Prishtinë, 09. 05. 2012 – (Kush nuk ndjenë mungesën e ndërgjegjes nuk ndjenë as mungesën e lirisë as të shprehjes.) – Prapë ikje nga liria, në qoshen e shtëpisë, apo vetmisë së tij, ku dikur ndërtonte veprimtarinë çlirimtare me miqtë, në fshehtësi! Dhe tani, nga po i njëjti kënd i po të njëjtës shtëpi, larg syrit publik, si nga fshehtësia e trishtë, ai përcjell paradat paraelektorale të mburrjes së prijësve dhe pasardhësve politikë! Parakalimin triumfalistë mbi sukseset e punës së vetë! Edhe kur kërkohet fitorja e humbjes së tij, medet!
_______________________________________
Edhe pas lirisë së fituar me gjak, mund e sakrificë, prapë drejt burgut rrugëton, miku im!
Rrugëtojnë dhe shumë të tjerë si ai, në vuajtje dhe mjerim, pafundësisht…
Lexova librin e lindjes së përgjakur të LPK-së. Librin “horror”, siç e quajti dikush. Kujtesë dhe vëmendje bashkëbisedimi mes dy miqësh. Një rrëfim i përgjakshëm, që nga fillimi dhe në gjithë rrugëtimin drejtë lirisë. Libër, ku dhe unë e gjej veten, protagonist.
Në “Epokë…” po lexoj dhe fejtonin përgjysmë, po të njëjtit autor, mik. Një fejton afirmativ, për një mikun tim, i cili jo rastësisht është edhe kryeministri jonë historik.
Lexoj dhe histori dashurie me politikë, përditë…
Edhe histori politike pa dashuri… ikje nga miqtë, paturpësisht…
Parakalim interesant ngjarjesh dhe dukurishë. Shfaqje panoramike ngjyrimesh të forta me politikë. Sentenca tredimensionale pa ndonjë botëkuptim. Bombardim opinionesh përplotë spekulim! Një mozaik pa ngjyra, që reflekton nisma, fitore dhe humbje, paqartësisht…
Edhe vuajtja e pafund prodhon përfitim dhe politikë. Edhe mes miqshë, sigurisht.
Ndaj, dhe unë detyrohem të shkruaj për kryemikun tim! Kryeveprimtarin e sa e sahershëm të para dhe të paslirisë. Të harruarin diku, në pritjen e rrugëtimit të tij më të ri. Për në burg, si shumëherë deri më tani. Rrugëtim vuajtjesh dënimi të pamerituar, pafundësisht.
E gjitha është e tmerrshme, padyshim! Nga fillon, nuk di. Gjithëçka më duket se ka vetëm fillim. Përndjekja, burgu, vuajtja dhe persekutimi i pafund, në gjithë jetën e tij. Që nga njohja jonë. Këtu e mbi tridhjetë vjetë më parë dhe gjerë tani. Një jetë dhe histori vuajtjesh e dënimesh, pakufi. Epokë ngjarjesh të lavdishme, të trishta, të dhembshme dhe të krenarisë, brenda një njeriu të paepur, gjatë gjithë jetës së tij.
Sa herë u përball me vdekjen, ky njeri! E rikthyen edhe nga vdekja për ta dënuar me burg, përsëri. Demonë të drejtësisë nën okupim, edhe në liri!
Edhe kur kishte vrarë veten aksidentalisht dhe që i kushtoi jetën një të riu, fatëkeqësisht! Vdekja mund të ishte shpëtim, ndaj e rikthyen nga vdekja, për t’ia mohuar lirinë. Lirinë për të cilën ka investuar gjithë jetën e tij.
Lirinë që po e hanë edhe vrasësit, përditë! Po këtë liri, të cilën, edhe fitimtarët e saj po e përjetojnë me burgje, me vuajtje, me dëshpërime, me plagë dhe me uri, padrejtësisht!
Liria, motoja politike e të cilës, sot, është ngritur në parim. Një moto që, si duket, qenka ngritur mbi fatin e një heroi tragjik, si ky! Dhe, përcjell gjithmonë të vetmën porosi, tepër të lexueshme, kudo që bëhet politikë shqip:
Ti je më i miri dhe ne duam të fitojmë me ty, por jo të fitosh edhe ti…
Dhe, unë, ndërsa po shpalosë këtë shqetësim timin të trishtë, paramendoj humbjen e tij! Pritjen në ikje për në burg, izolim. Diku në qoshen e shtëpisë së tij, të ndërtuar dikur nga miqtë! Miqtë e idealit dhe luftës për LIRI.
Prapë ikje nga liria, në qoshen e shtëpisë, apo vetmisë së tij, ku dikur ndërtonte veprimtarinë çlirimtare me miqtë, në fshehtësi! Dhe tani, nga po i njëjti kënd i po të njëjtës shtëpi, larg syrit publik, si nga fshehtësia e trishtë, ai përcjell paradat paraelektorale të mburrjes së prijësve dhe pasardhësve politikë! Parakalimin triumfalistë mbi sukseset e punës së vetë! Edhe kur kërkohet fitorja e humbjes së tij, medet!