HILË LUSHAKU: SI U VRA HASAN PRISHTINA – NË SELANIK – 1933 (I)

(Tiranë, 17. 02. 2013) – Është lindur në vitin 1873, në Vushtrri. Hasani është me origjinë nga treva e Drenicës (Polaci) dhe rrjedh prej një familjeje të pasur. Të parët e tij kanë pasur mbiemrin Berisha, por me largimin e gjyshit të tij nga Polaci familja mori mbiemrin e fshatit të origjinës (Polaci). Kur Hasani u zgjodh deputet në kuvendin turk (vitet 1908-1912) ai ndryshoi mbiemrin dhe u quajt Hasan bej Prishtina. Flitet se mori këtë mbiemër mbasi ishte prishtinasi (shqiptari) më i pasur në të gjithë kohërat, duke pasur pasuri në Selanik, Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Vushtrri, Drenicë, etj. Ai ka qenë njohës i mirë i gjuhës gjermane, frënge, turke e sllave.
Hasan Prishtina ka kryer studimet e larta për shkencat politiko-juridike në Selanik dhe në Stamboll, në gjuhën frënge. U martua me Igballen Qerreze, me të cilën nuk pati fëmijë dhe mbeti pa pasardhës. Falë aktivitetit të tij të shquar politik është cilësuar ideolog i luftës kundër pushtuesit të huaj.
Ka qenë i zgjedhur deputet në parlamentin turk, për tre herë me radhë, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare shqiptare. Realisht, Hasan Prishtina, shenjat e para të mospajtimit me xhonturqit i shfaqi pas kongresit të alfabetit të shqipes në Manastir, i cili mori një vendim Solomon, të dëmshëm për të ardhmen e kombit shqiptar, ndaj sapo filloi kryengritja e vitit 1910 në Kosovë, lëshoi thirrjen e kongresit të dytë të Manastirit, i cili, realisht, u drejtua nga personalitetet ndjekës besnikë të Hasan Prishtinës. Ky kongres e vendosi fatin e alfabetit të kombit tonë.

Ismail Qemali, Qazim bej Vlora dhe Hasan Prishtina (Stamboll, 1910)

Duhet saktësuar se Hasani, për mëvetësinë e Shqipërisë Etnike, ishte i lidhur me qarqet ushtarake vjeneze që nga viti 1904, dhe një javë para se ta shpallte kushtrimin për “Revolucionin Shqiptar Çlirimtar”, në Parlamentin Turk, kërkoi përkrahjen diplomatike të Vjenës e më vonë edhe të Anglisë e të fuqive të tjera evropiane për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në Hasan Prishtinën kemi trinomin e “luftëtarit”, “të dijetarit” dhe “të pasurit” në shërbim të mbrojtjes së tërësisë e të lirisë së atdheut Shqipëri.
Më datën 11 janar 1912, duke folur në dhomën e deputetëve në parlamentin osman, ai bëri një diskutim të ashpër në favor të çështjes shqiptare dhe për aprovimin e programit të kryengritjes, ku kryesore shtroi problemin e kufijve të Shqipërisë, krijimin e administratës shqiptare, problemin e Flamurit Kombëtar, ligjërimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, krijimin e qeverisë me shqiptarë, etj. Deputeti i Kosovës Hasan Prishtina, më 11 janar 1912, shpalosi edhe njëherë në parlamentin turk kërkesat kombëtare të shqiptarëve, dënoi ashpër mohimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, shkeljen e të drejtave kushtetuese dhe foli për terrorin e pashembullt të ushtruar mbi popullsinë shqiptare në trevat shqiptare si dhe kërcënoi qeverinë turke me një kryengritje të re, nëse nuk plotësoheshin kërkesat kombëtare të shqiptarëve.
Pas këshillimeve, që u zhvilluan ndërmjet Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës, më 12 janar 1912, u vendos të mbahej një takim i një grupi personalitetesh të jetës politike shqiptare, i njohur si “Kuvendi i Taksimit”, ku u dha betimi për organizimin e Kryengritjes gjithëshqiptare për autonominë e gjithë Shqipërisë. Në muajin janar të vitit 1912, Hasan Prishtina u përpoq të bindte Asim beun, ministrin e Jashtëm të Perandorisë Osmane, se ishte në interesin e shtetit osman që qeveria të deklaronte zyrtarisht kufijtë e Shqipërisë.
Duke shpresuar të gjente mbështetje në Londër, Hasan Prishtina iu drejtua së pari konsullit britanik në Shkup, duke i deklaruar se shqiptarët kishin vendosur “me ba nji lëvizje t’armatosun kundra sundimit turk”. Konsulli i njoftoi Hasan Prishtinës se vendi i tij nuk kishte interesa në Ballkan, prandaj as nuk do ta kundërshtonte dhe as nuk do ta përkrahte kryengritjen kundërosmane të shqiptarëve.
Kujdes të veçantë udhëheqësit e kryengritjes i kushtuan qëndrimit të Perandorisë Dualiste. Hasan Prishtina hyri në lidhje edhe me kryekonsullin austro-hungarez në Selanik, Kral. Edhe Vjena nuk premtoi ta ndihmonte kryengritjen shqiptare, por kërkoi që lëvizja kombëtare shqiptare të mbetej në kuadër të një lëvizjeje paqësore e kufizuar me kërkesa kulturore, arsimore dhe ekonomike.
Kur patriotët Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, etj, nisën rrugën e vështirë e të lavdishme të shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë, ai u bë nismëtar dhe mori përsipër organizimin e kryengritjes në krahinën e Kosovës, së bashku me Bajram Currin dhe Isa Boletinin. Hasan Prishtina pa vonuar do të kthehet në kryeselinë historike të Kosovës, në Shkup, vuri kontakte me përfaqësuesit e VMRO-së bullgare për luftën çlirimtare të përbashkët, kurse nga Anglia kërkoi ta përkrahte kauzën kombëtare shqiptare të lirisë. Më 5 maj 1912 Hasan Prishtina doli në kështjellën e Shqipërisë, në Drenicë dhe e lëshoi kushtrimin e Kryengritjes së Përgjithshme. Kushtrimi bëri jehonë në mbarë vilajetin e Kosovës, kurse sukseset në front Hasanit ia hapën “Portat” e Prishtinës. Në Drenicë e në Prekaz, Hasani mblodhi parinë e këtyre vendeve (krahinave) për të lidhur besë në luftën për interesat kombëtare. Flitet se kur erdhi në këto anë, më 12 maj 1912, ngriti për herë të parë flamurin e pavarësisë në fshatin Vesekov të Shalës së Bajgores
Më 21-25 maj 1912, me nismën e Hasan Prishtinës, në Junik, Gjakovë, është mbledhur një kuvend i posaçëm, ku u lidh besa për rifillimin e kryengritjes përgjithshme për autonominë e Shqipërisë, gjë e cila ndikoi që më 17 korrik 1912 qeveria xhonturke të japë dorëheqjen.

Ideologu I kryengritjes së përgjithshme shqiptare, Hasan Prishtina (1873 – 1933)

Më 21-22 korrik 1912, së bashku me Bajram Currin, kanë shkuar në Prishtinë, ku prezantuan programin e tij politik prej 14 pikash, i njohur me emrin “14 pikat e Hasan Prishtinës”, në thelbin e të cilit ishte autonomia e Shqipërisë dhe bashkimi i Shqipërisë Etnike. Në programin prej 14 pikash, të Hasan Prishtinës, kërkohej t’i njiheshin Shqipërisë të drejta të gjera kombëtare siç ishin: emërimi në Shqipëri i nëpunësve të aftë që njihnin gjuhën dhe zakonet e vendit; kryerja e shërbimit ushtarak në Shqipëri e në Maqedoni, me përjashtim të kohës së luftës; zbatimi i ligjit të maleve për krahina të caktuara; armatosja e shqiptarëve me armë moderne; hapja e shkollave reale e bujqësore, në programet e të cilave do të përfshihej edhe mësimi i gjuhës së vendit; lejimi për hapjen e shkollave private në Shqipëri; hapja e shkollave teologjike moderne në përputhje me nevojat e vendit; mësimi i gjuhës së vendit në shkollat fillore, qytetëse dhe në gjimnazet; zhvillimi i tregtisë, i bujqësisë, i punëve botore dhe ndërtimi i hekurudhave; zbatimi i organizimit të krahinave, ruajtja e zakoneve dhe e traditave të vendit; shpallja e faljes së përgjithshme për të gjithë pjesëmarrësit e lëvizjes kundërqeveritare; zhdëmtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara; nxjerrja në gjyq e pjesëtarëve të kabinetit të Haki e Said pashës. Më 24 korrik 1912 këshilli i ministrave i Turqisë formoi komisionin për të biseduar për të ardhmen e Shqipërisë në kornizat perandorake osmane. Bisedimet vazhduan deri më 9 gusht 1912. Kërkesat kryesore që i mbrojti Hasan Prishtina mund të sublimohen në këto pika: “Të njifen zyrtarisht kufijtë e Shqipërisë; autoritet civile e ushtarake të kenë kombësi shqiptare; ushtria shqiptare te shërbejë në Shqipëri e të jetë komanda prej oficerëve shqiptarë; veprimet zyrtare në Shqipëri të bëhen në gjuhën shqipe”. Programi prej 14 pikash iu dorëzua komisionit qeveritar më 9 gusht, duke i deklaruar atij që, në rast se brenda dy ditëve ky program nuk do të pranohej, atëherë forcat kryengritëse do të marshonin drejt qendrës së vilajetit, Shkupit. Hasan Prishtina, që ishte ithtar i programit radikal të lëvizjes, shpresonte se pikat e përfshira në marrëveshjen e arritur me qeverinë osmane më 18 gusht do të shënonin “hape të mëdha kah independenca e jonë”.
Më 9 gusht 1912, Hasan Prishtina ka shkuar në Ferizaj, ku ishte Mehmet pashë Tetova (Dërralla), për të gjallëruar më tej luftën për çështjen kombëtare. Më 17 gusht 1912, informoi “Shtabin Kryesor të Kryengritjes” dhe opinionin botëror se: “kërkesat e pranuara nga qeveria janë ato të propozuara nga e gjithë Shqipëria”, e më 18 gusht urdhëroi të shpërndaheshin kryengritësit.
Këtu e vlen të saktësojmë faktin se në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, Hasan Prishtina foli në seancën e Parlamentit Osman, në Stamboll, dhe kërkoi nga kabineti qeveritar veprime ushtarake të shpejta për ta shpëtuar Shqipërinë nga okupimi dhe masakrat gjenocidiale të ushtrive të “Aleancës Ballkanike”, të përkrahura nga pesë fuqitë e mëdha, kasap të Shqipërisë: Rusia, Anglia, Franca, Italia dhe Austro-Hungaria. Gjatë rrugës së kthimit nga Stambolli në atdhe, Hasan Prishtina, do të kapet nga ushtria serbe dhe do të dërgohet në burgun e “Kalemegdanit”, ku ishin sjellë edhe disa krerë të kapur në Shkup e gjetkë në Kosovë, midis të të cilëve edhe shërbëtorë besnikë, të Serbisë, të cilët më vonë do të shpërblehen me pensione të përjetshme. Hasani u mbajt i burgosur deri në muajin prill 1913, së bashku me Idriz Seferin, Sahit Hoxhën, Nexhip Dragën etj. Vlen të theksohet se serbët arrestuan 13 ndër krerët e kryengritjes së 26 tetorit 1912, e cila po i paraprinte shpalljes së pavarësisë. Hasan Prishtina, pas lirimit nga internimi në pranverë të vitit 1913, përmes Vjenës e Triestes arriti në Vlorë për të dhënë kontributin e nevojshëm në ngritjen e shtetit Shqipëri.
Në kabinetin qeveritar të Ismail Qemalit, Prishtina është caktuar fillimisht ministër i Bujqësisë, pas Pandeli Cales që ishte ministri i kabinetit të parë qeveritar në këtë funksion. Gazeta “Shqypnia e re” njoftoi se Hasan Prishtina jep dorëheqjen nga qeveria e Vlorës dhe niset për Elbasan, kurse gazeta “Përlindj’ e Shipëniës” shpall se “Hasan beg Prishtina jep dorëheqje nga ministër i Bujqësisë”. Ai është larguar nga ky post dhe është emëruar ministër i Brendshëm në vend të Esad Toptanit, më 5 shtator 1913, detyrë të cilën e kreu deri në 20 nëntor 1913. Në historinë e Shqipërisë nuk është anashkaluar fakti që Hasan Prishtina ka bashkëpunuar me patriotët e tjerë nga Veriu i Shqipërisë për të organizuar masat popullore për çlirimin e trojeve shqiptare nga zaptuesit e huaj. “Ndërsa Hasan Prishtina caktohej në shtator ministër i qeverisë së Vlorës, Bajram Curri, Isa Buletini, Elez Isufi, etj. u ngarkuan me organizimin e kryengritjes në vend (në vitin 1913-H.L.)”.
Pak ditë pas krijimit të qeverisë nga Esad Toptani, çuditërisht Hasan Prishtina besoi te fuqia e Toptanit dhe “dezertoi” nga qeveria e Ismail Qemalit, duke u bashkuar me Esadin. Kjo tërheqje përputhet me kohën kur Mufid Libohova ishte pranuar në KNK, kundër dëshirës së Ismail Qemalit dhe Prishtina me Vehbi Dibrën ndodheshin në Durrës, nga ku ai paraqiti dorëheqjen telegrafikisht. Për këtë akt dhe mbështetjen që ai i ka dhënë Pashait Toptanas, shkroi edhe gazeta pro esadiste: “Esad Pashë Toptani duke folur për gazetën “Il giornale d’Italia”, të 14 kallnuerit 1914, kur kishte thirrë konsullin e Italisë, në Durrës, është shprehur se: “Pëlqej plotësisht fjalimin që bëri në emër t’im Hasan beu, ish deputet i Prishtinës, më 8 të këtij muaji” .
Më 21 shkurt 1914, ka qenë në përbërje të delegacionit shqiptar (19 vetë gjithsej, të kryesuar nga Esad Toptani) që shkoi në Gjermani për t’i dorëzuar kurorën mbretërore Vilhem von Ëied-it. Hasan Prishtina u caktua ministër i Postë-Telegrafëve në kabinetin e formuar nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit. Shkarkimi Esad Toptanit nga detyra solli ndryshime në kabinetin qeveritar, sikurse qe lirimi Hasan Prishtinës, më 28 maj 1914, zëvendësuar në detyrë nga Mit’hat Frashëri, ndërsa Esadi u zëvendësua nga Aqif pasha.
Në këtë kohë serbo-malazezët dhe grekët vazhdonin masakrat ndaj popullsisë në rajonet kufitare e deri në brendësi të vendit. Grekët gjendjen e mundshme të Shqipërisë e dinin më mirë se kryeministri Turhan Pasha, sepse Shqipëria kishte 400 priftërinj ortodoksë, të cilët vullnetarisht ishin agjentët lajmërues të mitropolitit Jakovi, dhe, me anën e këtij, dhe të ministrit të Greqisë, Baratasit.
Hasan Prishtina, i mbështetur nga Bajram Curri e Isa Buletini nuk ka qenë në një mendje me Mehmet pashë Dërallën e disa kosovarë të tjerë për të bërë ujdisje me kryengritësit e revoltuar kundër Wied-it.
Në shumë dokumente të ndryshme të asaj periudhe rezulton se Prishtina ka qenë i një mendje me grupin e parisë kosovare, Bajram Curri, Qerim Begolli, Xhemal Prishtina dhe rininë intelektuale kosovare si Rexhep Mitrovica, Bedri Peja, Beqir Vokshi, kapiten Hadush Kastrati, etj., se: “duke iu mbështetur politikës italiane do të fitohej Kosova e robëruar nga Jugosllavia”. Kjo shpresë duket se i bashkoi ata me italofilët dhe në atë kohë jashtëzakonisht të vështirë, i shtuan radhët e kundërshtarëve brenda për brenda Krahut Kombëtar.
Në korrik 1914, mblodhi parinë e Dibrës, ku kërkoi të përgatitet kryengritja kundër Serbisë dhe pastaj nga Dibra kaloi në Lurë për të vazhduar misionin e tij. Në fillim të viti 1915 mori pjesë në kuvendet në Bicaj dhe në Kullë. Më 13 shkurt 1915 organizoi prerjen e linjave telegrafike e telefonike në malet e Korintikut dhe mori përsipër organizimin e drejtimin e luftës së lumjanëve kundër serbëve në kufi e mbas kësaj drejt Prizrenit. Në periudhën në vijim ka kaluar në Has dhe më vonë në Shkodër, gjithnjë duke u përpjekur për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Në bashkëpunim me Bajram Currin, Hoxhë Kadriun (Kadri Prishtina) e shumë atdhetarë të tjerë kanë kontribuar për të krijuar komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me përfaqësuesit e tyre në Romë dhe në Shqipëri. Në vitin 1919 ky komitet e caktoi Prishtinën kryetar të delegacionit në konferencën e paqes në Paris, ku kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Ka qenë pjesëtar i grupi organizator të kongresit të Lushnjës, në vitin 1920, dhe pjesëmarrës në këtë kongres. Në korrik të vitit 1920, ka tentuar të siguronte nga Italia fqinjë (D’Annuzio) një vapor me armë, por Zogu ndërhyri te kryeministri Sulejman Delvina dhe nëpërmjet Sejfi Vllamasit e Xhemal Naipit, të mbështetur nga forcat ushtarake në vend, nuk lejuan shkarkimin e vaporit në Shëngjin, duke lënë kështu popullsinë kosovare pa armë.

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu

Në vitin 1921, është zgjedhur deputet i Dibrës në Parlamentin Shqiptar. Më 16 tetor 1921, kur dha dorëheqjen qeveria e Iliaz Vrionit ka qenë në Vjenë së bashku me Mehdi Frashërin (në atë kohë ky ishte ministër i Punëve Botore) dhe ka shprehur habinë kur ka dëgjuar se ky kabinet po zëvendësohej nga kabineti qeveritar i Pandeli Evangjelit, mbasi aty ai është shprehur se priste që kabineti të bëhej me Gurakuqin dhe Merlikën (Mustafa Krujën). Të pranishmit e kanë kuptuar se ai kishte dijeni të plotë për zhvillimet politike që po ndodhnin në Shqipëri.
Më 7 dhjetor 1921, ka krijuar kabinetin qeveritar duke pasur në përbërje: Hoxhë Kadrinë në postin e ministrit të Drejtësisë, Fan Noli-ministër i Jashtëm, Luigj Gurakuqi-ministër i Brendshëm, Ahmet Dakli-ministër i Financave, Haki Tefiku-ministër i Punëve Botore, Kristo Dako-ministër i Arsimit dhe Zija Dibra-ministër i Luftës. Krijimi i kësaj qeverie solli reaksion të madh në vend. Komentet janë të ndryshme e kontradiktore, por një gjë është fakt se ish-ministrat, deputetët, funksionarë të qeverisë dhe patriotë të krahut opozitarë, të shoqëruar nga kapiten Osman Gazepi, në krye të një kompanie xhandarmërie, janë nisur për në Elbasan, pa dijeninë e qeverisë së Hasan Prishtinës. Ndërkohë Bahri Omari dhe Sali Vuçitërna i dërguan njoftim A. Zogut në Mirditë. Kjo lëvizje alarmoi qeverinë, e cila urdhëroi marrjen urgjente të masave për të kapur këtë grup gjallë ose vdekur. Në krye të grupit për marrjen dhe zbatimin e masave është vënë Hoxhë Kadriu, i cili krahas detyrës së ministrit të Drejtësisë kryente edhe detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme. Ministri i Brendshëm i kabinetit qeveritar, Luigj Gurakuqi, ishte jashtë vendit. Në mbështetje të qeverisë ishin gjithashtu edhe forcat e Murat Kaloshit nga Dibra dhe ato të Sali Ohrit (nipi Aqif Elbasanit) të cilët rrethuan deputetët e qeveritarët në të përpjetën e Kërrabës së Vogël. Falë ndërhyrjes së major Banush Hamdiut dhe guximit të Riza Cerovës, i cili u dha ultimatum forcave të Demir Alisë të hapnin rrugën, u zgjidh paqësisht konflikti ndërmjet vetë shqiptarëve.
Kabineti qeveritar i kryesuar nga Hasan Prishtina ndërmori një reformë në Ministrinë e Brendshme, por kjo u prit me protesta e demonstrata nga populli i Tiranës, gjatë së cilës u hodhën parulla “poshtë agjentët e Italisë”. Ndërkohë protesta shpërthyen në shumë zona të vendit dhe Hasan Prishtina nuk vonoi të jepte dorëheqje më 12 dhjetor 1921, pra pas një jave qeverisje. Ndër veprimet e para të qeverisë së Prishtinës ishte shkarkimi A. Zogut nga detyra e komandantit të operacionit në Mirditë, por ai nuk iu bind vendimit të qeverisë. Gjatë kësaj kohe një grup deputetësh, përfshirë Shefqet Vërlacin, Sejfi Vllamasin, Bajram Fevziun, etj. morën vendim dhe caktuan më 10 dhjetor Banush Hamdiun komandant të Përgjithshëm të Fuqive Kombëtare, për t’iu kundërvënë qeverisë së Hasan Prishtinës. Vendin e qeverisë së Hasan Prishtinës e zuri kabineti qeveritar i drejtuar nga kryeministri Idhomene Kosturi, duke pasur në kabinet këshilltarët e ministrave (ministra asnjanës), i cili pati për mision mbajtjen e qetësisë për të dy palët deri në vendosjen e legalitetit. Kuptohet se edhe në këtë rast dora e Zogut shtrihej që larg. Një javë pas formimit të qeverisë së Kosturit, A. Zogu u kthye në Tiranë në krye të ushtrisë së rregullt dhe bllokoi të gjithë rrugëdaljet e kryeqytetit, duke kërcënuar me forca ushtarake. Në këtë rast Zogu përfitoi nga rasti të rimerrte pushtetin dhe deklaroi: “Qeveria e Idhomene Kosturit e kreu misionin e vet për sa i përket mbajtjes së qetësisë, dhe, për sa i takon guximtarëve të grushtit të shtetit, gjykimi i tyre i takon Parlamentit”. Më 16 dhjetor 1921 ish-ministrat dhe deputetët u rikthyen në Tiranë dhe më 22 dhjetor u hap parlamenti. Në këtë mbledhje Prishtina është shprehur se “shqiptarit nuk mund t’i mbyllet goja as nga dyfeku dhe as nga topi”. Pas kësaj deklarate Hasan Prishtina dhe deputetë të tjerë të Drinit (Dibrës) u deklaruan të rrëzuar. Kjo qeveri ia la vendin qeverisë së Xhaferr Ypit, më 24 dhjetor 1921, i cili riktheu Ahmet Zogun në postin e ministrit të Brendshëm.
Kur u krijua qeveria e Xhaferr Ypit, Hasan Prishtina e ndjeu rrezikun e Zogut, nuk u paraqit në qeveri për të dhënë shpjegime për periudhën kur qe kryeministër, por u ngujua në shtëpi me të shoqen dhe pesë persona besnikë të tij, me mendjen për të bërë rezistencë të armatosur në rast të ndonjë veprimi nga forcat qeveritare. Kur një grup xhandarësh të komanduar nga kapiten Hodush Kastrati shkoi për ta marrë me forcë, ai u bëri të qartë atyre se ky veprim do të sjellë gjakderdhje. Në këto kushte, ndonëse shtëpia u mbajt e rrethuar nga xhandarët, qeveria (më mirë të themi A. Zogu ministër i Brendshëm) u detyrua të largojë forcat, duke vënë kushtin detyrues që Hasan Prishtina të largohej nga Shqipëria.
Në këtë rast Hasan Prishtina bëri një gjest të lartë fisnikërie dhe shprehu karakterin e tij të thellë demokrat, ndërkohë shmangu një gjakderdhje të parapërgatitur ndërmjet shqiptarëve. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, më 22 dhjetor 1921, Hasan Prishtina ka kundërshtuar përbërjen e komisionit hetimor të krizës ministrore me anëtarë Mehdi Frashërin, Maliq Bushatin dhe Bahri Omarin (në këtë komision bënte pjesë edhe miku i tij Mustafa Kruja).
Më 10 janar 1922, i përkrahur nga Luigj Gurakuqi dhe Ramiz Daci, i ka shkruar Bajram Currit, duke i kërkuar organizimin e kryengritjes për të përmbysur qeverinë. Në mars 1922 Hasan Prishtina organizoi e kreu veprime diplomatike dhe me forcën e armëve, në bashkëveprim me Bajram Currin, Hoxhë Kadriun e të tjerë, për rrëzimin nga froni të Ahmet Zogu.
Është cilësuar si një nga drejtuesit e organizatorët kryesorë të lëvizjes antizogiste të shkurt-marsit 1922, aktivitet të cilën e vazhdoi edhe më vonë deri në vitin 1923. Pas kësaj, ashtu sikurse u ndodhi deputetëve të sipërpërmendur dhe disa udhëheqësve të tjerë nga Kosova, në vitin 1922, kohë kur qeveria shqiptare e kryesuar nga Ahmet Zogu dhe Xhaferr Ypi lidhi marrëdhënie me Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, iu hoq mandati i deputetit dhe filloi ndjekja për eliminimin fizik të tij. Duke qenë në ndjekje nga ushtria serbe, madje edhe brenda territorit shqiptar, ai bëri përpjekje, me gjithë Bajram Currin, të organizonin kryengritje kundër regjimit serb në tokën kosovare. Kjo u tentua në shkurt 1923, por kryengritja u shtyp dhe pasoja goditi mbi 3500 shqiptarë që u detyruan të largohen nga trojet e tyre dhe të marrin rrugën e Turqisë.
Prishtina ka qenë përkrah Nolit e Gurakuqit në ngjarjet e qershorit 1924 dhe një nga burrat më aktiv për zbatimin e programit të qeverisë së Nolit. Më 26 shtator 1924, së bashku me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, etj., mori pjesë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, duke kundërshtuar me fakte barbarizmin dhe gjenocidin që ndiqte klika sllave e Beogradit ndaj popullit shqiptar, në trojet e veta në Kosovë.
Pas dështimit të lëvizjes së qershorit 1924 dhe rënies së qeverisë së Nolit, u detyrua të largohet përfundimisht nga toka shqiptare dhe të jetojë jashtë atdheut. Për 11 vjet rresht, ndonëse në mërgim, qëndroi deri në vdekje në krahun e lëvizjes përparimtare për interesa kombëtare shqiptare, i ndjekur njëherazi nga serbët dhe nga qeveria e Zogut. Me largpamësinë që e karakterizonte u përpoq që çështjen e Kosovës ta lidhte e ta bashkërendonte edhe me popujt e tjerë ballkanikë, për ta shpëtuar dhe çliruar nga zgjedha e regjimeve shoviniste të huaja, duke propaganduar fuqishëm krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, përjashtimit të çdo forme të hegjemonisë së njërit ndaj tjetrit.
Në një intervistë dhënë një gazetari të fletores “Giornale d’Italia”, më datë 8 dhjetor 1927, Hasan Prishtina ka vlerësuar Traktatin e Zogut të lidhur me Italinë. Duket paradoksal fakti, por në ketë mënyrë dhe me këtë veprim ai ndikonte në ekzaltimin e politikës së armikut të tij, Ahmet Zogut.

(VIJON…)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura