(Prishtinë, dhjetor 2012) – Ndonëse u cilësua si “vetëm një copë letre”, “platformë raciste”, “platforma do të dështojë dhe kurrë s’do të merret parasysh”, etj, qeveria jonë pjesërisht ra në kurthin diplomatik të presidentit serb. Them pjesërisht, sepse në vend që ta injoronte tërësisht platformën si akt, ajo e kundërshtoi atë vetëm si përmajtje.
Nëse analizohet deklarimi i kryeministrit kur tha se, “i kam telefonuar Washingtonit dhe Brukselit”, ajo që e mundonte atë ishte përmbajtja e plaftormës, sigurisht fyese, e jo vet platforma si e tillë. Ai vet tha se, “nuk do të mund të zbatohet në asnje cep të territorit”, dmth që, e ka analizuar përmbajtjen e saj. E duket se qëllimi i vetëm i Serbise me këtë të ashtuquajtur platformë, ishte dhe është kinse të provojë ta “shesë aktin”. E duke e ditur që s’mund ta bëjë atë, atëherë të vie te përmbajtja. Në rastin konkret, ku na qenka dallimi ndërmjet aktit të Serbisë dhe përmbajtjes së kësaj ‘platforme” të saj?
Qëllimi i këtij akti është luajtja e rolit sikur statusi politik i Kosovës për të dhe bashkësinë ndërkombëtare ende nuk është zgjidhur, dhe se ajo, Serbia, duke ofruar “platforma” na qenka faktori kyç i zgjidhjes. E meqenëse Serbia e di se këtë kerkesë nuk mund ta realizojë, pra s’mund ta ç’bëjë një proces tashmë të instaluar historiko-politik siç është pavarësi e një vendi, atëherë të paktën ta ketë të garantuar rolin e saj destruktiv në ecjen para dhe zhvillimin e kësaj pavarësie. E dimë të gjithë tashmë se këtë përpiqet ta arrijë përmes bisedimeve eventuale për veriun.
Sa i përket përmbajtjes, edhe vet Serbia e di që gjithçka aty duket jashtë kontekstit, si historik ashtu edhe aktual në të cilin është Kosova. Bile, propozimet e bëra, nuk janë vetëm tendencë për ndërhyrje në çështje të brendshme, si disa po thonë, por përmbysje e shtetësisë. Në të vërtetë do të ishte arritje e madhe e Serbisë në rrafshin diplomatik, sikur akte të tilla të saj, si kjo “platformë” fantomë të kundërshtoheshin, e jo të injoroheshin tërësisht. Edhe kundërshtimi është deklarim.
Pra, ky është edhe qëllimi, ta tërheqë palën tonë që të deklarohet. Çfarëdo kundërshtimi ynë rreth saj, do të thotë se ajo “platformë” për ne merret si e qenë, por e pafavorshme, armiqësore, etj. Çfarëdo kundërshtimi ynë rreth saj, do të thotë se ne mbajmë vesh për ofertat serbe, çoftë edhe duke i kundërshtuar. Pastaj, kundërshtimi vetëm i përmbajtjes mund të dërgojë sinjale të gabuara pikërisht në Washington dhe Bruksel pikërisht për veriun, se nëse përmbajtja ndryshohet, atëherë edhe Kosova mund ta trajtonte atë.
Andaj, a duhet humbur kohë me të tilla broçkulla serbe?
Meqenëse kryeministri nuk mund ta ndalojë Serbinë të prodhojë “platforma për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, ajo për çka duhej t’i telefononte kryeministri Washingtonit dhe Brukselit, do duhej të ishte kërkesa e qartë që t’i ndalohet Serbisë dërgimi i çfarëdo lloj dukumenti me çfarëdo lloj përmbaje në këto dy qendra, e që ka lidhje me statusin politik të Kosovës. Këtë mund ta bëjë edhe Brukseli edhe Washingtoni, pavarësisht pesëshes problematike. Këtyre dy qendrave do të duhej tu bëhej e qartë se sa e rëndë dhe fyese është për Kosovën që t’i lejohej edhe mëtutje Serbisë të luajë me karta të tilla kinse diplomatike. Këtyre dy qendrave do të duhej tu bëhej e qartë se përderisa nuk e shëndrrojmë FSK-në në ushtri funksionale, Serbia nuk do të ndalet me të tilla “oferta”. Këtyre dy qendrave do të duhej tu bëhej e qartë gjithashtu se, pa forcën tonë mbrojtëse Serbia vërtetë ëndërron për “ditë më të mira në arenën ndërkombëtare”. Miqtë tanë e dinë se është De Goli ai që ka porositur të gjitha kombet, se, “Është e patolerueshme që një shtet ta lërë fatin e tij në dorën e mendimeve dhe veprimeve të ndonje shteti tjeter, sado mik qofte ai”.
Kontakti me autorin: [email protected]