REXHEP KASUMAJ: NJË DIALOG (I DËSHIRUAR) IMAGJINAR (PRITMËRIA KOTNARE)

Berlin, 26. 01. 2015 – Qeveria e Kosovës mblidhet me ngut. Anëtarët e saj: shqiptarë, romë, ashkalinjë, turqë, malazezë e serbë, të vranët e të shqetësuar presin kumtin. Veçanërisht shqiptarët duken të tronditur. Janë lodhur e këputur nga orë e gjendje të jashtëzakonshme. Dhe, kushedi pse, kjo ditë u kujtonte dramën e tyre të përgjakur.
Flet së pari, gjithë rëndesë, Premieri Isa: Të nderuar ministra, temë e vetme e seancës së sotme është situata e krijuar pas shpërthimit të revoltës popullore, nxitur nga cilësimi i ultë pezhorativ që i bëri Ministri Jabllanoviq qytetarëve të Gjakovës. E, ata janë pjesë e popullit të Kosovës, ndaj dhe reagimi i tillë kolektiv na duket i natyrshëm e legjitim.
(Heshtje. Askush nuk flet një fjalë. Të gjithë hezitojnë)
Pastaj Premieri vijon: Z. Jabllanoviq, Ju duhet të reflektoni më thellë.
Ministri Jabllanoviq përgjigjet menjëherë: Përse?
Premieri: Si përse? Nuk prek aspak komocionin tuaj politik mëllefi popullor?
Jabllanoviqi: Unë kam kërkuar ndjesë dhe kjo mjafton. Ç’duan ata më shumë?
Isaja: Populli nuk Ju do!
Jabllanoviqi: Cili? Unë kam popullin tim. Kurse këto turmat që morën udhët s’ju duan as Ju!
Isaja: Nuk e di, por kërkohet, madje ultimativisht, largimi Juaj.
Jabllanoviqi: Më falni, përkthimi çalon e nuk kuptoj mirë!

Isaja: Anipse serbishtja ka status qarkullimi oficial, Ju, për të lehtësuar punë, duhet të mësoni shqip. Kjo është gjuha e shumicës, të cilën ai që nuk arrin ta njohë ose është injorant ose shoven!
Jabllanoviqi (me një nëqeshje ironike): Si? Po unë atë bëj. Flas pikërisht atë gjuhë.
Isaja (i skandalizuar krejt): Ç’thua ore? Ç’është kjo marrëzi? Shqipja është gjuhë e parë në Kosovë.
Jabllanoviqi (me një siguri sfiduese): Kosova është pjesë e Sërbisë dhe shqipja Juaj nuk mund të jetë gjuhë shtetërore!
Isaja (i gatshëm për një replikë të rreptë, por ruan qetësinë): Për këtë do bisedojmë sërish më pas. E tani, për arsye të ndjeshmërive konjukturale, duhet të dorëhiqeni vetë. Në të kundërtën, do të shtrëngohem t’ju shkarkoj nga posti ministral.
(Në këtë moment, pjestarët e kabinetit, të tendosur të gjithë, sikur lëvizin pak. Dëgjohen pëshpërima: miratuese, dyshimtare, mohuese!)
Jabllanoviqi (me një ftohtësi cinike): Jo, nuk dorëhiqem vetë, për tri arsye: e para, pse s’kam fyer askënd. Dhe e dyta, pse refuzoj të vërtetën e stisur se në Kosovë ka pasur krim etnocidal. Ky, thjeshtë, është një mit, që u fabrikua për të rrëzuar të drejtën serbe mbi Kosovën. Mandej, së fundmi, shkuarjen time mund ta nismëtojë vetëm establishmenti i shtetit tim.
Isaja (me vendosmëri shtetari të madh): Ja, pra. Ky është kulmi. Ju jeni autorë mitesh të rreme e doktrinash të kombvrasjes. Varrezat masive, këto qelekulla të reja të nëndheut me trupa të pajetë gjithandejí, janë prova tragjike e njëmendësisë shqiptare. Bota e qytetnisë, tashmë, njeh të vërtetën tonë dhe gënjeshtrën tuaj. Kjo, njëherësh, dëshmon gjithësesi strategjinë e redizajnuar serbe që prodhon pozicion e moral të dyfishtë: të jesh pjesë e qeverisë së Kosovës për të gëzuar privilegjet e fëmijës së llastuar, ndërkohë që ndiqen politikat e shtetit, tashmë fqinj serb, për të shpërbërë Pavarësinë e Kosovës. Ndaj dhe, që tani, jo veç për ofezën primitive, por më tepër akoma, për negacionin e shtetit që qeverisni e përfaqësoni, unë dekretoj shkarkimin tuaj të pakthim e definitiv. Le të jetë një përvojë për të gjithë. Për minoritarët serbë veçanërisht! Shteti i Kosovës, sovran e i pavarur, është një realitet historik.
(Në sallë dëgjohet prapë zhurmëri e mbytur)
Jabllanoviqi: Edhe një fjalë kam. Mua aq më bën për këtë. Kam udhëzimet e mëtejme të prijësve të mi belgradas. Por një gjë është e sigurtë: Pa mua dhe deputetët serbë, do të bjerë qeveria e Kosovës, kurse për Ju, z. Mustafa, ky është karuseli i mbramë pushtetar.
Isaja (politikisht racional, kombëtarisht i përgjegjshëm e me një krenari solemne): s’më prish punë fare. Guvernat venë e vijnë, por Kosova jonë e martirizuar dhe e shtrenjtë është një dhe e vetme! Është trualli im, në pragun e të cilit unë përulem përjetësisht! Dhe tani kolegë e miq, thotë ai me ndjenjë sakrifice, mbledhjen e deklaroj të mbyllur!
Salla nis e zbrazet shpejtësisht. Premieri Isa, për një çast, duket i vetmuar. Po, me të dalë, tek porta e presin ministrat shqiptarë dhe ndonjë nga pakicat. Vetëm serbët kishin ikur pa përshëndetjen e mirësjelljes së rëndomtë!
Ja, kështu do të duhej të duket një zhvillim gjërash në përgjigje të trysnisë popullore. Por lexuesi im i nderuar, e di se kjo është e pamundur. Mbase epilogu i tillë do të shfaqej real në një kohë të dytë, por vështirë të jetë i pritshëm nga ky soj vernilësh që kanë shaluar edipërisht fatet e nënës Kosovë. E, pra, ose do ta shohim atë si ofertë të huaj, ose si rrjedhojë të një alternance pushteti dhe morali në Kosovë!
Koha, thoshte Bertold Breht, është shpresa e popujve!
Por kohën e saj është gjithmonë…

– Kontakti me autorin: [email protected]

………………………………………………………….

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura