HAZIR MEHMETI: RRUGËTIMI I ABETARES NË AUSTRI

Vjenë, 27. 09. 2016: Rrugëtimi 5 vjeçar i abetares (A-B-C Fibel) së parë shqipe në Austri. Tekst mësimor i standardeve bashkëkohore krahas gjuhëve tjera amtare në Austri. I vetmi tekst shqip në katalogun e teksteve mësimore falas për nxënësit shqiptarë.
Nga interesimi i shumë kolegëve nga vende në dy seminaret e fundit po japim informata dhe udhëzime didaktike. Teksti porositet vetëm tek Weber E. Verlag përmes internetit nga të gjitha vendet
Në projektin “Alfabetizimi” në Austri disa vite më parë krahas gjuhëve tjera hyri dhe abetarja për gjuhën shqipe si gjuhë e tretë e të ardhurve. Kjo rrodhi falë botimit të materialeve mësimore në faqen elektronike dhe prezantimit të tyre me sukses në seminaret e rregullta për mësuesit e 25 gjuhëve amtare në Austri. Hapja paraprake e punëtorisë (Workshoop) për gjuhën shqipe, në seminar për herë të parë u krijua mundësia e kontakteve me autorë, botues dhe përkrahësit e botimit.
Hartimi vazhdoi paralel në tri gjuhë nga autor mësues me punë drejtpërdrejtë në mësimin e gjuhës amtare për disa vite derisa u arritën standardet e caktuara sipas kërkesave ligjore, didaktike e metodike. Nga vlerësimi i tri komisioneve ABC-Fibel –abetarja në shqip merr notë shumë të mirë dhe pranohet si tekst i përshtatshëm nga Ministria e Mësimit të Austrisë. Botuesi i njohur i teksteve mësimore Weber E. Verlag e boton krahas atyre në gjuhën turke e bks dhe tani është i vetmi tekst mësimor në gjuhën shqipe në katalogun e teksteve mësimore për fillore në Austri. U prezantua në seminaret për gjuhë amtare në disa qytete në Austri:Vjenë, Graz, St.Pölten, ku zgjoi interesim tek mësuesit e gjuhëve amtare.si dhe në seminaret në Ulqin, Kallaba e së fundi në seminarin e Shkodrës.

Abetarja shqip në Austri ka përparësi të shumta për alfabetimin në shqip të lidhur me atë në gjuhën e shkollës, apo alfabetizimi dygjuhësor siç quhet ndryshe. Një nga standardet e shkrimit të tekstit për ciklin e ulët janë shkronjat nga tipi i shkrimit “shkrim shkolle” (Schulschrifft) ku ato dallohen mirë për moshën e fëmijës. Figurat e mëdha me ngjyra e madhësi të kapshme për syrin e nxënësit fillestar të cilat mundësojnë pasurimin e thesarit gjuhësor në shqip në gjuhën e shkollës.
Secila shkronjë ka tri faqe: Faqja e parë fillon me metodikën teknike të shkrimit të shkronjës e cila gjendët në fillim të emrit të figurës përkatëse. Teknika e paraqitur me shigjeta sipas radhës me numra e lehtëson shumë shkrimin nga ana e nxënësit. Ushtrimi vazhdon me tërheqjen e vijave në hijezimin e shkronjës përkatëse e pastaj me shkrimin e pavarur të saj. Kjo metodë është e njëjtë edhe në gjuhën e shkollës dhe disa gjuhë tjera me alfabetin latin.
Ky është hapi i parë, respektivisht, stacioni i parë i të mësuarit të shkronjës. Në disa abetare kjo mungon dhe fillohet me tekstin për lexim sikur nxënësi ta ketë mësuar diku më parë, kur dihet se alfabetizimi, pra zhvillimi i një shkronje bëhet në klasën e parë. A-B-C Fibel (abetarja) e ndihmon shkrimin dhe kuptimin e shkronjës, tingullit përkatës paralel në të dy gjuhët, veçan kur është koordinimi i mirë me mësuesen e klasës. Kjo u tregua në praktikën e deritashme në punën time si autor dhe mësues. Askush nuk i vëren më saktë përparësitë dhe të metat e tekstit se sa vet mësuesi.
Vijëzimet e sakta për shkrim të germave e shtojnë efektin dhe sigurinë e fëmijës gjatë teknikes së shkrimit. Në secilën shkronjë përsëritet alfabeti me radhën e shkronjës e ngjyrosur që mësohet për dallim nga të tjerat. Teksti i lehtë fillestar prej disa fjalëve gradualisht do shtohet në shumë fjali sipas shkronjave të mësuar. Fjalët janë të lidhura me figura që e lehtësojnë mësimin.
Në faqen e dytë, secila figurë ka nën te tre rrathë në të cilët nxënësi do gjen tingullin që i përgjigjet shkronjës së mësuar: në fillim, në mes dhe në fund. Nxënësi e thotë me zë të qartë emrin e figurës e pastaj në njërin nga rrathët e shënon me një plus në rrethin përkatës. Në pjesën e dytë të tekstit kur janë mësuar shumica e shkronjave, shkruhet emri i figurës pa shkronjën që mësohet të cilën do e shkruan nxënësi dhe do ta lexon emrin e saj. Mësimi i emrave të figurave në grup nxënësish mund të bëhet në formë loje: Cili di më shumë, shëno e fito! Kjo e nxitë kureshtjen e fëmijëve. Faqja e dytë, po ashtu, paraqet “stacionin” tjetër, ku nxënësve mund t’u jepen figurat e nxjerra nga teksti në formë “loje letrash”. Përgatitjen paraprake e bënë mësuesi/ja. Faqja me figura skanohet, sipas dëshirës mund të zmadhohen për gjysmë (50%) në skenar, shtypen dhe prehen me radhë, dhe në folimin në aparatin përkatës, do kemi figurat shumë të bukura të prera në masën e caktuar nga mësuesja. Kjo e shton interesimin pasi nxënësi i prek ato, krijon kontaktin e nxënësit me figurat dhe shkronjat. Abetarja –ABC Fibel e mundëson këtë pa pasur nevojë mësuesja të humbë kohë kërkimi në internet. Pra kemi pasurim elementesh në abetare të cilat nuk i kemi pasur gjerë me tani, alfabetit vertikal, leximin vertikal të fjalëve dhe emrave të figurave përkatëse nuk e kanë abetaret /Fibel/ në gjuhët tjera dhe kjo është vlerësuar në disa seminare në Austri si abetare më e kompletuar, më e përshtatshme për alfabetimin dygjuhësor.
Faqja e tretë e shkronjës përkatëse është më e pasur me tekst leximi të shoqëruara me figura dhe vizatime. Pasi të lexohet teksti mund të ushtrohet të shkruarit në hapësirat e vijëzuara. Të lexuarit e përcjell me përshkrim e shton aftësinë e të kuptuarit logjike dhe lidhmërinë me ato që nxënësi ka mësuar në gjuhën e shkollës. Elemente argëtimi ka në secilën shkronjë, me çka nxënësi ka mundësi relaksimi e freskimi.
Në Austri shkrimi në fillim është i shtypit, pa zgjatime të panevojshme ku theksi bie në lexim dhe në metodologjinë e shkrimit e të kuptuarit. Bukurshkrimi nuk mësohet në klasën e parë as në semestrin e parë të klasës së dytë, ai fillon të mësohet tek në semestrin e dytë të klasës së dytë apo në klasën e tretë (gjermanisht –lateinisch). Kjo formë i përgjigjet shumë mirë dhe mësimit në shqip pasi shkronjat i kemi nga tipi i njëjtë i shkrimit. Ngjashëm është edhe në Suedi, sipas temës “Alfabetizimi në gjuhën amtare” nga mësuesja me përvojë atje, Fatmire Ismaili. Pra, mbi këto baza janë hartuar në të tri gjuhë Fibel –Abetare, mes tyre dhe ajo në shqip. Të gjithë ata mësues që kanë mbaruar mësuesi për ciklin e ulët e kanë të qartë se çfarë do thonë alfabetimi (alfabetizimi), si e kur bëhet dhe rëndësinë e tij. Ata mësues që kanë mbaruar dhe shkollime superiore e që nuk janë të pakët në diasporë, nuk e kuptojnë sa e si duhet këtë, nuk e njohin teknikën e shkrimit dhe nuk i dallojnë elemente parimore didaktike për klasat e ulëta. Seminaret e obliguara janë të mirëseardhura në përcjelljen e ndryshimeve të formave didaktike e metodike në përputhje me teknologjinë e kohës. Mësuesit në Austri e kanë këtë mundësi. Abetarja e “përbashkët” e proklamuar më shumë nga politika se sa nga praktika, nuk ka elemente fillestare praktike për zhvillimin e një shkronje. Ajo më shumë është tekst leximi se sa abetare për alfabetizim, andaj mësuesit i duhet përgatitje e materialeve të shumta shtesë, sa i ka kushtet mësuesi tek ne, dihet. Nëse për vendlindjen, ku mësohet vazhdimisht vetëm shqip, deri diku, mund disi të gjendet mësuesja, për mërgatë ku nxënësi mëson një orë ose dy orë fare pak do ndihmon. E them nga praktika ime shumëvjeçare me disa abetare dhe është fat i mirë që zgjedhjen e tekstit nga plan programi i klasës e bënë mësuesja sipas rrethanave vendore.
Si përfundim: Abetarja-ABC- Fibel në Austri ishte pjesë e projektit të mbikëqyrur nga ekspert e arrirë falë aktivitetit në hartimin për disa vite të materialeve mësimore të autorit, për çka është krenari të kemi një tekst të tillë paralel me gjuhët tjera amtare në Austri.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura