HELGA’S SECRETS: LUFTA SHQIPTARO TURKE (1370 – 1530) BURIME OSMANE

Pashtriku.org, 26. 10. 2016: Së shpejti do të dalë nga shtypi libri “Lufta shqiptaro – turke (1370 – 1530) Burime osmane”. Këtë libër të vlefshëm historik, nga kampi ‘armik’, do ta gjeni në Panairin e Librit ‘Tirana 2016’, (nga 9 – 13 nëntor 2016) në stendat e Helga’s Secrets.
Dy fjalë nga Helga’s Secrets
Libri që po merrni në dorë nga enti ynë botues nonfiction është një libër historik, shumë interesant, për faktin se ai është i shkruar nga burimet ‘armike’, për shkak se ai është shkruar nga kronikanë turq, bashkëkohës dhe dëshmitarë të ngjarjeve për të cilat ata flasin. Periudha është shumë e rëndësishme pasi përkon me kohën kur sundimi osman, dallgë dallgë u vendos dhe do të vuloste pushtetin e Portës së Lartë për rreth 5 shekuj jo vetëm në tokat e shqiptarëve por të gjithë Ballkanit.
Pavarsisht nga titulli, në këtë libër të rrallë të përkthyer në shqip nga osmanishtja dhe persishtja prej disa përkthyesve të talentuar, skrupulozë e të rrallë si Selami Pulaha, Myqerem Janina, Haki Sharofi dhe Vexhi Buharaja, sipas ndarjeve që përmenden në Hyrjen e librit, këtu flitet jo vetëm për luftrat e osmanëve me shqiptarët, por edhe për pushtimet e luftrat e trevave të tjera të rajonit tonë të sotëm, si në Serbi, Bosnjë, Bullgari, Greqi, etj. Kjo e bën këtë libër akoma edhe më të vlefshëm, anipse kryefjala e tij është rezistenca e madhe mbi një shekullore e gjithë shqiptarëve dhe parisë së tyre kundër pushtimit osman dhe kundër rënies në robëri.
Ky libër është përgatitur për botim në vitin 1968 dhe vlerat e tij historike, pavarësisht se gjithmonë kanë qenë e janë të mëdha, aq më shumë ato spikasin sot kur rajoni ynë dhe politikanët e ndryshëm në Shqipëri a Kosovë kanë dalë, nën trysninë edhe të politikës së Ankarasë, me tezat e ndryshimit të historisë. Në fakt historia përbëhet nga ngjarjet dhe datat. Ajo nuk është një pikturë e vjetër a një ikonë që mund t’i shtosh disa penelata zbukurimi apo ta restaurosh. Jo! Historia ka lidhje me kohën dhe me veprat. Koha nuk mund të kthehet pas dhe veprat nuk mund të ribëhen me zbukurime. Historia mund të riinterpretohet me qëllim të ardhmen, pa ju shmangur objektivitetit. Ajo duhet dhe mund të ketë si qëllim të mirë feedback-un mbi ato që kanë ndodhur, që qeveritë e popujt të rregullojnë shënjestrën për të përmirësuar sjelljet politike kundrejt njëri tjetrit, me synim të ardhmen më të mirë të përbashkët në Rajonin tonë.
Në këtë kuptim, tek kjo vepër dalin në pah mizoritë që sjellin luftrat, nga krahu i pushtuesve, jo vetëm kundër luftëtarëve të rezistencës, por shpesh herë edhe kundër banorëve civilë, pleq e fëmijë, si hakmarje mbi parimin e lënies së tokës së djegur, sa herë që ata largoheshin pa e mposhtur kundërshtarin. Në këtë rast spikat sidomos sulltan Mehmet Fatihu i cili shquhet si një nga sulltanët më mizorë kundër shqiptarëve, sidomos gjatë dy rrethimeve të Krujës dhe gjatë Luftës së Peloponezit ku mendohet se, në rastin e parë ka rreth 17 mijë shqiptarë civilë të masakruar dhe në rastin e dytë rreth 80 mijë banorë, kryesisht arvanitas, të cilët edhe u larguan nga vendi i tyre në drejtim të Sicilisë, Kalabrisë, etj. Këtë e dëshmon më së miri edhe kënga e bukur dhe e mirënjohur arvanitase ‘Moj e bukura More’.
Nuk mund të rrimë pa përmendur këtu edhe një përputhje të madhe në ngjarje dhe data mes të dhënave osmane që jepen në këtë libër, me të dhënat e M.Barletit tek Historia e Skëndërbeut të botuar në Romë në vigjilje të shekullit të 16. Kjo hedh poshtë në thelb, disa zëra kritikë të studiuesve shqiptarë a të huaj, në mënyrë të qëllimshme apo nga padija, ndaj librit të tij, nga i cili janë frymëzuar mbi 1,200 libra të tjerë të shkruar për rezistencën e madhe të shqiptarëve kundër osmanve, jo vetëm në 24 vjetët e qeverisjes së vendit prej Skënderbeut. Pavarsisht nga fjalimet me thelb të njëjtë por edhe me pak ngjyrim herodotian, për të cilat akuzohet Barleti, ky libër tregon se Historia e këtij autori është në përgjithësi e saktë.
Dihet se Barleti tregon e flet për të gjithë periudhën e rezistencës së shqiptarëve kundër osmanëve dhe jo vetëm për periudhën e Skënderbeut, dhe theksi i tij ishte se rezistencën e bënë të gjithë shqiptarët të bashkuar, sidomos nën emblemën autoritare të shtëpisë së madhe të Kastriotëve. Libri i tij është botuar pas udhëtimeve dhe kontakteve të shumta të autorit me shqiptarët e arratisur në Itali, sidomos pas rënies së Shkodrës më 1474 dhe të Krujës më 1478, dhjetë vjet pas vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gj.K.Skënderbeut, origjinën shqiptare të të cilit e përmendin në disa raste edhe kronikanët osmanë të këtij libri, çfarë heqin çdo dyshim e pretendim prej disa fqinjëve tanë serbë, grekë, vllehë, etj., gjë e cila është edhe një vlerë tjetër e shtuar e këtij libri sipas interesit të shqiptarëve për këtë hero të tyre.
Por një burim i librit shumë korrekt të Barletit, sigurisht që ka qenë edhe libri tjetër i botuar para tij, më i shkurtër por shumë i saktë, me autor Mbajtësin e Thesarit të Skënderbeut, Dhimitër Frangut nga fshati Lis i Matit.
Sigurisht që arsyeja se përse ne po e sjellim këtë libër sot nuk ka ndonjë prapavijë politike kundër interesave të Turqisë apo të Shqipërisë, me ndonjë synim diabolik për të rënduar marrëdhëniet aktuale mes dy popujve tanë. Jo! Marrëdhëniet mes popujve, gjeopolitika dhe diplomacia në marrëdhëniet bilaterale duhet të kenë si synim të sotmen dhe të ardhmen sipas interesave reciproke, dhe Shqipërisë sigurisht që i intereson të ketë marrëdhënie të mira me Turqinë e popullin turk, ashtu si me shtetet e popujt e tjerë të rajonit, mbi bazën e respektit të ndërsjellë reciprok.
Në këtë drejtim, pas dy Luftrave Ballkanike dhe Luftës së Madhe, Konferencës së Londrës më 1913 dhe dy Konferencave të Paqes pas dy Luftrave Botërore, Shqipëria dhe territori i banuar historikisht nga shqiptarët, është ndarë a kafshuar nga shtetet aleate ortodokse ballkanike dhe oreksi i tyre ka qenë (dhe vazhdon të jetë) i madh për të marë akoma dhe me shume teritore shqiptare duke asimiluar, deportuar a shkombëtarizuar shqiptarët, në emër të luftës fetare dhe etnike, nën udhëheqjen e Rusisë cariste e cila kërkonte dalje deri në Adriatik me anë të tyre. Në këtë kuptim, Turqia, për shkak të interesave të saj rajonale, shpesh herë ka dalë në mbështetje të çështjes shqiptare, ashtu siç ka bërë edhe dy tre herë tradhëti ndaj saj, sidomos pas traktatit të Lozanës me Greqinë dhe në marrëveshjet me Stojadinoviçin në fund të viteve 1930.
Megjithatë, në rastin e Luftës së Kosovës më 1999, Turqia ka qenë një aleat i palëkundur i NATO-s në luftën kundër shtetit të Milosheviçit dhe në krah të mbrojtjes së popullit shqiptar të Kosovës i pushtuar nga Serbët më 1912-’13. Pavarësisht se populli shqiptar ka një aleancë strategjike me SHBA, Britaninë, Gjermaninë dhe disa shtete të tjera në perëndim, edhe miqësia me popullin turk është shumë e rëndësishme në rajon, për të jetuar në këtë shekull në unitet politik si shqiptarë dhe në paqe me të gjithë popujt e tjerë të rajonit. Për të hedhur pas krahëve ngjarjet e rëmetshme pas pushtimit osman të Ballkanit dhe ato akoma më të rëmetshme pas largimit të saj prej tij.
Pushtimi osman ishte një baticë që la vragat e saj mbi lëkurën e shqiptarëve, por akoma edhe më shumë la shenja të tilla të lemeritshme zbatica prej largimit të saj në shekullin e kaluar, nga politikat grabitqare e shoviniste të fqinjëve tanë mbi popullin tonë që sot duket se ka si nord në busullën e tij vokacionin perëndimor.
Libri sigurisht që do të jetë një vlerë e shtuar e këtij panairi; ka 350 faqe dhe kushton 1.100 lekë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura