SADRI RAMABAJA: KATARSISI POLITIK I MUNGUAR

(Prishtinë, 22. 05. 2012) – Deklarata e një të riu serb i angazhuar për ndryshimin e Serbisë sot, e publikuar në faqen e tij të faceboock-ut dhe në shumë media gjithandej, tek shprehet plot mllef: “Sikur ‘Engjëlli i Mëshirës’ të na bombardonte më shumë, ndoshta do të mbusheshim mend si japonezët e gjermanët”, flet shumë për mungesën e katarsisit politik tek shoqëria serbe…
Derisa në një pjesë të Evropës në skenën politike po frynë erë e re, duke përmbysur forca politike konservatore, përgjegjëse për krizën ekonomike që ka kapluar shtete të tëra, e duke sjellë në skenë lëvizje progresive (rasti i Greqisë), në Kosovë dhe tek fqinji ynë verior zavrak (Serbia), vazhdon të bëjë jetë mendësia konservatore politike. Madje në këtë republikën tonë të zënë peng nga dishepujt e neoliberalizmit si ideologji, edhe pse në djepin e saj po i këndohet haleluja, injoranca politike jona po vazhdon ta mbajë atë gjallë e në jetë.
Në këto rrethana dëshprimi politik i një kategorie qytetarësh pa atë moralin e fortë që karakterizon revolucionarët e paepur, është disi i logjikshëm.
Grafiti i një ish ushtari të UÇK-së, që i drejtohej ndërgjegjes së qytetarëve të Prishtinës dhe mbarë Kosovës me tekstin rrënçethës: „Prishtinë, zemra ime… falë mos t`qoftë gjaku i dëshmorëve!“ fill pas zgjedhjeve në Kosovën e vitit 2000 dhe deklarata e një të riu serb i angazhuar për ndryshimin e Serbisë sot, e publikuar në faqen e tij të faceboock-ut tek shprehet plot mllef : “Sikur ‘Engjëlli i Mëshirës’(NATO-SR) të na bombardonte më shumë, ndoshta do të mbusheshim mend si japonezët e gjermanët”, flasin shumë për mungesën e katarsisit politik të dy shoqërive tona…
Deklarata e veprimtarit serb (Zlatko Crnogorac) i angazhuar në Partinë Demokratike Liberale, pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve, reflekton gjendjen shpirtërore të një pjese të shoqërisë serbe që ka pasur fuqinë të kaloj kalvarin e katarsisit politik. Ajo tingllon plot trishtim, por njëkohësisht flet shumë për degradimin moral e politk të shoqërisë serbe.

________________________________________________

Lexoni deklaratën e Zlatko Crnogorac’it në faceboock!

____________________________________________

“Sikur ‘Engjëlli i Mëshirës’ të na bombardonte më shumë, ndoshta do të mbusheshim mend si japonezët e gjermanët”, shpërthen ky politikani ri serb, pasi merr vesh rezultatet e zgjedhjeve dhe katapultimin në krye të Serbisë të ish zëvendësit të Sheshelit, Tomislav Nikoliq.
Kështu këlthet në kulm të zemrimit ky politkan e artist nga Beogradi. Ky zemrim i ligjshëm ka shkaktuar tronditje tek pjesa më progresive e kësaj shoqërie. Por, të dilet nga ky llum i regresit politik, ku është katandisur shoqëria serbe, tashmë duket se do të ketë nevojë për më shumë kohë, në mos për një brez.
Në këto qaste se si më kujtohet sërish teksti i grafitit politik më të veçantë që kam lexuar deri tashti, si vulë turpi mbi asfaltin e Prishitnës, fill pas luftës në Kosovë, tek ishin shpallur rezultatet e zgjedhjeve…
„Prishtinë, zemra ime…falë mos t`qoftë gjaku i dëshmorëve!“
Atëherë në Kosovë u vra shpresa për një rilindje politike dhe ringjallje ekonomike të pritshme …
Trupi elektoral i Kosovës, pjesa dërmuese që i ishte nënshtruar procesit të shpërlarjes së trurit për më se një dekadë, ia vazhdojë jetën somnabolizmit politik dhe me këtë akt ia hapi portat invazionit neoliberal. Përmes aktit të votimit të qoroditur, kjo pjesë e popullit, duke votuar për të ashtuquajturën klasë politike që kishte vegjetuar në vitet `90/-ta, vrau moralin dhe dinjitetin politik, bashkë me të lëndoi rënd brezin e idealistëve, ata që dhanë çdo gjë që të fitonim atë trajtë lirie, duke i hapur kështu rrugën manipuluesve e makutëve të të gjitha ngjyrave…
Për pasojë, shoqëria jonë vazhdoi të humbas dekadën e parë të këtij shekulli, duke humbur edhe një mundësi reale për t`u radhitur më shpejt në rresht me kombet e dinjitetshme të kontinentit. Trushpërlarët nuk po bënin dot hapin e parë drejt katarsit moral dhe shkëputjes nga vargonjtë e mjerimit politk ku i kishte sjell somnabulizmi politik i LDK-së për 10 vjet rresht… Dymbëdhjetë vjet më vonë, një lagje e të rinjëve llapjan dhe simotra e tyre nga Gjakova, në vend se të përshëndeten me LDK, konzervuesen e regresit politik në Kosovë, para Grandit, tek prisnin të vinte kreatura politike „jashtëtokësore“ që ia la në derë Prishitnës komunizmi jugosllav, hidhnin parolla “Edhe ne jemi LDK”!!! Ashtu siç kishte hyrë në skenën politike të pasluftës, nga dyert e pasme të LKJ-së, ai futet në sallën e Grandit për t`i përshëndetur lagjen tjetër të somnabulëve që po i duartrokisnin! Noli ynë i madh, po ta kishte parë këtë skenë, do të klithte me të famshmen e tij Ajme! Komunikimi i tij me të rinjtë e partisë që i prin, me gjuhën dhe stilin diferencues që e njeh më së miri, tek do t`i quaj kundërshtarët hiq më pak se rrugaq, sërish, do t`na kujtoj politikanin që diferenconte shokët e tij në Universitet, në kazermat e ushtrisë jugosllave… në vitet 1981-1990.
Çka do të duhej ta gjente më keq se sa e gjeti Kosovën në perendim të shekullit të kaluar dhe tashti gjatë krejt kësaj dekade, tek po zhytet në mjerimin social, moral, ekonomik e politik… që ky popull të këndellet nga gjumi letargjik, ku e ka hedhur opiumi i kësaj garniture politike?!!! Apo, tashti, kur në skenën serbe po riinkarnohet sivëllami i Sheshelit dhe Arkanit… dhe kur rrezikohet sërish gjeografia e atdheut tonë, më në fund, do të përmendemi e ta kuptojmë se Republika jonë ka nevojë ta shpjerë në kthinat e errta të historisë, jo vetëm lidershipin e LDK-së, por gjithë klasën politike që e ka sjell vendin në këtë gjendje?…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura