HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (31)

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (31)

Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 28 Korrik 2021

MILITANTIZIMI I HALILIT ISHTE I DREJTUAR MË TEPËR NË VEPRIME POLITIKE SESA NË ANALIZA POLITIKE

“Kur të jepni mendimin tuaj para së gjithash ruajuni nga mallkimi i historisë”- Hasan Prishtina

Halil Alidemën e takuam për herë të parë në lokalet e selisë së partisë në “Kurriz”, me kërkesën e tij, diku rreth fundit të majit të vitit 1991, për të themeluar degën e UNIKOMB-it në Therandë. Kam parë rreth tij disa anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, të cilët i kam njohur më herët edhe duke e ditur se programi i partisë nuk përkonte me të kaluarën e tyre, kam kërkuar që të bisedonim në katër sy. Pas shumë insistimesh ka pranuar. Atëbotë unë isha në udhëheqjen e Frontit të Rezistencës për Bashkim Kombëtar. Nga e gjithë biseda që u bë, duke u munduar t’ia shpjegoja veç e veç biografinë e tyre, të cilët nuk ishin në gjendje të jenë bartës të programit dhe metodën e punës çfarë mëtonte Halili ta bënte, në fund u ndam të pakënaqur. Këmbngulësia ime ishte, se për jetësimin e këtij programi duhet të ishin njerëz të fortë moralisht, të kishin një të kaluar të dëshmuar kombëtare, të guximshëm në veprim dhe të përgatitur për çdo të papritur. Ndërsa te Halili një nga elementet qenësore, që duhej të përmbushej ishte të kishte rreth vetës edhe njerëz që mund t’i ndihmonin financiarisht. Këto kundërthënie bënë që unë të mos angazhohesha në themelimin e degës UNIKOMB-it në Therandë, por me gjithë përkushtim të veproja aty ku isha i inkuadruar, por kjo ndikonte në të mirën e partisë, në mënyrë të tërthortë nëpërmjet propagandës, që bëja për të gjetur bashkëmendimtarë. Mosgjetja e gjuhës së përbashkët rreth njerëzve që do ta udhëheqnin partinë me Halilin, nuk zbehi qëndrimin e tij ndaj programit dhe personalitetit të tij. Diku rreth shtatorit të po atij viti jemi takuar përsëri me iniciativën e tij, për të biseduar rreth krijimit të mekanizmit ushtarak që mëtonte të krijonte në kuadër të partisë, por edhe në kuadër të degës në Therandë. Biseda ka qenë në nivel dhe për shumë gjëra jemi pajtuar.

Nga këto dy biseda që kam pasur dhe nga njohuritë paraprake që kisha për te, kisha një simpati, por si knokludim pata nxjerr, pranë të cilit qëndroj edhe sot, se ai ka qenë më tepër njeri i veprimit politik sesa politikan. Krijonte shumë shpejt besimin te njerëzit, ndoshta kjo më tepër për shkak të parave, të cilat edhe kushtëzonin përmbushjen e realizimit të programit të UNIKOMB-it. Si një idealist i fortë, këtij i ka munguar edhe rrethi për strategji politike, kahet kah do të merrte jetësimi i realizimit të programit të UNIKOMB-it dhe qasja politike në dy sferat e interesit, asaj të perëndimit dhe të lindjes.

Lajmin mbi vdekjen e tij e mora kur isha kryetar i degës së UNKOMB-it në Therandë. E kam përjetuar rëndë, se shqiptarët humbën një njeri të fortë moralisht, një patriot të pakompromis për bashkim kombëtar edhe një politikan që edhe pse në mungesë komunikimi me selinë e partisë, ishte frymëzues i idealizmës tek anëtarët, të cilët kishin pasur fatin ta njihnin apo edhe të bashkëvepronin.

Kuvendi i dytë i 20 prillit të vitit 1996 më zgjodhi mua zëvendës kryetar të partisë, me të drejtë të ushtrimit të detyrës së kryetarit, sepse kryetari, prof. Ukshin Hoti gjendej në burg. Për mua ishte një barrë e madhe për dy arsye: e para, për të përmbushur synimet e pararendësit-themeluesit të kësaj partie, që për herë të parë edhe në kushte robërie, kishte arritur t’ia bëjë medije opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar, realizimin e së drejtës historike për bashkim kombëtar, jo vetëm nëpërmjet formës politike (bindjes së faktorit ndërkombëtar, vendor dhe armikut), por duke moë përjashtuar edhe mjetet realizuese të këtij bashkimi – krijimin e ushtrisë. Në fillim të jetës plurale në Kosovë, si idealist i madh iu bashkangjit LDK-së, duke menduar se ishte një lëvizje gjithëpopullore për të dhënë kontributin e vet. Shumë shpejt e pa stërkeqjen e saj, themelimin e pacifizmin në rrafshin kombëtar dhe thyerjen e moralit liridashës. U largua prej saj për të themeluar Pratinë e Unitetit Kombëtar Shqiptar, i vetëdijshëm se liria nuk jepet dhuratë, por ajo fitohet. I bindur se faktori ndërkombëtar nuk ishte ndërgjegjësuar për padrejtësitë historike duke llogaritur për t’iu kundërvënë pushtimit klasik të territoreve shqiptare, jashtë Shqipërisë londineze, nga okupatori sllav dhe pansllavist, mësim të cilin e kishte nxjerr  nga Sllovenia dhe Kroacia. Arsyeja e dytë që më bënte mua të jem më i përgjegjshëm ishte se kryetari aktual Ukshin Hoti- kolosi i mendimit politik edhe me përmasa ndërkombëtare ishte në vuajtje të dënimit prej pesë vitesh burg, që kishte marrë përsipër të vazhdonte punën e lënë të Halilit si bashkëvuajtës dhe bashkveprimtar politik, që në filozofinë politike të partisë nëpërmjet një deklarate politke, të cilën ne duhej ta jetësonim në rrethana politike, të cilat shumë shpejt ndryshonin, sidomos pas Dejtonit, i cili duke e heshtur problemin e Kosovës, e llogariste atë si problem të zgjidhur përbrenda Serbisë, ngase lidershipi i Kosovës, si një nga problemet kyçe. Në këto rretana, të cilat gjithnjë e më tepër e vështirësonin punën e partisë në terren dhe në seli, këta dy paraqitnin mungesë të madhe jo vetëm për UNIKOMB-in, por edhe për jetën politike në Kosovë e më gjerë.

Duke e ditur veprimtarinë shumëdimensionale të tij, më 1997 pas ribotimit të dytë të verprës së profesor Ukshin Hotit, “Filozofia politike e çështjes shqiptare” krijuam redaksinë në kuadër të partisë për të bërë botimin e veprave të tij në këndvështrim: a) historikë, b) publicistikë dhe c) letrar.

Filluam të bëjmë tubimin e materialeve. Pata biseduar me vajzën e tij, Linditën, por rrethanat politike të kohës, fillimi i Luftës Çlirimtare kundër Serbisë, na pamundësoi kryerjen e punës. Me këtë punë u munduam t’ia rikthejmë në kujtesë, opinionit kombëtar në radhë të parë, punën e palodhur të Halilit, guximin intelektual të çasjes së problemit për bashkim kombëtar, në rrethanat që krahasuar me sot janë krejt tjera dhe shumë më të favorshme, por për fat të keq në kokat e bashkëkombasve dita-ditës po vie duke u zbehur. Përpjekja e dytë për të bërë botimin e veprave të tija nuk mundi edhe pas lufte. Pata kontaktuar përsëri disa herë me Linditën dhe me disa bashkëveprimtarë të Halilit që iu kishte dhënë mundësia të vinin në Kosovë pas lufte. Problemi kryesor ishte ana financiare dhe derisa hulumtoja mjete, dorëshkrimet e tij nga vajza e tij, përfunduan në Arkivin e Kosovës, arsyen e një veprimi të tillë edhe sot nuk e di.

Çështja e Halil Alidemit sikur është harruar, edhe përkundër disa projekteve sa për sy e faqe, që ketë vend të merituar në histori, u shuan. Duhet të vetëdijesohemi si komb, institucionet shtetërore, për pranimin e vlerave të patriotëve të dëshmuar të kombit, pas vdekjes, duke mos e shikuar se cilit subjekt politik i ka takuar. Sot kemi plotë e përplotë emra që mësohen në literaturën historike të shkollave tona, që kanë bërë akte të pamoralshmë për kombin në kohën e tij, ndërsa njerëzit si Halili që kanë kyrer misionin e tyre historik me dinjitet për çështje kombëtare, mbetën jashtë saj, sepse njerëzit e vdekur nuk kanë pushtet faktik por besoj se pushteti i tyre moral do të dalë ngadhënjimtar dhe do t’u jepet vendi i merituar përbrenda kopertinave të historisë kombëtare.

Afrim Morina, Prill – 2005

DRENICA KURRË NUK MUND TË BËHET SERBE

Halil Alidemën për herë të parë e kam takuar në Shkup, te kushëriri im Malë  Nuhiu. Kjo ndodhi në një kohë të vështirë, në kohën kur sigurimi serb po përpiqej për ta burgosur. Duhet të ketë qenë midis qershorit të vitit 1991. ishte koha kur e gjithë Kosova ishte në burg dhe Halilin qëndrimi nga ajo apo nga ajo anë e burgut nuk çonte ndonjë peshë. Halili nuk ishte nga ata njerëz, që iknin për të shpëtuar kokën, sepse atë e kishte vënë në rrezik dhe në shërbim të atdheut pa u hamendur. Largimi i tij nga Kosova ishte kërkim i një hapësire jo për të shpëtuar kokën, por për të shpëtuar Kosovën. Qëndrimi i tij krenar para gjykatores na kishte frymëzuar dhe na kishte dhënë shpresë se Kosova kishte njerëz që dinin ta merrnin në dorë fatin e saj dhe ta drejtonin drejtë në rrugën e lirisë. Për mërgimtarët, njerëzit si Halil Alidema çonin peshë, sepse ata ishin për ne burim frymëzimi, shpresë për të ardhmen, shpresë për lirinë. Në atë kohë njeriu mund t’i numëronte me gishtërinj intelektualët, që kishin emër dhe që kishin vendosur fatin e tyre ta ndanin me fatin e popullit.

Kisha dëgjuar shumë për të, për qëndrimin e tij të papërkulur në burg, për krenarinë dhe sakrificat. Se do ta kisha nderin edhe për ta takuar, nuk më kishte shkuar mendja ndonjëherë. Admirimi im për të, u shtua edhe më shumë pas takimit të parë, sepse nga ato që kisha dëgjuar për të mu dukën shumë pak nga këto që ky njeri i reflektonte para meje. Halili të linte përshtypjen e një njeriu të thjeshtë, të afërt dhe shumë të ngrohtë. Pikërisht në këto virtyte të tij qëndronte madhështia e Halilit, i cili ishte i gatshëm ta bënte për vete çdo njeri.

Më vonë Halil Alidema kaloi në Slloveni. Aty ishte me Ukshin Hotin. Me te kishte marrë kontakt Avdullah Prapashtica, apo Faton Topalli. Tani nuk më kujtohet me saktësi, por e di që njëri prej tyre më njoftoi që Halili ishte në gjendje të vështirë dhe se duhej t’i ndihmonim. E di që ne e mbështetëm për aq sa lejonin mundësitë tona. Halili nuk kishte nevojë për ta ndihmuar atë si person, sado që në vitet që kishte kaluar jashtë Kosovës, kishte përjetuar edhe momente shumë të rënda dhe ndonjëherë pa mbështetjen e askujt. Halilin duhej ndihmuar, sepse nëpërmjet tij ndihmohej Kosova.

Takimet tjera me Halilin i kam pasur në Zvicër. Ai ka qëndruar rreth tre muaj tek unë dhe gjatë kësaj kohë është takuar me shumë njerëz. Edhe pse i shtyer në moshë, ai mbante hapin me djemt e rinj. Nganjëherë më krijohej përshtypja sikur ai ishte më i ri dhe më vital se shumë të rinj. Njeriu duhet të ketë shumë dashuri për vendin e tij, për të gjetur aq forcë dhe energji sa kishte Halili.

Në Zvicër, Halili krijoi degë të UNIKOMB-it dhe lidhje me shumë njerëz, që shkonin me dëshirë pas tij. Në një takim që kishte në Sion me mërgimtarë. Mbaj mend që erdhën shumë mërgimtarë për ta takuar në tubimin, që po mbahej për themelimin e nëndegës. Në këtë takim, përveç Halilit kishin ardhur edhe Murteza Bajraktari, Nysret Hajdari e Fatmir Bajrami. Njerëzit ishin zhgënjyer me rrjedhat politike, që po zhvilloheshin në Kosovë. Kishte edhe të tillë që ishin lodhur dhe demoralizuar. Halili ishte në gjendje edhe të tillët t’i kthente përsëri në rrugën e lirisë. Në këtë takim takoi edhe Emil Kastriotin dhe siguroi kështu edhe mbështetjen e tij. Për Halilin nuk kishte rëndësi nëse njerëzit ishin të majtë apo të djathtë. Për këtë kishte rëndësi që ata ta donin Kosovën dhe për te të flijoheshin në rrugën e lirisë.

Halil Alidema ishte nga ata njerëz, që besonin se kishte ardhur koha për t’i treguar Serbisë jo vetëm grushtin, por edhe plumbin. Ai nuk ishte nga ata njerëz që bënin fjalë për luftën dhe silleshin sikur lufta s’kishte për të ndodhur edhe 1000 vjet. Halili bënte veprime, dhe gjëma e tyre dëgjohej në Kosovë. Besoj se nuk do të shkojë shumë kohë dhe për to do të flitet hapur në Kosovë.

Halili ka pasur takim edhe me Bujar Bukoshin. E di që ka kërkuar mbështetjen e qeverisë për armë. Premtime i janë bërë, por ato kanë mbetur fjalë. Në atë kohë unë kam qenë kryetar i Fondit Gjithëkombëtar për Gjenevë, Rrahim Jahiu arkëtar, ndërsa Adem Qerkini sekretar, pra të gjithë anëtarë të UNIKOMB-it dhe shokë të Halilit. E di që vetëm në Gjenevë kemi tubuar mbi 290 000 Fr. zvicerane. Kam qenë shumë i zhgënjyer që Halili nuk është mbështetur në armë.

Tek po bisedonim një herë për luftën mbaj mend që Halili më patë thënë se lufta duhet të fillojë në Drenicë. Ai thoshte se Drenica ka qenë gjithmonë vatër trimërie dhe serbët kurrë nuk janë vendosur dot në të.

Nëse fillojmë në Preshevë, na i përzën njerëzit nga kufiri dhe aty i vendosin serbët. Drenica kurrë nuk mund të bëhet serbe. Nëse ka probleme në Kosovë, njerëzit mund të ikin në Shqipëri, aty mund të mjekohen. Edhe për armë është me lehtë. Nga Shqipëria mund të barten armët edhe me gomarë edhe me kuaj. Dhe ndodhi pikërisht ashtu siç tha Halili. Aty nuk arriti ta përjetojë luftën, por lufta ishte edhe fryt i punës së tij. Unë ndjehem krenar për fatin që kam pasur për t’u njohur me Halil Alidemën dhe për ta shoqëruar një periudhë në rrugën e tij të gjatë për liri.

Elfi Agushi, Gjenevë

NJË TAKIM I PAPRITUR

Në vitin 1993 isha në Shkup. Në orën gjashtë pasdite po prisnim me padurim, siç na është bërë shprehi pothuaj në përgjithësi ne shqiptarëve, të fillonin lajmet në gjuhën shqipe në një kanal televiziv të Radio Televizionit të Shkupit, që kishte lejuar qeveria maqedonase katër orë në ditë në gjuhën shqipe, pasi kishte fituar pavarësinë nga Serbia pa luftë.

Në ndërkohë spikerja njoftoi se pas emisionit të lajmeve do të dëgjoni e do të shikoni një intervistë me z. Halil Alidemaj, kryetar i partisë “UNIKOMBI”, e pastaj do të ketë pyetje nga telespektatorët dhe përgjigje nga i intervistuari.

Pasi e mbaroi z. Halili intervistën me redaktorin, filluan pyetjet nga teleshikuesit nga më të ndryshmet, natyrisht, kryesisht nga programi i partisë që ai e drejtonte.

Unë për z. Halil Alidemajn kisha dëgjuar, kisha dëgjuar edhe për veprimtarinë e tij kombëtare dhe pasojat e tij nëpër burgjet e Jugosllavisë sllavoshoveniste, por personalisht nuk kisha pasur rast që të njihesha, meqë unë jetoja në Shqipëri, e ai në Kosovë.

Gjatë intervistës kuptova se ai ishte një intelektual i formuar kombëtarisht dhe trim, por unë isha shumë kurreshtar të njihesha me të dhe të kuptoja prej tij se sa kishte arritur ta kuptonte realitetin në Shqipëri gjatë sundimit të diktatorit, Enver Hoxha. Prandaj përfitova nga rasti dhe i bëra një pyetje të thjeshtë lidhur me Partinë e Unitetit Kombëtar, që ishte krijuar në Shqipëri nga Hidajet Beqiri për të cilin në atë kohë s’kisha ndonjë simpati për të…! njëkohësisht i kërkova që brenda mundësive të takoheshim me të, do të thotë pasi ta kryente intervistën dhe ai këtë propozim timin e pranoi me kënaqësi.

TAKIMI

U takuam në një lokal shqiptar. Ai ishte shoqëruar me një shok, të cilin e njihte vëllai im. Pasi u përshëndetëm sipas zakonit dhe unë pa filluar ende bisedën, i tregova se kush isha, ç’punë kisha bërë në Shqipëri etj… Për çudi ai më tha se kishte dëgjuar për mua, dinte që kisha qenë edhe në burg, por natyrisht nuk e dinte shkakun dhe për këtë ai ishte shumë kurreshtar, sepse ai në burg në Jugosllavi, unë kosovar e në burg në Shqipëri. Ishin dy gjëra shumë të kundërta e që në atë kohë ishte shumë e pabesueshme për shqiptarët e thjeshtë të Kosovës, e jo më për intelektualët, e sidomos për ata që kishin qenë në burg, si Halili, të bindeshin se shumica ishin burgos e dënuar pa bërë gabim, e jo më faj…!

Në Kosovë dënoheshin nga UDB-eja atdhetarët shqiptarë kosovarë për Enver Hoxhën, kurse në Shqipëri, ne dënoheshim për Marshall Titon!

Në ndërkohë unë e pyeta z. Halil Alidemën:

– z. Halil, cili ishte programi që Ju drejtoni?

– po, mendoj që vetë emërtimi i partisë sonë e përmbledh esencën e programit, pra, bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në Ballkan në një shtet, duke përfshirë natyrisht këtu edhe Çamërinë – mu përgjigj H. Alidema.

Një emërtim të tillë e ka edhe partia e “Unitetit Kombëtar” në Shqipëri dhe po atë qëllim që ka partia juaj. – Po meqë keni të njëjtin qëllim të dy partitë, a keni bashkëpunim ndërmjetveti?

– Tash për tash kemi marrëdhënie shumë të mira ndërmjet nesh. Jemi në bisedime që të shkrihemi në një parti, ndonëse për këtë kemi shumë pengesa, e mbi të gjitha jemi në dy shtete, njëri shtet i pavarur, tjetri i pushtuar nga serbosllavoshovenistët, pra jemi në kushte e rrethana krejt të ndryshme, e kjo është një pengesë e madhe. Për këtë jemi të vetëdijshëm, por me një punë të madhe besoj se mund ta tejkalojmë këtë pengesë dhe do të arrijmë sukses në këtë drejtim.

– Përse e krijuat partinë e “Unikombit”, kur ishte krijuar partia “Lidhja Demokratike”, ajo është më shumë lidhje shqiptare sesa një parti. Prandaj, do ta keni vështirë për të përfshirë shumicën e popullit në partinë tuaj dhe në partitë tjera, që janë krijuar apo që do të krijohen në të ardhmen, sepse Z. Ibrahim Rugova tashmë është bërë një figurë e njohur ndërkombëtare si kryetar i popullit shqiptar të Kosovës?

– Në radhë të parë Ju duhet ta dini se te ne, Kosova ka pasur e ka disa variante. Deri në vitin 1990 ka qenë opsion, varianti i parë që të krijohet një republikë shqiptare në kuadrin e Jugosllavisë komuniste, ku do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët në një republikë(të Kosovës, të Maqedonisë, të Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi). Kjo nuk ishte ide e keqe për atë kohë, sepse Kosova shkëputej nga territori i Serbisë dhe bëhej republika e shtatë e Jugosllavisë, që për nga numri i popullsisë vinte e treta në Jugosllavi. Dhe për këtë kemi luftuar e jemi burgosur. Mirëpo, më vonë ndryshuan kushtet. Jugosllavia u shpërbë në pesë shtete. Mali i Zi mbeti me Serbinë dhe krijuan Jugosllavinë e Vogël. Kosovës, nga Serbia iu mor Kushtetuta e vitit 1974. Këtë e bëri Millosheviçi, e tani Kosova mbeti një provincë e Serbisë pa asnjë të drejtë kombëtare.

Meqë ra ky variant, Lidhja Demokratike, doli me variantin e dytë që Kosova me kufijtë e Kushtetutës së vitit 1974, të dalë shtet më vete, për këtë u bë edhe plebishiti i vitit 1991 dhe mbi 90% e popullsisë votoi për këtë, pavarësisht që nuk e njohu faktori ndërkombëtar, përveç Parlamentit të Shqipërisë.

Pikërisht për këtë, ne, një pjesë e intelektualëve nuk ishim dakord, sepse gati gjysma e shqiptarëve mbeteshin të pushtuar nga Maqedonia, nga Serbia dhe nga Mali i Zi, e sidomos ne që kemi qenë nëpër burgje të Jugosllavisë, ndaj krijuam partinë “Unikombi” dhe dolëm me variantin e tretë të gjithë shqiptarët në Ballkan të krijojnë një shtet, duke përfshirë këtu edhe Çamërinë.

– Personalisht edhe unë jam i mendimit me Ju dhe ky sigurisht është varianti më i mirë për shqiptarët dhe më i natyrshëm, por a keni menduar se si mund të bëhet, me luftë apo me rrugë paqësore?

– Ne jemi për rrugën paqësore, por nuk e përjashtojmë edhe luftën.

– Po a mendoni se sa vështirë është për t’u realizuar një gjë e tillë, sepse dihet që kemi të bëjmë me katër shtete, dy prej tyre shumë më të forta nga ne, Serbia dhe Greqia që a do të pranojnë ta na dhurojnë në rrugë paqësore, kurse me luftë për mendimin tim është krejtësisht e pamundshme, sepse Shqipëria në radhë të parë është shumë e papërgatitur për luftë, e dyta, partia socialiste, ndonëse është në pozitë, por është ende me ndikim të fortë në opinion dhe udhëheqja e saj ende është e lidhur me fije të dukshme dhe të padukshme me Serbinë dhe me Greqinë!

– Me këtë mendim tuajin të fundit unë nuk mund të pajtohem, sepse edhe udhëheqja e Partisë Socialiste është për bashkim kombëtar.

– Ju mund të mos pajtoheni, me mendimin tim, por fatkeqësisht kjo është e vërtetë. Për këtë të jeni të bindur se unë kam më se dyzet vjet që jetoj në Shqipëri edhe e njoh mirë mentalitetin e tyre. Besoj se kur të vini në Shqipëri do të bindeni edhe Ju. Natyrisht për këtë më vjen shumë keq edhe mua, sepse unë dua që të gjithë shqiptarët, në të gjitha trevat shqiptare, të jenë të bashkuar e të gatshëm të flijojnë çdo gjë për bashkim kombëtar. Unë dëshiroj që këto fjalë që t’i thashë unë, mos të jenë të vërteta, por edhe njëherë po ta përsëris se janë të vërteta.

Nuk vonoi shumë z. Halili Alidemaj erdhi në Shqipëri familjarisht. Unë nuk e dija se kishte ardhur në Shqipëri, por një ditë u takuam rastësisht ashtu siç u patëm takuar në Shkup. Ai i shoqëruar edhe unë po ashtu, por të gjithë ishim kosovarë dhe u ulëm në një lokal dhe biseduam natyrisht për gjendjen në përgjithësi, e për Kosovën e trojet e pushtuara, në veçanti.

Në fund Halili më tha këtë me keqardhje të madhe: – “Z. Gani kishi pasur të drejtë për ato që m’i thatë në Shkup”.

Nuk vonoi shumë dhe Halili ndërroi jetë, por mua më ka lënë mbresa të mëdha se ishte intelektual i përgatitur, i formuar kombëtarisht dhe i vendosur për të sakrifikuar gjithçka për bashkimin kombëtar. Vdekja e parakohshme e tij qe një humbje e madhe për familjen, për Kosovën dhe mbarë shqiptarizmën. I paharruar qoftë kujtimi për të, jo vetëm si njeri, por edhe si një atdhetar i madh!

Më 26 mars 2005, Gani Demir Ratkoceri, “Mësues i Popullit”

  • VIJON –

________________________

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (30)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 28 Korrik 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura