NDAHET NGA JETA AKADEMIKJA E PARË SHQIPTARE ANDROMAQI GJERGJI

Pashtriku.org, 09. 07. 2015 – Mbrëmë në moshën 87 vjeçare ndahet nga jeta, Andromaqi Gjergji, Etnologe e shquar, profesore dhe e para Akademike shqiptare. Andromaqi Gjergji lindi në Korçë më 20 maj 1928. Pasi e kreu shkollën fillore dhe atë të mesmen (me rezultate të larta) nisi studimet në fushën e Etnologjisë ose kulturës popullore. Në vitin 1982 mori titullin “Doktore e Shkencave”. Rezultatet e kërkimeve të gjata shkencore në terren i ka pasqyruar në një varg artikujsh dhe në veprën përgjithësuese: “Veshjet shqiptare në shekuj”.
Një numër studimesh të saj i kushtohen mënyrës së jetesës, kushteve materiale të jetës familjare e shoqërore, sidomos në fshat, duke trajtuar edhe disa mbijetoja të hershme. Një pjesë e tyre është përmbledhur në vëllimin: “Mënyra e jetesës në shekujt XIII-XX” (Tiranë, 2002). Është bashkautore në veprat: “Histori e artit shqiptar” (1990), “Veshje Popullore Shqiptare – Albanian Popular Costumes” (vëll. I, 1999; vëll. III, 2005), “Albania a Patrimony of Europian Values” (2000), si dhe në tekstet mësimore: “Historia e artit shqiptar” (1990), “Veshje popullore” (1989) dhe “Ligjërata për etnologjinë shqiptare” (2001, ribotim 2005).

Akademikja Andromaqi Gjergji (20 maj 1928 – 8 korrik 2015)

Akademikja dhe studiuesja Andromaqi Gjergji është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i qytetit të Korçës” me motivacionin: “Shkencëtares korçare, anëtares së parë femër të Akademisë së Shkencave për kontributin e paçmuar në fushën e etnografisë dhe artit popullor, duke u bërë pjesë e etnografisë europiane dhe botërore”.
Andromaqi Gjergji është e para grua anëtare e Akademise se Shkencave te Shqiperise dhe një studiuese e rrallë në fushën e veshjeve popullore shqiptare. Me veprat studimore të saj, ajo i ka lënë vendit një pasuri të çmuar në fushën e etnologjisë shqiptare. Andromaqi Gjergji ka dhënë ndihmesë me vlerë edhe në fushën e muzeologjisë. Është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”. Ndarja e saj nga jeta është një humbje e madhe njerëzore dhe shkencore.

***

PROF.DR.ANDROMAQI GJERGJI: KULTURA TRADICIONALE NË SHQIPËRI
https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=3928

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura