HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (19)

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (19)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 14 Korrik 2021

KUJTIME DHE PËRSHTYPJE PËR HALIL ALIDEMËN

Në qershor të vitit 1956, pasi kisha kryer shkollën tetëvjeçare, ia mësyna për t’u regjistruar në Shkollën Normale të Prishtinës. I vetëm, i dobët nga zhvillimi fizik dhe nga shëndeti, pa mjete financiare për vendosje dhe ushqim në Prishtinë, iu drejtova drejtpërdrejt Shkollës Normale. Nuk e dija që shkolla kishte konviktin e nxënësve. Nga Qendra e sotme Spitalore, përkatësisht Rrethi i sotëm, ku zbrita nga një kamion transporti, me të cilin kisha udhëtuar deri aty, këmbë dhkova deri në Shkollën Normale. Është rastësi, por të parin njeri që e takova dhe me të cilin kontaktova, ishte Halil Alidema. E përshëndeta dhe e luta për të më dhënë informata se ku duhej të praqitesha. Më shikoi, ashtu të mjerë, të vockël dhe të raskapitur nga lodhja, dhe buzëqeshi. M’u drejtua: “Si quhesh? Ju prezentova. Më pyeti prej nga isha. I thashë se isha prej anës së Gjilanit (këtë abitim e jepnin aso kohe të gjithë ata që ishin nga komunat e tjera, Viti e Kamenicë). U nda prej dhokëve dhe më mori për dore e më çoi në zyrën, ku priteshin kandidatët e rinj, që konkurronin në provimin pranues për t’u regjistruar në Shkollën Normale të Prishtinës. Qëndroi me mua deri sa m’u caktua fjetja në konvikt dhe m’u dhanë “bonat” për ushqim në konviktin e nxënësve. Nuk di, për mëshirë, apo për simpati, por pesë ditë sa zgjatën provimet pranuese, vazhdimisht më takonte dhe interesohej se si më shkonin punët në provime (Ato nuk kanë qenë çfarëdo provimesh pranuese). Ishte ky, pra, rasti i parë, në qershor të vitit 1956, kur për herë të parë e njoha Halilin. Që në ditët e para të qëndrimit për provim pranues në Shkollën Normale të Prishtinës, mësova se Halil Alidema ishte sportist, hendbollist i dalluar i shkollës dhe gëzonte admirim, jo vetëm prej shokëve dhe nxënësve të Shkollës Normale, po edhe më gjerë në qytetin e Prishtinës.

Në vitin shkollor 1957/58, në klasën e dytë, Halili erdhi në paralelen II/4 në të cilën isha edhe unë. U përtri simpatia e vjetër, por e shndërruar në shoqëri të sinqertë.

Sporti e privonte nga motivet për mësime, prandaj kishte nevojë për mbështetje. Këtë mbështetje gjithmonë e kërkonte dhe e gjente tek unë, që pak a shumë, isha nxënës i mirë. Këshu i kaluam bashkë tri klasët e fundit të Shkollës Normale.

Unë isha nxënës i mirë, por ai ishte larg prej meje me pjekuri. Ishte realist dhe i guximshëm, madje i gatshëm edhe për t’iu kundërvënë mësimdhënësve kur vërente ndonjë padrejtësi. Reagonte jo për vete, por për shokët e klasës, sidomos në raste të vlerësimeve jo objektive të mësimdhënësve. Për këtë arsye, por edhe duke e adhuruar si sportist, gëzonte respekt e dashuri prej të gjithë nxënësve, po edhe të mësimdhënësve të Shkollës Normale.

Shpirtin revoltues të Halilit e kemi njohur që në bankat e shkollës. Më i pjekur se ne, pareshtur fliste për pozitën e pabarabartë që kishim si pjesëtarë të kombit shqiptar në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Një numër jo të vogël lëndësh mësimore i kishim në gjuhën serbokroate. Jo që nuk e dinte këtë gjuhë, por nga revolta, Halili shpesh kërkonte që përgjigjet t’i jepte në gjuhën shqipe me përkthime prej nxënësve që e dinin më mirë këtë gjuhë të huaj. Për këtë arsye, sigurisht, ishte në sy të keq të mësimdhënësve që e zhvillonin mësimin në gjuhën serbokroate, dhe duke i ditur rrethanat e asaj kohe, pa dyshim që ka qenë i piketuar tek organet e sigurimit si “person i rrezikshëm”. Dosja e sitj, sigurisht, që atëherë ka qenë e mbushur me shënime, për të mos munduar kurrë përcjelljet e spiunëve. Më 1962 unë i kisha regjistruar studimet në Fakultetin Filozofik, kurse ai, bashkë me bashkëshorten, Teutën, ishin mësues në Firajë të Kaçanikut. Vinte tek unë, banonte në banesën time si ilegal, dhe më thoshte: “Zijadin, po me ndjekin, po me përcjellin pareshtur”. E them çiltër: aso kohe unë ende nuk isha pjekur për ta ndier frikën e një gjendjeje të tillë. Nuk kisha asnjë rezervë për ta mbajtur në banesën time. Pikëpamjet, qëndrimet, bindjet na përputheshin plotësisht, por kurrë nuk biseduam dhe nuk u morëm vesh për ndonjë aktivitet konkret. Nuk di pse, ndoshta më mbante për të papjekur për punë të mëdha,

Më vonë, rastësia e deshi që të ishim fqinj me shtëpi. Atëherë filluam një bashkëbisedim më indiskret. Rolin më të madh në këtë bashkëbisedim e luante Teuta, e cila, në një mënyrë, ishte nxënësja ime, sepse në Shkollën Normale, shumë herë, unë e kisha përgatitur në disa lëndë mësimore. Bisedat për pozitën tonë në shoqërinë ish-jugosllave kanë qenë pa rezerëvë, por nuk e dinim si të gjendej zgjidhja. Inkuadrimi në punë i Halilit në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, e kishte sjellë atë në pozitë që të kishte kontakte me personalitete të brumosura me frymën e pakënaqësisë për pozitën tonë në ish- Jugosllavi. Shumë mendime, pikëpamje dhe ide për veprime të ardhshme Halili i shprehte pa ngurrim.

Pa hyrë në hollësi të tjera, sa e njoha dhe çfarë mund të them për Halil Alidemën?

Që nga rinia e hershme ishte personalitet i formuar, me vetëdije të lartë kombëtare;

Kishte karakter të fortë e të qëndrueshëm;

Për çdo gjë i kishte bindjet e veta;

Me shokët ishte shumë i sinqertë;

E vetmja fushë e dijes që e interes9onte dhe e motivonte për punë studimore, ishte historia kombëtare.

Halil Alidemën e pata shok dhe fqinj të mirë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

Zijadin Munishi, Prishtinë

***

HALILI IDEATOR I UNIKOMB-it

(Kujtime për Halil Alidemën)

Anipse ka kaluar kohë relativisht e gjatë me jetën  dhe veprën patriotike të Halil Alidemës më lidhin kujtimet më të bukura të ditëve kur ishim nxënës të Normales së Prishtinës. Takimi i parë më të në vitin shkollor 1954/55 u bë në hapësirën e konviktit të shkollës. Dollapët ku mbanim pjesë të veshmbathjes modeste dhe pak ushqim i kishim shumë afër. Rëndom aty shkëmbenim fletoret e shënimeve dhe eventualisht ndonjë libër që lexohej dorë më dorë. Një ditë derisa po i jepja fletoren e shënimeve nga letërsia i ofrova edhe një shegë që e solla nga vendlindja ime, Ulqini. E mori, e shikoi me interesim. Desht ta kafshojë, por i sqarova se lëvorja së pari i zhveshet, pastaj kokrrat hahen. U qesh me këtë shaka. Mori fletoren dhe më dha romanin “Robinson Kruso”. Që nga ajo kohë u bëmë shokë të pandashëm, anipse nuk ishim në të njëjtën paralele. Që herët ra në sy si djalosh bamirës dhe mbrojtës i të pafuqishmëve. Ne që vinim nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja dhe Malësia e Tuzit e çmonim për sjelljen e tij të matur dhe për korrektësi, si gjatë kohës së studimit të obligueshëm që rëndom mbahej në orët e mbrëmjes, si në menzë, ku ushqeheshim kolektivisht, si në fushën e sportit, ku ai ishte i pakalueshëm.

Nuk do të flas për të si sportist i talentuar, meqë konsideroj se për këtë pjesë të aktivitetit të tij të dendur, sigurisht do të shkruajnë shokët që ishin anëtarë të ekipit hendbollistik “Normalisti”. Do të ndalem në disa raste specifike të kohës. E, ajo kohë, ishte mjaft e ngarkuar me disa ngjarje që e rëndonte pozitën e populit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por edhe në viset e tjera etnike të banuara me shqiptarë. Në dimrin e vitit 1956 era e aksionit të mbledhjes së armëve u dëgjua edhe në Normalen e Prishtinës. Edhe ndaj nxënësve – normalistëve në një mënyrë ushtrohej një presion i veçantë. Atë në mënyrën e vet e bënin nxënësit serbë të shkollave të mesme të Prishtinës me rastin e ndeshjeve sportive ose në takimet zbavitëse në matinetë, ku vinin normalistët, ndërkaq që Halil Alidema ishte gjithmonë në ballë për të penguar provokimet dhe zënkat eventuale. Në dimrin e atij viti vinin ditë të vështira. Asokohe ishim mjaft të rritur saqë i kuptonim mirë dhe drejt rrjedhat politike të kohës. Kosova ishte shndërruar në një poligon mundimesh të njerëzve të pafajshëm nga të cilët kërkohej arma. Ata që nuk e kishin, detyroheshin ta blenin dhe ta dorëzonin. Rrahjet, maltretimet dhe nxjerrja e njerëzve në borë e akull ishin metodat policore që ushtronin ndaj të gjithë atyre prej të cilëve kërkohej dorëzimi i armëve. Ne në Normalen e Prishtinës i dëgjonim lajmet nga terreni që i sillnin nxënësit, farefisi ose prindërit e të cilëve maltretoheshin nga policia e kohës. Halili ishte shumë i shqetësuar, por edhe krenar, se, siç thoshte, ende shqiptari nuk e lëshon armën nga dora.

Përveç aksioneve të këtilla antishqiptare, pushteti i kohës ushtronte edhe trysni të tjera. Nga shqpërnguljet e mëdha, Kosova po zbrazej. Njerëzit detyroheshin të ndërronin identitetin kombëtar dhe me dhunë detyroheshin të deklaroheshin turq. Drejt Anadollisë shkonin mijëra familje shqiptare nga pamundësia të duronin represaliet policore serbe. Halili dhe ne, grupi i normalistëve, asokohe shoqëroheshim me disa grupe “kasabalinjësh” shqiptarë që në shtëpi e flisnin turqishten, por siç thoshin “në damarët tonë rrjedh gjak shqiptari”. Ndër ta veçohej Ridvani, një mjeshtër i mirë orëndreqës, që kishte dyqan në qendër të Prishtinës. Shpesh në atë dyqan mblidheshim dhe bisedonim, sa për sport, aq edhe për situatën në qytet dhe në Kosovë.

Ai dhe grupi i shokëve tanë “kasabalinj” vinin sidomos të shtunave në matinenë e njohur të Normales. Një ditë së bashku me Halilin kthyem edhe në dyqanin e Ridvanit. Ishte shumë i mërzitur… “Babai ka vendosur! Ne familjarisht, si shumë familje prishtinase, po shpërngulemi në Turqi…” Nuk na erdhi mirë. Heshtjen e theu zëri i Halilit. “Le të shkojnë pleqtë! Ti rri këtu – i tha preraz Halili. Në qoftë se me rininë tonë mbushet Turqia, Kosova në duar të kujt mbetet?! Ridvani nuk foli, sytë iu mbushën lot. “Kësaj jave, tha ai, ne i marrim “vesikat” në Shkup, pastaj vazhdojmë rrugën, të cilën as unë nuk e dëshiroj. Një ditë tjetër Ridvani erdhi të përshëndetet me ne dhe në këtë mes edhe me një normaliste ndaj së cilës ushqente simpati. Tregoi, ndër të tjera, se brenda dy ditësh nisej nga stacioni hekurudhor i Prishtinës. Që ta përcillnim Ridvanin, doli grupi ynë i shokëve – Halili, Lahu, Aliu, Ramadani, Muharremi, Hajrushi, e shumë të tjerë. Stacioni gumëzhinte. Dëgjoheshin klithje dhe ofshama të atyre që ndaheshin thuaja përgjithmonë. Ne iu afruam familjes treanëtarëshe të Ridvanit – babai, nëna dhe ai. Ishte i zbehur dhe memec… “Udha e mbarë, o Ridvan ! Ne po ndahemi. Një zot e di kur do të shihemi. Bëj çdo gjë, por Kosovën mos e harro!” – i tha Halili sa e kishte përqafuar.

Pas 35 vjetësh për të satën herë isha në Stamboll. Në Kapali çarshi në dyqanin me mbishkrim “Kosova” takoj Ridvan Kajmakliun. Ishte bërë pronar dyqanesh dhe hotelesh. “Isha dy – tri herë në Kosovë, por nuk ju takova. Qysh janë shokët, a janë dhe si janë?!” Në ambientet e hotelit të tij luksoz “Klas” bisedojmë dhe rikujtojmë ditët e rinisë, shokët, sidomos Halilin. Ndër të tjera më tha – Kurrë nuk e harroj përcjelljen që ma bëtë në stacionin hekurudhor të Prishitnës. Dyqani im në Stamboll quhet “Kosova”, desha ta marr edhe mbiemrin e tillë, por nuk ma lejuan. Kosovën, sipas porosive të Halilit, kurrë nuk e harrova!

Ne që me kohë e kemi hetuar se Halili e urrejti gjithnjë e gjithmonë nga shpirti pushtetin dhe pushtetarët aktualë të kohës. Fliste haptas për padrejtësitë e mëdha që bëheshin, gjithnjë duke u përpjekur të gjente mënyra dhe forma për të rezistuar. Në takimet e rastit që bëheshin me nxënës kur në Normalen e Prishtinës vinin pushtetarët e kohës, binin në sy disa veprime shumë të guximshme të Halilit rreth mbylljes se shkollave shqipe, të cilat nisën të aktualizohen edhe në mesin e normalistëve. Halili ishte mjaft i padisponuar dhe i zëshëm kur Normalja Shqipe e Prishtinës po emërtohej me emër të një pseudopedagogu antishqiptar, “Miladin Popoviq”. Këtë akt e kundërshtuan në mënyra të ndryshme gati të gjithë nxënësit me arsyetim se ka shumë shqiptarë, që kanë dhënë kontribut të madh në fushën e arsimit dhe të kulturës. Në këtë demonstratë verbale qenë përfshirë edhe disa mësimdhënës të Normales si profesorët tanë të nderuar Hasan Mekuli, Ali Hadri, Abdulla Zajmi, e të tjerë. Por pushteti i kohës e bëri të vetën – organet arsimore e emërtuan Shkolla Normale “Miladin Popoviq”! Ka pasur orvatje edhe rreth thyerjes së bustit, por nuk janë shpallur publikisht akterët e asaj ndërmarrjeje.

Shoqërimi me Halilin do të bëhet edhe më i ngushtë, nga çasti kur dy shoqe të ardhura nga Normalja e Gjakovës, Teuta Kryeziu dhe Lumnije Kastrati u bënë miket tona më të respektuara dhe më të dashura. Ato, pas kryerjes së studimeve që bëmë ndaras, do të bëhen bashkëshortet tona me të cilat do të kalojmë pjesën më të bukur të jetës sonë familjare. Katërshi ynë, gjatë asaj kohe në Normale të Prishtinës do të shoqërohet shumë ngushtë. Shpesh do të shkojmë së bashku në pikniqe, në shëti në Gërmi afër Prishtinës, në kinema, në matine, do t’i ndajmë së bashku kohët e shëtitjeve të lira. Me Halilin të gjithë ne do të ndjenim një siguri të plotë, sinqeritet miqësor, kënaqësi dhe harmoni miqësore shumë të ngushtë. Rëndom, kur delnim në qytet kthenim në pastiçerinë “Pranvera”. Bisedonim për shumë çështje lidhur me ardhmërinë tonë pas kryerjes së shkollimeve. Ai ishte gjithnjë optimist se ardhëmria do të jetë e lumtur – por mjerisht rrethanat vinin gjithnjë duke u ndërlikuar. Shpesh i komentonim filmat dhe përmbajtjet e tyre, veçanërisht ata luftarakë, por edhe ata që trajtonin çështje të ndjeshme kombëtare dhe sociale. Këto komente kishin prapavijën e vet përballë situatës në të cilën jetonte populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të tjera etnike.

Një kohë sa ishim nxënës Halili do të përballet me kriza të rënda diesore. Shoqja e tij më e dashur, Teuta, përjetoi lëndime të rënda trupore. Halili ishte shumë i shqetësuar. Përpiqej të gjente mënyrat më të mira t’ia lehtësonte mikes së tij më të shtrenjtë dhembjet dhe traumat. Prandaj, pjesën më të madhe të kohës e kaloi pranë shtratit të Teutës nëpër spitale, duke u kujdesur për shëndetin e saj që sakrifikoi aq shumë për të. Binte në sy humanizmi dhe mirësjellja e tij, sidomos në ato rrethana kur njeriu më i dashur për të kërkonte ndihma për shërim.

Pas kryerjes së Normales së Prishtinës ne do të ndahemi fizikisht për një kohë. Derisa isha në studime e ai në atë fillim në procesin edukativ – arsimor, mbanim korrespondencë të vazhdueshme. Deri vonë kam ruajtur letra të tij, të cilat mjerisht pas luftës së fundit me shumë dokumente të tjera u zhdukën. Ai më shkruante, ndër të tjera, për punën në shkollë dhe për varfërinë e nxënësve të cilët i arsimonte. Me kohë, takimet tona të herëpashershme vazhduan edhe sa ishte me shërbin të mësuesisë në Malishevë. Shprehej se e kalonin mirë, meqë atje në Malishevën e pas shtat bjeshkëve gëzonte përkrahjen e Qerim Gashit, ish-normalist dhe shok yni, atëbotë në funksione përgjegjëse. E hetoja dëshirën e tij dhe të shoqes së tij, Teutës, për ngritje të mëtejshme, si dhe orekset krejtësisht normale të gjendej në mjedise më të avancuara siç ishte Prishtina e atyre viteve. Me familje, me kohë, erdhi në Prishtinë. Mori edhe detyra në institucionin më të lartë pranë Fakultetit Filozofik. Kontaktet tona vazhdojnë të jenë më kuptimplote. Pas demonstratave studentore të pranverës së vitit 1981, Halili për shkaqe të njohura dhe qëndrime të qarta politike burgoset së bashku me një grup patriotësh të shquar në mesin e të cilëve gjendej Ukshin Hoti. Ne që e njihnim u besonim shumë qëndrimeve të tij të pathyeshme në jetësimin e atyre kërkesave të tij edhe sa ishte nxënës i Normales që kishte të bënte për mëvetësi, për një Kosovë të lirë dhe kombëtarisht të shëndoshë, për një Shqipëri Etnike, bazat e së cilës, siç thoshte, qenë vënë në themelet e Lidhjes së Prizrenit.

Kam mësuar gjatë bisedave në një mjedis në Ulqin nga rrëfimet e një të burgosuri që kishte vuajtur dënimin në kazamatet e Malit të Zi për delikte gjaku. Ai ishte marrë në pyetje nga C. Gardasheviq, inspektor i lartë. Ky inspektor kishte ardhur “në ndihmë” gjatë demonstratave të vitit 1981 dhe ishte njëri ndër ata që “përpunoi” edhe Halil Alidemën. Kishte mbetur në grepa nga qëndrimi burrëror i Halilit. Në burgun e Kotorrit dhe të Spuzhit Gardasheviqi kishte marrë në pyetje edhe të burgosurin ulqinak, i cili e kishte pranuar aktakuzën. Si ishte përpjekur, por pa dobi. Në fund inspektori Gardasheviq i kishte thënë – E kam pasur një mostër si ti në burgun e Prishtinës. Ai quhej Halil Alidema. Atë aktakuza e ngarkonte për rrënimin e Jugosllavisë dhe bashkim të tyre kombëtar. Sa torturat i janë bërë Halilit nga hetuesit, inspektorët dhe gardianët – por atë asgjë nuk e gjunjëzonte. Nga maltretimet dhe rrahjet iu thyen brinjët dhe dhëmbët. Iu bënë dhe shtypje të tjera psikike, por ai nuk u dorëzua, nuk fliste për atë që ne kërkonim prej tij.

Ky ishte një argument më shumë për bindjen tonë të fortë se Halil Alidema mbetej gjithnjë personalitet i pathyeshëm për realizimin e idealeve kombëtare të tij. Si i tillë mbet shembull i qëndresës dhe frymëzues i gjeneratave për qëllimin e kahershëm të tij – bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Pikërisht për këtë qëllim ishte ndër ideatorët e themelimit të UNIKOMBIT, rreth të cilit përpiqej të tubonte bashkëmendimtarët në drejtim të realizimit të koncepteve politike kombëtare. Paralajmëronte shokët e tij më të ngushtë edhe për formimin e grupeve të armatosura shqiptare.

Halil Alidema ishte njëri ndër shumë veprimtarët politikë e kombëtarë, që kontribuan në rrënimin dhe në shembjen e kështjellës artificiale të quajtur Jugosllavi avnojiste. Në mos tjetër, si konstatojnë bashkëkohësit që e njohën, Halili ishte njëri nga ata që ia hoq një gur asaj kështjelle, e cila përfundimisht u rrënua plotësisht dhe u shpërbë sa ishte ai gjallë. Ky edhe ishte satisfaksioni më i madh në jetën e tij.

ALI LLUNJI Prishtinë, 20 dhjetor 2004

  • VIJON – 

_________________________________ 

                               Halil Alidema Meteorë Lirie (18)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura