Dr.SADRI RAMABAJA: ‘SHTETI PARALEL’ I LLUMPENDEMOKRACISË

Prishtinë, 16 tetor 2020: Dekada e fundit e shek. 20-të e pushtetit serb përmbush të gjitha elementet që të cilësohet si pushtet tipik jugafrikan – Apart’heid i markës serbe. Krerët e LDK-së për të dëshmuar “egzistencën e Shtetit paralel”, në emër edhe të luftës politike për mbijetesë, duke qenë të bindur se gëzonin në popull një lloj të “Pushtetit moral”, për ta shmangur nga vokabulari politik nocionin “Apart’heid”, do ta aplikonë me një lloj eufemizmi togfjalëshin “Okupimi serb” për periudhën në fjalë, pavarësisht se ai togfjalësh ishte dhe mbetet llapsus logjik!
***
Hovi në rritje i LPK-së dhe lëvizjes revolucionare përgjithësisht, do të pësojë goditje të rëndë, kur do të themelohej Lidhja Demokratike e Kosovës (23 dhjetor 1989). Po fillonte kështu epoka e bashkëegzistencës së të ashtuquajturit “Shtet paralel” në konkubinat me apart’hejdin, që ndërkohë kishte instaluar Serbia në Kosovë. Ndërkaq këtu do të zë fill imitimi i demokracisë në kushte okupimi të egër nga kjo e ashtuquajtura elitë e re politike e Kosovës, që de fakto i ngjet më shumë llumpendemokracisë.
Kjo “Lëvizje e re” që vetëcilësohet si “demokratike”, e që atbotë herë-herë emërtohej si Alternativa kosovare, por që realisht identifikohej me LDK-në, për shumëçka do t’ i gjasojë Lëvizjes reaksionare të Anglisë të fillimshekullit 19-të.
Demonstratat masive të radhës (1989), që ishin një lloj “Revolucioni i kadifejt” në formë karikature, ishin inicuar e organizuar nga “Poli i tretë” i LKJ për Kosovë, Azem Vllasi me C0. Natyrisht në akordancë me kreun e LKJ-së për Serbi, Ivan Stamboliqin.
Në shikim të parë ato po bëheshin në mbrojtje të autonomisë. De fakto rezulton të kenë qenë në shërbim të agjendës politike ruse. Atbotë planifikohej ngritja e statusit të Kosovës nga një Krahinë Autonome, në një Republikë autonome të tipit rus. Krejt kjo do të shkonte në favor të krijimit të status-quosë edhe prë disa vite, në mos dekada.

Këtë luftë të brendshme të rrymave politike në LKJ të Kosovës dhe këto kundërthënie në nivel më të gjerë, po i shfrytëzonte aq sa mundej, Komiteti Drejtues i LPK-së për t’ i dhënë drejtim progresiv demonstratave.
Prezenca e frymës së LPK-së qe reflektuar sidomos në Qendrën e Studentëve dhe në Sallën e Sporteve “1 Tetori” e gjetkë, aty ku ishin Afrim Zhitia, Behadin Allaqi etj.
Kjo ishte edhe arsyeja pse kërkesat e studentëve nuk përputheshin me ato të qytetarëve në rrugët e sheshet e Prishtinës, që drejtoheshin nga Drejtoria për Analiza e UDB për Kosovë, që për titullar kishte vëllain e Azem Vllasit, Ali Vllasin.
Reflektimi politik i drejtuesve të LPRK-së ishte në përputhje me kursin politik të Demonstratave të 1981-ës dhe programin e organizatës. Por kjo frymë që u reflektua në mesin e studentëve në Prishtinë, tashmë bënte jetë aktive gjithandej në Kosovë.
Të dhënat dhe raportet e strukturave të sigurisë në disa prej shteteve perendimore, kurdo që të jenë të qasshme për studjuesit, pritet të flasin se Perendimi, ndërkohë, kishte filluar të ndjejë nevojën për një lëvizje më proaktive në Kosovë që nga përfundimi i Konferencës së Dejtonit. Shih për këtë, ato shërbime, më rezulton se duhet ta kenë shikuar me një lloj simpatie Lëvizjen tonë revolucionare dhe përpjekjet e saj për riaktivizim të plotë. Këtë konkluzion, ma përforconin atëbotë edhe faktet relevante që i kisha vënë re në komunikim me diplomatë e gazetarë gjerman e zviceran.
E para, LPK-ja tolerohej të vepronte si në Zvicër edhe në Gjermani, e pjesërisht edhe në Austri e në Skandinavi. Interesat gjeopolitike të këtyre shteteve, duket se përputheshin me objektivin tonë politik — shpërbërjen e Jugosllavisë, që për ne rezultonte tashmë si parakusht për çlirimin e plotë të Kosovës. Këtë fakt nuk po e kapnin dot autonomistët tanë të mbledhur tashmë rreth LDK-së.
E dyta, për konkluzionin në fjalë, më ka ndihmuar komunikimi privat. Duke jetuar një kohë të mirë në Basel, së fundmi si ndjekës i kurseve pasuniversitare në Institutin për Studime Europiane të Universitetit të Bazel-it, kisha krijuar qasje e komunikim me politikanë, gazetarë e diplomatë zviceran e gjerman dhe kisha vënë re gadishmërinë e tyre për t’na lehtësuar aktivitetin subversiv politik kundër Jugosllavisë.
Njëri nga deputetët aktiv të Bundestag-ut gjerman, Dr Gernot Erler, përndryshe njohës i shkelqyeshëm i historisë politike të Evropës Juglindore, gjatë një shetije në një ale të një kopshti plot trëndafila, në periferi të qytetit të Freiburg-ut, pasi i bëra një ekspoze për gjendjen shpërthyese në Kosovë, u ndlë e më tha tekstualisht:
“Ju qenki në prag të luftës; apart’hejdi ju shpjen pashmangshëm në luftë. Fakti se Milosheviqi nuk ka respektuar as marrëveshjen e Shën Exhidios për shkollat, flet se ai nuk është i interesuar për paqë e zgjidhje politike, Heret a vonë, ata vetë do ta provokojnë luftën. A jeni në gjendje ta përballoni luftën për kohë të gjatë, meqë jeni të pakoordinuar me LDK-në?”

“Nuk do të jetë e lehtë, ia ktheva shkurt. Por, kemi nevojë imediate për armë të lehta e moderne.”

Pas një heshtje të gjatë, që mu duk sa një orë, ma ktheu me plot sigurinë tipike gjermane:
“Ne do t’ju mbulojmë me propagandë edhe me veprime të natyrës diplomatike, armët kërkoni e gjeni gjetkë.”
“Për fillim, mjafton edhe kjo mbështetje juaja në fushën diplomatike dhe atë
të informimit e propagandës, i thash, duke përmbyllur bisedën me nj falenderim të përzemërt. Më pas, për këtë bisedë kisha vënë në dijeni Bajrush Behramin (atbotë kryetar në detyrë i UNIKOMB-it) duke qenë vetë në krye të Qendërs së UNIKOMB-it për Zvicër, por edhe diplomatët shqiptarë me të cilët kultivoja raporte të mira. Pas takimit me Dr. Gernot Erler, derisa po kthehesha në banesë në Basel, po më vinte në mendje një bisedë që kisha pasur me Halil Alidemajn (kryetari i UNIKOMB-it) në marsin e vitit 1992 në Tiranë. Pasi shkëmbyem informatat që kishim nga Kosova dhe pasi i raportova për gjendjen në Qendrën e UNIKOMB-it në Zvicër, ma dha këtë informacion shtesë.

“Jemi duke i përgaditur një grup djemsh këtu për luftë. Ramiz Alia m’ ika vënë në dispozicion disa oficer profesionalisht shumë të pregaditur dhe atdhetar. Po e shfrytëzojmë një kazermë në malin e Dajtit dhe po i tarjnojmë në zonën për rreth. Udhëheqja e LDK-së janë përcaktuar për një qasje tjetër “veprimi”, e tha me ironi dhe qeshi. Ata, presin t’ jua rikthejë Beogradi autonominë e suspenduar, vazhdoi tutje. Po nuk vepruam me guxim e me urgjencë, duke u koordinuar edhe me “të kuqtë” (kështu e cilësonte ai LPK), ka rrezik që Kosovën, Beogradi i asistuar nga LDK-ja, do ta kthejë në një kënetë të ujrave të ndenjura e të pista. Këtë as nuk duhet e as nuk do ta lejojmë t’ na ndodhë”!
Po vinte çasti historik për të cilin kishin punuar disa breza.

Në propagandën e brendshme LDK-ja tutje vazhdonte të propagonte “Shtetin paralel”, të mburret me sistemin që kishte krijuar dhe që po e mbante në jetë në fushën e arsimit paralel, por edhe në atë të shërbimeve sociale e shëndetësore përmes Shoqatës “Nënë Tereza”. Ndërkaq në konferencat e të premteve, lideri i saj vazhdonte ta përsëriste formulën: “E duam Kosovën shtet të pavarir, sovran, të hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë!”

I ashtuquajturi “Qark kulturor i Prishtinës”, që de fakto ishte bartur në kryesinë e LDK-së, mëtonte të mirrte në duart e veta flamurin e betejës ideologjike të “Neoshqiptarizmës” së rilindur, ndërkaq Kosovën e imagjinonin si njëlloj “Sparte shqiptare” moderne. Ky “Qark kulturor”, shumica e anëtarëve të të cilit bënin ajkën e tij, posedonin teseren e Partisë Komuniste Jugosllave (LKJ-së); ata të yshtur nga struktura politike e shtetërore jo vetëm perendimore, LDK-në po e promovonin si “Forcë politike të spektrit të djathtë”, ndërkaq në prapaskenë punonin me për kthimin e statusin të suspenduar të autonomisë (1989).

Dekada e fundit e shek. 20-të e pushtetit serb përmbush të gjitha elementet që të cilësohet si pushtet tipik jugafrikan — apart’heid i markës serbe. Krerët e LDK-së për të dëshmuar “egzistencën e Shtetit paralel”, në emër edhe të luftës politike për mbijetesë, duke qenë të bindur se gëzonin në popull një lloj të “pushtetit moral”, për ta shmangur nga vokabulari politik nocionin “apart’heid”, do ta aplikonë me një lloj eufemizmi togfjalëshin
“Okupimi serb” për periudhën në fjalë, pavarësisht se ai togfjalësh ishte dhe mbetet llapsus logjik!

Në “analizat politike” që prodhonte e afishonte “Qarku kulturor i Prishtinës” dikur të gjithë anëtarë të LKJ-së, tani të konvertuar në demokrat, të veshur ndërkohë me petkun e zyrtarit të lartë të Partisë, ky lloj i diskursit politik, që “Dekadën e apart’heijdit” e cilësonte si “Dekadë e okupimit”, de fakto, në esencë, kishte një lloj “logjike politike” me bazë tek ndërdija që kishte përpunuar Fanoni për popujt që për kohë të gjatë i nënshtrohen kolonializmit. Ky diskurs, fundja ishte në përputhje me “Objektivin politik” që ata i kishin parashtruar vetëvetes, meqë kjo lagje zyrtarësh të lartë të LDK-së, periudhën para marsit 1989, me theks atë që e solli në jetë këtë “Qark kulturor” —1969–1981, nuk e cilësonte si okupim!

Për këta ideolog të së djathtës shqiptare moderne, ajo ishte periudha e prosperimit kulturor e nacional, social e ekonomik, gjykonin me bindje kudo e kurdo. Shih për ktë, nuk mund të shihet se ishte e rastësishme që këta ideolog në Kushtetutën e Kaçanikut kishin imponuar paragraf të veçantë përmes të cilit zotoheshin për ruajtjen e Jugosllavisë si bashkësi politike! (1)
Ky fakt shpërfaq majën e Ajsbergut që paraqet mashtrimi i madh politik, që më vonë, Arbën Xhaferi do ta cilësojë si produkt i “Skemës piramidale të Rugovës”. (2)
Gjatë luftës së UÇK-së(1998–1999), për fat të mirë, elementë të veçantë të të ashtuquajturit “Qark kulturor të Prishtinës” që ishin ende në krye të LDK-së, por që kishin begraund familjar nacionalist, do ta braktisin atë ose do të rrinë anash, larg politikës, të strukur diku në Shkup a Tiranë, ose do t’ i bashkohen UÇK-së, duke i bërë një shërbim të mirë kauzës së lirisë. Kjo po ndodhte meqë, megjithë insistimin e Beogradit dhe ecejaket në relacionin Prishtinë-Shkup të “Shefit të protokollit të “Presidentit’”, me theks në ditët kur po përparonin kuotat e bombardimit të NATOs, kreu i LDK-së nuk do t’ia dalë ta krijojë një Qeveri kuislinge në Prishtinë.

Ngrehina e “Shtetit paralel”, për rrjedhojë, siç e dëshmoi koha — (sidomos periudha e luftës intenzive e shoqëruar me dëbimin masiv të qytetarëve nga Kosova) ishte edhe më për lumë se ndërtesat viktoriane. (3)
Shënime & fusnota
1. Kushtetuta e Kaçanikut, Neni 56 i saj: “Ndalohet organizimi dhe aktiviteti politik i drejtuar në ndryshimin … dhe cënimin e tërësisë teritoriale e të pavarësisë së Bashkësisë së Jugosllavisë …”
2. Arbën Xhaferi, Vepra 3, f. 143–148
3. Ndërtesat shumëkatëshe të stilit viktorian ishin me fare pak banja dhe me tuba që ishin aty sa për dekor; ato me kalimin e kohës, sidomos në rast të farë tërmeti sado i dobët qoftë, bien për tokë.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura