(Prishtinë, 08. 10. 2012) – “Psikologjia e partisë nuk ishte ajo e vendimmarrësit por e protestuesit”, thotë Tony Blair, në autobiografinë e tij, duke e vlerësuar partinë e tij, atë Laburiste ashtu siç e gjeti ai. Duke e ndryshuar këtë qasje të partisë së tij, dhe jo vetëm këtë, ai edhe e solli partinë e tij në pushtet në vitin 1997, pas shumë vitesh në opozitë. Largimi nga “psikologjia vetëm e protestës” dhe afrimi me “psikologjinë e vendimmarrësit” është pikërisht ajo që i duhet politikës sonë. U duhet partive në pushtet, lidhur me problemet që ballafaqohet shteti në raportet me jashtë. E sa u përket atyre opozitare, do te ndalemi pak me shumë, pasi shpresat për ndryshim të një pushteti gjithmonë janë te opozita.
Kjo qasje opozitare e Tony Blairit, vlerësimi së pari i partisë së tij, do të duhej të merrej si postulat posaçërisht për partitë opozitare në Kosovë. Pse u duhet kjo qasje politike e tij partive tona opozitare? Vetëm thjeshtë, se autokritika gjithmonë të bën mirë? Jo, por sepse ato që ta bindin elektoratin potencial se janë të gatshme ta udhëheqin vendin, së pari do të duhej t’i drejtohen vetes me disa pyetje bazike që tregojnë raportin e një partie me politikën:
– A e synojnë pushtetin për të udhëhequr interesat e vendit, apo thjeshtë për t’i ndërruar pushtetarët e tanishëm?
– Sa i besojnë ato potencialit të tyre politik për të marrë vendime “të vështira” politike?
………………………..
…………………………………….
Deri më tani ne kemi parë dhe dëgjuar kërkesa opozitare për zgjedhje të reja, si shpresa e vetme për ndërrim të pushtetit. Në demokraci të zhvilluara kështu edhe do të duhej të ishte. Por, në rastin e Kosovës, nuk e di ku bazohet ky optimizëm kur dihet mirë se në Kosovën e pasluftës, pushteti nuk është ndërruar kurrë nga zgjedhësit, por nga çarjet e partive në pushtet (pjesëtim i votës) si dhe nga koalicionet pas-zgjedhore. Pastaj, nëse u besojmë fjalëve të Tocquevill-it në analizën e tij për demokracinë amerikane, se “aftësia mesatare e të zgjedhurve vije nga paaftësia e zgjedhësve për të gjykuar me ekspertizë mbi çështjet politike”, atëherë mbetet pak shpresë se zgjedhësit do ta ndëshkojnë një politikë të gabuar (u mungon ekspertiza mbi çështje politike). Dëshmi tjetër kundër pritjeve opozitare janë edhe rezultatet që dolën nga disa komuna në zgjedhjet lokale. Edhepse vjedhje votash është argumentuar se ka, nuk qëndrojnë arsyetimet para elektoratit se ajo është arsyeja e vetme e humbjes. Megjithë vjedhjet, me disa koalicione parazgjedhore në zgjedhjet e fundit qendrore, rezultatet do të ishin ndryshe. Por, kur partitë konsiderohen si çifligje dhe kompani private që sjellin vetëm pasuri, e jo si vend ku vërtet vlon mendimi politik, atëherë çdo bashkëpunim duket i rrezikshëm. Këtë mungesë bashkëpunimi opozitar e kanë kuptuar mirë edhe vet partitë në pushtet. I vetmi shqetësim për ta mund të jetë, siç u tha më herët, çarjet brenda tyre, e jo forca opozitare. E të tilla çarje duket se do të ketë, e me këtë edhe ndonjë votë më pak në parlament. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse partia më e madhe në pushtet po kërkon një partner të ri, t’i ketë votat e sigurta për vendimet politike që mund të merren me Serbinë.
Lidhur me apetitet e partisë më të madhe për një partner të ri, kemi dëgjuar të ngre krye një arsyetim tjetër i disa partive opozitare lidhur me rezultatet e tyre të munguara, e që duket më i pandershmi, dhe që paraqitet kësisoj: “bashkësia ndërkombëtare tani për tani i do në pushtet njerëzit e luftës për të bërë kompromise të dhimbshme për veriun, se vetëm ata mund të jenë garantues të çdo marrëveshjeje eventuale”. Është i pandershëm, sepse shkak për humbjet e tyre është paaftësia e tyre, mungesa e guximit për të bërë politikë, fituar vota edhe jashtë elektoratit të vet besnik dhe ardhur në pushtet, e jo afiniteti i bashkësisë ndërkombëtare për një parti apo një tjetër, edhepse ky afinitet edhe mund të ekzistojë. Kjo e njollos luftën, sepse krijon opinionin e gabuar se kinse paska “parti të dala prej luftës”, e të cilat po i shesin interesat e vendit. Epiteti “partitë e dala nga lufta”, sado që disa dëshirojnë t’ia veshin vetes, në thelbin e tij është i gabuar, pasi luftën e ka bërë i tërë populli dhe normalisht se pas saj do krijoheshin parti të reja po nga populli dhe vetëkuptueshëm edhe nga pjesëmarrësit e luftës.
Që partitë opozitare të mos bien në grackat e partive në pushtet, së pari duhet kuptuar mirë se për çka shërben pushteti në demokraci. Një ndihmesë të madhe këtu mund t’ua jep rruga e ndjekur e partive në pushtet, e cila nuk duhet ndjekur assesi. Rruga e partive në pushtet, vizioni i tyre për pushtetin, tanimë këtë e dinë të gjithë, është rrugë abuzive ndaj pushtetit. Ashtu siç e dinë shumica, e jo të gjithë, se pushteti në demokraci nuk është qëllim për vete, për të zgjedhurit, por mjet ose “autorizim” për përfaqësim të zgjedhësve dhe vendimmarrje për ta.
Por kjo nuk mjafton. Nëse nuk e di rrugën që nuk duhet ndjekur, s’do të thotë hiq që e ke gjetur rrugën e duhur. Andaj, para se të aspirohet pushteti në demokraci, së pari i duhet hedhur një shikim fjalorit politik dhe koncepteve politike, si, udhëheqje e shtetit, vizion politik, guxim politik, forcim i shtetit, sundim i ligjit, drejtësi, siguri, konkurrencë, të drejta qytetare,etj. Moskuptimi politik i këtij fjalori, krejt çka na sjellë është zëvendësimin e një qeverisje të keqe, me një tjetër po aq, apo ndoshta edhe më të keqe.
Partitë opozitare duhet të tregojnë se e kanë seriozisht, t’i kthehen së pari vetes, siç bëri Toni Blairi, se duan të vënë politikën në binarët e saj, siç i ka hije një partie politike. Ato duhet të zgjohen nga letargjia politike se, pushtetin ua dhuron dikush. Nëse dikujt i duket i pavend apo i skajshëm ky cilësim, atëherë, do të argumentoja se, krejt çka ofrojnë ato përditë është vetëm kundërshtimi publik i çdo gjëje që e bëjnë partitë në pushtet, duke mos ofruar kurrë alternativat e tyre. Për shumë çështje publike më shumë alternativa politike vijnë nga disa OJQ sesa nga partitë opozitare.
Mosbashkëpunimi ndër-opozitar, sidomos mungesa e koalicioneve parazgjedhore, pastaj politika vetëm “deklarative” e disave dhe vetëm “protestuese” e të tjerave, pa ofruar asnjë alternativë politike (me ndonjë përjashtim!), s’do u ndihmojë ta rrisin besimin edhe përtej elektorit të tyre se, do të ishin ato që mund të ndryshonin diçka.
– Kontakti me autorin: [email protected]