HILË LUSHAKU: SI U VRA HASAN PRISHTINA – NË SELANIK – 1933 (II)

(Tiranë, 17. 02. 2013) – Kritika, akuza e vlerësime për Hasan Prishtinën – Veziri turk e ka akuzuar si rebel që kërkonte t’i vinte zjarrin Perandorisë Osmane. Është akuzuar për organizimin e një atentati ndaj Ahmet Zogut në Vjenë, ku u vra një nga oficerët shoqërues të tij (Llesh Topallaj). Atdhetarizmi i tij nuk përligj largimin nga qeveria e Vlorës dhe bashkimin e tij me Esad Toptanin. Kur ka qenë në mërgim është ndihmuar prej italianëve me një shumë prej 30 000 lira italiane në muaj, për të përballuar nevojat ekonomike. Mehdi Frashëri, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, më 22 dhjetor 1921, e ka cilësuar “irredentist shqiptar”, “ndoshta patriot”, por me një natyrë turbulluese që kërkonte gjithnjë aventura.
Ka qenë nga patriotët më në zë në Kosovë, një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes patriotike. Ka qenë nga bejlerët më të pasur të Kosovës, një pjesë të pasurisë e ka vënë në shërbim të interesave kombëtare.
Gjysma e studentëve të shkollës normale të Elbasanit kanë qenë nga Kosova dhe shumica e tyre është mbajtur me shpenzimet e patriotit Hasan Prishtina. I përkrahur nga udhëheqësia e klubit arsimor “Bashkimi” të Shkupit ai i dërgoi në Normalen e Elbasanit 38 nxënës nga Kosova shumicën me financim të tij. Së këndejmi, rilindësi Josif Bageri, duke shkruar për kontributin e Hasan Prishtinës për shkollën shqipe dhe lirinë e Shqipërisë, do të konstatojë: “Ky trim biri i Shqipnis është shembull me veprat e tij kaq shumë shqiptarëve”.
Ka menduar se nuk mund të ketë Shqipëri pa Kosovën dhe në këto kushte ka rënë viktimë e propagandës italiane duke rrezikuar ekuilibrin e vendosur në kongresin e Lushnjës. Është shquar për guxim të lartë në veprimtarinë politike. Gjatë periudhës 1921-1924 Prishtina u shqua si një politikan aktiv dhe guximtar për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Eqrem bej Vlora ka thënë se Hasan Prishtina ishte “i mençur, i shkolluar, njeri me karakter e atdhetar i flaktë, ai punoi në mënyrë të shkëlqyer për autonominë e vendit të tij, duke arritur, sidomos në këtë periudhë të dytë dhe të fundit të Risorgimentos (Rilindjes) shqiptare, të bëhet një nga personalitetet që zunë vend nderi në historinë shqiptare”.

Është shprehur se: “Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit, do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im”; “Akuza, shpifje, kërcënime, rreziqe nuk më kanë frikësuar kurrë deri më sot, e kundërshtarët e mi le të janë të sigurt se nuk do të më frikësojnë as mbas sodit (…). Nderin tem si njeri e si shqiptar e çmoj, e tham me krenari, nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve. Mua n’idenë t’eme patriotike nuk ka muejtë as nuk do të muej me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve. Ka me shtrue vetën vdekja” .
Pesë vjet para martirizimit do të saktësojë: “Unë kam një rrugë të caktuar para mejet, atë kam shkelë dhe atë do të shkelë deri në vdekje, rrugën e indipendencës ma të plotë të tan Shqipnisë!”
Gazeta “Lirija”, duke publikuar deputetët e zgjedhur në të katër vilajetet bën të ditur se janë zgjedhur: “Në Prishtinë: Fuad Pasha, myfti Hafëz Mustafa efendiu, Hasan beu nga Vuçiterni”.
Gazeta “Bashkimi i Kombit”, duke komentuar kontributin e Prishtinës për zhvillimin e arsimit kombëtar ka shkruar :”…bleu një togë abetare për të dhuruar…kudo që vajti, me këdo që foli ky burrë i ditur dhe i zgjuar bëri një përshtypje fort të madhe…Ai hapi një shkollë në Moravë, një shkollë tjetër në Gjilan dhe një tjetër ndë Pozeran. Përveç këtyre kanë gjetur pesë djem të varfër nga ato vise të cilët do t’i dërgojë në shkollë Normale të Elbasanit edhe do t’i përmbajë vetë…Pastë shëndet dhe jetë të gjatë ky mëmëdhetar i vërtetë që rron jo për vete por për kombin, po edhe kombi do të vijë koha që të ngrejë përmendore këtyre burrave që kanë bërë dhe bëjnë kurban pasjen edhe jetën për të mirën e mëmëdheut” .
Gazeta “Bashkimi i Kombit”, duke komentuar përpjekjet e Prishtinës për mbrojtjen e alfabetit latin të gjuhës shqipe ka cituar thëniet e tij: “Sado që kundërshtimet për shkronja të shenjta janë shumë të rrebta, dituria dhe e drejta e poshtërojnë padijen dhe shtrembërimin. Unë sa të rrojë do të përpiqem për diturinë edhe për atdheun, për mbrojthtësinë e vendit tonë…” . Po kjo gazetë, shkroi; “Dy javë më parë i çkëlqyeri Hasan bej Prishtina lajmëroi shkollën Normale me tejshkrim se nisi 16 çuna. Këto lajme u përhapën si një shkëndijë elektrike në të gjithë anët e Elbasanit dhe një gas i madh pushtoi zemrat e të gjithë shqiptarëvet”.
Në vitin 1910 Hasan Prishtina u bë tribun i fjalës së zjarrtë në mbrojtje të shqiptarëve që po masakroheshin barbarisht nga Xhavid pasha (fjala në parlamentin turk më 3 prill, ku përmenden Gjakova, Blaca, Luma e Peja) dhe nga Shefqet Turgut pasha për veprimet e të cilit ai kërkoi më 4 prill thirrjen në parlament të kryeministrit për të dhënë shpjegime.
Më 11 qershor ai proteston në parlament për nivelin e ulët të mësuesve të shkollave fillore ndërsa më 7 dhjetor ka debatuar ashpër me kryeministrin turk për gjendjen e rëndë dhe padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar nga politika reaksionare e xhonturqve. Në një replikë me kryeministrin, gjatë këtij debati, ai është shprehur: “Nuk kërkonj asnjë pozitë… Megjithatë, mendoj që në qoftë se një kabinet, cilido qoftë ky, që vjen në fuqi, nuk heq dorë nga kjo politikë dhune e terrori, dhe në qoftë se nuk pranon si vijë politike bazë, atë të bërjes për vete të popullit dhe të krijimit të kënaqësisë së përgjithshme, atëherë ai nuk ndjek një vijë veprimi që përputhet me interesat e atdheut. Meqenëse përpjekjet e mia janë përqendruar të gjitha në këtë fakt, e quaj si detyrë që ta përsëris vazhdimisht këtë”.
Tre ditë më vonë ai ka debatuar përsëri ashpër me kryeministrin Haki pasha, duke e kërcënuar se: “Sikur të kishte një qeveri me regjim konstitucional, pa dyshim sot Sadrazemi duhet të ishte në gjykatore të lartë”.
Papajtueshmëria e tij ndaj qeverisë xhonturke ka vijuar me ashpërsi edhe në vitin 1911, sikurse përmenden rasti për protestën e tij lidhur me regjistrimin e popullsisë, ku për interesa të shtetit në përfitim të taksave për një banorë regjistrohen fiktivisht dhjetë vetë, gjë për të cilën “populli i Kosovës ka marrë dallgë dhe është revoltuar në kulm,… populli ka të drejtë t’i kundërshtojë,… qeveria po ua shton taksat, duhen pasur parasysh jo vetëm interesat e qeverisë dhe të thesarit të shtetit por, përpara së gjithash, duhet të kemi parasysh të drejtat e popullit,… në Kosovë, për shkak të regjistrimit të tanishëm ka lindur një pakënaqësi jashtëzakonisht e madhe” .
Për veprimtarinë tepër aktive të Hasan Prishtinës, në prag të shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë kanë shkruar shumë gazeta të asaj kohe. Gazeta “Lirija e Shqipërisë” në artikullin “Shqipëria e Re” shkroi: “…Ky zotni më parë deputet i Prishtinës qe një nga më të naltit përfaqësonjës të kombit shqiptar i cili trimërisht i mbronte të drejtat shqiptare në parlament të Turqisë. Këto vepra e përpjekjet e tija për dërgimin e 40 e ca djelmve nga Kosova në shkollën normale të Elbasanit, shkrimet e botimet e tij në gazeta në gjuhët turqisht, të gjitha për të mirë të Shqipërisë, si kundër edhe dalja e tij kryengritës në Kosovë e rritën kaq shumë emrin e tij sa arriti të jetë Hasan Prishtina një nga më të mëdhenj atdhetar…”. Po kjo gazetë, njoftoi se: “Hasan Prishtina (pasi ka mundur të dalë nga burgjet serbe) më 16 korrik, të shtunën, ka ardhur nga Trieste në Vlorë, së bashku me Ismail Qemalin”. Gazeta bën me dije se “Hasan be Vuçiterni, i njohur deputet i vjetër në parlament të Turqisë,…ishte mbajtur pesë muej në kështjellë të Beogradit”.
Në vitin 1920, rezulton të ketë qenë me qëndrim në Vjenë, nga ku, më 7 janar, i ka shkruar mikut të vet Sotir Kolea, që t’i bëjë të ditur konferencës së Paqes masakrat e serbëve ndaj popullit shqiptar në krahinën e Kosovës.

Selanik 1933: Hasan Prishtina(i pari nga e djathta) e Kosta Boshnjakun.

*   *   *

Të nesërmen e caktimit në postin e kryeministrit ka nxjerrë urdhrin e parë, më 8 dhjetor 1921, ku ka theksuar: “Mbas dorëheqjes së shkëlqesisë së tij Qazim Koculi formimi i kabinetit m’u ngarkua mua. Duke u mbështetur në atdhedashurinë e popullit këtë barrë të rëndë e mora mbi vete. Shpëtimi dhe përparimi i atdheut varet në qetësinë e bashkëveprimit të të gjithë bashkatdhetarëve. Pra, ju lutem që të mbani qetësinë dhe rregullin plotësisht. Ligji duhet të mbahet njësoj për gjithë nënshtetasit. Ky është urdhri im i parë që u jepet”.
Dy nga ministrat e tij, Luigj Gurakuqi (ministër i Brendshëm) dhe Fan Noli (ministër i Jashtëm), kur u krijua kabineti ishin jashtë Shqipërisë, gjë e cila është e provuar me dokumente arkivore. Sipas dokumenteve të dosjes, në gjuhën frënge është paraqitur kabineti qeveritar i H. Prishtinës, ku bëjnë pjesë:
– Luigj Gurakuqi (ministër i Brendshëm),
– Zija Dibra (ministër i Luftës),
– Hoxhë Kadriu (ministër i Drejtësisë),
– Koço Tasi (ministër i Financave),
– Kristo Dako (ministër i Punëve Botore),
– Haki Tefiku (ministër i Arsimit Publik).
Më 11 dhjetor, ai i ka paraqitur dorëheqjen Këshillit të Naltë, ku ndër të tjera ka shkruar: “…Kabinetin u mundova me e krijue në mënyrë që të pëlqehej si prej shkëlqesisë suaj ashtu dhe prej gjithë popullit tue zanë rrugën shumë ankimeve që kanë pas shkaktue deri më sot një ftohtësi të madhe ndërmjet krahinavet të ndryshme të atdheut e sidomos ndërmjet Jugës e Veriut. Por një fuqi misterioze e cila me mjetet ma të ndryshme që ka përdor gjithmonë për me mbajtun fuqinë qeveritare në dorë e për me bamun shtetin shqiptar vegël interesash personale edhe këtë herë me propagandat ma të turpshme e rrënimqare helmoi oficera e ushtarë, mësues e nënpunës tue bamun me lanë detyrën e shenjt që ju ka ngarkuem shteti mbi krye. Krijoi nji situatë aq të rrezikshme sa që shtrëngoi edhe shkëlqesën tuaj me kujtue nevojën e dorëheqjes. I shtrohemi pra kësaj nevoje dhe paraqis në duar të shkëlqesisë tuej dorëheqjen e kabinetit t’im tue vajtue hallin e atdheut të dashur derisa ta shpëtojmë”.
Sipas një telegrami që Prishtina i ka dërguar Nolit, ku e fton të paraqitet në detyrë, rezulton se Bajram Fevziu dhe Mustafa Maksuti fillimisht kanë refuzuar dorëzimin e detyrës, (kur u caktua kryeministër Koculi) gjë të cilën e kanë bërë me detyrim një ditë më vonë . Të dy ishin kundër kabinetit qeveritar të kryesuar nga Hasan Prishtina.
Si kundërshtar i rreptë i Ahmet Zogut, i është bashkuar protestës kundër tij dhe ka nënshkruar dokumentin që thekson: “Mjerisht fjalët e këshillat e qeverisë deri tashti nuk patën asnjë efekt mbi shpirtin rebel të deputetit të Matit, z. Ahmet bej Zogollit, i cili me një fuqi të lidhur pas tij për interesa personale ka vendosur për t’u bërë diktator në Shqipëri…”.
Qeveria e Zogut nuk mund të pajtohet me sjelljen e Hasan Prishtinës dhe vihet në ndjekje të tij për ta arrestuar. Janë një numër i shumtë shkresash dërguar prefekturave të vendit për këtë problem. I ndodhur në këto kushte, në gusht 1922, ai bëri përpjekje për t’u larguar nga Shëngjini por dështoi nga që ndiqej këmba-këmbës prej forcave të xhandarmërisë. Në këtë ndjekje ka marrë pjesë edhe majori Rexhep Shala (në atë kohë zëvendëskomandant i regjimentit III në Shkodër), i cili më datë 4 janar 1923, nëpërmjet një telegrami drejtuar Ministrisë së Luftës për organizimin e lëvizjes antizogiste nga Hasan Prishtina e nipi Bajram Currit, Hysniu, shkroi: “Lajmohemi nga Puka se Hasan Prishtina me Hysni Currin i kanë deklarue popullit qarkut Kosovës për me i kapë pushkët e me i ra qeverisë edhe ushtrisë qi gjindet ndër ato qarqe. Janë tue mshtjellë njerëz për me pushtue Krumën. Sot u dërgue një kompani në Pukë edhe u morën masat e duhuna”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Brendshme, e cila më 9 janar urdhëron: “Përgatitni fuqitë dhe nisni në ndjekje të rebelave…me doemos (ata) të zihen ose të vriten”. Këtë urdhër e ka përcjellë edhe ministri i Luftës Ismail Haki Tatzati: “Hasan Prishtinën me shokë ti xeni ose t’i vrisni në mos hyshin në dorë me çdo mënyrë. Ata që kan guxue me i mbrojt apo arratisen me ta të ndiqen e të dënohen sikur vet kryetarët… Operacioni të bëhet shpejt e i rrebtë…”.
Në tetor të vitit 1923, prokurori J.H. Hima, në prokurorinë e përgjithshme të Shkodrës, i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë vendimin e dënimit me vdekje të Hasan Prishtinës, duke këmbëngulur në dërgimin e tij para datës 23 tetor.
Në pamundësi për të shpëtuar nga ndjekjet e pafundme, më 25 tetor 1923, Hasan Prishtina detyrohet të emigrojë jashtë vendit. Sapo ka mbërritur në tokën italiane Prishtina vihet në kërkim të materialeve luftarake për lëvizjen antizogiste. “Kam marrë premtim të fortë për 50 milionë fishekë, 20 000 pushkë, 12 topa e materiale luftarake”, – i shkroi ai Bajram Currit (në osmanishte), më 2 nëntor 1923, nga Roma.
Shtypi italian, duke shkruar për Hasan Prishtinën, evidentoi se: “Prej disa ditësh ndodhet në Romë Hasan bej Prishtina, ish ministër shqiptar dhe aktualisht kreu i opozitës ndaj qeverisë së Ahmet Zogut. Sikundër dihet, para disa muajsh, ai u dënua me vdekje, por mundi të arratisej maleve nën mbrojtjen e çetave besnike të tij…Pamja e rreptë dhe e qetë e Hasan beut nuk të le të kuptosh se ai ka qenë protagonist ngjarjesh të stuhishme, aq më pak e tregon këtë e folura e tij e matur dhe e kursyer prej diplomati”. Në janar të vitit 1924, Vjena njoftoi legatën italiane në Tiranë se: “…ky person në kryeqytetin tonë ka kontakte të vazhdueshme me ministrin tregtar sovjetik, të akredituar pranë qeverisë sonë. Nga kjo kuptohet se atyre u paraqitet si përfaqësues legal i një komiteti qendror të veprimit shqiptaro-maqedonas, eksponenti kryesor i të cilit është Bajram Curri”.

Gazeta greke përshkruan momentet e vrasjes së patriotit

Hasan Prishtina në Selanik nga Ibrahim Çelo.

*   *   *

Hasan Prishtina u ndodh në Itali kur u vra Luigj Gurakuqi, madje ai ka mbajtur fjalën mortore në ceremoninë e varrimit të atdhetarit Gurakuqi, në Bari të Italisë, në mars 1925, ku ndër të tjera theksoi: “Një atdhetar, idealisti i shquar shqiptar Luigj Gurakuqi ra dëshmor prej dorës së një tradhtari, një krimineli, që është i shtyrë prej shumë tradhtarëve për të kryer një krim kaq të shëmtuar e të dhimbshëm. Kjo tragjedi helmoi gjithë zemrat e shqiptarëve nacionalistë të vërtetë dhe gëzoi vetëm ca kriminelë, ca asasinë profesionistë, të cilët e quajnë veten shqiptarë vetëm sa për t’u bërë vegla të vërteta të të huajve për dëmin e shtetit dhe të popullit tonë të shkretë. Humbja e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme për ne, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbeten jashtë kufirit të Shqipërisë së sotme dhe që sado që vuajnë nën grushtin e të huajve, interesohen për fatin e saj njëlloj si ata që janë nën hijen e flamurit kombëtarë. O Gurakuq, sot me qindra mijë shqiptarë të vajtojnë dhe hedhin futën e zisë për ty! Qetësohu, se me të shpejtë trupin tënd me një nderim të posaçëm do ta çojmë në atë vend ku je lindur, ku je rritur dhe për të cilin ti re viktimë! O Gurakuq, me trup me të vërtetë vdiqe, por me emër jo kurrë, se emri yt është shkruar në zemrat e shqiptarëve të vërtetë, dhe historia e Shqipërisë emrin tënd do ta shkruajë me shkronja të arta! Qoftë mallkuar ajo dorë e ndyrë që të vrau! Ndofta edhe prej nesh do të vriten, por të siguroj se idealin tënd asnjë forcë nuk do të mundet të na e shuajë ose të na e pakësojë. Në këtë mënyrë tradhtarët duhet ta dinë se do të na shtojnë e forcojnë parimet e tua të shenjta. Do të vijë një ditë që monumentin tënd do ta ngrehim në Shqipëri, atë ditë na e tregon gjaku yt i derdhur nër rrugët e huaja. Sot përkulemi me një respekt të madh përpara trupit të shenjtë, e dikur do të përulemi përpara atij monumenti! Eh, lamtumirë, o mik i madh, o ndera e kombit tonë! Të jesh i qetë se shpagën tënde do ta marrim dhe lulëzimin e Shqipërisë… tamam në caqet e idealit tënd do ta realizojmë”!
Në vitin 1927, Hasan Prishtina ka një angazhim më të madh në mbrojtje të çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi. Tipike është një letër që ai i ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, sër Erik Drymmond, më 15 mars 1927, të cilit i lutet që “të merren masa të tjera për të ndihmuar një popull të shtypur e të torturuar”. Këtu ai evidenton një popullsi të mjeruar prej një milion banorësh, të cilët shtypen, nuk kanë shkolla amtare, po shfarosen, vriten, plaçkiten e dëbohen nga trojet e tyre.
Në vitin 1928, Ahmet Zogu nuk mund të durojë më tej akuzat e luftën publike të Hasan Prishtinës, prandaj dërgon në Vjenë agjentin Ibrahim Lisi për ta vrarë. Këtë ligësi të tij e demaskon gazeta “Ora e Shqipnisë”, e cila shkroi: “…Më 4 të këtij muaji të tana fletoret e Vjenës e të provincjes i dhanë nji alarm botës për këtë zbulim sensacional të nji atentati të përgatitun e të subvencjuenuem nga presidenti i Republikës Shqiptare. Sidomos “Neue Frei Presse” e fletorja e Seipelit “Reichsport” atakuenë faret rreptas Ahmed Zogun dhe i hoqnë vërejten qeverisë së tyne qi pranonte në Vjenë një konsull i cili zyrën e tij e kishte shndrrruem në shpellë kompllotesh. Fletoret të gjitha u dalin zot nacjonalistavet shqiptar e kërkojnë qi nën nji flamur zyrtar mos të durohen në Vjenë asasinët e sikarët e Zogut”.
Gazeta austriake pati shkruar, ndër të tjera: “Lisi ia hedh fajin presidentit të Republikës Shqiptare, Ahmed bej Zogut, se ky bashkë me dy persona të tjerë e ka shty me vra Hasan bej Prishtinën, i cili sot padyshim është nga kundërshtarët ma të mëdhenj e ma të rrezikshëm të Zogut…”.
Gazeta “Ora e Shqipnisë”, më 28 shkurt 1928 shkroi: “…bisha nuk është ngopur ende. Gjaku që tash sa vjet po thith nga dejet e më të mirëve shqiptarë nuk e ka shuar ende etjen e gjakpirësit president… Tiranët kanë etje për gjak. Këtë herë Ahmet Zogu don të shkelë mbi trupin e Hasan Prishtinës”.
I betuar deri në vdekje si armik i Ahmet Zogut, Hasan Prishtina deklaroi në gazetën “Ora e Shqipnisë”: “…Atë ditë qi për të mirën e atëdheut hyna në fushën e politikës, kam pranue edhe të gjitha ataket, kundërshtimet, akuzat e shpifjet e atyne të cilët në veprimet e mia o do të shifeshin, të gënjyëm, rrënimin e atdheut, o do të konsideroshin të mërzitun, pengimin e realizimit të qëllimeve të tyre personale… Unë jam kenë dhe jam prap sot anmik i rrebët i politikës jugosllave në Shqipni, pse kam kenë dhe jam prap sot plotësisht i bindun qi interesat e atij shtetit janë fare në kundërshtim me interesat e shtetit t’onë shqiptar… Në vend të një kolltukut me turp në Stambollë preferova kryengritjen me nder në malet e Kosovës. Akuza, shpifje, kërcnime, rreziqe nuk më kanë frikësue kurr deri më sot e kundërshtarët e mij le të jenë të sigurtë se nuk do të më frikësojnë as mbas sodit. Unë kam nji rrugë të caktueme para mejet: atë kam shkelë dhe atë do të shkeli deri në vdekje-rrugën e indipendencës ma të plotë të tanë Shqipnisë! Rrugën e trathëtisë as nuk e kam shkelë as nuk do t’a shkeli kurrë edhe pse disave sot po u kande me më quajt publikisht tradhëtor! Në kjoftë se këta kanë ngulë syet në personen t’eme tue kujtue se unë trembem prej shpifjeve të tyne e do të ndërroj rrugë, u diftoj kjartas se kanë gabue adresë. Nderin t’em si njeri e si shqiptar çëmoj, e tham me kreni, nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve. Mue n’iden t’eme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të muej me më shtrue ari i tanë botës, por as mënia e të tanë armiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja!” Në qershor 1928 gjyqi hetues i posaçëm ka nxjerrë letër ndalimin për Hasan Prishtinën, ku thekson: “I sipërpërmenduri është i pandehur për një çështje atentati, vepra e tij është krim…mbasi u mor mendimi i Prokurorisë, u pa e nevojshme të ndalohet për një kohë të pacaktuar; çdo ftues, polic o xhandar është i detyruar ta sjellë në gjyq të Tiranës”.

Kryetari i Gjyqit Politik, Shefki Shatku, ka vendosur: “…Kryesia e Gjyqit Politik që prej datës shpalljes së këtij vendimi të pandehurit të lartpërmendur i jep dhjetë ditë afat për t’u prezantuar para gjyqit. Në qoftë se nuk i paraqitet gjyqit brenda këtij afati vërteton se nuk don t’i bindet ligjës dhe kështu gjyqi do ta shikojë në mungesë, kanë me ju rrëzuar të drejtat civile, ka me ju sekuestrue pasuria dhe në asnjë mënyrë nuk do të ketë të drejtë ankimi mbi veprimet e kryera. Të gjithë xhandarët dhe policët janë të detyruar në zënjën e tijë”.
Sipas një artikulli të gazetës “Ora e Shqipnisë”, u bë e ditur se Hasan Prishtina dënohet “me vdekje incontuniaciam (në mungesë),…se gjoja kishte organixue at komplot (është fjala për një atentat të padeklaruar kundër Zogut-H.L.). Kjo asht hera e pestë qi ky patrijot dënohet me vdekje” . Në këtë numër të “Ora e Shqipnisë” Prishtina përgënjeshtroi lajmin se ka kurdisur komplot kundër A. Zogut, duke u shprehur “ky lajm asht krejt i trilluem e nuk asht tjetër veç se nji manovër e kjartë e Zogut me mujtë me çue në vend qëllimet e veta”. Duke argumentuar përse Zogu vepron në këtë mënyrë, Prishtina nuk nguron të akuzojë se “Ahmet Zogu, sikur jam i lajmuem nga Shqipnia, nuk e ka hjekë ende mendimin me më largue këso jete nonse nuk i duel herën e fundit nëpërmjet Ibrahim Lisit”.
Edhe në vitin 1929, ai i është drejtuar Lidhjes së Kombeve, duke protestuar për gjendjen e mjeruar të shqiptarëve nën sundimin serbo-kroato-slloven, ndërsa në vitin 1930 ka dërguar një memorandum në adresë të këtij organizmi të lartë ndërkombëtar, duke hedhur poshtë deklaratën e qeverisë jugosllave mbi gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe ndërkohë kërkon dërgimin e një komisioni hetues. Edhe në vitin 1931, ai ka protestuar për këtë problem, në emër të bashkatdhetarëve të tij në Konstancë të Rumanisë.
Gjatë këtyre viteve të fundit në emigracion, Hasan Prishtina ka banuar defenitivisht në Stamboll, por në janar 1933 i ka kërkuar Drejtorisë së Policisë së Vjenës t’i miratohet leja për t’u rikthyer sërish në kryeqytetin austriak. Autoritetet policore austriake, duke vlerësuar ekspozimin e veprimeve të tij politike, nuk e kanë miratuar lutjen e paraqitur.
Kryekonsulli shqiptar në Rumani ka njoftuar më 16 mars 1933 Ministrinë e Jashtme se në Rumani Hasan Prishtina “ësht’ konsideruar indezirabil”. Sa sipër ka kërkuar të jepen të dhëna për pasaportën që mban, të dërgohet ndonjë fotografi, me qëllim që të njihet dhe të kapet e të burgoset nga organet e Sigurimit në Rumani. Të dhëna të tilla kanë dhënë konsullatat shqiptare edhe në Greqi, Bullgari dhe Austri, të cilat kanë ndjekur të gjitha lëvizjet e Hasan Prishtinës. Më 23 qershor konsullata shqiptare në Vjenë ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme se më 22 qershor 1933 autoritetet policore të Vjenës kanë dëbuar Hasan Prishtinën, i cili në këtë periudhë lëvizte me pasaportë turke, lëshuar në emër të Hasan Ahmet bej.
I ndjekur gjithandej, në fillim të korrikut Hasan Prishtina ka ndaluar në Selanik, ku u ekzekutua në mesin e muajit gusht nga njerëzit e Ahmet Zogut. Lidhur me këtë vrasje gazeta greke “Apogjevmatini”, duke akuzuar bashkëpunimin Zogu-Jugosllavia, ka theksuar se “Kjo veprimtari e tij qe nën vërejtjen e pafjetur të Jugosllavisë, që në personin e tij shihte një armik të rrezikshëm të sigurimit në shtetin jugosllav. Prandaj i binin pas kudo e kurdoherë në udhëtimet e tij në shtete të ndryshme”. Një intervistë e papërfunduar e Hasan Prishtinës, dhënë gazetës “Dajti”, shpreh qëndrimin e tij kundër Zogut, por ndërkohë edhe paaftësinë për të kuptuar se çfarë ai po përgatiste për t’u rikthyer në pushtet dhe dëbuar apo eliminuar fizikisht të gjithë kundërshtarët e vet, kur ishte në Beograd.
Vrasja e Hasan Prishtinës
Në jetën e tij ka mundur t’u shpëtojë katër atentateve, është burgosur dy herë nga serbo-malazezët dhe flitet se është dënuar gjashtë herë me vdekje nga xhonturqit, Esad Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë nga qeveria e Zogut.
Më 13 gusht 1933, vritet në Selanik nga njerëzit e paguar prej Ahmet Zogut dhe qarqet shoviniste serbe. Për këtë vrasje gazeta greke “Maqedonia e re”, shkroi: “Një vrasje tjetër që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 28 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtina”. Artikulli përmbante tekstin në vijim: Vrasja u krye në orën 2 mbas dite, më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane “IVI” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J. Janupollo. Njeriu me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të pa rrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në krahëror dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij, vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur, që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku. Nga tronditja ai ra në vitrinën e tregtores “Beharnae” të cilës ia dëmtoi tendën, por rimori veten, për t’u turrur drejt rrugës “Paleon Patron” ku u rrethua nga turma, që e ndiqte me synime të errëta. Vrasësi hyri në banesën e mjekut z. Dukidhis, ku dhe iu dorëzua rojës së policisë. Por nuk mundi t’i ikë egërsimit të turmës. Kalimtarët që e ndoqën dhe banorët fqinjë të çdo moshe, shtrese, pa ditur identitetin e tij dhe as motivet e vrasjes, të indinjuar prej egërsisë që tregoi vrasësi ndaj viktimës, sa panë të vinte skuadra e policisë, u turrën edhe ata duke thirrur: “Shqyejeni, shqyejeni vrasësin”. Ndërsa polici më kot përpiqej të shpëtonte atentatorin, turmat u turrën ndaj tij dhe nisën ta grushtojnë, duke i shkaktuar mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Do ta kishin çarë përgjysmë vërtet, nëse nuk do ia mbërrinte të hynte në një tjetër shtëpi, në rrugën “Paleon Patron”, ku u strehua nga i zoti i shtëpisë, i cili nxitoi t’u mbyllte derën e jashtme turmave të zemëruara. Pas pak mbërriti sekretari i policisë, nëntogeri Z.Zografo, dhe vrasësin e transferuan me motoçikletë në Seksionin e tretë të policisë. Hasan Prishtina, i mposhtur nga plagët, u dërgua ndërkohë në Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia. Në orën 2.50 minuta pas dite oficeri Sotiri nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e njeh gjuhën greke, ai u përgjigj se njeh gjuhën shqipe, frënge dhe gjuhën turke. Vrasësi nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaro-maqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, -thotë atentatori, – m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjetë ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin, Ahmet Zogun. Prishtina, -vijoi vrasësi, – më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit të mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajnë tradhtar.

Varri i Hasan Prishtinës në Kukës.

*   *   *

Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregtar frutash, ishte i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë. Atje u njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ishte shpërngulur në Nikea për hir të shlodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare. Gjatë njohjes midis tyre Hasan Prishtina i kishte treguar për rininë, vështirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe Bullgari. Në Turqi pat gjetur miq të vjetër dhe bashkëluftëtar kundër xhonturqve. Mori pjesë në një shoqatë të fshehtë me bashkatdhetarët e vet për çështjen shqiptare”.
Deri në vitet 1960 Hasan Prishtina konsiderohej si tradhtar në tekstet e historisë së Shqipërisë, por më pas ai u rehabilitua. Në vitin 1977 eshtrat e të ndjerit u sollën nga Greqia në Shqipëri dhe ai u varros në qytetin e Kukësit me një ceremoni rivarrimi më 6 dhjetor ’77.
Austriaku Herbert Urban, kolonel në pension, biri i kolonelit Modestus Urban, mik nga afër i Hasan Prishtinës nga viti 1905-1931, e përjetësisht, i kombit shqiptar, më 15 mars 1980, në Vjenë, i ka dhuruar prof. Dr. Muhamet Pirrakut, kur ishte me studime aty, disa mjete të përdorura nga Hasan beu, duke u shprehur se kam “…shumë gjësende të Hasanit e të gruas së tij, Zonjës Igballe, amanet të babait e të mëmës sime, për t’ia kthyer kombit shqiptar….!” Sot ato “artefakte” ruhen në muzeun privat të Pirrakut, në Prishtinë. – FUND –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura