Vjenë, 30. 08. 2016: …synohet hapje horizontesh përfshirëse të nxënësve shqiptarë, metodologjinë bashkëkohore mësimore, kurrikulën unike, standardet e mësuesit, financimin, furnizimi me tekste mësimore. A.Bajrami: …mësimdhënësit tanë janë patriot të vërtetë të kohës moderne”.
Katër ditët e fillimgushtit të ngrohtë të këtij viti u pasuruan në kalendarin e Mësimit Shqip në Diasporë me seminarin e 12-të në vendlindje Morën pjesë rreth 160 mësues nga gjithë kontinenti. Organizimi u bë nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, MA e Kosovës dhe Bashkia e Shkodrës. Seminari u mbajt në lokalet e UN – “Luigj Gurakuqi”, ku përshëndetën me fjalë rasti ministrat Lindita Nikolla, Arsim Bajrami e Valon Murati. Në emër të Bashkisë së Shkodrës përshëndeti, kryetarja Voltana Ademi: “ Jemi krenar që Seminari organizohet në Shkodër dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Shkodrës ju dëshiroj mirëseardhje”. Seminarin simbolikisht deklaroi të hapur mësuesja nga Suedia, Fatmire Ismaili. Programi i seminarit nisi nga nxënësit shkodran të cilët u paraqitën me këngë të kënduara me mjeshtri e shije që do ngelin në përjetim të gjatë. Ministrat në fjalime u zotuan në emër të dikastereve të tyre, se do përkrahin mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Nga ana e tyre mësueset/it shtruan shumë probleme për zgjidhje si: financimin e mësuesve, përmirësimi i kushteve të mësimdhënies, dërgimi me kohë i teksteve e mjeteve mësimore etj.
Lindita Nikolla:”Ne do përqendrohemi në mbështetjen më të gjithanshme e cilësore të Mësimit Plotësues në diasporë. U jemi mirënjohës të gjithë mësuesve në mërgatë për punën madhore që bëjnë.” Nga Ulqini përshëndeti Nazif Cungu, Drejtues i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Ulqinit: “Ne, sa i përket shkollimit, sytë i kemi nga Shqipëria e Kosova, kurse nga mësuesit e diasporës kërkojmë tërheqjen e sa më shumë nxënësve mërgimtarë në mësimin e gjuhës shqipe”. Arsim Bajrami, mes tjerash tha: “Është kënaqësi e veçantë që sot po vazhdojmë traditën e shkëlqyer të seminareve të mësimit plotësues në diasporë, një ngjarje e rëndësishme arsimore e kulturore. Ky është seminari i dymbëdhjetë dhe kemi mundësi sado pak t’i kultivojmë mësimdhënësit tanë, të cilët janë patriot të vërtetë të kohës moderne, sepse ata po mbajnë gjallë frymën e mësimit shqip kudo që ka shqiptar, dhe pa dyshim diaspora ka luajtur një rol të rëndësishëm në emancipimin kulturor të shqiptarëve Ne po përpiqemi të ndërtojmë një politikë kombëtare dhe një standard unik të mësimit në diasporë, të ndërtojmë kurrikulë çfarë tani e kemi, të punojmë me standarde unike në përgatitjen e mësimdhënësve për diasporë, të promovojmë metodologjitë më të reja.” Seminari u drejtua nga Nuhi Gashi, Shqipe Gashi, Anila Ferizaj, Zamira Gjini, Enida Kume, Erida Koleci, Kadri Ymeri, Arbër Salihu. Tema e referuesit Gerti Janaqi “Kurrikula e unifikuar…” zgjoi interesim tek mësuesit të cilët diskutuan dhe bënë vërejtje të shumta lidhur me ecurinë e hartimit dhe prurjes së “Draftkurrikulës” për plotësime eventuale nga mësuesit në seminar. Zyrtarët qeveritar mospjesëmarrjen në hartimin e draftkurrikulës nga mësues me përvojë nga vende të ndryshme e arsyetuan me profesionalizmin e komisionit përkatës i cili e sjell atë për diskutim e pastaj plotësimet deri në aprovimin e tij. Nga shumica e diskutuesve u paralajmërua dështimi zbatues i Kurrikulës e cila nuk merr parasysh rrethanat specifike të zhvillimit të mësimit amtar në secili vend veç e veç. Pa ndonjë konkluzë konkret vetëm në formalitet u përfundua ky diskutim aq me vlera për nesër. Nga Agim Berdynaj erdhi tema: “Standardet e mesësit në diasporë” e cila u përcoll me vëmendje nga të pranishmit. Koha për pyetje e diskutime rreth kësaj teme, po ashtu kyçe për mësueset/it ishte e kufizuar.
Nuhi Gashi doli me kumtesën “Profili i një krijuesi poliedrit, Prof.DrDr. Basil Schader” duke prezantuar një pjesë të punës madhore të Prof.Schadrit, një metodist autor librash i njohur në kontinent në theks mësimi i gjuhës amtare. Prof.DDr. Basil Schader dhe Nexhat Maloku nga Zvicra prezantuan 6 tekstet doracak me udhëzime për mësuesit e gjuhëve amtare në Europë, mes tyre edhe për mësuesit shqiptarë në gjuhën shqipe. Tekstet u shpërndanë falas për të gjithë seminaristet. Ato u hartuan nga metodistë mësimi e pedagog të njohur në kontinent. Tema tjetër e paraqitjes nga Prof.Basil Schader ishte nga përvoja praktike e mësuesve nga disa vende, me theks mësimi dygjuhësor përmes sekuencave filmike. Ishte kjo temë e nxjerr nga koncepti përmbajtjesor i teksteve mësimore për diasporën tani në shfrytëzim nga shumica e mësuesve/eve. Nga Finlanda mësuesi Ragip Kçiku me grupin e tij prezantuan “Libër elektronik..” i cili tregon shtytjet në forma të reja të mësimit përmes elektronikës, një shembull edhe për vende tjera. Filmi dokumentar “Shqiptarët në Suedi” nga Murat Koci dhe Arian Melonashi u prit me emocione të veçanta nga seminaristet. Gazetari i njohur Abdurrahim Ashiku u paraqit me “15 vjet shkollë shqipe në Greqi”. Prof.Dr.Musa Kraja ofroj monografinë Social-Pedagogjike “Mësues e krijues në diasporë…”. Ishte kjo një monografi e veçantë e cila u prezantua vetëm pak minuta. Kumtesat nga përvoja e mësuesve prej vetëm dhjetë minuta ishin formalitet rasti sa për faqet dekorimi me emra të mësuesve mërgimtarë në agjentë, në vend që të jetë e kundërta. Shkarravitja e agjentes programore nga ndërhyrjet anësore dhanë shije të keqe, për çka organizatorët do duhej të nxjerrin mësim.
Kumtesat, ndërrim përvojash u prezantuan për vetëm disa minuta nga: Gerti Janaqi, Anila Ferizaj, Raif Mehmeti, Feime Llapashtica, Mimoza Bejkollari, Harun Osmani, Iris Gjinofci, Luli Imeri, Isni Idrizi, Etleva Mançe, Rifat Hamiti, Osman Ademi, Aurela Konduri, Erida Koleci Hazir Mehmeti, Blerta Avdia, Besnik Rama, Merita Ymeri,, Dinore Loshi, , Ruzhdi Jata, Kristina Gega, Lutfi Vata, Nexhmije Mehmetaj, Ines Rushiti Albana Tahirim, Kledi Shegani, Natasha Kazmaj, Fatmire Ismaili, Enida Kume etj.
Seminaristët vizituan muze, kështjella dhe vende turistike në rrethinën e Shkodrës. Përjetimet katër ditore do mbesin të fuqishme tek çdo mësues/e me dëshirën e ndërtimit të jetës në atdhe ashtu siç do duhej për kthimin e gjeneratave nesër. Shpresa e mbështetjes financiare për mësimin amtar vazhdon të mbetet akoma varur në fjalorin e politikës dëshpëruese.
Shkodra me Rozafën e saj u ngulit më thellë në gjenin e sakrificës shekullore për mbijetesë të gjuhës e identitetit shqiptar edhe në hapësirat e skajshme të kontinentit. Dje, sot e nesër Rozafa u mishërua në secilin, edhe një herë iu kthye porosisë “së gjirit” për të birin, për breza në pambarim, mishërim me porosinë mirësi, njerëzi e urtësi.