Vjenë, 12. 09. 2014: Berati qytet i fisit ilir dasaret që nga shekulli i shtatë para Krishtit N.Mustafa: “Pa dyshim kurora e shenjtërisë së shkollës shqipe është shkolla shqipe në diasporë…” F.Nasufi:” “…është shumë privilegje për ne që t’u kemi në Berat.” E.Koleci:” Të lexuarit është një nga detyrat parësore të arsimit…”
Qyteti mbamendës shekullor ishte nikoqir i seminarit të dhjetë shënues të mësuesve/ve mërgimtarë/e nga i gjithë globi. Këtu kudo që shkel këmba e njeriut ke diçka përkujtuese epokash e kohësh të jetës qytetëruese të shtresuara në mure e themele. U ngrit, u rrënua, dhe mbi te ngritje kohe me gjurmë nga pushtimet herë nga lindja, herë nga perëndimi.
Seminari u organizua nga të dy ministritë e arsimit të dy vendeve, Shqipërisë e Kosovës. Përfaqësuesit e tyre znj.Rozalba Merdani dhe z.Nuhi Gashi ishin bartësit e realizimit të konceptit dhe programit të punës. Morën pjesë mësues nga shumë vende ku zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe. Kishte përfaqësues nga të dy ministritë e arsimit dhe M e D, mes tyre ishte z.Nehat Mustafa, Zv.ministër i Arsimit të Kosovës, Bexhet Arbana, nga MA e Shqipërisë. Z.Ymer Avdiu, Drejtor në Ministrinë e Diasporës; Selman Hodaj, Drejtor i Arsimit të Beratit etj.
Në Pallatin e Kulturës seminari u hap me programin artistik të organizuar enkas për seminaristët nga Liceu Artistik “Ajet Gjindole” i qytetit të Beratit në kujdesjen e drejtorit Prof.Adrian Hoxhaj. Orkestra e Liceut nën dirigjimin e Fatbardh Dervishit përcolli me mjeshtri disa këngë beratase dhe këngën simbolike e të dashur “Mësuesi im i parë” i kënduar nga Dhimitër Dushi me zërin e tij të mrekullueshëm. Zamira Gjini, drejtore në Ministri të Arsimit dhe Sporteve të Shqipërisë mes tjerash tha: ”Ky vit për Shqipërinë është vit vendimtar në reformat arsimore duke përfshirë atë para universitar… Vendet tona realizuan në qershor një marrëveshje historike – unifikimin e kurrikulave mes dy vendeve tona… Faleminderit që kontribuoni në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe vetëdijes kombëtare. Tani më është krijuar një traditë që pasurohet vit pas viti në saje të punës tuaj me profesionalizëm”
Blerta Avdiu
Azem Guri, përfaqësues i MASHT së Kosovës në përshëndetjen e seminaristëve në emër të Ministrit z.Ramë Buja, mes tjerash tha: ”Diaspora e jonë me punën e saj po përpiqet të mbaj gjallë edukimin e brezave në frymën kombëtare, prandaj të dy ministritë tona po koordinojnë punët e tyre në hartimin e planeve dhe programeve të përafërta karshi vendeve të Bashkimit Evropian… Seminari i mësuesve në diasporë i organizuar në Beratin e bukur e historik është një thesar i kombit tonë dhe ka një rëndësi për mbajtjen e qenies kombëtar si dhe për lehtësimin e punës suaj që po bënë në vende të ndryshme…Ne si qeveri e ministri duhet të bëjmë më shumë për fëmijët tanë në diasporë. Të dashur mësues! Takimi me ju na kujton rrugëtimin dhe fatin e shkollës shqipe që nga shkolla e parë shqipe e Korçës dhe rritja e saj deri në ditët tona…Ju të dashur vëllezër e motra na keni mbështetur në ditët më të vështira materialisht e moralisht për ta përballur shtypjen e gjenocidin e paparë serbosllav dhe për ta mbajtur gjallë frymën e shkollës shqipe. Ju jeni ata që gjithandej Evropës po i përhapni shkëndijat e gjuhës shqipe dhe çdo herë do të jemi krah e dorë si ministri dhe si qeveri në përkrahje të kërkesave të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë..”
Vallja beratase – Liceu Artistik “Ajet Gjindole”.
Z.Fadil Nasufi, kryetari i Bashkisë së Beratit duke përshëndetur të pranishmit në emër të nikoqirit mes tjerash shtoi: ” Pa dyshim është shumë privilegje për ne që t’u kemi në Berat dhe veç vlerës programore të seminarit ju do njiheni me Beratin dhe do jeni promotor të turizmit, njohjes së qyteteve të vendlindjes. Berati daton si vendbanim shtatë shekuj para lindjes së Krishtit si qytet ilir i fisit dasaret. Berati u pushtua nga disa pushtues duke i dhënë secili emra të veçantë deri tek pushtimi bullgar të cilit i jepet që mban edhe sot. Në shekullin e pesëmbëdhjetë Berati u shndërrua në Principatë e udhëhequr prej muzakajve.
Në seancën e kryesuar nga z,Bexhet Arbana dhe z.Nuhi Gashi mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në një ambient përvëlues u paraqitën me kumtesat e tyre disa ligjërues nga fushat e ndryshme socio-gjuhësore. Erida Koleci (IZHA): “Zhvillimi i të lexuarit në gjuhën shqipe” Citat: “Fëmijët që lexojnë janë të shoqërueshëm, ndihen të sigurt dhe marrin pjesë në diskutime. Është e kundërta me fëmijët që nuk lexojnë. Të lexuarit është një nga detyrat parësore të arsimit dhe i shoqëron fëmijët gjatë gjithë arsimit dhe do thosha gjatë gjithë jetës” .Liri Qoshi (IZHA): Ndërtimi i këndit historik të familjes” Një temë interesante rreth origjinës farefisnore, por me “një gjuhë të nivelit të lartë dhe jo adekuate për nivelin e auditorit” siç u cilësua nga moderatori i seancës. Blerta Avdiu (Tr): “Njohja e trashëgimisë përmes lojërave” Arian Melonashi, Abdurrahim Ashiku: Film nga mësimi i zhvilluar në dy ishuj të Greqisë në kushte specifike nga mësuesja “Vera – mësuesja e dy ishujve”.Dr.Gerti Janaqi, drejtor IZHA: “Unifikimi i kurrikulave të arsimit parauniversitar mes Shqipërisë dhe Kosovës”. Ragip Gjoshi (Prishtinë) “Gjuha shqipe në plan programet shkollore në Kosovë”. Arian Melonshi me kamerën e tij tani është bërë syri i shumë aktiviteteve kulturore dhe të mësuesve në disa shtete. Kemajl Çollaku: “Dokumentar-Ekskursioni mësimor”. Rifat Hamiti:”Mësimi si lojë-loja me zare”; “Efektet e lojës janë të gjithanshme dhe mund të zbatohet në përforcim, shtjellim dhe në të gjitha nivelet mësimore”. Flutura Tafilaku,, mësuese nga Greqia paraqiti temën “Mësimdhënia…”; Driton Kajtazi , bashkëthemelues dhe drejtor i ISEAL-it në Lozanë, mbajti kumtesën: “Përkthimi dhe komunikimet… Me kumtesë u paraqitë Ina Arapi nga Vjena, Fatmira Xhemajli (Tiranë), Yllka Spahiu (Tiranë), Albana Tahiri (Tiranë), Kristina Gjokaj (Tiranë). U promovuan tri monografi: “Shkolla Shqipe e Selanikut ” nga Abdurrahim Ashiku, “Shqiptarët e Zvicrës 1001 pamje” nga gazetari i njohur Rexhep Rifati dhe “Mësimi shqip në Austri” nga Hazir Mehmeti Nehat Mustafa, zv.minister në MASHT të Kosovës mbajti fjalën përmbyllëse të seminarit. ”Ne do jemi të gatshëm të ndihmojmë mësuesit në diasporë me ato materiale që kemi. Ky seminar do të ndryshon nga ritmi i njëjte dhjetëvjeçar dhe kjo varet nga mendimi juaj në debatin e hapët që herët përmes postës elektronike…Pa dyshim kurora e shenjtërisë së shkollës shqipe është shkolla shqipe në diasporë…Ju përgëzoj për punën e juaj që bëni”.
Vizitë në Muzeun Etnografik në Berat.
Vizitat – Seminaristët vizituan ekspozitën e pikturave në qendrën kulturore, qytetin e vjetër dhe kalanë e lashtë me ndërtesat e saj shekullore, objekte kulti, muzeun etnografik i pasur me shumë materiale që nga shekulli i katër Para Krishtit.
Berati- Qytet i fisit ilir dasaret që nga shekulli i shtatë para Krishtit.. Përjetoj pushtime duke lënë gjurmë shekullore tri perandori: romake, bizantine dhe otomane. U pushtua kohë pas kohe edhe nga sllavët dhe grekët. Në Berat janë të shprehura disa religjione: islame, bektashi, katolike, ortodokse dhe sekti rufai. Veprat e kultit fetar, ndërtesat e banimit dhe vepra tjera të artit e bëjnë Beratin një margaritar kulture me vlera botërore. Janë ruajtur dy ungjijtë më të vjetër të krishterimit, Ungjilli Mateo dhe Ungjilli i Shën Palit, që janë vetëm pesë të tilla në gjithë botën. Epitafi i Gllavenicës i vitit 1373, një vepër e famshme e artit mesjetar. Sabatai Zevi hebre i cili në Stamboll mes vjetëve 1640-50 e shpall veten Messi me ndikim tek gjithë hebrenjtë besohet se ka qëndruar në Berat. Gjatë Luftës së Dytë Botërore familjet beratase strehuan hebrenj në mbrojtje nga nazizmi.