Mbas darke, ku edhe ne u shërbyem sikur tishim pjesëtarë të grupit, ia krisën prapë këngët. Midis tyre, ajo që përsëritej herëpas’here, ishte: “Enver Hoxha e mprehu shpatën edhe njëherë për situatën.”
Ditën e nesërme grupi do të shkonte për në Shkodër. Ime shoqe, Fotinia, dhe fëmijët u nisën për në Klos të Matit, unë vazhdova rrugën, bashkë me vëllanë për në Shkodër.
Jemi akomoduar te hotel “Rozafa”. Unë mora një dhomë në katet e sipërm, por, me sa më kujtohet, në listëllogarinë i grupit. Dukej sikur krejt Shkodra ish e angazhuar për t’i pritur sa më mirë mysafirët. Një orkestër moderne dhe një grup këngëtarësh ishin gjithë kohën në dispozicion. Në mbrëmje erdhi edhe rapsodi Sali Mani. Ai këndoi disa prej këngëvet të tija, midis të cilavet edhe “dollinë” e famshme të Enver Hoxhës “me ujë kroi”.
Ish mbrëmja e fundit që inxhinierët e KEK-ut po kalonin në RPSSH. Vinin për herë të parë këtu dhe kushedi kur do të ktheheshin përsëri. Të nesërmen do të niseshin për në Morinë. Kur fillonte kënga “Enver Hoxha, tungjatjeta, sa k’ta male sa k’ta shkrepa” të gjithë çoheshin në këmbë dhe këndonin me një frymëzim të papërmbajtur. Vija re, midis tyre, ndonjë që nuk guxonte ta këndonte atë këngë, ose nuk donte, megjithatë, ai ngrihej dhe vendosej në rresht me të tjerët. 2 apo 3 prej tyre nuk çoheshin, por rrinin të heshtur rreth një tavoline. As shoqëruesi, profesori i muzikës, zakonisht nuk çohej për ta kënduar atë këngë. Unë e këndoja me gjithë shpirt.
Në orët e mëngjesit, ora 1,2,3, shumë nga shokët e vëllait erdhën në dhomën time për t’u përshëndetur. Nuk flisnin pothuaj për asgjë, por qanin. Kurrë nuk do t’i harroj lotët e atyre inxhinierëve të diplomuar, me stazh 3-4-vjeçar pune dhe me funksione drejtues. Nuk erdhën të gjithë bashkë. Erdhën 1 nga 1. Njëri, që e kish enmrin Shaban, një djalë i fuqishëm ,trupmadh, me një qylaf lab në kokë, i derdhte lotët rrëke dhe, nga që s’kish si justifikohej, përsëriste vazhdimisht: “Ke një nanë shumë të mirë. Unë e dua fort nanën tande.”
Im vëlla kërkoi të më linte 13 mijë marka, por unë nuk ia pranova. Shkoi poshtë te portineria dhe i ktheu në lekë. Unë prapë nuk ia pranova. Ai u zu ngushtë. Dikur, i fola pak ashpër. Nuk e kujtoj mirë çfarë i thashë. Më duket se i kam thënë: “Shko e mjeko ndonjë të plagosur ose blij bukë e çojua demonstruesvet!” Këtu e pata shkelur porosinë e Shaban Brahës, që të mos i bëja vëllait kurrfarë propagande. A ish e mundur të rrije indiferent?!
Në mënmgjes heret kishin dalë me dhjetëra njerëz te autobusi. Unë edhe Pala zbritëm të fundit. Kishim vendosur të mos derdhnim lot kur të ndaheshim, sepse sytë e të gjithëvet ishin drejtuar nga ne, ndërsa shoferi po i binte burisë. Shabanit, inxhinierit me qylaf të Labërisë, siç kam marrë vesh më vonë, i kish pëlqyer një “burrëri” e tillë.
Ka qenë, në mos gabohem, 26 marsi 1981. Autobusi, siç kam marrë vesh më vonë, është shoqëruar nga milicët, prej Vërmicet e deri në Prishtinë. I janë bërë disa kontrolle dhe sjellja e tyre ka qenë tepër e acaruar.
Pas disa ditësh, një shok që punonte te gazeta “Bashkimi” më solli një gazetë të Kosovës, nuk më kujtohet cila, ku për tim vëlla dhe për nja 3 inxhinierë të tjerë thuhej: “Kanë shkuar në Shqipëri dhe janë indoktrinuar me irredentizëm.”
Unë tani jam pothuaj i bindur që ajo ardhje e atij grupi inxhinierësh, mu në ditët kur Prishtina ziente nga demonstratat e studentëvet, nuk ka qenë e rastësishme. Atë ardhje e ka organizuar Sigurimi i RPSSH-së, them unë, me e pakta 2 qëllime: 1. Për të pasur një informim sa më të drejtpërdrejtë mbi ecurinë e demonstaratavet. 2. Për të dhënë udhëzime mbi veprimet e mëtejshëm, sidomos mbi inkuadrimin në atë lëvizje edhe të punëtorëvet të Bellaqevcit e Obiliqit, por edhe të Trepçës, sepse në atë grup shumica kishin kryer Shkollën e Lartë Teknike të Mitrovicës.
Roli i vëllait tim aty duket se ka qenë krejt anësor. Kryesorja, mendoj unë, do të ketë qenë që prania ime aty të tërhiqte në drejtin të gabuar vëmendjen e spiunëvet të UDB-s, të cilët doemos ndodheshin në përbërje të grupit. Të tjerë do të kenë qenë ata që do t’i kryenin punët, kur të kthehej grupi në Kosovë, e jo vëllai im, i cili nuk është marrë asnjëherë me punë ilegale.
Sidoqoftë, të gjitha këto janë analiza të mbështetura edhe në hamendje. Do të ish tepër e nevojshme që protagonistët e mirëfilltë të këtij episodi dhe të veprimevet të mëvonshëm, të prononcoheshin, ashtu siç edhe kërkon me të drejtë z.Rifat Muriqi.
– – – – – – – – –
Pas kësaj, erdhën datat 1,2,3 dhe 4 prilli, dhe, nëse faktori ndërkombëtar do t’i kish parë ato ngjarje me një sy më real e më racional, çlirimi i shqiptarëvet prej pushtuesvet sllavë jo vetëm do të mund të shpejtohej, por do të bëhej më i rregullt dhe më i plotë se ç’u bë 20 vjet më vonë.
RPSSH-ja, në ato ditë e në ata muaj, e kreu detyrën e vet më së miri. Gazeta “Zëri i popullit” dhe gazeta të tjera, dilnin me artikuj shumë të fuqishëm në mbrojtje të studentëvet e të punëtorëvet të Kosovës. Dilnin në mbrojtje të të drejtavet legjitime të shqiptarëvet të Kosovës dhe të visevet të tjerë nën Jugosllavi. Radio-Tirana, Radio-Kukësi, Radio-Shkodra, Radio-Korça, nuk pushonin së lexuari me një ton të rreptë artikujt redaksionalë të gazetavet, të cilët, në shumicën e rastevet, shkruheshin ose redaktoheshin prej vetë Enver Hoxhës.
Shpirti i përkrahjes së shqiptarëvet të Kosovës e shqiptarëvet të tjerë matanë kufijvet, mori këtu një vrull të papërmbajtshëm. Nxënësit e shkollavet të mesme (Jemi vetë ne dëshmitarë!), bisedonin njëri me tjetrin gjysmëfshehurazi: “Si t’ia bëjmë, që të kalojmë kufirin?!” 2 burra të moshuar, Ahmet Cenalla dhe Ramazan Nura, banorë të trevës së Klosit, më vijnë në shtëpi për të biseduar ç’mund të bëhet në një të këtillë situatë. Ramazan Nura më thotë: “Kam 11 djem. Që të 11-t i jap për Kosovën!” Plaku 80-vjeçar, Llukan Barko nga Përmeti, i cili rronte në Kukës me të birin oficer, në ditët e fundit të jetës, në gjendje agonie, kur dëgjonte se po flitej në radio apo në televizion për Kosovën, bënte shenjë me dorë që ta ngrinin zërin. Nuk fliste dot. Ishte në çastet e fundit të jetës, por, pa marrë vesh edhe njëherë ç’po bëhej atje, nuk donte të ndahej nga jeta. Një oficer, instruktor ushtarak në shkollën tonë, më tërheq një ditë mënjanë dhe më thotë: “Në qoftë nevoja, ta dish që unë jam gati të shkoj në Kosovë.”
Ndërkaq, unë, si shumë e shumë të tjerë, nuk kisha në dorë asgjë. Sime shoqeje ia hoqën nga rroga 3 ditë pune, sepse kish shkuar për të takuar të kunatin. Mua më bëri vërejtje të ashpër shefi i arsimit, pse nuk e kisha lajmëruar edhe atë, kur isha nisur për në Durrës. Dua të them, forcat apo elementët kundër nesh vepronin në çdo hap të jetës sonë, qoftë nga verbëria, qoftë se udhëhiqeshin nga dikush.
Forcat antishqiptare në të gjitha kohët kanë synuar të kapin, pra, të shtien në dorë, sidomos kryet e shtetit apo njerëz afër kreut të shtetit. Kjo është e njohur gjithandej dhe është e natyrshme kudo që përplasen interest. Peshku kapet te koka e jo te bishti. Rrjedhimisht, në udhëheqjen komuniste të RPSSH-së e veçanërisht në Sigurimin e Shtetit Shqiptar, forcat antishqiptare vazhdimisht i kanë pasur shërbimtarët e vet.
Thuhej në ato ditë që paska shkuar Mehmet Shehu, kryeministri, në zyrën e Enver Hoxhës dhe i paska thënë: “Enver! Jep urdhër që t’u biem (jugosllavëvet)!” Enveri, thuhej, është menduar një copë herë, pastaj i ka thënë: “Mirë, more Mehmet, po i biem, se krejt popullin e kemi të bashkuar, por po kam frikë, mos po nisim të vëmë vetulla e po nxjerrim sytë.” Edhe për Kadri Hazbiun patëm dëgjuar që, duke vizituar repartet ushtarakë, si ministër i mbrojtjes, kishte shprehur të njëjtin mendim si Mehmet Shehu. Faktin që në RPSSH ka qenë përgatitur një plan sulmi, e ka dëshmuar edhe gjenerali Veli Llakaj në një libër të tijin.
Shtrohet tash pyetja: Ç’do të ndodhte, nëse Enveri do ta kish dëgjuar fjalën e Mehmetit? (Natyrisht, nëse ka qenë e vërtetë ajo që thuhej.) RPSSH-ja do të ish konsideruar agresore dhe, o do ta kish pushtuar RFSJ-ja, o do të kish ndërhyrë NATO-ja dhe pastaj s’dihet çdo të ish bërë. Enveri nuk e pranoi opcionin e Mehmetit, por tha (publikisht): “Në rast se dikush do të na sulmojë, kushdo qoftë ai, ne do t’i përgjigjemi, jo si një popull 3-milionësh, por si një komb 6-milionësh.”
Në anë tjetër, me sa duket, Enveri e pa të domosdoshme që Mehmetin ta largonte nga funksionet e shtetit. U shfrytëzua fejesa e të birit të Mehmetit, Mehmeti mendoi që po i vinte i njëjti fund si B.Ballukut etj.etj, prandaj, si njeri i guzimshëm që ishte, i dha fund jetës. Ai i dha fund jetës, por ne nuk dimë, nëse Enveri do të vepronte me Mehmetin në të njëjtën mënyrë si me B.Ballukun etj.etj. Nuk dimë, sepse, psh Sejfulla Malëshovën, Ymer Dishnicën, Liri Belishovën, ai nuk i kishte likuiduar fizikisht.
Gjithsesi, unë nuk mendoj që Mehmet Shehu nuk ka qenë patriot. Përkundrazi, mendoj që ishte ndër personalitetet më të shquar shqiptarë të gjysmës së dytë të sh XX. Mirëpo, forcat antishqiptare, të infiltruara, siç duket, deri midis udhëheqjes shtetërore e partiake të RPSSH-së, i kanë përdorur disa veti negative të tijat. Midis tjersh, vetinë e të qenit i rrëmbyeshëm dhe i papërmbajtshëm. Prandaj dhe Enveri ka menduar për ta shmangur, në ata momente aq delikatë që u krijuan pas vitit 1981. Mirëpo, në atë mënyrë, Enveri ka bërë gabimin tjetër, po aq shkatërrimprurës, duke lënë Ramiz Alinë si pasardhës. Ramiz Alia, me jargërinë e tij, me “natyrën” e tij prej pështymëpërtypësi, u bëri më shumë dëm shqiptarëvet, se sa do t’u bënte Mehmet Shehu me rrëmbyeshmërinë dhe me trimërinë e tij.
– – – – – – – – – – –
Viti 1981, ndërkaq, do të mbetet në histori si viti vendimtar për rrugën që do të merrte Kombi Shqiptar në dhjetëvjetëshat që do të vinin. Në njërën anë do të qëndronte faktori ndërkombëtar, në anën tjetër vetë ne, faktori ynë i brendshëm. A do të ishte në gjendje Kombi ynë të nxirte nga gjiri i vet një tjetër lider të kalibrit të Enver Hoxhës dhe të realizonte maksimunin e përfitimevet që i sillte koha? Enveri vdiq, duke lënë prapa, veç meritavet shumë të mëdha, edhe një varg gabimesh. Jusuf Gërvallën na e vranë. Na i vranë edhe dhjetëra të tjerë prijës. Disa na i sakatuan nëpër burgje. Ramizi s’doli gjë. Ibrahim Rugovën e përdorën keqas. Përfundimisht, ne shqiptarët, ndonëse morëm diçka, duke përfituar edhe nga rrethanat që solli koha, prapëseprapë, duhet ta pranojmë që rendimenti i atyre përpjekjeve që morën zjarr në vitin 1981, rezultoi shumë i ulët. Duhej të kishim marrë më shumë! Duhej të ishim treguar më të zotë! Duhej t’i kishim rikthyer vetes shumë më tepër nga ato që na ishin rrëmbyer mizorisht apo privuar cinikisht në të gjithë shekujt e deriatëhershëm!
Por, për fatin tonë të keq, as faktori ndërkombëtar, ai që duhej të qëndronte në anën tonë, nuk bëri atë që duhej të bënte: si në të mirën tonë, ashtu edhe në të mirë të vetëvetes. As SHBA-ja, as Evropa Perndimore, nuk panë dot te shqiptarët e vitit 1981 një aleat me vlera shumë të mëdha, madje me vlera të pazëvendësueshme në këto hapësira. Perendimorët ishin mësuar të shihnin te personi i Enver Hoxhës , burokratikisht dhe skolastikisht, një gogol komunist dhe aspak një evropian liberator, i cili, po të silleshe me të në mënyrë demokratike, do të mund të ishte edhe një demokrat nga më shikimgjërët. Profesor Osman Kraja, njëri nga kryefunksionarët e Universitetit të Tiranës, të asaj kohe, më ka thënë pikërisht kështu: “Para se të shkonte në Kosovë grupi i parë i pedagogëvet, na thirri Enveri dhe, midis tjerash, na tha: ‘Mos u propagandoni vëllezërvet kosovarë, as socializmin, as komunizmin! Mos u flisni atyre për marksizëm-leninizmin!’” Çfarë dëshmon ky prononcim i Enver Hoxhës? Ky prononcim i tiji dëshmon që ai, as e kish ndërmend, as e shihte të mundshme, që në viset e tjerë shqiptarë të vendosej rendi komunist në të ardhshmen. Dhe kjo do të thotë që ai e parashikonte restaurimin e kapitalizmit edhe në RPSSH, se ndryshe nuk do të mund të realizohej bashkimi me Kosovën e me vise të tjerë.
Mirëpo, perndimorët, në vend që të mendonin për të drejtat që u ishin mohuar shqiptarëvet në të kaluarën dhe të punonin për t’ua kthyer ato të drejta, u trembën prej lëvizjes sonë të vitit 1981 dhe morën të gjitha masat që ajo, në mos tjetër, të injorohej, të nënvleftësohej dhe të etiketohej si diçka negative dhe destabilizuese. Duke e ditur që frymëzimi më i madh, madje ndoshta edhe organizimi, u vinte shqiptarëvet të Kosovës dhe visevet të tjerë, prej Tiranës dhe pikërisht prej vetë Enver Hoxhës, perendimorët morën masa bllokuese, izoluese dhe asgjësuese, si ndaj krejt shtetit shqiptar, ndaj ekonomisë së tij, ashtu edhe ndaj vetë Enver Hoxhës.
Vetëm kur historiografia t’i ketë përshkruar këto ngjarje me objektivitetin e duhur, miqtë tanë do ta kuptojnë sa gabim kanë vepruar ndaj vitit 1981, që ishte viti i të gjiithë shqiptarëvet.
Që të kuptohet më qartë, sa i ka shqetësuar perendimorët viti 1981, duhet të shohim, krahas bllokadës së egër, vërtet të egër, ekonomike që iu bë RPSSH-së, edhe qëndrimin që u mbajt , nga ai vit e këndej, ndaj Enver Hoxhës dhe ndaj Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Le të merren gazetat, emisionet e radiovet e të televizionit, librat, dhe le të shikohet: Cili prej komunistëvet të Ballkanit është sulmuar më shumë, J.B.Titoja, E.Hoxha, N.Çaushesku, T.Zhivkovi? Do të shohim që, prej të gjithë këtyre, më shumë se për E.Hoxhën, për asnjërin nuk kërkohej që t’i zbuloheshin dhe t’i amplifikoheshin krimet. Asnjëri nuk anatemohej më shumë se E.Hoxha. Në Kosovë, mbas themelimit të LDK-së, e më vonë, mbas 1990-s, edhe në Rep.e Shqipërisë, duhej të ishe kundër Enverit, që të mund të radhiteshe misdis patriotëvet. Shumica, për të mos thënë të gjithë anëtarët e LDK-së, kishin qenë anëtarë të LKJ-së. Por patriotizmi i tyre nuk matej me qëndrimin ndaj Titos. Patriotizmi i tyre matej me antienverizmin. Po me rangun e dytë të udhëheqësvet komunistë, çfarë ndodhi? Ç’qëndrim do të mbahej ndaj F.Hoxhës, ndaj Ll.Kolishevskit etj? Në Kosovë, e më vonë, mbas 1990-s, edhe në Rep.e Shqipërisë, të gjitha të zezat do të thuheshin për Sigurimin e Shtetit Shqiptar, aq sa të zezat e UDB-s gati do të harroheshin. Merrini gazetat dhe shfletojini një për një!
Tani, pyetjet që shtrohen, janë këto: Pse u veprua kështu, sidomos pas vitit 1981, kundër E.Hoxhës dhe Sigurimit Shqiptar? A kish frikë Perendimi se mbetej komunizmi pa u përmbysur në Ballkan, në qoftë se nuk luftohej kundër E.Hoxhës dhe Sigurimit Shqiptar, si edhe kundër ekonomisë shqiptare që ishte ngritur e forcuar në kohën e E.Hoxhës e që ra e u rrafshua në kohën e R.Alisë? Unë mendoj që nuk ishte dhe nuk mund të ishte motivi kryesor frika apo urrejtja ndaj komunizmit. Urrejtja ndaj komunizmit ishte vetëm preteksti dhe armë propagandistike për të tërhequr masën e cekët dhe masën servile të popullatavet. QËLLIMI KRYSOR ISHTE MINIMIZIMI I FAKTORIT SHQIPTAR NË BALLKAN. Ky ish qëllimi kryesor dhe pikërisht këtu qëndronte miopia e politikanëvet të Perendimit! Mjaftonte, jo të përkrahjej E.Hoxha, por thjeshtë të lihej në heshtje, të mos sulmohej aq shumë, dhe faktori shqiptar në këto hapësira do të merrte përmasa aq të fuqishme, sa do të duhej t’u riktheheshin shqiptarëvet, në mos të gjitha, të drejtat e mohuara, të paktën diç më shumë se ç’iu dhanë. (Edhe ato, falë kthjelltësisë së 2 politikanëvet nga më të shquarit e këtij fundfillimshekulli, B.Klintonit dhe T.Blerit.) Nga viti 1981 e këndej, deri te “zbulimi” i genocidit nga ana e z.Uollker dhe pranimi për t’u marrë vesh me UÇK-në nga ana e z.Hollbruk, Perendimit i është dukur sikur këto punë, këto “trazira” që po shkaktonin shqiptarët, nuk shkonin në interesin e tij. Perendimit, burokratik dhe statukuoist, I është dukur sikur ish më mirë ta ruante Jugosllavinë të pacënuar se sa t’i hynte tani “telashit” për të përkrahur ca demonstrues “separatist”, “irredentistë” e “terroristë” nëpër Kosovë.
Ky ishte faktori i jashtëm, i cili, ia arriti të favorizojë pikërisht atë, për të cilën përpiqeshin qarqet më antievropianë të shtetit sërb dhe të shtetit grek: T’i kthejë tokën shqiptare dhe kombin shqiptar në një shkallë të atillë varfërie, sa gjysma e popullsisë shqiptare të detyrohet të emigrojë, ndërsa gjysma tjetër të rrojë në Shqipëri, përfshirë aty edhe Kosovën etj, me shpirt ndër dhëmbë, duke dëgjuar politikanët e vet se si grinden ditë për ditë e natë për natë. Grinden, shajnë dhe fyejnë njëri-tjetrin, por nuk harrojnë për të sharë edhe Enverin, “pasi ashtu e duan miqtë tanë të Perendimit”.
Ndërsa unë, e kam thënë dhe e them: Miqtë tanë perendimorë duhet të ndryshojnë qëndrim ndaj Enver Hoxhës, sepse vetëm ashtu ata do të mund t’i kuptojnë më mirë dhe t’i ndihmojnë më mirë shqiptarët, gjithsesi të shumëvuajtur.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura