RAMIZE FERATI *): RRETHI I KOMPETENCËS

Pashtriku.org, 19 qershor 2018: (“Ajo që unë di, është se nuk di asgjë!” Sokrati) – Para më shumë se dhjetë vjetësh, isha angazhuar për të përkthyer një seri ligjeratash në fushën e prokurimit publik në një universitet në Prishtinë. Pasi kisha trajtuar disa herë të njëjtat module dhe pothuajse të njëjtat tema, nuk do mend se puna shkonte rrjedhshëm. Kur në fund të programit studentëve, që në këtë rast ishin zyrtarë të lartë të prokurimit, iu shpërndanë certifikatat, një grup i tyre më pyeti, nëse kisha menduar ndonjëherë të organizoj në mënyrë të pavarur trajnime nga fusha e prokurimit. Edhe pse pohova se unë nuk vija nga fusha përkatëse dhe se njohuritë e mia në këtë lëmi kufizoheshin në njohjen e koncepteve themelore profesionale, terminologjike dhe shkathtësive të komunikimit gjuhësor dhe me këtë mjaftonin për të kryer si duhet punën time, ata “sugjeronin” me këmbëngulje madje, që ta marr seriozisht idenë. “S’ka rëndësi”, pohonin me bindje, përderisa paraqitja ime paskësh qenë bindëse.
Idenë nuk e mora seriozisht, jo për mungesë vetëbesimi a guximi. Kam refuzuar edhe intuitivisht, sepse jam habitur me mendimin se si njeriu mund të përpiqet të shtrijë ndikimin te të tjerët për një temë të caktuar, pa qenë vetë plotësisht i bindur për idetë që mëton t’i shpërndajë, bindje e cila del si pasojë e të qenit i vetëdijshëm për limitet e kapacitetit profesional. Që kam pasur të drejtë, e kam mësuar më vonë.
Në ligjeratat e tij, një ndër profesorët më të shquar të fushës së investimeve dhe biznesit, Charli Munger asnjëherë nuk harron të shtjellojë çështjen e asaj që ai e quan “Rrethi i kompetencës”, një teori, të cilën ai e ka zbërthyer së bashku me kolegun e tij, Warren Buffet, specialistin që nga një fabrikë tekstili ka ngritur konglomeratin më me influencë të kompanive amerikane dhe botërore të shekullit XX dhe XXI, Berkshire Hathaway.

Secili individ, sipas Buffet dhe Munger ka një rreth të caktuar të kompetencës. Suksesi i kësaj teorie bazohet në njohjen e kompetencave vetanake dhe në përqendrimin në to. Me këtë rast është plotësisht irrelevante të jesh „ekspert“ në sa më shumë fusha, ndërsa është thelbësore të dish ku janë kufijtë e kompetencave tua. Këtë koncept Munger dhe Buffet e kufizojnë me vlerësimin se njerëzit që dinë të lëvizin dhe përqendrohen vetëm në rrethin e kompetencës së vet, kanë shumë gjasa të jenë të suksesshëm, ndërsa probabiliteti tek ata, të cilët ndodhen vazhdimisht jashtë atij rrethi, është tejet i lartë që të hasin në vështirësi të vazhdueshme dhe të dështojnë. Këtë strategji ata e kanë aplikuar në fushën e biznesit dhe investimeve, në mes tjerash si rekomandim për këshilltarët përkatës, gjatë vlerësimit të kompanive aksionare, mirëpo ajo përbën një teori të aplikueshme pothuajse në të gjitha sferat e jetës.
Sipas Munger, ekzistojnë dy lloje të dijes: dija e vërtetë që e kanë nxënë njerëzit nëpërmjet arsimimit e angazhimit, duke investuar mund dhe kohë dhe dija e supozuar, të cilën pretendojnë se e kanë njerëzit që bëhen kinse dinë. Se sa të shpeshta janë rastet, kur edhe një njeri tejet inteligjent dhe me përvojë të madhe mund të bjerë në grackën e grupit të dytë, këtë ai e ilustron nëpërmjet një shembulli, sa interesant, aq edhe autentik, personazhe të të cilit janë nobelisti Max Plank dhe shoferi i tij.
Të tillë, sikurse studentët e prokurimit që, le të themi kanë rënë pre e besimit në dijen supozuar, për fat të keq kam takuar pa numër që nga ajo kohë. Gjuhëtarë që hiqen për njohës të politikës së jashtme, ndërsa zor se mund të përkufizojnë qëllimin e ekzistimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ekonomistë që hiqen për ekspertë të biologjisë, sepse nga një video fast motion kanë arritur të kuptojnë “në thelb” procesin e fotosintezës, këngëtarë që mëtojnë të japin mendime për politikat makro-financiare, politikanë, të cilët duke u thirrur në relativen mbahen për njohës të apasionuar të artit, biznesmenë që trajtojnë “me seriozitet” ligjin e arsimit, apo gazetarë që merren me sqarimin e teorive konspirative, ndërsa supozojnë se dinë gjithçka!
Por cilat janë arsyet për një sjellje të tillë dhe aktrimit si intelektualë? Mbase qasja joserioze ndaj arsimimit të mirëfilltë, mungesa e leximit dhe injoranca. Është fshehtësi publike blerja e diplomave universitare. Me këtë fakt mjaftohen të interesuarit e nuk çajnë kokën me libra. Shtrirja e internetit pothuajse falas gjithandej, iu ka mundësuar mediumeve që ekzistojnë pa kritere, shpërndarjen e informacioneve të cekëta e krejtësisht të pavërtetuara, ndërsa mungesa e dijes themelore, mbi të cilën do të mund të ndërtohej dija e argumentuar, shtyen lexuesin modern që të gjitha informacionet e reja, të pafiltruara t’i marrë për fakte të kryera. Më tej, rrjetet sociale ofrojnë hapësirë shumë të volitshme edhe për grupe të tëra pseudo-intelektualësh, të cilët përhapin qëndrime të paqarta rreth pothuajse të gjitha temave aktuale në botë. Ato e kanë lehtësuar tej mase shndërrimin e njerëzve në injorantë. Këtë e dëshmon më së miri edhe, por jo vetëm, shfrytëzimi i këtyre rrjeteve për vetëpromovim të tepruar, i cili nga një aspekt stimulimi është kthyer në një imperativ me qëllim parësor – reklamimin e vlerave të paqena.
Përqendrimi në një fushë të caktuar që njeriu e njeh, sepse ka nxënë njohuri akademike, ka mbledhur përvojë praktike dhe ka dëshmuar se di të argumentojë çështje të ndryshme të ndërlidhura mes vete – proces nga i cili është në gjendje të nxjerrë dije të re – është i pamohueshëm, nëse dëshirojmë të jemi të suksesshëm në jetë. Ndërsa njohuritë plotësuese, qoftë sipërfaqësore, apo deri diku solide në fusha të tjera duhen parë vetëm si vlerë e shtuar, brenda dijes së përgjithshme. Asgjë më shumë.
Këtë e kanë kuptuar kaherë paraardhësit tanë, shumë nga të cilët për dallim nga ne, nuk e kanë pasur fatin as të ndjekin studime në universitet e as të marrin pjesë në trajnime të thjeshta a të avancuara në institute prestigjioze, por kanë ditur të thonë: “Zanatit të huej veç puna e m’arë thuej!”
(Fillimisht është botuar te portali panalbanica)
____________
*) Ramize Ferati:
Pas studimeve në fushën e përkthimit dhe letërsisë gjermane në Institutin e Gjuhëve dhe Përkthimit në Munih dhe në Universitetin e Prishtinës, Ramize Ferati karrierën e saj e ka nisur në vitin 2002, si mësimdhënëse në Shërbimin Gjerman për Shkëmbim Akademik (DAAD) në Prishtinë. Në kuadër të angazhimit të saj shumëvjeçar si përkthyese-interprete në organizata dhe institucione ndërkombëtare, nga viti 2007 është përqendruar në fushën e diplomacisë, politikës si dhe të drejtave të fëmijëve. Së fundmi ka qenë e angazhuar si mësimdhënëse në Webster Public Schools në shtetin federal Massachusetts të SHBA-ve dhe i është përkushtuar pedagogjisë me theks të veçantë në rolin e arsimit në zhvillimin e shoqërisë. Ka përkthyer dhe shkruar një sërë artikujsh, studimesh e hulumtimesh nga fusha e diplomacisë dhe publicistikës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura