Shkup, 14. 07. 2013 – (Çështja e reformave në „Tre Vilajetet“ („Maqedoni“) dhe imponimi i të ashtuquajturës “çështja maqedonase”) – Që nga Kongresi i Berlinit, rroli i Perandorisë Osmane si fuqi e rëndësishme (e madhe) europiane praktikisht pushoi.1 Tani më proceset historike në Ballkan i determinonin më shumë faktorë, dhe atë: rënia e vazhdueshme e Perandorisë Osmane; zhvillimi i nacionalizmave ndër popujt e Ballkanit; propagandat tinëzare dhe intrigat e shteteve të reja ballkanike; ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha Evropiane etj.2
Në fund të shekullit të XIX dhe në fillim të shek. XX, si rrjedhojë e veprimit të propagandave dhe të grupeve-bandave të armatosura bullgare, serbe, greke në vilajetet e Selanikut, të Manastirit dhe të Kosovës, apo si që filluan t’i quajnë ndryshe „Tre Vilajetet“, gjithnjë dhe më shumë gjendja e brendshme politike në këto vilajete po rrëshqiste drejtë anarkisë. Cak i sulmeve të këtyre bandave ishin edhe shqiptarët dhe pronat e tyre. Për t`u vetëmbrojtur nga sulmet e tyre edhe shqiptarët ishin të detyruar të formojnë grupe të veta të armatosura.
Pozita gjeografike e vilajeteve të Selanikut, të Manastirit dhe të Kosovës ishte e një rëndësie të madhe strategjike, nga se vlerësohej se kontrolli mbi këto vilajete nënkuptonte kontroll dhe dominim strategjik mbi Ballkanin, ndaj dhe situata në to do të jetë nga çështjet kryesore politike në Ballkan.3 Prandaj dhe, në suaza të teorisë së sferave të interesit, Rusia dhe Austro-Hungaria, të mbështetura edhe nga Franca dhe Britania, nga fillimi i Shek. XX shtuan trysninë mbi Portën e lartë për të zbatuar reforma në Vilajetin e Kosovës, të Manastirit dhe të Selanikut, nën pretekstin e ruajtjes së „paqes së përgjithshme dhe të paqes në Ballkan”.4 Do theksuar se insistimi i Fuqive të Mëdha, për reforma vetëm në këto tre vilajete nga gjashtë të tillë sa ishin në Ballkan, ishte në kundërshtim dhe me nenin 23 të Marrëveshjes së Berlinit (1878), me të cilin parashiheshin reforma të njëjta për të gjitha pjesët e Turqisë Evropiane. Gjithashtu, në këtë kontekst, duhet trajtuar edhe manipulimin e diplomacive të Fuqive të Mëdha evropiane me termin-emërtimin e ri „Maqedoni“ dhe me të ashtuquajturën “çështje maqedonase”. Tani termi “Maqedoni”, pa përcaktim të qartë të shtrirjes gjeografike dhe të kufijve të saj, i imponuar nga propaganda bullgare e ruse, filloj të imponohej edhe si një emërtim i ri me domethënie gjeografike për vilajetin e Selanikut, të Manastirit dhe të Kosovës, përkatësisht për territore të cilat administrativisht bënin pjesë në këto tre vilajete.5 Mirëpo, duket se deri nga fundi i shekullit XIX, emërtimi i ri “Maqedoni” për këto tre vilajete nuk ishte në përdorim zyrtar në aktet diplomatike europiane, të cilat u referoheshin fatit të trevave shtetërore osmane në Ballkan, pas shpërbërjes eventuale të Perandorisë Osmane. Kështu si p.sh. në Konventën e Fshehtë të Budapestit midis perandorit rus dhe atij austro-hungarez, të 17 janarit të vitit 1877; në nenin 23 apo në tekstin integral të Marrëveshjes së Berlinit, të 13 korrikut të vitit 1878; në Marrëveshjen e fshehtë austro-ruse për Ballkanin, të 17 majit të vitit 1897; në Projektin austro-rus të reformave në „Tre Vilajetet“ e Rumelisë, të 21 shkurtit të vitit 1903 etj., fare nuk përmendet termi “Maqedoni”, në asnjë formë. 6
Me që termi-emërtimi „Maqedoni“ dhe e ashtuquajtura “çështje maqedonase” po imponoheshin në mënyrë arbitrare në qarqet diplomatike, pa u marrë në konsideratë realitetet historike dhe etnografike,7 cenonte rëndë edhe tërësinë gjeografike dhe etnike të Shqipërisë, kufiri i së cilës në lindje, sipas literaturës së proveniencës jo shqiptare, përafërsisht zgjatej kështu: Kumanovë-lumi Katllanovë (midi Shkupit dhe Velezit)-mali Mokrino-fshati Barbaras (në lindje të fshatit Brod, sot qyteza Makedonski Brod) – ndërmjet fshatrave Deviç dhe Ropotovë-fshati Sop (në juglindje të Kërçovës, i zhdukur më vitin 1913)-ndërmjet fshatrave Vraneshnicë (Kërçovë) dhe Dolencë (Demirhisar) – Gjavatë (ndërmjet Manastirit dhe Resnjës) dhe vazhdonte përmes Pelisterit.8 Shtrirja gjeografike e „Maqedonisë“ “në kuptimin e saj më të gjerë deri diku përplasej me kufijtë e gjerë të Shqipërisë”, konstaton dhe studiuesi Stevan K. Pavloviq.9 Prandaj dhe termi gjeografik “Maqedoni” jo vetëm që ishte i pa pranueshëm për Stambollin zyrtar, kur dihet se administrata osmane, gjatë gjithë ekzistimit të saj në këto treva, fare nuk njihte termin-emërtim “Maqedoni”,10 por ai ishte i pa pranueshëm me atë domethënie edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, për shkak të motiveve ekspansioniste që promovoheshin me atë emërtim apo nocion ndaj tokave shqiptare, përkatësisht Shqipërisë.11 Lidhja e Pejës, e formuar në janar të vitit 1899, e kishte të qartë se ekzistonte rreziku real që pas zbatimit eventual të reformave të imponuara nga Fuqitë Evropiane vetëm në “Tre Vilajetet” (“Maqedoni”), me një plan tjetër „Maqedonia“ mund të fitonte një status të veçantë dhe kështu do të sanksionohej copëtimi i Shqipërisë, përkatësisht i tokave shqiptare në vilajetet e Kosovës e të Manastirit, prandaj të ashtuquajturën “çështje maqedonase” dhe zgjerimin e “lëvizjes maqedonase” e vlerësonte si të dëmshme për interesat kombëtare të Shqipërisë, ndaj dhe i kundërshtonte.12
Nën trysninë permanente diplomatike të Fuqive të Mëdha, Porta e Lartë shpalli, më 12 dhjetor të vitit 1902, „Udhëzime (instruksione)“ të cilat u dedikoheshin reformave në vilajetet e Rumelisë.13 Por, as me këto reforma nuk u kënaqën apetitet imperialiste të Austro-Hungarisë dhe të Rusisë. Do theksuar se sikundër Austro-Hungarisë dhe Rusisë ashtu dhe Perandoria Osmane në luftën e ndërsjellë të tyre diplomatike rreth të ardhmes së Ballkanit, manipulonin për interesa të tyre politike me “rrezikun shqiptar” si faktor destabilizimi. Nën pretekstin e ndërprerjes së dhunës së shqiptarëve mbi të krishterët, si që shprehimisht thuhej: „duke marrë parasysh se popullata krishtere ka përjetuar padrejtësi dhe keqpërdorime nga ana e shqiptarëve“, nuk pushuan ndërhyrjet e Rusisë dhe të Austro-Hungaria në Stamboll për reforma dhe në këtë kuadër edhe, veç tjerash, për formimin e policisë krishtere në „Tre vilajetet“. Ndërkaq, më 21 shkurt të vitit 1903, Rusia dhe Austro-Hungaria, të mbështetura edhe nga Anglia, Gjermania dhe Franca, i paraqitën Portës së Lartë projektin austro-rus të reformave në „Tre Vilajetet“ e Rumelisë (nuk përmendet nocioni Maqedoni, por „Tre vilajetet“, të cilin projekt, pas disa kundërshtimesh, u detyrua ta pranonte edhe Sulltani.14 Por, ndonëse me insistimin e Fuqive të Mëdha Sulltani e pranoj programin për reforma, ai ishte kategorik në vendimin e tij që të mos lejon që nga tre vilajetet e përmendura të krijohej një „Rumeli Lindore“ e dytë, sepse, siç vlerësohej edhe në qarqe diplomatike, shkëputja e tre vilajeteve do të thoshte „zhdukje të Perandorisë Osmane“.15 Porta për t’i ikur zbatimit të planifikuar dhe të njëkohshëm të „reformave“ në viset shqiptare të vilajeteve të Manastirit dhe të Kosovës, taktizonte me pretekstin se i trembej kundërshtimit spontan dhe të njëzëshëm të shqiptarëve. Nga ana tjetër, me qëllim të përçarjes së shqiptarëve, Porta ndjekte taktikën e procedimit selektiv gradual në zbatimin e reformave administrative në viset shqiptare.16
Etnikumi shqiptar në katër vilajete…
Ndërkaq, për shkak se Projekti austro-rus i reformave, i 21 shkurtit, rrezikonte të sanksionon një copëtim të ri të Shqipërisë, detyroj shqiptarët të ngriheshin kundër zbatimit të këtij projekti.17 Në esencë, kundërshtimi i shqiptarëve ndaj zbatimit të reformave ishte krejt i ligjshëm dhe se bëhej për motive politike e kombëtare, e jo fetare, siç pretendonte ta paraqes para opinionit diplomacia dhe shtypi evropian. Shqiptarët kërkonin reforma të drejta e të arsyeshme që do të zbatoheshin në gjithë Shqipërinë (në katër vilajetet: të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës), përkatësisht në të gjashtë vilajetet osmane në Ballkan. Mbi të gjitha, shqiptarët kërkonin njohjen e kombësisë shqiptare dhe të autonomisë administrative të Shqipërisë.18 Në këtë kuadër, shqiptarët ia tërhiqnin vërejtjen Stambollit, se nëse sulltani edhe më tej toleron realizimin e aspiratave territoriale të sllavëve në Shqipëri, ata do të ngrenë një revolucion të përgjakshëm shqiptar kundër osman.19 Meqë Porta e Lartë nuk i merrte në konsideratë interesat shqiptare, qëndresa e shqiptarëve po përshkallëzohej dhe, gjatë muajve mars-maj të vitit 1903, ajo mori përmasa të qëndresës-kryengritjes së armatosur me epiqendër Sanxhakun e Pejës.20
Ndërkohë, Fuqitë e Mëdha insistonin në jetësimin (implementimin) e reformave, por sipas tyre qëndresa e shqiptarëve kundër reformave ishte një pengesë për zbatimin e tyre. Sipas konsullit anglez në Shkup, z. Fontana, jetësimi i reformave „në veri të Sharrit“ (në Kosovë) mund të arrihet vetëm pas çarmatosjes së shqiptarëve.21 Prandaj, nën këtë pretekst Fuqitë e Mëdha, nga të cilat më kategorike ishte Austro-Hungaria, me anë të demarsheve i kërkonin Portës së Lartë shtypjen e menjëhershme të kryengritjes shqiptare, dhe me forcën e armëve „ti dënoj rreptë shqiptarët“.22
Kështu, Stambolli, nën trysninë e Fuqive Europiane, që në fillim të vitit 1903 dërgoj disa regjimente në Shqipërinë e veriut, për çarmatosjen e shqiptarëve.23 Numri i njësive ushtarake osmane në veri të Sharrit vazhdimisht shtohej. Në maj të vitit 1903, në Prizren, në Gjakovë dhe në Pejë, numri i trupave osmane të dislokuar ishte: 44 batalione, 15 eskadronë dhe 10 bateri, apo 33.000 pushkë, 1.500 shpata dhe 60 topa.24 Vet konsulli austro-hungarez, Kral, në Manastir, aksionin e Stambollit për nënshtrimin ushtarak të Kosovës, e cilësonte si interes rus.25 Në favor të një konstatimi të këtillë të Kralit, ishte dhe fakti se me zhvendosjen e trupave osmane nga trevat në jug të Sharrit dhe dislokimin e tyre në veri të Sharrit, u krijuan favore për veprim të lirshëm të çetave komite bullgare në propagandimin dhe organizimin e kryengritjes.
Intrigat e „Propagandës maqedonase“
Komitetet bullgare strategjinë e tyre të intrigave, do ta konceptojnë në principe formale të taktikës së falsifikimit të fakteve dhe të sajimit të dëshmive për efekte propagandistike. Në këtë kuadër, një veprimtari e këtillë e “Propagandës maqedonase” kryesisht po ndërtohej mbi këto dy postulate: 1. Përqendrimi i veprimtarisë kryesore të komiteteve bullgaro-maqedonase, dhe më pastaj të vatrës së kryengritjes, në Vilajetin e Manastirit; 2. Provokimi, me çdo kusht, i masakrës së myslimanëve mbi të krishterët, me qëllim të nxitjes së ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha.26
Përqendrimi i veprimtarisë kryesore të komiteteve, si dhe i qendrës së kryengritjes, në Vilajetin e Manastirit, motivohej, siç konstatonte baroni Kalice, nga ambicia për përmbushjen e aspiratave imperialiste bullgaro-mëdha për kufij sa më të gjerë të mundshëm për Bullgarinë e ardhshme, në kuadër të së cilës do të duhej të përfshihej edhe Vilajeti i Manastirit. Mirëpo, meqë sllavët në këtë vilajet ishin pakicë dhe përbënin vetëm rreth një të tretën e popullatës, kurse dy e treta ishte plotësisht shqiptare, propaganda revolucionare bullgare u përqendrua mu në këtë vilajet me qëllim që, me anë të intrigave, deri diku në radhët e opinionit shoqëror të krijohet e “drejta legjitime” dhe e “pamohueshme” bullgare mbi këtë territor, të cilën ata në të vërtet nuk e kishin, konstatonte Kalice.27
Ndërkaq, që në fillim të vitit 1903 ishin intensifikuar aksionet subversive të çetave bullgare në „Tre vilajetet“. Çetat komite bullgare, për disa muaj me radhë, ushtronin veprime subversive dhe çfarëdo lloj dhune tjetër ndaj institucioneve shtetërore osmane dhe ndaj popullatës civile të besimit mysliman, që do të ishin në favor të provokimit të “fanatizmin mysliman”. Kështu, bandat rrëmbyen dhe ekzekutuan një numër personash civil të përkatësisë fetare myslimane dhe, thuajse për çdo ditë njoftohej për djegien e fshatrave dhe të lashtave të myslimanëve. Qëllimi parësor i këtyre aksioneve ishte shkaktimi i turbullirave në këto vilajete, dhe kështu duke prishur rendin dhe të qetësinë, të provokonin kundërmasa energjike represive të pushtetit osman, por dhe masakra të myslimanëve, mbi popullatën civile të krishterë. Por, ndonëse këto akte dhune të çetave komite kanë indinjuar shumë popullatën, fal përpjekjes së autoriteteve osmane popullata e besimit mysliman po vetëpërmbahej nga ndonjë kundër përgjigje.28
Në sanxhakun e Manastirit aksionet terroriste të komiteteve bullgare edhe kundër popullatës civile shqiptare dhe pronave të tyre, vazhduan edhe gjatë shtatë muajve të parë të vitit 1903. Numri më i madh nga ato aksione ishin ndërmarrë në kazanë e Përlepes (Prilepit), ku numri i shqiptarëve, i turqve dhe i bullgarëve thuajse ishte i barabartë.29 Kështu, për shembull vetëm gjatë dy javëve të para të muajit mars të vitit 1903, nga ana e bandave komite ishin likuiduar në mënyrë mizore mbi gjashtë (6) veta në këtë sanxhak: Një grup komitësh në krye me një far Gjorgje, në një çiflig, në rrethin e Përlepes, në kapërcyell të muajit shkurt 1903 e masakruan Sejfedin Bahtijar beun, çifligsajbi, fillimisht ia nxorën sytë pastaj e varën dhe në fund ia prenë kokën;30 në fshatin Birino komitët e vranë një person me emrin Rasim, më 4 mars 1903; në fshatin Belicë (nahia e Poreçes) ata e vranë Veselin, po më 4 mars; në fshatin Mogillë (të Manastirit) e vranë Riza beun, më 6 mars; më 8 mars vranë Ismailin nga Obedniku i Denir Hisarit,31 në fshatin Crnilishtë komitët vranë „poljakun“ (rojtar i vreshtave dhe i arave) , më 16 mars,32 ngase “poljakët” muhamedan ishin pengesë për lëvizjen e lirë të komitëve.33
Mirëpo, bandat komite, jo vetëm që terrorizonin popullatën e besimit mysliman, ata njëkohësisht iu bien në qafë edhe popullatës së besimit ortodoks.34 Në „Udhëzimin sekret për çetat partizane bullgare“ çetat porositeshin: „Gjithashtu të krishterë të dëmshëm dhe të pa dobishëm duhet vrarë, dhe sipas rrethanave faji mund t`iu ngarkohet ushtarëve, administratorëve të pronarëve (qehave), sipërmarrësve të të dhjetave dhe bejlerëve. Dy veta prej fshati duhet të jenë në gjendje që të dëshmojnë përpara gjyqit në mënyrë ligjore, gjë që duhet të ndodhë me bindje e siguri të plotë.“35 Kështu dhe vepronin çetat komite bullgare. Popullata krishtere i nënshtrohej hakmarrjes së bandave komite “për tradhti kundër komitetit”, sa herë që ua dorëzonte armët autoriteteve osmane gjatë ekspeditave të çarmatosjes,36 dhe në raste të tilla popullata krishtere më shumë e pësonte nga hakmarrja e bandave se sa nga ekspeditat osmane. Apo, në rastet kur bandat bullgare ziheshin në befasi me ndihmën e informatorëve të pushtetit, pasonte hakmarrja e tyre ndaj vetë popullatës civile. Prandaj dhe Kral, konsull austro-hungarez në Manastir, lidhur me këtë konstatonte: „Krimet hakmarrëse të komitetit përbëjnë gjithnjë një përqindje të rëndësishme të veprimeve të përgjakshme që ndodhin përgjithësisht në vilajet“ të Manastirit.37 Kurse, konsulli rus në Manastir, përafërsisht para vdekjes kishte deklaruar: „Se popullata ka vuajtur më shumë nga krimet e komitëve, se sa nga myslimanizmi fanatik.“38
Mirëpo, shpesh herë Propaganda bullgare aktet terroriste të bandave të saja ndaj popullatë krishtere, përpiqej të ua përshkruajë (faturoj) shqiptarëve, si që ishte rasti me sulmin e një bande komite ndaj një familje në fshatin Llasce të rrethit të Tetovës. Me këto trillime, Propaganda bullgare synonte që nëpërmjet etiketimit të shqiptarëve si “element anarkist”, të arrihej denigrimi i kauzës shqiptare.39
Ndërkohë, që në dhjetor të vitit 1902 dhe në vazhdim, Propaganda bullgare (bullgaro-maqedonase) intensifikoi në opinion fushatën e akuzave ndaj institucioneve osmane dhe shqiptarëve, se gjoja këta po ushtronin dhunë ndaj popullatës së krishterë në vilajetet e Manastirit dhe të Kosovës, për çka vazhdimisht ajo u ankohej përfaqësueseve diplomatik të Fuqive të Mëdha Europiane.40 Ndonëse asokohe popullata civile sllave e disa zonave, siç ishte rasti me popullatën e zonës së nahijes së Poreçes, kazaja e Kërçovës, me leje të sulltanit ishte armatosur me pushkë gjoja “për vetëmbrojtje”.41 Kjo fushatë do të intensifikohet dhe më shumë pas vendimit për kryengritje, që u morë nga ana Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase dhe Edrenase (Edrenase= nënkuptohej rajoni i Edrenesë, të cilin bullgarët e quanin „Odrin“), në Kongresin e Selanikut, 2-4 janar 1903.42 Për të arritur efektet propagandistike, bandat komite bullgare i detyronin banorët e krishterë të fshatrave në vilajetin e Manastirit; burra, gra dhe fëmijë, qoftë duke i bindur qoftë duke i detyruar me forcë, që të ankohen së pari te konsujt dhe pastaj te valiu, në Manastir, lidhur me „ekseset dhe krimin” e detashmenteve ushtarake osmane gjoja që po ushtronin mbi to, duke kërkuar njëherazi dhe largimin e „redifeve shqiptare“ (rezervistëve), nga qytetet. Fshatarët (e krishterë) kështu dhe vepronin, ata nga të gjitha anët shkonin në Manastir për t’u ankuar tek konsujt dhe valiu për „ekseset dhe krimet„ e ushtarëve osman.43
Ndërkaq, diplomatët e Fuqive të Mëdha Europiane, në Perandorinë Osmane; austriak, rus, britanikë, francezë etj., në vazhdimësi i njoftonin qendrat e tyre për ankesat e popullatës krishtere për dhunën gjoja që ushtronin institucionet osmane dhe, bashkë me këta, edhe “bashibozukët” dhe shqiptarët mbi këtë popullatë. Në raportet e tyre, diplomatët e Fuqive të Mëdha vlerësonin se „redifet shqiptare“, paraqisnin rrezik për rendin.44 Nën pretekstin se popullata krishtere është e rrezikuar, diplomatët e huaj ushtronin presion mbi autoritetet osmane që të mbrojnë këtë popullatë. Ata i kërkonin Portës së Lartë që të ndalonte “keqpërdorimet” aktuale të vërteta, si dhe t’i zgjidh ankesat e popullatës krishtere në “Tre vilajetet”.45
Mirëpo, ndërkohë edhe për diplomatët e huaj intrigat e propagandës bullgare veç më u demaskuan dhe ishin të qarta. Për baronin Kalice, arsyet përse ankesat e popullatës krishtere ndaj “keqtrajtimeve” janë më të shumta mu në vilajetin e Manastirit, qëndronin në faktin se komitetet bullgare veprimtarinë kryesore e kanë përqendruar pikërisht në këtë vilajet dhe aksioni çetnik këtu ishte më i fuqishëm. Në këtë kuadër, edhe ankesat e popullatës krishtere ishin parullë të komiteteve dhe ishin pjesë përbërëse e veprimtarisë së tyre agjenturore.46 Në një raport drejtuar Golluhovskit, Kalice konstatonte se shënimet e konsullit Kral lidhur me dhunën osmane mbi të krishterët „janë tepër të stërmadhuara“.47 Ndërkaq, konsulli i përgjithshëm britanik në Selanik, në raportin drejtuar ambasadorit britanik në Stamboll, 18.o4.1902, ia përcjell, veç tjerash, edhe përshtypjet e një anglezi i cili ia kishte rrëfyer pasi qe kthyer nga Manastiri, me ç’rast ai shprehimisht kishte thënë: „Unë u mundova të hetoj për të vërtetën rreth tregimeve që përhapen për dhunën turke, të paraqitura në gazetën „Neue Feie Presse“. Tërë ditën e kalova duke i dëgjuar të dy palët dhe në fund përfundova se nuk mundet të gjendet asnjë dëshmi për maltretimet të bëra nga ana e turqve“.48 Gjithashtu, edhe ambasadori anglez dhe ai francez, në Stamboll, dyshonin në saktësinë e informatave që i merrnin nga “Tre vilajetet” (“Maqedonia”), për shkakun se ata gjithherë vinin nga burime bullgare.49
( VIJON… )
============================
PJESA E DYTË:
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=1802